LAJMI I FUNDIT:

Ne dhe rehabilitimi

Dilemat se a duhet të akuzojmë deri në masën sa të lëndohen pasardhësit e atyre, të cilët në forma të ndryshme dëmtuan ose penguan çështjen kombëtare dhe formimin e shtetit të Kosovës, parimisht janë të paqëndrueshme. Shpjegimi i saktë i historisë ka rëndësi të jashtëzakonshme për njohjen apo diagnostifikimin e të sotmes dhe për të arritur shkallë më të lartë të aftësisë parashikuese për të ardhmen e një populli.

Mos shpjegimi i saktë i të kaluarës ose mungesa e diferencimit nga e keqja, demotivon njerëzit që kanë prirje për të bërë vepra të mira e për të sakrifikuar për shoqërinë apo për interesin e përgjithshëm. Në parafytyrimin e njerëzve paraqitet shembulli i keq i mos dënimit të së keqes, rehabilitimin e saj apo, më mirë të themi, shpërblimit të saj.

Në këtë kuptim, rasti i fundit i aplikimit për veteran të UÇK-së nga ana e Azem Vllasit e Mahmut Bakallit, dy eksponent të njohur të politikave kundër avancimit të statusit të Kosovës nga krahinë autonome në Republikë, e sidomos angazhimit të të parit në diferencimin brutal ndaj kësaj kërkese e cila krijoj pasoja të rënda kombëtare, del brenda logjikës së paaftësisë sonë për të kuptuar se historia duhet të shkruhet me guxim shkencor e jo me koketim mes te mirës dhe të keqes!


Një nga shkaqet pse sot ka aq shumë veprime joparimore, jotetike e amorale është pikërisht mos dënimi ose nganjëherë edhe shpërblimi i atyre që punuan kundër vendit të vet.

Të gjitha sëmundjet morale e politike, duke përshirë edhe bajraktarizmin, nepotizmin, korrupsionin, klanizmin, keqqeverisjen etj., ushqehen me mos ndriçimim shkencor të historisë. Historia nuk shpjegohet dhe nuk mbrohet, ashtu siç ishte, nëse nuk identifikohen bartësit e veprave të mira dhe bartësit e veprave të këqija.

Pra, historia nuk merret me të thëna, por merret me të bëra. Kur thuhet se nuk duhet përmendur elementet negative të të kaluarës sonë, shkaktohet në mënyrë të hapur apo të padukshme demotivim i njerëzve për të realizuar vepra të mëdha, të cilat kërkojnë edhe sakrificë. Rrjedhimisht, historia duhet shpjeguar qartë dhe drejt. E kundërta shkakton avari dhe defekte të pariparueshne për ata që duan të veprojnë.

Me dhjetëra veprimtarë idealistë “u detyruan” t’u përshtaten “rrethanave të reja”, d.m.th. të vdekjes së idealizmit dhe të përqafimit të flamurit të interesit, gjoja si flamur i filozofisë së ndërtimit të shtetit. Prandaj, gjendja e tyre përfundon në batakun e përfitimeve personale apo të lavdisë së përkohshme joreale, duke përmbysur edhe ato vepra apo veprime të mira që kishin krijuar më parë.

Te ne pothuaj u lejuan “xhepa” për keqpërdorim, u krijua mentalitet servilizmi të cektë, kur njerëzit duken si hije. Pra, ndërtuam hapësira të mëdha inspirimi, sidomos për vajtorët. Pa mund të madh, shumica kanë arritur të jenë “dikushi”. Kjo gjë bën që njerëzit të kenë iluzione se secili ka mundësi të arrijë atje lart.

"Kultura ushqen shpirtin dhe trurin, ndërsa gjella ushqen trupin", më tha një mik këto ditë!