LAJMI I FUNDIT:

Paralele shqiptaro-sovjetike

Paralele shqiptaro-sovjetike

Agron Gjekmarkaj

Ryszard Kapuscinski është cilësuar një shkrimtar dhe reporter që shkruan me seri. Ai udhëton, ndalet, shkruan, niset me vrik, rrezikon jetën dhe e pasuron atë më ngjarje të pazakonta, hedh shënime, mendime, refleksione, i rimerr ato pas shumë vitesh në pauzën pas një udhëtimi tjetër, e kështu marrin trajtë librat e tij, një miks ndërmjet letërsisë, gazetarisë, historisë, gjeopolitikës dhe ideologjive.

Kapuscinski ka lindur në kohë lufte në një vend fatkeq, të shqyer nga nazizmi dhe komunizmi. Ka lindur në Poloni. Ky fakt jetësor i kushtëzon qëndrimet dhe zgjedhjet intelektuale e profesionale. Ai lëviz edhe atëherë kur e mbartin të tjerët ende foshnjë për t’u shpëtuar bombardimeve e urisë. Ai lëviz në kërkim të gjërave që ushqejnë jetën ende fëmijë i njomë. Ai lëviz i shtrënguar nga internimet e dyanshme.


Lëvizja i mbetet si shenjë identitare e shkrimit të tij. Ajo i përcakton vetë natyrën.

Libri “Imperium” është rezultat i njohjes që vjen nga udhëtimet e shumta në hapësirën e pamasë të ish-Bashkimit Sovjetik, në periudha kohore të ndryshme.

Procesi i konsolidimit, i zhbërjes së komunizmit, si dhe e ardhmja e vendeve nën pushtetin e tij, konkretisht e republikave ish-sovjetike, është objekt i këtij teksti. “Imperium” është ndarë në tri pjesë, të cilat i përgjigjen përkatësisht viteve 1939-1967, kontaktet me “perandorinë”; 1989-1991 koha e rënies dhe vakabontazhit në qoshet e pafundme të asaj bote të stërmadhe. Pjesa e tretë përfshin mendime, refleksione dhe hipoteza mbi të ardhmen e këtyre skajeve.

Kapuscinski e përshkruan këtë fenomen historik, duke e vështruar atë në piken “ku mbështetet” leva e Arkimedit. Ky sistem kishte lindur në Rusi dhe aty po varrosej. Vështrimi fillon aty. Kudo tjetër komunizmi i ngritur në sistem qeverisjeje ishte një huazim, pavarësisht fytyrës së tij më agresive apo më të butë.

Rrëfimi i Kapuscinskit, një përzierje ndërmjet esesë dhe reportazhit, rrok çështjet e hapësirave të mëdha dhe shtetit-perandori, duke dekonstruktuar për të kuptuar nëpërmjet përshkrimit dhe analizës në mënyrë kapilare sistemin sovjetik, projektimin e qendrës në provincë, linjën e dhunës dhe të mungesës së lirisë, rrafshimin e mozaikut të traditave të asaj shumësie popujsh në shërbim të një teokracie dhe despotizmi autokratik.

Në këtë kontekst, ky libër është shkruar edhe për ne shqiptarët, sepse kemi përjetuar procese të ngjashme. Leximi i kësaj vepre të kujton edhe historinë e komunizmit shqiptar.

Një popull që nuk mund të bëjë pyetje, sepse ka mësuar që të bësh pyetje të shkon jeta. Ngjashmëria e kampeve dhe burgjeve shqiptare me ato të Siberisë, brutaliteti i KGB-së si shkollë për Sigurimin shqiptar, na bëjnë të kuptojmë si ishte modeli dhe si aplikohet ai në vendin tonë, nën parimin që nxënësi të bëhet më i mirë se ustai.

Strategjia për zëvendësimin e Zotit me një “Hyj” të ri, që është Stalini apo Enver Hoxha, është në thelb e ngjashme, por në Shqipëri realizohet me më tepër kërcitje, sepse rusët edhe më parë te Cari shihnin “Krishtin në tokë”, pra kishin një lidhje më mistike me liderin, ndërsa shqiptarët jo.

Kapuscinski ndërton në diakroni dhe sinkroni të gjithë infrastrukturën mbi të cilën mbahet besimi dhe Hyji i ri. “Besimtarët e rinj”, pasi kanë rrezuar shtëpinë e Zotit, kanë ndërtuar kishat e komunizmit, të cilat janë Komiteti Qendror i Partisë, pallatet e kulturës, pallatet e sovjetëve, komitete në provincë, duke realizuar zëvendësimin e simboleve deri në perfeksion. Liturgjia e re ishte propaganda, librat e saj “të shenjtë”- veprat e Leninit, Stalinit, Hoxhës etj.

Komunizmi edhe pas rënies duket se kudo lë një trashëgimi politike, kulturore e shpirtërore të ngjashme. Është forca prapavepruese e së keqes. Popujt sillen gati njësoj. Ata që deri dje ishin turma të organizuara në kuadrate, shndërrohen në turma anarkike. Shtypja dhe mungesa e lirisë, varfëria dhe mospasja e deridjeshme shndërrohen në llavë prishjeje, grabitjeje, përfitimi, vakabontazhi, ndërsa duket se pushteti i hapur shndërrohet në pushtet të fshehtë. Njerëzit e KGB-së, në të gjitha republikat marrin pushtetet “demokratike”. Ndoshta edhe te ne njerëzit e Sigurimit nuk kanë pasur fat më të keq! Ata që e bëjnë këtë pyetje po shtohen dhe një ditë e vërteta nuk mund të jetë më një kuriozitet, por një detyrim.

Përkthimi i këtij libri në gjuhën shqipe e bën Kapuscinskin një shkrimtar me fat, sepse gjen një lexues i cili është pjesë e historisë së tij, një lexues-personazh i subjekteve të tij, që bashkëndan një histori të ngjashme. Por, Kapuscinski, kur flet për kampet dhe burgjet, ka shkruar ku e ku më me modesti se At Zef Pllumi te “Rrno vetëm për me tregue”, ndoshta edhe për faktin se shkrimtari nuk i ka përjetuar drejtpërdrejt ato ngjarje e jetën në ato hone, por i ka me të rrëfyer, me të hulumtuar në arkiva.

Ky libër është një tjetër dëshmi se ne shqiptarët e paskemi kryeveprën e llojit. Leximi i “Imperium” sjell dobi. Ai të nxit të reflektosh me ndershmëri mbi të kaluarën e afërt, jo duke iu fshehur asaj, por duke e analizuar atë për të kuptuar më mirë thyerjet, përkuljet, defektet e një shoqërie totalitare dhe mbi të gjitha, të njeriut individ, për të kuptuar më tepër vetë totalitarizmin, i cili nuk largohet horizontesh kaq lehtë, sepse ai është bark tepër pjellor.

“Imperium” vetiu të shpie në ndërtim paralelesh shqiptaro-sovjetike, për dje, sot dhe nesër.

(Marrë nga: Panorama)