LAJMI I FUNDIT:

A kam të drejtë?!

Letër komandantit tim

Kaluan katërmbëdhjetë vite kur rrugët tona u ndanë. Kaluan po aq vite kur realisht rrugët tona morën drejtime të kundërta, anipse unë nuk dëshiroja të pajtohem me këtë realitet. Shpeshherë mendohem: a thua a paskan qenë rrugët tona ndonjëherë të bashkuara në një qëllim?!

Shpeshherë nuk iu besoj kujtimeve të mia dhe e vërteta më duket sikur një iluzion!


Kjo më ndodhë sa herë që e kujtoj kohën e para katërmbëdhjetë viteve, kur e kujtoj kohën e sakrificave të mëdha të këtij populli, për të cilin unë pranova t’i nënshtrohem secilit shqiptar vetëm e vetëm për të qenë të bashkuar kundër armikut.

Atëherë u bashkuam dhe ishim pranë njëri-tjetrit pothuaj çdo herë: në, ushtari yt dhe Ti, komandanti im, anipse ndonjëherë kur betejat ishin shumë të përgjakshme mund të ndodhte që ne nuk ishim bashkë, ngase unë, ushtari yt, isha bashkë me shokët e mi, ushtarë, në grykën e zjarrit, ndërsa Ti, komandanti im, ishe duke bërë ndonjë ”strategji lufte".

I kaluam disi ato ditë të vështira ”bashkë".

Erdhi si erdhi liria. Unë, ushtari yt, iu ktheva familjes, ndërsa ti, komandanti im, vazhdove punën "për shtetin".

Menjëherë pas luftës unë, ushtari yt, u sfidova me një luftë tjetër: luftën për ekzistencë, ndërsa ti, komandanti im, u sfidove me një luftë tjetër – luftën për pushtet dhe pasuri.

Unë, ushtari yt, atëherë u isha nënshtruar urdhrave tuaja, jo pse ti ishe trim, jo pse ti ishe atdhetar, jo pse ti ishe strateg, jo pse ti ishe dijetar, mirëpo gjithë këtë e bëra për një qëllim të vetëm. Qëllimi ishte LIRIA.

Nuk dua të flas shumë rreth asaj se kush ishe Ti dhe kush isha unë në luftë. Arsyet pse e bëj këtë janë shumë…

Mbaroi lufta, u arrit qëllimi.

Ti në rrugë tjera e unë rrugës së vjetër.

Unë u mundova ta ruaj imazhin e asaj lufte çlirimtare. Unë nuk desha të më kompensohet ndryshe mundi për luftën time çlirimtare, ngase unë luftova vetëm për një qëllim dhe atë e arrita.

Ti nuk mendove për luftën. Ti mendove për qëllimet tua, ngase konsideroj se ti nuk kishe luftuar vetëm për atë qëllim. Ti deshe që mundi yt për luftën të kompensohet. Ti e përdore luftën si mjet për të përfituar për vete. Ti deshe që ashtu siç "më nënshtrove" në luftë, të më "nënshtrosh" edhe në liri. Edhe këtë e arrite. E arrite ngase edhe këtu desha të të nënshtrohem sikurse në luftë, jo pse e meritoje, por sepse desha të mendoj se akoma rrugët tona janë bashkë; desha të besoj se ne do të jemi përherë bashkë; desha të mos besoj se një njeri “i luftës" do të shkel mbi ushtarin e tij.

Edhe koha e pas luftës dëshmoi se ti ishe “më i mençur". Ti arrite të përdorësh ushtarin tënd sa herë që pate dëshirë, jo për të mirën e shtetit, por për të mirën tënde personale. Ti arrite të bëhesh njeri i pushtetshëm dhe i pasur. Edhe ti i arrite qëllimet. Ti sot përulesh vetëm para parasë. Për ty sot vetëm pasuria ka vlerë. Ti sot je njeri me ndikim në shtet. Ti sot ke harruar shokët e ditëve të vështira. Ti sot për një mbrëmje je në gjendje të shpenzosh aq sa unë nuk kam arritur të kem për më shumë se katërmbëdhjetë vite të pas luftës.

Fëmijët e tu sot jetojnë jetë përrallore, ndërsa fëmijët e mi sot jetojnë me mjerimin.

Ti, komandanti im, pranë vetes ke sot njerëz servilë, të cilët vrapojnë pas teje duke shpresuar, siç thotë populli: “Do të të bie ndonjë asht nga goja dhe ta marrin".

Pranë vetes ke njerëz për të cilët në luftë kishe dhënë urdhër që të arrestohen nën akuza për bashkëpunim me armikun.

Unë sot jetoj në mjerim, ashtu siç jetojnë shumë bashkëluftëtarë të mi.

Ti, jetoje atë jetë përrallore! Jeto me ata që dikur punuan kundër interesave të vendit e që sot nuk dihet se për kë punojnë! Ti, sa herë që interesi yt cenohet, lajmërohu tek unë dhe bashkëluftëtarët e mi. Eja dhe na thuaj se keq i kemi punët dhe na mbaj ligjërata për nacionalizmin, e ne do të jemi pranë teje! Por, komandanti im, pyete njëherë veten: A kam të drejtë?!…

Kur shkruaj këto kujtime e harroj veten, i harroj edhe shokët e mi që po jetojnë sot ashtu siç jetoj edhe unë dhe familja ime, por më kujtohen shokët tanë që ia falën jetën Atdheut.

Nëse para meje nuk turpërohesh, nëse para shokëve të mi nuk turpërohesh, a mund të më thuash si nuk turpërohesh para atyre që ia falën jetën Atdheut, para familjeve të tyre?!…

Nëse ti i takon një familjeje që i fali dëshmorë Atdheut, si nuk ke turp para vëllait tënd, para familjes tënde, para vetvetes?!…

Nëse nuk turpërohesh para gjithë këtyre, a nuk turpërohesh edhe nga ata ushtarë që pas luftës bënë vetëvrasje si pasojë e varfërisë, e që nuk janë pak në numër?!…

Nëse ti nuk ke turp nga asgjë, a kam të drejtë që unë, ushtari yt, të refuzoj të jem pjesë e “strategjive tua për shtetin", apo unë domosdo duhet të jem i nënshtruari yt?

JO “komandant". Unë nuk do të jem më ushtari yt. Unë do të refuzoj të të shërbej ty dhe atyre që ti ua fale një pjesë të pushtetit tënd. Për të të shërbyer prapë ty. Unë do të jem kundërshtari yt. E di se do të më shpallësh “dezertor" e “tradhtar", ngase sot ke “pushtet" për të bërë diçka të tillë, ashtu siç ke pushtet për të bërë veteranë, invalidë apo dëshmorë secilin që i përgjigjet interesit tënd. Por, unë do të vazhdoj rrugën për ndërtimin e shtetit ashtu siç u betuam dikur. E ti, komandanti im, më thuaj: A kam të drejtë?!…

Apo, ndoshta gjithmonë vetëm ti ke të drejtë?!