LAJMI I FUNDIT:

Kjo nuk është etika islame!

Pas publikimit të asaj videoje kontestuese nga një ligjëratë e hoxhë Irfan Salihut, qëllimisht nuk kam dashur që me ndonjë koment timin personal publik si qëndrim, të jem pjesë e kësaj maskarade ofendimesh të ndërsjella skandaloze, që me të madhe po shfaqen kohën e fundit nëpër mediat tona në përgjithësi, e veçanërisht nëpër rrjetet e ndryshme sociale. Kuptohet, ato si të tilla, me intensitet të njëjtë vijnë prej dy taborëve kundërthënëse: atij “laik” dhe atij fetar.

Hajde, ta zëmë se me atë fjalor skajshmërisht bastard të komunikimit, disi mund t’i kuptoj disa të pamoralshmit dhe të paedukuarit thuaja laik (jo aq fetar), të cilët, edhe tek rastet tjera tematike të reagimeve të tyre publike, shpesh janë treguar si aspak të edukuar dhe të kulturuar. Por, assesi nuk i kuptoj disa të tjerët që me të gjitha elementet e jashtme (të dukshme) të sjelljeve të tyre, në shoqëri, tregohen kinse myslimanë të vërtetë, apo edhe më keq: janë prijësit fetar të kësaj feje.

Gjithmonë kam besuar se, në një anë, të jesh me devocion mysliman i mirëfilltë dhe në çdo lloj ligjërimi (me shkrim ose fjalim), ta kesh gojën plotë me emrin e Allahut të madhërishëm dhe të pejgamberit s.a.v.s. ndërsa, në anën tjetër, me një gjuhë të paskrupullt degraduese, të shash dhe ofendosh një bashkëbisedues tëndin (ose një grup më të gjerë shoqëror) vetëm e vetë pse mendon ndryshe nga ti, kjo e tejkalon çdo normë parimore të etikës minimale islame.


Kategorikisht mendoj se nuk mbrohet e drejta islame apo e drejta e myslimanëve duke i fyer të tjerët. Përkundrazi, mënyra e tillë është jo e shëndoshë dhe aspak e mirëfilltë me parimet e saja fondamentale doktrinare. Gjithnjë duke u bazuar në Kur’an dhe Sunet, përherë ka mënyra më të mira, shembullore, për t’i këshilluar apo për t’i qortuar të tjerët ku ata e kanë keq apo janë në rrugë të gabuar, e kurrsesi përmes sharjeve dhe ofendimeve të cilat përveçse na sjellin dëm direkt individual, në përgjithësi shkaktojnë edhe irritimin e të tjerëve ndaj Islamit.

Bazuar në dijen time modeste që kam në këtë fushë (teologji), në vazhdim, me disa shembuj, pikërisht nga mësimet islame, do të tentoj ta argumentoj këtë qëndrim timin si më sipër. Natyrisht, lista e shembujve të tillë që prekin dhe rregullojnë këtë çështje në islam, duhet të jetë edhe më e madhe. Si gjithnjë, shëmbëlltyrë për sjelljet tona në jetë, të nisem së pari nga shumë virtytet e larta të vetë pejgamberit tonë, Muhamedit s.a.v.s., i cili kurrë nuk ka qenë mallkues dhe fyes ndaj të tjerëve.

Enesi radijAllahu anhu në një Hadith ka thënë: “Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem kurrë nuk ishte i neveritshëm, e as mallkues, e as fyes ndaj të tjerëve”. Andaj, pa marrë parasysh nivelin e devocionit fetar të çdonjërit në veçanti, këto sjellje si shembull të mirë edukues, gjithsesi duhet të na shërbejnë të gjithëve (laikë e fetarë). Pastaj, në Kur’an Allahu i lartësuar thotë: “Ti (Muhamedi s.a.v.s) ishe i butë ndaj atyre, ngase All-llahu të dhuroi mëshirë, e sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë, ata do largoheshin prej teje…” (Ali Imran -159).

Në fund, sado që të ballafaqohesh me një të keqe në jetë, islami të mëson për durim. Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Dije se fitorja vjen me durim!" dhe: "Njeriut nuk i është dhënë dhuratë më e madhe në këtë dynja se durimi". Andaj, durimi në islam është dritë e besimtarit e cila e udhëheqë atë në errësirat e sprovave, brengave dhe fatkeqësive të ndryshme me të cilat ballafaqohen gjatë jetës.

Krejt në fund, mos të harrojmë se njëri prej emrave të bukur të Zoti është es-Sabur – Durimtari, dhe mjafton që ne të pajisemi me bukurinë e këtij emri. Mu për këtë shkak, jo rastësisht Allahu i Madhërishëm termin durim në Kur’an e ka përmendur 90 herë.

Në trend

Më shumë
Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Lajme
Kosovari vrau kushëririn në Zvicër pas konfliktit për një mur në Kosovë - gjykata jep detaje

Kosovari vrau kushëririn në Zvicër pas konfliktit për një mur në Kosovë - gjykata jep detaje

Lajme

"Ku ke qenë në luftën e Kosovës, çfarë ke bërë në 99' për vendin budalla", G Bani i drejtohet me fjalë të ashpra Gjestit pas përjashtimit të Jozit

Magazina
Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Magazina
Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Magazina

"Tiroli i Jugut si model për Asociacionin" Mandl: Jo një Republika Sërpska, duhet të jetë zgjidhje praktike, pa kërcënim

Lajme
Kalo në kategori