LAJMI I FUNDIT:

Shqiptari në Evropë!?

Çështja e liberalizimit të vizave, i cili ishte premtimi kryesor në zgjedhjet e kaluara parlamentare më 2009, mbeti edhe për fushatën e zgjedhjeve të ardhshme. Sigurisht, së bashku me këtë premtim – që të arrijnë deri tek vota dhe ta bindin qytetarin e hamendur, të lodhur dhe të pa shpresë ne këtë humnerë të thellë që t’i rivotojmë sërish – do t’ia bashkëngjisin edhe hyrjen e Kosovës në familjen evropiane, pse jo edhe ndonjë universitet ne ndonjë lagje apo fshat, aty-këtu edhe ndonjë komunë të re. E rëndësishme është që mos të lëshohet “fronti”. Fjalë të thata sa të doni, nga premtimet pak realizime…

Po e zëmë se qytetari po i gëlltit edhe kësaj radhe të gjitha: të shkojë në shkollë dhe mos të mësojë, të shkojë në spital dhe mos të mjekohet, të shkojë në gjykatë dhe mos të gjykohet etj. E rëndësishme është që ne t’i marrim vizat e ta mësyjmë Evropën!

Por, si do t’ia dalë një shqiptar i Kosovës, njëri ndër ta edhe unë, të veshur me Kushtetutë moderne, ndërsa nën lëkurën tonë bartim Kanunin. Si do t’ia dalë një shqiptari i “pa arsimuar” ku afër 20 vjet shkoi në një godinë me mure të larta të quajtur shkollë e nuk mësoi as shkrim e lexim; një shqiptar i cili nuk njeh ligj, as Zot, as fe, i pafat e besa deri tash më shumë për faj të vet!


Jemi të tillë, se kështu na duan pushtetarët tonë; kështu na deshën edhe pushtuesit dikur; kështu po e duam edhe ne veten. Ne jemi vetëm vegla për arritjen e qëllimeve të të tjerëve.

Por, si do të gjendemi në familjen evropiane, kur mohojmë identitetin tonë? Kur ish pushtuesi na u bë vëlla, kur figurat kryesore kombëtare shqiptare na u bënë tradhtarë e lavire, kur për pak lekë ndërrojmë emër e identitet, për pak lekë ndërrojmë fe e atdhe… Kush do të jemi ne në Evropë kur mundohemi të jemi me turk se turku, më italian se italiani, me gjerman se gjermani… Vetëm shqiptar nuk tentojmë të qëndrojmë!

Ti mund të jesh në sytë e të tjerëve turkotoman, serb, grek, maqedon, italian, anglez… Si të pëlqen ty mund ta quash veten. Por, je shqiptar që ke trashëguar një kulturë dhe traditë të lashte, që nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu e deri të Nene Tereza e Ibrahim Rugova. Po, ke tri fe, por një Atdhe. Shumë mirë e thoshte edhe Mulla Idriz Gjilani: “Kemi tri fe, por kemi një Atdhe, të përbashkët, një gjak vëllazëror, një gjuhe një diell e një Zot. Detyrë mbi detyra kemi bashkimin dhe mbrojtjen e Atdheut…”.

I mjeri unë për ty që të kam vëlla. Je ti e ata si ti, që me shekuj e shekuj na lanë larg shteteve të zhvilluara. Prandaj, duhet të jemi të vëmendshme, të unifikuar anembanë trojeve ilire. Janë këto vite vendimtare për një të ardhmen të ndritur të shqiptareve dhe investimet e qeverive tona duhen të jenë në shtyllat kryesore, si në arsim, shëndetësi, gjyqësor e jo në ekstremizëm. Kështu behet forcimi i shqiptareve: së pari në shtëpitë tona, e pastaj në Evropë.

Na duhen gjenerata të reja, mirë të arsimuara, të kulturuara dhe të integruara. Kështu e ndreqim imazhin e sakatosur të shqiptareve. Gjithashtu, duhet një kujdes dhe një punë të shtuar për trojet shqiptare në Maqedoni, në Serbi, Greqi e Mal të Zi. Ne duhet të jemi të bashkuar në arritjen e qëllimeve tona kombëtar, sepse siç thoshte Martin Luther King, Jr: “Me duhet të mësojmë të jetojmë së bashku si vëllezër, ose do vdesim së bashku si budallenj”.

E, sa herë gjer më sot ne (shqiptarët) vdiqëm si budallenj?!