LAJMI I FUNDIT:

Ikja nga Kosova dhe bukuria që vret

Kohëve të fundit në Kosovë dhe për Kosovën, pos temave të tjera jetike për fatin e saj, për të ardhmen se saj evropiane – siç është bërë shprehi (mani) të thuhet – dhe marrëveshjes famoze mes të të dy kryeministrave Thaci-Dacic, po bëhet fjalë gjithnjë e më shumë për një temë mjaft të ndjeshme, e që na kujton plagët e dekadave dhe shekujve të shkuara të kombit tonë. Fjala është për rritjen në masë të të ikurve nga Kosova.

Nga deklaratat e të ikurve nga Kosova që pamë në televizor, morëm vesh se shumica dërmuese kanë ikur për shkaqe ekonomike. Shumë të tillë janë të papunë. Ka nga ata që mbase kanë kryer një shkollë, mbase superiore, dhe me gjasë kanë krijuar familje dhe ngelen të papunë. Dhe, në mungesë të perspektivës në Atdhe, ia mësynë Evropës, te një vend më i bukur për një jetë më të bukur…

Duke u bazuar në deklaratat e atyre fatkeqëve të zënë në Hungari e Austri dhe të nëpërkëmbur në Francë, na duket ironike deklarata e Kryetarit të OEK-ut “…se janë papunëtorë…”!


Nga kush?

Ikje nga Kosova ka pasur edhe në vitet e para të pasluftës, por jo kështu në përmasat sa janë sot. Dhe, kryesisht, pos atyre me vizë të punës dhe në marrëdhënie martesore, qëndrimin e kanë marrë në bazë të deklarimit të gënjeshtërt, se kinse janë të rrezikuar nga pjesëtarët e UCK-se, duke apostrofuar udhëheqësit e saj, duke deklaruar veten si kolaboracionist të sistemit milosheviqian e të tjera si këto… E, deri në atë masë sa kanë ndërruar edhe identitetin kombëtar, duke u deklaruar gjithçka tjetër përveçse shqiptarë!

Por, kjo e ditëve të sotme nuk e ka një karakter të tillë.

Të pretendohet ikja prej Atdheut për shkaqe sigurie, ndërkohë që po bëhen plane për ”amnisti”, është një absurditet më vete. Dhe, sigurisht që nuk është ky shkaku i ikjes.

E gjithë vëmendja kthehet tek klasa politike, tek pushteti. Jeta nuk po bëhet e bukur, ashtu siç është ëndërruar derisa ishim në robëri.

Ndërsa shikojmë përmes kanaleve televizive fatet e njerëzve të ikur, na kujtohen mijëra shqiptarë të Shqipërisë teksa iknin nga Atdheu për në Evropë. Dhe, linin, kështu vendin e dashur për tek vendi më i bukur, për një jetë më të bukur. Në atë kohë, Kadareja i pati cilësuar si ”gjethe të kalbura të një lisi të shëndoshë”, por më vonë dhe ai vet bëri të njëjtin akt.

Në një këndvështrim të tillë, unë, si një ikanak i viteve nëntëdhjeta, duke lënë Atdheun e dashur në robëri, arrita në një vend më të bukur, për një jetë më të bukur. Ndaj nuk kam të drejt morale të fajësojë këta të pafatë që lanë vendin e dashur për rrugët e betonta të Evropës dhe, për më tepër, as bartësit e institucioneve të cilët disa prej tyre kanë qenë jashtë vendit dhe janë kthyer në Kosovë kur ”Vendlindja thërriste”

Si të gjendet çelësi?

Thuhet në popull se faji është jetim. Sikundër Shqipëria njëqind vjet më parë, lindja e Kosovës si shtet është përcjellë me krajata të shumta. Pa hyrë në të kaluarën shekullore, po përkujtojmë vetëm shkarazi situatën në të cilën ndodhet Kosova në rrethanat e sotme. Ndërkohë që po shpallej Pavarësia e Kosovës, në botë po shfaqej kriza globale ekonomike, pa përmendur luftërat e shumta që kanë ndodhur e po ndodhin gjithandej botës. Pastaj ndryshimet klimatike që kërcënojnë botën deri në katastrofë natyrore, duke shkaktuar krizë në ushqim e kështu me radhë. Rritja e teknologjisë duke shkaktuar shkurtime të vendeve të punës etj.

Prandaj, edhe Kosova s’ka se si të mos jetë e ndikuar nga këta faktorë. Por, bartësit e institucioneve, sikundër kanë ditur dhe patur guximin të ndryshojnë kahet e historisë, duke hyrë, kështu, në histori. Le të dalin tashmë nga ajo botë e aoreoltë dhe t’i kthehen përditshmërisë e të jetojnë bashkë me masën e t’i përjetojnë ato telashe në mënyrë që t’i zgjidhin më lehtë e më mirë, sikundër kanë bërë liderët botëror.

Ashtu si dikur që u matën me tokën, sot le të maten me kohën.