LAJMI I FUNDIT:

Historia, mësimi i mësuar gabimisht

Çfarë më ka shtyrë të studioj historinë është filozofia e saj më shumë humane sesa shkencore. Duke e thelluar njohurinë, sikurse edhe ndjenjat e dashurisë, dhembshurisë dhe respektit për ata që jetuan para nesh, historia të mundëson të balancosh – nëse jo gjithherë shoqërinë – atëherë sigurisht po vetveten. Të përgatitë të jetosh të tashmen, gjithashtu të ballafaqohesh, e deri diku edhe ta parashikosh të ardhmen. Pra, të mësuarit e historisë ndikon direkt në nivelin e vetëdijes, humanizmit dhe në formësimin individual e shoqëror. Pikërisht për këtë arsye, më vjen shumë keq që popullit tim, historia akoma vazhdon t’i mësohet gabimisht.

Në gjuhën shqipe mësimi i historisë zhvillohet në pesë vende të ndryshme: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi. Nxënësit dhe studentët shqiptarë u nënshtrohen kurrikulave sikurse edhe narrativëve historikë të këtyre pesë vendeve. Disa janë përkthime të librave shkollorë për popullsinë e shumicës – aty ku popullsia shqipfolëse është pakicë – ndërsa në Shqipëri dhe Kosovë kurrikulat përcaktohen në nivele shtetërore. Por, secila prej këtyre narrativëve është e ndryshme me tjetrën. Pra, këndvështrimi për ngjarjet e njëjta historike dallon nga njëri vend në tjetrin.

Tash, cila prej këtyre historiografive, është e saktë dhe cilës duhet t’i besojnë nxënësit, studentët e shqiptarët në përgjithësi? Pos kësaj, historia jonë është shkruar gjatë kohës së Ahmet Zogut (1925-1939) e veçanërisht edhe gjatë kohës së Enver Hoxhës (1944-1985). Pra, është dizajnuar nga oborrtarë të mbretërve apo diktatorëve të cilët kanë detyruar të shkruhet ajo çka u ka shkuar përshtati interesave të ngushta personale e klanore. Për shembull, sipas këtyre narrativëve, armiq të shqiptarëve na dilnin turqit, Evropa e të tjerët, por jo sllavët, kjo për shkak se në pushtet, si Zogun ashtu edhe Hoxhën i kishin sjellë dhe në njëfarë mënyre i mbanin sllavët. Por, mjafton një shikim luftës së fundit në Kosovë, sikurse edhe pozitës së shqiptarëve në Maqedoni e Mal të Zi, të vlerësohet kush në të vërtetë kanë qenë armiqtë e shqiptarëve në shekullin e fundit.


Gabim mbi gabim bëhet edhe pas viteve të 90-ta, kur institucionet kompetente që gëzojnë të drejtën për të prezantuar të kaluarën tonë e edhe historianët shqiptarë (me përjashtime të vogla), megjithëse kanë pasur njëfarë lirie të kufizuar për përmirësimin e të shkruarit të historisë, vazhdojnë së prodhuari “histori” mbi rrënojat e narrativëve të shkruar gjatë kohës së Zogut e Hoxhës. Gjendja përkeqësohet edhe më shumë kur dihet që ne si popull kemi kulturë të gabuar të të mësuarit të historisë. Në të shumtën e rasteve nuk hulumtojmë detaje për shkaqet dhe rrethanat e ndodhive të ndryshme historike, por thjesht mësojmë atë që na servohet. Andaj edhe tërbohen shqiptarët kur të tjerët sjellin konkluzione ndryshe për të kaluarën tonë. Vlen të ceket se kohëve të fundit ka raste kur diskrepanca mes teksteve të nxjerra nga historianë ose institute shqiptare dhe teksteve të nxjerra nga historianë dhe institucione me renome ndërkombëtare, ka tundur themelet e narrativëve të kalbur dhe këdo që ka pak interes për historinë e ka bërë të fillojë të kontestojë narrativët e betonuar në pesëdhjetë vitet e fundit.

Mësimi gabimisht i historisë është e barabartë me të jetuarit në rrenë. Si rrjedhojë shumë herë, kushdo dhe kurdo, provokon debate të zjarrta për të kaluarën tonë. Debate të cilat zakonisht përcillen me sharje, degradime, linçime, shtrembërime deklaratash e dëshmish, stimulim të dhunës dhe urrejtjes midis të njëjtëve në origjinë, por të ndryshëm në kërkimin e së vërtetës. Megjithëse dëmet e shkaktuara janë shumëdimensionale, për mendimin tim, tre prej efekteve më negative, janë:

1. Historia fshehë e de fakto amniston krimet e periudhës paraprake: Për shembull, institucionet më kompetente për prezantimin e të kaluarës, as pas viteve 1990 respektivisht 1999, nuk kanë bërë dhe aq për të ekspozuar krimet e shumta kundër shqiptarëve që ka kryer komunizmi në Shqipëri e edhe i ashtuquajturi socializëm në Jugosllavi në periudhën e pasluftës së dytë botërore. Si rezultat historia po përsëritet, të prishurit joshën që të vazhdojnë krimet kundër qytetarëve të vet, duke e ditur që historia nuk do t’i dënojë. Andaj në vazhdimësi, por edhe sot, liderë të këtij populli, bashkë me familjet dhe miqtë e tyre, dyshohen për vrasje, vjedhje, tortura, krim të organizuar e dhunim të djersës dhe pasurisë së popullit që e udhëheqin.

2. Mbjellja e ndjenjës së të qenurit viktimë, prej fëmijërisë: viktimizimi është një plagë që shkaktohet kundër një individi ose populli, e që vjen si rezultat i veprimeve të dikujt tjetër më të fuqishëm. Historia si lëndë mësimore mësohet prej shkollës fillore, ajo qysh në fëmijëri na mbjell vetëbesimin e tepruar se ne jemi më të pafajshmit, ndërsa popullit shqiptar me pa të drejtë ia kanë uzurpuar territoret, ia kanë mohuar të drejtën e edukimit, përparimit, zhvillimit gjithë-kombëtar etj. Kjo histori i bënë shqiptarët që kolektivisht të ndihen si viktima. Ata që shkruan atë, përmes kësaj synuan që pjesërisht të shfajësojnë vetveten dhe të transformojnë fajësinë tek të tjerët për dështimet tona.

3. “Leja“ për thellimin e rivalitetit dhe krijimi i miteve nga motive politike apo ideologjike: Historia jonë s’ka treguar që sa e sa shqiptarë nga vetë shqiptarët janë ekzekutuar, burgosur, torturuar, përbuzur, fyer, detyruar të emigrojnë dhe që rivalitetet e shumta mes veprimtarëve apo klaneve të ndryshme shqiptare janë shkak që ky komb nuk funksionon kurrë si një trup. Gjithashtu, historia jonë me padrejtësi ka mirëmbajtur heroizmin e miteve të krijuara nga motive politike apo ideologjike dhe njëkohësisht ka lejuar degradimin e disa figurave tjera, duke bërë kështu që pa marrë parasysh veprat, disa të konsiderohet ose krejtësisht hero e të tjerë krejtësisht tradhtarë.

Njerëzit janë pjesë e historisë, dhe ajo gjithherë do jetë pjesë e sistemit dhe e shoqërisë së secilit popull, andaj ne duhet të marrim hapat e nevojshëm për sqarimin e saj. Historianët duhet të hedhin më shumë dritë! Megjithëse fjala rishikim i historisë nganjëherë është përdorur si diçka negative, duhet cekur që në të gjitha vendet e zhvilluara, ky është proces normal në shkrimin e historisë. Rishikim do të thotë riinterpretim i evidencave, motiveve dhe proceseve që e karakterizojnë një ngjarje të caktuar historike.

Padyshim do përshëndetur iniciativa e Ministrisë së Arsimit në Kosovë për krijimin e një komisioni të tillë, megjithëse ky “rishikim” nuk po ndodh me ritëm të kënaqshëm e ne nuk kemi kohë për të humbur. Historia kërkon trajtim të veçantë, andaj është e domosdoshme që të krijohet një kulturë e vlerësimit profesional të zhvillimeve të caktuara historike. Në një shkrim si ky nuk mund të japim përgjigje të plotë për një temë të karakterit kaq të gjerë, lidhje me atë se si duhet trajtuar çështja e rishikimit të historisë në rrafshin institucional. Por, një gjë qëndron: rishikimi mund të jetë një proces i dhimbshëm, por gjithsesi i rëndësishëm dhe i domosdoshëm. Ky akt gjithashtu do ishte një kontribut i çmuar në ndërtimin e një shoqërie me hierarki të vlerave kombëtare dhe humane në përgjithësi. Mbase pikërisht kjo do të na ndihmonte neve shqiptarëve që ta kuptonim obligueshmërinë për t’u ulur dhe seriozisht kalkuluar se si do e ndërtojmë të ardhmen e përbashkët kombëtare.

Pesë sugjerimet e renditura më poshtë, do të lehtësonin fillimin e këtij procesi:

1. Rishikimi i historisë si punë me interes nacional: Injorimi shtetëror i historisë do të na lë në mëshirë të historisë së tejkaluar. Andaj Qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës duhet të inkurajojnë dhe të investojnë në institucionet kompetente për projekte të ndryshme që synojnë adresimin e këtij problemi. Gjithashtu të ofrojnë mbështetje për hulumtuesit e rinj për të studiuar në departamentet e historisë së universiteteve më të mira botërore, për të importuar metoda e teknika të të hulumtuarit dhe shkruarit të historisë.

2. Çlirimi prej ideve të vjetra ideologjike/politike. Të diferencohen faktet prej jo-fakteve sepse për t’u çliruar prej ideve të vjetra duhet ditur se ato janë të gabueshme dhe të mbajnë larg progresit të dëshirueshëm. Institucionet, ekipet ose historianët që do merren me këtë proces duhet të përzgjidhen bazuar në aftësitë e tyre për lexuar dhe kuptuar në shumë gjuhë perspektivat ose animet e autorëve të ndryshëm dhe bazuar në aftësinë për të interpretuar konkluzionet e nxjerra. Assesi nuk duhet lejuar ndikime politike, klanore, familjare në punën e këtyre ekipeve.

3. Të fillohet me ri-shkrimin e Historisë së Kohës së Re dhe asaj Bashkëkohore – periudha këto për të cilat ka më shumë burime ku mbështetet historia (të shkruara, materiale dhe gojëdhëna). Rishkrimi objektiv i kësaj periudhe do të jetë stimuluesi kryesor edhe për trajtim të periudhave tjera historike (kohës së vjetër dhe mesjetës).

4. Të vlerësohen seriozisht të arriturat e të tjerëve në prazentimin e fakteve për historinë e popullit shqiptar, pa ndonjë anim sa i përket prejardhjes së burimit.

5. Të synohet/punohet drejt krijimit të një kurrikule të përbashkët për lëndën e historisë, të paktën në vendet ku shqiptarët nuk janë të obliguar të mësojnë prej librave shkollorë të popullsisë shumicë.
Këto pesë elemente sigurisht nuk garantojnë rezultate të qind-përqindta, por padyshim mendoj që do të ndikojnë në ngritjen e etikës së hulumtimit të së kaluarës. Në të kundërtën, historia jonë do të vazhdoj të jetë pengesë për të bërë vërtetë histori – përkundër sfidave me të cilat përballemi.

Shoku më i mirë i historianit është e vërteta!