LAJMI I FUNDIT:

Apel drejtuar Ekselencës së Saj, Baroneshës Lady Ashton

Lidhur me kodin e komunikimeve të Kosovës, më 23 gusht 2013, Prishtinë.

E nderuara Ekselenca Juaj Lady Catherine Ashton,

Do të isha shumë i lumtur nëse Ekselenca e Juaj do të gjente kohë për t’i lexuar këta rreshta, që përfundojnë me një apel drejtuar Juve personalisht, lidhur me çështjen e pazgjidhur të kodit telekomunikues të Kosovës. Motivimin kryesor për ta bërë këtë apel e gjej në mos angazhimin dhe pa aftësinë e shoqërisë kosovare, më saktësisht, të lidershipit të saj aktual, për tu marrë me këtë problem, tejet fondamental për ardhmërinë dhe prosperitetin e vendit tim – Kosovës.


Natyrisht se nuk po ndjehem shumë krenar për fjalët që po i them për shoqërinë kosovare dhe lidershipin e saj, sepse edhe unë jam vet qytetar kosovar, por e vërteta është se ne, kosovarët, jemi në fillimet e të kuptuarit të proceseve komplekse të ndërtimit të shtetit në bazat e demokracisë. Derisa gjenerata e vjetër e kosovarëve ka kompetenca dhe eksperienca, që shpesh e mbajnë vulën e kohës së komunizmit, gjenerata e re, në të cilën ne i varim të gjitha shpresat për një ardhmëri më dinjitoze, me aq sa po shihet deri tash, është ende e pafuqishme që të marrë drejtimin e proceseve demokratike në shoqërinë dhe shtetin që po e krijojmë, Kosovën.

Për të saktësuar pohimin që e thash më sipër, liderët tanë aktual janë mjaft të rinj, por këta liderë, ose më mirë, kjo kastë liderësh që është në pushtet momentalisht, deri tash nuk ka treguar asnjë rezultat të matshëm progresi, në asnjë fushë. Përkundrazi, në bazë të Raporteve të Progresit të Kosovës të Komisionit Evropian, Kosova, vit pas viti, pothuajse në çdo sferë, tregon vetëm trende negative. Këtë gjithashtu e tregojnë edhe sondazhet e huaja, si p.sh. ai për rënien e cilësisë së studimeve në Universitetin e Prishtinës për rreth 1000 vende më poshtë në ranglistën e universiteteve botërore, dhe atë vetëm gjatë vitit të fundit!

Natyrisht, kjo paaftësi e qeverisjes kosovare vjen si rezultat i përfshirjes së gjerë të pushtetarëve tanë në veprime korruptive, të kleptokracisë, të nepotizmit dhe krimit të organizuar, që ka arritur përmasa tragjikisht të mëdha sot në vendin tonë.

Nga ana tjetër, jam munduar gjithashtu të Ju prezantoj, shkurtimisht, një histori të rëndë aferash e keqpërdorimesh që kanë ndodhur pas luftës së vitit 1999 në PTK, që është kompania e jona e vetme e telekomunikacionit. Kjo kompani, përndryshe, ka një traditë të shkëlqyeshme me plotë suksese, me të cilën krenohen gjenerata të tëra menaxherësh, inxhinierësh, teknikësh e punëtorësh të zellshëm të PTK-së, që pas Luftës së Dytë Botërore e deri në vitin 1999.

Në fund, kam prezantuar shkurtimisht edhe mandatin e ITU-T-së në aspektin e inherencave, kompetencave dhe autorizimeve që i ka ky rregullator botëror i telekomunikacionit lidhur me problemin e kodit ndërkombëtar të telekomunikimeve për Kosovën. Këtë e kam bërë më shumë për opinionin publik kosovar, që nuk është i informuar drejt, rreth kësaj çështjeje tejet të rëndësishme aktualisht për kosovarët.

Aktualiteti kosovar dhe bisedimet Kosovë Serbi

Eksperienca e hidhur nga e kaluara e afërt, prej pas luftës së vitit 1999 e deri sot, na tregon se, kur kemi të bëjmë me biznesin e telekomit, “lojërat” gjithmonë kurdisen ashtu që në fund, humbësi i vetëm mbetet qytetari kosovar. Si zakonisht, ai (qytetari kosovar) do të paguaj faturën e keqmenaxhimit, abuzimit me postet udhëheqëse, pasojat e kontratave të dëmshme etj. Kurse, nga ana tjetër, xhepat e profiterëve mafiozë, të politikanëve të korruptuar e biznesmenëve të paskrupull, vazhdojnë të mbushen me paratë e vjedhura.

Tash për tash, nuk shihet në horizont ndonjë përpjekje serioze e institucioneve kosovare të drejtësisë për t’i vendosur këta tipa para drejtësisë, ndërsa ata, të trimëruar, vazhdojnë të veprojnë pa u ndalur, dhe atë me metoda gjithnjë e më të sofistikuara.
Kështu është duke ndodhur që prej vitit 1999, kur në pushtet ishte UNMIK-u, me PSSP Bernard Kouchner-in në krye. Në atë kohë, funksiononin sa për formë edhe Institucionet e Përkohshme Vetë-Qeverisëse, që në esencë ishin të formuara po nga UNMIK-u, me Hashim Thaçin në krye, që mrizonin nën hijen e bosëve të mëdhenj të UNMIK-ut dhe nuk bënin asgjë.

Nuk e di se a është koincidencë apo thjeshtë një fat i keq për neve kosovarët, por ne edhe sot e kemi po të njëjtën përbërje të Qeverisë, me po të njëjtin Kryeministër, me po të njëjtit njerëz të klanit të tij dhe natyrisht me rezultate të njëjta të kinse “qeverisjes së mirë”: papunësinë dhe varfërinë ekstreme, mungesën e perspektivës për të rinjtë në çdo fushë, korrupsionin në sistemin e drejtësisë, në kompanitë publike, në arsimin universitar, e kështu me radhë.

Fatmirësisht UNMIK-u nuk është më, së pakut jo ai që qeveriste në mënyrë tejet të ngathtë me kosovarët, kulturën dhe pasurinë e tyre, sikur të kishte të bënte me fiset sapo të zbuluara të xhunglave të Amazonit që kurrë nuk kanë parë autobus urban.

Tash së fundi janë duke u paraqitur edhe dukuri tejet negative, që më parë kanë qenë shumë më pak të shprehura ose të panjohura fare në Kosovë. Flukset e azilkërkuesve të rinj kosovarë, që përmes rrugësh klandestine, janë duke ia mësyrë Evropës, janë në rritje e sipër. Numrat e azilkërkuesve të rinj kosovarë, në disa vende të Evropës, shpesh edhe po ia kalojnë numrave të azilkërkuesve nga Afganistani, Siria ose Iraku. Shumë kosovarë pajtohen se ky është një eksod ekonomik i llojit të vet, i shkaktuar nga varfëria e skajshme, ekonomia e ngulfatur dhe korrupsioni.

Përmasat e kësaj dukurie, në kohët e fundit, janë vërtetë shumë shqetësuese.

Për ta bërë gjendjen edhe më të rëndë, në kohë të fundit, mediat janë duke raportuar edhe për në një dukuri të tmerrshme të angazhimit të kosovarëve të rinj si mercenarë në Siri! Ata po i ofrojnë “shërbimet e veta” vrastare cilitdo fraksion luftarak, fetar, terrorist a mafioz, kujtdo që ofron paga më të larta.

Nuk është e imja të merrem me këtë, sepse edhe informacionet që po përhapen nëpër media mund të mos jenë të sakta, por po më dhemb edhe vetëm mendimi se kjo mund të jetë e vërtetë. Ndërkohë, institucionet tona të ngathëta ende nuk kanë ndonjë qëndrim për të proklamuar, e as ndonjë veprim për të ndërmarrë rreth kësaj dukurie.

Athua kemi ardhur vërtetë në gjendje kaq të mjerë ekonomike dhe të zvetënimit moral, si individë dhe si shoqëri, që të lejojmë që të na ndodhin edhe eksese të këtilla, çofshin ato edhe tejet sporadike.

Pra, kjo është e vërteta që ne kosovarët, jemi duke e jetuar tash.

Në kontekstin e bisedimeve Kosovë-Serbi që po i udhëheqë Ekselenca Juaj, ky realitet, që rëndon mbi Kosovën dhe ekipin tonë në bisedime, mendoj se duhet patjetër të merret në konsideratë si faktor që dobëson pozitat tona reale.

Meqenëse këtu do të përcaktohet e ardhmja jonë, në fushën e komunikimeve ndërkombëtare, që është një fushë tejet e rëndësishme, jetike për zhvillimin e shtetit tonë të ri, ne shpresojmë se, problemet që i ka Kosova me korrupsionin, keqqeverisjen, por edhe dobësitë e ekipit tonë, (mungesë kompetencash/eksperience), nuk do të duhej të ndikonin në rezultatin final të bisedimeve.

Ne me padurim presim që këto bisedime të rezultojnë me realizimin e të drejtës sonë për të gëzuar, edhe ne telekomunikime të standardeve më të larta dhe me kosto të përballueshme, si të gjithë të tjerët në regjion, Evropë dhe botë.

Mendoj se e shprehë dëshirën e shumë qytetarëve të Kosovës nëse them se ne kosovarët nuk dëshirojmë asgjë më shumë se atë çka na takon ligjërisht dhe që tashmë e kanë të tjerët.

Raportet e auditimit të financave të PTK-së

Për të mbledhur shifra dhe fakte financiare për këtë shkrim, hyra në portalin e PTK-së për të parë shënimet e audituara financiare të kësaj kompanie. Aty gjeta raportet e auditit financiar vetëm për pesë vitet e fundit – 2008 deri 2009. Mirë, kanë mundur të jenë edhe ato të viteve më të hershme, por përsëri, paska diçka. Ashtu mendova në fillim, kur rastësisht e vërejta se këto raporte nuk ishin fare të nënshkruara nga auditori financiar, as ato në gjuhën anglishte e as përkthimet në gjuhën shqipe!

Është interesante dhe njëkohësisht komike të përmend se, në vendin ku zakonisht nënshkruhet personi i autorizuar i auditorit, me një nënshkrim personal që zakonisht përcillet edhe me një vulë të kompanisë së auditimit, dikush kishte shkruar “Grant Thornton” dhe atë, herë me shkronja të shkrimit me dorë, me një dorëshkrim të bukur, kaligrafik (shih versionin në shqip 2008), e herë me shkronja të shtypit, që ngjante në nënshkrimet e pensionistëve analfabetë që nuk dinë shkrim-lexim, çka ishte rasti me të gjitha raportet tjera.

Në momentin e parë, nënshkrimi në raportin e vitit 2008 mu duk si nënshkrim personal dhe kjo më vëri në dilemë, andaj hyra në Wikipedia për të parë se kush qenka ky “zotëria” Grant Thornton. Mos është nënshkrimi i vet pronarit të kompanisë me të njëjtin emër? Mirëpo, aty e pashë se Grant Thornton nuk është person, por është njëra prej pesë kompanive më të fuqishme botërore për punë të financave, auditime financiare etj., ndërsa zotëria Grant, njëri prej themeluesve të kompanisë, kishte vdekur në vitin 1938 në moshën 40 vjeçare!

Pra, ishte e vërtetë, me dëshpërim konstatova se asnjë nga dokumentet e auditimit financiar të PTK-së nuk është i nënshkruar nga persona të autorizuar që e kanë bërë auditimin dhe si të tilla nuk prodhojnë asnjë efekt legal! Sipas logjikës sime të shëndoshë, as kompanitë që “i kanë bërë” këto raporte, nuk bartin asnjë përgjegjësi për saktësinë e shënimeve që janë të shkruara aty dhe për më tepër, ato edhe mund të mohojnë se i kanë bërë fare këto raporte.

Raportet e këtilla financiare, që nuk prodhojnë efekte legale, padyshim është dashur që t’i alarmonin institucionet shtetërore të Kosovës, siç janë: Administrata Tatimore, Ministria e Financave, ARKEP (Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare), Kryeprokurori Publik i Kosovës, e kështu me radhë deri te Kryeministri, Kryetari i Kuvendit dhe Presidentja e Kosovës. Supozoj se rreth kësaj duhet të angazhohej edhe EULEX-it, por fatkeqësisht, asnjë prej këtyre institucioneve, kurrë nuk ka reaguar, së pakut me aq sa kam unë dijeni, ndaj kësaj afere të fshehjes së informacioneve financiare që po ndodhë në këtë kompani vit pas viti.

Afera Kouchner

Mungesa e kodit ndërkombëtar telefonik dhe vazhdimi i mbajtjes së Kosovës pa kod, rezulton të jetë formula më e preferuar e zhvatjes së parave të mëdha nga Kosova. Këtë lloj të zhvatjes e ka “zbuluar” dhe zbatuar në Kosovë i pari ish administratori i UNMIK-ut, PSSP të KB, Z. Bernard Kouchner. Ai që në vitin 1999 e shfrytëzoi pozitën e zyrtarit të “paprekshëm” të KB-ve për të shkelur të gjitha rregullat dhe procedurat e tenderit ndërkombëtar për blerjen e teknologjisë për sistemin e parë GSM në Kosovë, që u shpall në shtator të vitit 1999.

Ky zotëri, për të cilin më vonë janë shkruar edhe libra me akuza për keqpërdorim të postit të ministrit të Jashtëm francez, për nënshkrim kontratash në favor personal, me dy diktatorë të shteteve të varfra të Afrikës, ia dha arbitrarisht, pa i dhënë llogari askujt, Monaco Telecom-it, komplet tregun kosovar të telefonisë mobile, çka ishte diametralisht në kundërshtim me kërkesat e tenderit dhe natyrisht, gjithashtu në kundërshtim edhe me vendimin e komisionit të PTK-së për evaluimin e ofertave të tenderit.
Edhe unë, e kam kundërshtuar publikisht këtë veprim të padrejtë dhe thellësisht korruptiv të këtij zotëriu, ndërsa mediat kosovare, veçanërisht gazeta Koha Ditore (që ka raportuar gati çdo ditë rreth kësaj afere), televizioni KTV, por edhe disa nga agjencitë më prestigjioze botërore, si Reuters, AFP, etj. i ka dhënë një jehonë të jashtëzakonshme kësaj afere atëbotë. Të gjithë e kuptonin se u bë një padrejtësi e madhe ndaj kosovarëve të pafuqishëm nga ana e administratës së instaluar të OKB-së nën udhëheqjen e këtij zotërie.

Kouchner, i mbështetur nga një pjesë e administratës së UNMIK-ut, atëherë e arsyetonte këtë me mungesën e kodit të telekomunikimeve në Kosovë, që d.m.th., nëse më lejoni të përdorë një fjali ironike, “meqenëse ju kosovarët nuk keni kod, nuk mund të operoni me një sistem GSM në vendin tuaj, por këtë duhet ta bëjë Monaco Telecom”!

Për informimin e Juaj të saktë rreth kapaciteteve profesionale të njerëzve në administratën e UNMIK-ut në atë kohë, kjo administratë nuk kishte kapacitete profesionale dhe ekspertizë për të përpiluar termat e referencës dhe dokumentacionin përcjellës të tenderit për një sistem GSM, andaj këtë punë e kryen me sukses të plotë një ekip ekspertësh kosovar. Ata gjithashtu nuk kishin njerëz që kanë njohuri për rëndësinë teknologjike dhe funksionale të kodit në komunikimet ndërkombëtare dhe implikimet e mungesës së këtij kodi në funksionimin e përditshëm të sistemeve telekomunikuese të “territorit” që administrohej nga UNMIK-u, si dhe interakcionet teknike dhe financiare të këtyre sistemeve me sistemet telekomunikuese të vendeve fqinje, veçanërisht të Serbisë. Ata nuk e kuptonin (ose nuk dëshironin të kuptonin) se mungesa e kodit telekomunikues të subjektit A në procesin komunikues me subjektin B, i shkakton probleme edhe subjektit B.

Nga ato pak informacione që kanë dalë nëpër media, prej intervistave të inxhinierëve e nëpunësve të PTK-së dhe ekspertëve të pavarur të telekomit, gjatë tërë periudhës gati 14 vjeçare, del se Monaco Telecom, ose kompania që e ka blerë atë më vonë, vetëm për përdorimin e kodit telefonik 377 ka fituar, në formë dividende së pakut, 14 vjet x 12 muaj x 1.2 Milion = 200 Milionë Euro!

Edhe pse kjo është një shifër tejet e madhe për Kosovën e varfër, kjo nuk është asgjë në krahasim me atë çka mund të ketë marrë, dhe fort dyshoj se nuk e ka bërë, Monaco Telecom nga operimet e Vala900, pa e pyetur askënd, sepse sistemi i faturimit të Vala900 është menaxhuar ekskluzivisht prej tyre, që nga dita e parë e operimeve, që kanë filluar në vitin 2000. Nuk dihet se si është gjendja tash, por kam dyshime serioze se sistemi i faturimit i Vala900, ende mbahet nën kontroll të plotë të Monaco-Telecom-it, gjegjësisht trashëgimtarit që e ka blerë dhe askush tjetër nuk ka qasje në të. Nëse nuk është kështu, pse mbahen të fshehta shënimet financiare të PTK-së?

Për të siguruar bosin e vet se biznesi me Monaco Telecom-in nuk guxon të rrezikohet, prej ndonjë të papriture që mund të bëjnë kosovarët rastësisht, një vartës i tij, z. Pascal Copin, që ushtronte funksionin e Drejtorit të Sektorit të Telekomunikacionit, i ka shkruar një letër ITU-së, në vitin 2002, ku kërkon që Territorit të Kosovës nën administrimin e UNMIK-ut, të mos i jepet kodi ndërkombëtar për telekomunikime! Për këtë duhet të ketë dëshmi konkrete në arkivat e UNMIK-ut (?), sepse edhe ky informacion buron nga shkrimet në media (shih shkrimin analitik të shkrimtarit dhe gazetarit suedez Maciej Zaremba, me titull “Part 2. The UN state and the seven robbers”, 2007-06-25).

Ky është, pra, modeli i biznesit i Vala900, që e ka vendosur B. Kouchner më 1999: kosovarët punojnë, operojnë me sistem, kujdesen për konsumatorë, e mirëmbajnë dhe zhvillojnë Vala900, ndërsa Monaco Telecom dhe më vonë pronari që e ka blerë atë, e menaxhon vetëm arkën me plot para! Për të siguruar se çdo gjë është “o.k.” faqe botës, angazhohen drejtorë, menaxherë e konsulentë të ndryshëm ndërkombëtarë, shumica me CV të dyshimta, që kanë paga mujore po aq sa i marrin 500 – 1000 pensionistë kosovarë së bashku, më datën 24 të çdo muaji… dhe këta konsulentë e menaxherë të famshëm, as që i kanë botuar fare auditet e raporteve financiare, sepse askush nuk ka kërkuar që të bëjnë një gjë të tillë!

Kështu vazhdon pafundësisht, edhe sot e kësaj dite, ky cikël i keqpërdorimeve, abuzimeve dhe vjedhjeve në PTK, para syve të kosovarëve, që herë kamuflohet me: “fatin e keq të Kosovës që nuk paska të drejtë të ketë kodin e vet telekomunikues”, herë se “kështu i ndajnë sferat e interesit ata që e kanë fituar luftën e 1999 në Kosovë nën udhëheqjen e NATO-s; Britania e merr Trepçën, ndërsa Franca Telekomunikacionin”, e broçkulla të ngjashme që mund t’i marrë seriozisht vetëm një njeri i dehur dërrasë.

Keqpërdorimet dhe korrupsioni jashtë PTK-së

Sa i përket keqpërdorimeve që bëhen jashtë PTK-së, në sektorin e telekomunikimeve, ka vetëm disa informacione të mangëta që plasohen zakonisht vetëm prej mediave. Disa më të rëndësishmet janë se: “Në Kosovë operojnë ilegalisht antenat e operatorëve nga Serbia që bëjnë biznes në Kosovë e që ndoshta i paguajnë taksat Serbisë ose ndoshta edhe nuk paguajnë taksa askujt!”, pastaj se “operatorët e vendeve fqinje depërtojnë me radio-frekuenca në territorin e Kosovës dhe kështu shkaktojnë humbje shtesë dhe konkurrencë jo legale” etj. Mirëpo, për sa i përket dëmeve që i shkaktojnë qytetarëve të Kosovës këto veprimtari ilegale, nuk ka asnjë evidencë të publikuar dhe askush nuk dinë gjë. Edhe gazetarët më të guximshëm dhe më ngulmues dorëzohen para dyerve të mbyllura të institucioneve kur bëhet fjalë për sektorin e telekomit, sepse për këto punë, fshehtësia mbahet me fanatizëm dhe pedanteri të lartë.

Për shkak të kësaj, askush nuk është në gjendje të japë një vlerësim të saktë dhe objektiv se sa kanë humbur kosovarët deri tash për shkak të gjendjes së këtillë në sektorin e telekomunikimeve në Kosovë.

Është për t’u brengosur se të gjitha këto veprime ilegale po zgjasin një kohë shumë të gjatë, që prej vitit 1999, dhe askush nuk po ndërmerr asgjë që ato të ndalohen ndërsa njerëzit e përfshirë në “biznese” të këtilla të vihen para ligjit.

Një sugjerim mbi transparencën në procesin e bisedimeve Kosovë-Serbi

Qytetarët kosovarë çdo ditë presin me ankth çfarëdo informacioni prej bisedimeve Kosovë-Serbi që i udhëhiqni Ekselenca e Juaj në Bruksel. Zgjidhja përfundimtare e problemit të kodit të telekomunikimeve ndërkombëtare për Kosovën është njëri prej pritjeve më të mëdha të të gjithë kosovarëve.

Fatkeqësisht, edhe rreth këtyre bisedimeve ka mungesë informacionesh dhe për shkak të kësaj, opinioni është i mbuluar me spekulime të llojllojshme, që shpesh shkojnë nga ekstremi në ekstrem: herë thuhet se Telekom Srbija kërkon të themelojë një operator GSM në Kosovë, që do t’ju mundësonte serbëve të veriut që të mos e ndjejnë veten se po thirrin me telefon një shtet të huaj, kur thërrasin dikë në Serbi?!?; herë tjetër se duhet bindur Serbinë që të na lejojë ta kemi kodin telefonik?!?; e pastaj që për kundërshpërblim për kodin, Kosovës i lejohet që ta ndalojë operimin e operatorëve ilegal në Kosovë?!?… Të gjitha këto janë aq të paqëndrueshme, aq larg realitetit dhe shpesh edhe aq irrituese, saqë nuk ka nevojë as të komentohen.

Së pari, mendoj se anëtarët e ekipit tonë në fushën e telekomunikimeve, me sa i njoh unë, nuk janë të nivelit të seriozitetit, kompetencës dhe eksperiencës që kërkon ky nivel i bisedimeve që udhëhiqni Ekselenca e Juaj, për çka besoj se edhe Ju vetë e keni formuar një përshtypje, meqë i keni parë, prej së afërmi, në veprim. Kërkoj shumë të më falni nëse përshtypja ime është e gabuar.

Ne gjithashtu dëgjuam një deklaratë të Udhëheqëses së delegacionit tonë, Zv.Kryeministresha Znj. Tahiri, se kinse ky na qenka stili i punës në Bruksel, pra ma merr mendja se aludohet në stilin që promovon Ekselenca e Juaj, që konsiston në faktin se pa u nënshkruar marrëveshjet nga të dyja palët ato nuk bëhen transparente. Më lejoni të shpreh mendimin tim se kjo “strategji e jo transparencës”, në vend që të ndihmojë në përgatitjen e opinionit publik të të dyja palëve në bisedime, po shkakton huti, nervozë dhe reagime të pamatura nga të dyja palët.

Që është kështu u vërtetova edhe vetë këto ditë, duke dhënë disa intervista, që kur i shikoja në shtëpi në TV ose në gazeta, dilte se kam qenë tejet nervoz dhe ndonjëherë edhe fare “jashtë binarëve”. Kjo ndodhte për shkak të pasigurisë që e ndjeja nga mungesa e informacioneve të besueshme dhe të sakta.

Ashtu si e prezantova më lartë, kosovarët janë ngopur me fshehjet e informacionit kur kemi të bëjmë me telekomunikacionin, sepse gjithmonë kanë përfunduar të mashtruar dhe të plaçkitur.

Nëse do të vazhdohej edhe në këtë rast me stilin e mjegullës informative, neve kosovarëve nuk na mbetet asgjë tjetër pos të besojmë se historia do të përsëritet. Afera e Kouchnerit do të përsëritet, por këtë herë, me gjasë, nuk do të jetë Monaco-Telecom, por ndonjë operator tjetër. Nëpër media tashmë po spekulohet se “austriakët, italianët, britanikët, bile përmenden edhe spanjollët, e kush mos tjetër, do të aplikojë në ITU në emër të Kosovës, për të na siguruar neve kodin tonë”!?! Gjithashtu, po thuhet se “për kodin telekomunikues tashmë janë marrë vesh, do të jetë 383, por mbetet e paqartë se sa do të jetë tarifa/taksa që do të paguajmë ne, kosovarët për shfrytëzimin e këtij kodi”!?!

Nga ana tjetër, zërat më radikalë pyesin: “Athua edhe sa qindra milionë euro duhet t’i paguajmë ne, qytetarët më të varfër të Evropës, në emër të taksës për shfrytëzimin e kodit të huaj, për të komunikuar me fëmijët dhe të afërmit tanë që e kanë vërshuar Evropën e Amerikën për të gjetur punë dhe siguruar kafshatën e gojës”… dhe këto spekulime nuk kanë të ndalur.

Andaj, e vërteta dhe vetëm e vërteta është ajo që do të ndihmonte këto negociata të rënda. Si ka thënë Mahatma Gandhi: “E vërteta kurrë nuk e dëmton një kauzë të drejtë”. Dhe unë, dua të besoj dhe jam i bindur se, Ekselenca e Juaj Lady Ashton, është e angazhuar për një kauzë fisnike dhe të drejtë dhe atë për të mirën e qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë, si qytetarë të denjë të Evropës në një të ardhme të shkurtër.

Pra, jam plotësisht i bindur se qytetarët e Kosovës dhe ata të Serbisë do të ishin shumë më bashkëpunues dhe falënderues nëse do të kishin informacione të sakta rreth këtyre bisedimeve.

A kanë të drejtë kosovarët ta kenë kodin e vet për komunikime ndërkombëtare?

Duke e përcjellë debatin e gjerë, që po zhvillohet rreth kësaj teme, kam vërejtur se ka mangësi rreth të kuptuarit, domethënies dhe funksionit të kodit ndërkombëtarë telefonik. Nuk është këtu fjala vetëm për kodin telefonik shtetëror të Kosovës. Ne sot jemi dëshmitarë se epoka e telefonisë klasike, duke përfshirë telefoninë celulare është duke përfunduar. Teknologjitë e informacionit dhe komunikimeve kanë bërë një revolucion të paimagjinueshëm. Sot interneti i mbulon të gjitha kërkesat që i ka njeriu bashkëkohor për komunikime.

Natyrisht, komunikimet e këtilla, tejet të avancuara dhe të sofistikuara, mbështeten në standarde teknike obliguese, rregulla, rekomandime dhe akte ligjore të dizajnuara posaçërisht për të mbajtur rregull, për të ofruar qasje të barabartë dhe jodiskriminuese të gjithë njerëzve të këtij planeti, duke mbrojtur pacenueshmërinë e informacioneve personale të çdo individi pjesëmarrës dhe duke ruajtur vlerat civilizuese dhe etikën e përmbajtjeve informative.

Institucioni që e ka për detyrë të udhëzojë e rekomandojë të gjithë pjesëmarrësit në komunikime botërore, dhe të kujdeset që këto parime të zbatohen nga të gjithë, është Rregullatori botëror i telekomunikimeve ITU-T (International Telecommunication Union; shqip: Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit). E vizitova portalin e këtij institucioni botëror dhe ja çka shkruante aty, që në ballinë:

“ITU është agjenci e Kombeve të Bashkuara për Teknologjitë Informative dhe Komunikuese – TIK.

Ne përcaktojmë (alokojmë) spektrin e radiovalëve dhe orbitat e satelitëve, zhvillojmë standarde teknike që mundësojnë ndërlidhje të papenguar të rrjeteve dhe mëtojmë të përmirësojmë qasjen në TIK komuniteteve me shërbime të varfra anembanë botës.

ITU është e përkushtuar për t’i ndërlidhë të gjithë njerëzit e botës – pa marrë parasysh ku jetojnë dhe çfarë mjetesh (komunikuese) kanë. Me punën tonë, ne e mbrojmë dhe mbështesim të drejtën fondamentale të secilit për të komunikuar.”

Më tej, në kopertinën e fletushkës së vet, të botuar me rastin e 50 vjetorit të botimit të Standardeve të veta (më 2006), ITU shkruan:

“Telekomunikimet luajnë një rol enorm në jetën tonë të përditshme dhe po mos të ishin Rekomandimet e ITU-T-së, asnjë formë e telekomunikimeve, qofshin ato fikse apo mobile, kabllore, DSL ose të bazuara në Internetin bashkëkohor, nuk do të ishin të mundura. Mos e nënvlerësoni se çka do të thotë kjo. Pa telekomunikime, bizneset do të ngufateshin dhe ndalonin, bankat nuk do të mund të transferonin të holla, urdhëresat nuk do të mund të kryheshin dhe sistemet e kontrollit të trafikut do të dështonin. Telekomunikimet kanë një rol vital edhe në komunikimet në gjendjet emergjente dhe shpërndarjen e ndihmave dhe janë një vegël kruciale e diplomacisë ndërkombëtare. Thënë thjeshtë, jeta pa telekomunikacion është gati e paimagjinueshme. Ashtu si ne kemi lëvizur nga telefonia fikse në telefoni mobile dhe Internet, ashtu edhe puna e ITU-së është zhvendosur që të përmbushë kërkesat që dalin nga këto teknologji, që po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme për ekonominë botërore.”

Andaj, kur njeriu lexon këto parime të funksionimit të rregullatorit botëror të telekomunikacionit, domosdo do të konstatojë se Kosova është e kualifikuar për të gëzuar këtë të drejtë, pra të drejtën për të gëzuar privilegjet dhe detyrimet e kodit të vet ndërkombëtarë të komunikimeve.

Për të bërë këtë realitet, neve nuk na nevojitet fare Serbia ose ndonjë vend/operator tjetër i huaj!

Epilog

E ndjeva të nevojshme të bëj një prezantim më të hollësishëm të historisë më të re të PTK-së, përplot me afera të rënda korruptive, për të cilat edhe unë ndjehem i turpëruar si qytetar i Kosovës, kontekstin kohor nëpër të cilin po kalon shoqëria kosovare, por edhe parimet bazë që e udhëheqin politikën dhe veprimtarinë e ITU-së, për të hedhur pakëz dritë në problemin e kodit telefonik të Kosovës.

Këtë letër po e botoj në një portal të njohur medial të Kosovës, telegrafi.com, me qëllim që qytetarëve kosovarë, të ju shfaq opinionin tim për këto çështje të rëndësishme dhe shumë aktuale, duke transmetuar një të vërtetë të thjeshtë dhe domethënëse, se e drejta e kosovarëve për kod telekomunikues është thjeshtë një e drejtë universale njerëzore, që duhet ta gëzojnë edhe ata, pa paguar asnjë taksë a pagesë. Është e drejtë që e gëzojnë të gjithë njerëzit e botës, pa dallim, ashtu si e gëzojnë të drejtën për të marrë frymë, për të lundruar në dete dhe oqeane dhe për të jetuar të lirë e në pajtim dhe harmoni me njëri tjetrin dhe me natyrën që i rrethon.

Për të garantuar që çdo njeri në këtë planet do të gëzojë këtë të drejtë, që në vitin 1865 është themeluar rregullatori botëror i telekomunikimeve ITU, në të cilin sot punojnë njerëz kompetent dhe krenarë që i shërbejnë një misioni që, mbi të gjitha, është një mision jashtëzakonisht human dhe civilizues. Filozofia e këtij institucioni botëror i ka themelet në parimet e ndritura të qytetërimit evropian, ku njeriu dhe e drejta e tij është në qendër të universit dhe ku njerëzit jetojnë në paqe e vëllazëri si në Odën e gëzimit të Beethoven-it.

Apel

E nderuara Ekselenca e Juaj Znj. Ashton,

Më lejoni që kështu, publikisht, të Ju apeloj që t’i drejtoheni personalisht zyrës përkatëse të ITU-së, me shpjegime dhe arsyetime të nevojshme, duke kërkuar që ITU ta marrë përsipër zgjidhjen e problemit të kodit telekomunikues ndërkombëtarë të Kosovës. Jam shumë i sigurt se kjo do të mjaftonte që ITU të iniciojë një proces për ta bërë realitet këtë dëshirë dhe nevojë imanente të kosovarëve. Çdo minutë vonese për të pajisur Kosovën me kod telekomunikues, po i shkakton të gjithë qytetarëve të Kosovës, përfshirë edhe qytetarët që jetojnë në pjesët veriore të Kosovës, humbje të pakthyeshme materiale, rritje të varfërisë dhe ngecje shoqërore.

Mospasjen e kodit komunikues, secili qytetar i Kosovës po e përjeton edhe si përbuzje dhe denigrim personal. Kosovarët nuk kanë identitet saktësisht të definuar komunikues, as me numrin e telefonit personal, sepse herë do të konsiderohen qytetarë të Monaco-s, e herë të Sllovenisë a të Serbisë, por edhe as me adresën në Skype, Facebook, Google+, Twitter etj. Thënë shkurt, për shkak të mungesës së kodit, secili kosovar po detyrohet të prezantohet me identitet të rrejshëm në të gjitha sistemet komunikuese elektronike botërore. Andaj, mund ta kuptoni ndjenjën e turpit dhe të ofendimit që e përjeton çdo kosovar a kosovare çdo ditë dhe çdo herë kur i qaset Internetit.

Mjerisht, me sa di unë, lidershipi i Kosovës, deri në këtë moment që po e përmbyllë këtë letër, nuk e gjeti të arsyeshme të bëjë një gjë të tillë, ose së pakut nuk ka treguar publikisht se ka ndërmarrë ose do të ndërmarrë një veprim të këtillë.

Të vetmen orvatje serioze për zgjidhjen e këtij problemi, deri në këtë moment, e ka bërë ish PSSP i UNMIK-ut Z. Jessen-Petersen, që në vitin 2005 dhe kërkesa e tij për pak nuk ka pasur sukses, sepse lobimi kundër kësaj kërkesë, i diplomatëve serbë, ishte i fuqishëm, por edhe Kosova atëherë ende nuk e ka pasur mbështetjen zyrtare të SHBA dhe BE për shpalljen e pavarësisë. Jam shumë i bindur se konditat sot janë shumë më të favorshme që Kosova, më në fund, ta marrë kodin e vet ndërkombëtar dhe atë pa bërë asnjë koncesion ndaj askujt.

Me nderime
Agron S. Dida
Ish Drejtor Gjeneral i PTK-së

(Letra është dërguar enkas tek Telegrafi. Autori është inxhinier i diplomuar dhe magjistër i shkencave të inxhinierisë elektrike, si dhe menaxher i projekteve në Komtel Project Engineering në Prishtinë. Për shkak të parimeve të tij, të kërkesave për kod të Kosovës, menaxhim të duhur të telekomit në favor të interesave të qytetarëve, si dhe kundërshtimeve të hapura të tij të procesit përmes të cilit mëtohej të instalohet telefonia mobile e Monaco Telecom-it në Kosovë, më 2000 jep dorëheqje nga posti i Drejtorit Gjeneral të PTK-së)

Në trend

Më shumë
Drenusha Latifi pranon në takim Atillën, vendosin të 'pajtohen' për hatër të fëmijëve

Drenusha Latifi pranon në takim Atillën, vendosin të 'pajtohen' për hatër të fëmijëve

Magazina
Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës

Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës

Magazina
Ana lë shtëpinë e Big Brother VIP Kosova 3

Ana lë shtëpinë e Big Brother VIP Kosova 3

Magazina
Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së

Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së "po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”

Evropa

"Nuk mund të bërtasësh Serbi, Serbi në një stadium përballë një populli të masakruar" - gazetari rumun shumë kritikues ndaj tifozëve

Përfaqësuesja e Kosovës
Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Lajme
Kalo në kategori