LAJMI I FUNDIT:

Sovraniteti, më shumë përgjegjësi sesa e drejtë

Koncepti i sovranitetit absolut dhe të përjetshëm i përket së kaluarës. Dekompozimit të këtij koncepti i kontribuuan shumë arsye, inter alia më të rëndësishmet janë: rritja e trendit të ndërvarësisë dhe bashkëpunimit mes shteteve, internacionalizimi dhe universalizimi i të drejtave të njeriut, globalizimi, krijimi i shtetit të së drejtës… Të gjitha këto kanë ndikuar që sovranitetit absolut t’i shembet dheu nën këmbë.

Por, fatkeqësisht, sovranitetit absolut nuk i është dhënë jo-ja absolute nga të gjitha shtetet. Udhëheqësit e disa vendeve vazhdojnë të shërbehen me “të mirat” që sjell ky sovranitet. Sipas autorit Perez, sovraniteti tradicional përcaktohet si autoritet i pavarur dhe suprem i një shteti, prandaj sovraniteti shpesh konceptohet si koncept absolut që nënkupton se shtetet janë plotësisht të pavarura nga shtetet tjera dhe është mbi rregullat e së drejtës ndërkombëtare.

Por, që nga fillimi i shekullit XX ndryshoi koncepti i sovranitetit, duke u bërë e qartë se koncepti klasik si sovranitet absolut dhe si autoritet i palimituar paraqet kërcënim për paqen ndërkombëtare. Sovraniteti u transformua modifikua dhe u limitua në sovranitet relativ. Sidomos nga koha e themelimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) më 1945, ku qëllimi i saj shprehet qartë në preambulën dhe nenin 1 të Kartës se Kombeve te Bashkuara që të parandalojë luftërat, ta ruajë paqen ndërkombëtare, sigurinë dhe respektin e të drejtave të njeriut. Pastaj, promovon drejtësi, mirëqenie dhe bashkëpunim ndërkombëtar.


Por, jo të gjithë e përqafuan evoluimin e sovranitetit. Disa vende me xhelozi e ruajtën dhe e kultivuan drejtimin e tyre despotik, mos përzierjen në punët e “brendshme”, mendimin se e drejta e brendshme është superiore ndaj asaj ndërkombëtare. Si pasojë e kësaj pamundësie për të depërtuar kjo frymë e re, pasojat po i vuan popullsia e Sirisë.

Ekzistenca e regjimit të Assadit nënkupton fillimisht kërcënim për Sirinë dhe popullin e saj, pastaj për paqen në botë. Kurse veprimet që dalin nga regjimi i tij janë vetëm ekzekutim i atij kërcënimi të vazhdueshëm.

Pas më shumë se dy vite të konfliktit në Siri, të paktën 100 mijë njerëz janë vrarë. OKB ka se deri më 31 korrik janë regjistruar 1.9 milion refugjatë sirianë në vendet fqinje dhe me mbi 5.1 milionë të zhvendosur brenda Sirisë. Këto të dhëna assesi nuk pretendojnë të jenë të sakta, sepse këto shifra janë duke u rritur edhe në këtë momente.

Me këto veprime regjimi i Assadit ka shkelur Protokollin e Gjenevës të vitit 1925 dhe Iniciativën e Kombeve të Bashkuara – Përgjegjësia për Mbrojtje (Resposibility to Protect – R2P).

Ky traktat ishte nënshkruar në Gjenevë me 17 Qershor 1925 dhe ka hyrë në fuqi me 8 shkurt 1928. Ky traktat ndalon përdorimin e gazrave asfiksuese, helmuese dhe gazrave të tjera dhe ndalon të gjitha likuidet, materialet dhe pajisjet analoge. Tashmë dispozitat kryesore të këtij traktati konsiderohen si e drejtë ndërkombëtare zakonore, ku kjo e fundit llogaritet si burim kryesor i së Drejtës Ndërkombëtare Publike.

Siria u bë pjesë e këtij protokolli me 17 Dhjetor 1968 me rezervë. Rezerva ishte që kurrsesi të mos e njihte Izraelin dhe me kusht që nuk do të qojë në ndërtim të marrëdhënieve me Izraelin në lidhje me dispozitat e këtij Protokolli. Por, kjo rezervë është irelevante dhe nuk e justifikon përdorimin e armëve të ndaluara me këtë traktat. Duke qenë se Siria është pjesë e këtij traktati që ndalon përdorimin e armëve kimike dhe biologjike në luftë, që nga viti 1968, ajo po e thyen parimin e të drejtës së detyrimeve (Pacta sunt Servanda). Traktati për palët është ligj dhe të gjitha detyrimet qe dalin nga ajo duhet të përmbushen.

Me shkuarjen inspektorëve të OKB-së në vendin e ngjarjes u gjet se kishte pasur përdorim të këtyre gazrave të ndaluara dhe se ishin të drejtuara dhe të menaxhuara nga regjimi i Assadit.

Gjenocid, krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe spastrim etnik, të gjitha këto janë të ndaluara sipas Iniciativës së Kombeve të Bashkuara (Përgjegjësia për të Mbrojtur – R2P ose RtoP). Por, veprimet e regjimit të Assadit ecin rrugëve të ndryshme dhe flasin me gjuhë të kundërt me këtë iniciativë.

Përgjegjësia për Mbrojtje është një iniciativë e Kombeve të Bashkuara e themeluar në vitin 2005, që konsiston në një grup parimesh të bazuara në kërkesën se sovraniteti nuk është e drejtë por përgjegjësi. R2P ndonëse nuk është ligj, paraqet një normë të rëndësishme që fokusohet në parandalimin dhe ndalimin e katër krimeve: gjenocid, krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe spastrim etnik. Emërues i perbashkët i të gjitha këtyre krimeve është termi “krime mizore masive”.

R2P ka tre "shtylla". Shtylla e parë ka të bëjë me atë se një shtet ka përgjegjësi për të mbrojtur popullsinë e vet nga gjenocidi, krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe spastrimit etnik. Regjimi i Sirisë e “respekton” këtë shtyllë duke u bërë shkaku i këtyre krimeve. Shtylla e dytë përcakton se bashkësia ndërkombëtare ka përgjegjësi për të ndihmuar shtetin për të përmbushur përgjegjësitë e tij primare. Sulmi i mundshëm nga SHBA-të do ta “ndihmonte” Sirinë për t’i përmbushur përgjegjësitë primare. Dhe, shtylla e tretë përcakton se në qoftë se shteti haptazi dështon për të mbrojtur qytetarët e saj nga katër mizoritë masive të mësipërme dhe masat paqësore kanë dështuar, komuniteti ndërkombëtar ka përgjegjësinë për të ndërhyrë përmes masave shtrënguese, të tilla si sanksionet ekonomike. Kurse, ndërhyrja ushtarake është konsideruar si mjeti e fundit.

Këto veprime përveçse përbëjnë shkelje të normave ndërkombëtare, tanimë përbëjnë edhe bazën juridike për të intervenuar në Siri. Përveç këtyre burimeve ku do të mund të mbështetej intervenimi i SHBA-ve dhe të tjerëve, një mbështetje do të mund të ishte edhe intervenimi në Kosovë, i cili do të mund të përdorej si precedent, megjithëse ka dallime të theksuara me rastin e Sirisë. Megjithatë, ka pika takuese dhe të ngjashme, siç janë: mospëlqimi i Këshillit të Sigurimit dhe ndalja e veprimeve të ndaluara sipas normave ndërkombëtare me një sulm në emër të së Drejtës Humanitare. Derisa në Kosovë, gjatë vitit 1999, me masakrën e Reçakut u kalua “vija e kuqe” me spastrimin etnik, në Siri kjo vijë u kalua me përdorimin e armëve kimike.

Ditëve të fundit, Obama kërkoi autorizimin e Kongresit amerikan dhe po bëhen bisedime me NATO-n për një koalicion të mundshëm për sulm (të kufizuar) ndaj Sirisë. Ndoshta një sulm i kufizuar nuk do të sillte edhe “kufizimin” e regjimit të Assadit, meqë ka mundësi t’i bëjë ballë një sulmi të tillë. Por, sigurisht bëhet fjalë për një “shpërndarje të përgjegjësisë”. Përndryshe, ab initem, pritet që sulmi i mundshëm ndaj Sirisë të mbetet më shumë legjitim sesa ligjor.

Ky prolongim i ndërhyrjes ka edhe efekte negative, sepse mundëson edhe prolongim dhe intensifikim të krimeve të Assadit, krime këto për të cilat hiq më pak nuk është përgjegjëse Rusia dhe Kina të cilat e kanë paralizuar Këshillin e Sigurimit duke përdorur veton për qëllimet e veta politike dhe ekonomike. Me këtë edhe një herë tregohet se organizimi, funksionimi dhe mbi të gjitha natyra politike e Këshillit të Sigurimit po paraqitet si pengesë për kalimin e rezolutave që do të krijonin paqe në botë, ku shumë shtete votojnë në mënyrë selektive dhe janë politikisht të motivuara.

Në trend

Më shumë
Gjesti bëhet pishman: Rizartë, t’kisha me të hjekë prej këtu, mos të të shoh më kurrë në krevet me mua

Gjesti bëhet pishman: Rizartë, t’kisha me të hjekë prej këtu, mos të të shoh më kurrë në krevet me mua

Magazina
Një përmbledhje – edhe përmes grafikëve – se si Ukraina ka ndryshuar në tri vitet që nga pushtimi në shkallë të plotë nga Rusia

Një përmbledhje – edhe përmes grafikëve – se si Ukraina ka ndryshuar në tri vitet që nga pushtimi në shkallë të plotë nga Rusia

Botë
Gjesti pasi Rizarta ndan kufirin e shtratit: Nata është pa kontrollë

Gjesti pasi Rizarta ndan kufirin e shtratit: Nata është pa kontrollë

Magazina
Mashtrimi me pension invaliditeti në Zvicër, gruaja nga Kosova përfitoi pa të drejtë 173 mijë franga

Mashtrimi me pension invaliditeti në Zvicër, gruaja nga Kosova përfitoi pa të drejtë 173 mijë franga

Sociale
“Kam gjetur parregullsi në këtë gjykatë”, komandant Hoxha nis dëshminë në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

“Kam gjetur parregullsi në këtë gjykatë”, komandant Hoxha nis dëshminë në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Drejtësi
Xavi kandidat i fortë për të marrë drejtimin e gjigantit anglez sezonin e ardhshëm

Xavi kandidat i fortë për të marrë drejtimin e gjigantit anglez sezonin e ardhshëm

Premier League
Kalo në kategori