LAJMI I FUNDIT:

Thaçi e Daçiq: kandidatë të përbashkët të çmimit Nobel për Paqe?!

Varësisht nga konteksti i dialogut politik, ndërmjetësuesi në bashkëpunim me palët kundërshtare vendos se çfarë do të jetë niveli i përfaqësimit të mediave, apo i publikimit të draft-marrëveshjeve që tentohet të arrihen. Historia njeh lloje të ndryshme të tyre, disa nga të cilat kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në trevat tona. Negociatat mund të jenë plot pompozitet e bujë, të zhvilluara nën presionin e pareshtur të mediave e të publikut të gjerë.

Të tilla në historinë tonë të re ishin Dejtoni apo Rambujeja. Vjena po ashtu. Mirëpo, negociatat ndërmjetësohen edhe nën petkun e thellë të fshehtësisë, larg mediave e publikut, dhe në mungesë gati totale të transparencës. Të tilla ishin orvatjet për arritjen e paqes afatgjatë në mes të palestinezëve dhe izraelitëve në Oslo më 1993. Apo negociatat dhe riintegrimi i grupeve të armatosura brenda-shtetërore në raste të ndryshme anekënd botës: Afrikë e Jugut dhe rehabilitimi i plotë Nelson Mandelës, ose partneriteti në mes qeverisë britanike dhe të ashtuquajturve “terroristë” të Shin Fejnit irlandez.

Si njëri opsion – ai transparent dhe konsultativ – ashtu edhe ky tjetri – sekret dhe mosbesues – ngërthejnë të meta dhe dështime potenciale, por edhe përparësi. I pari, pikërisht duke qenë publik, rrezikon të frikësojë negociatorët nga arritja e kompromiseve të dhimbshme. Etiketimet si tradhtar, frikacak, madje edhe tentim për atentatet, janë pasojë e pritshme e kësaj qasjeje. Mirëpo, transparenca dhe konsulta e hapur i jep hapësirë negociatorit që të orientojë busullën e vet negociatore por edhe, pse jo, të relativizojë, të neutralizojë dhe të shpërndajë “fajin” mes spektrit politik mbi një kompromis eventual.


I dyti opsion, duke qenë sekret, rrezikon ta tëhuajësojë negociatorin nga baza e vet, gjë që do të thotë se edhe marrëveshja mund të mos pranohet nga spektri politik dhe populli. Mirëpo, sekreti ofron edhe privatësi, kthjelltësi dhe hapërdan presionin gjatë negociatave. Siç thamë, historia njeh gjithëfarëlloj negociatash, të cilat për nga natyra nuk janë gjithherë “demokratike”, por të orientuara kah rezultati, që është marrëveshja në mes palëve për arritje të paqes.

Historia po ashtu na mëson se, ndoshta paradoksalisht, momenti më i përshtatshëm për hapjen e negociatave është kur në pushtet në të dyja anët gjenden “radikalët” apo, siç thotë populli, “të fortit”. Sa për ilustrim, përsëri mund të rikujtojmë se bisedimet me Shin Fejnin në Mbretëri të Bashkuar i filloi qeveria konservatore e Xhon Mejxhorit (Toni Bler veçse i vazhdoi ato), pra pikërisht përfaqësuesi i partisë së Thaçerit e cila kishte qenë armike e përbetuar e ushtrisë republikane irlandeze (IRA-s). Gjithashtu, është i njohur rasti i përndritshëm i Mandelës i cili, në emër të pajtimit, me të dalë nga burgu afroi përreth qeverisë së tij gardianët e aparteidit të Afrikës së Jugut, duke shmangur kështu trazira që sigurisht do të ndodhnin pas humbjes së pushtetit nga të bardhët.

Për të ardhur te rasti i dialogut Kosovë-Serbi: është paksa e vështirë të përfytyrohet që një qeveri e “moderuar” e Boris Tadiqit apo e Dragan Gjilasit të Partisë Demokratike të Serbisë, të dialogojë me një qeveri ‘”të moderuar” të LDK-së apo AKR-së, ta zëmë. Kjo për faktin se potenciali për kundërshtim, refuzim, apo edhe rrëzim të pushtetit do të ishte më se i rrezikshëm, pikë së pari pikërisht nga elementet që mund të perceptohen më të pakompromis nga të dyja palët. Me fjalë të tjera, ekziston njëfarë logjikshmërie që na mëson se marrëveshjet apo edhe kompromiset në mes dy poleve nacionaliste (të përceptuara kështu nga njëra tjetra) mund të bëhen më lehtazi bash nga ato pole.

Në Serbi, kemi një qeveri dhe presidencë që përbëhet nga dy parti me bagazh mbresëlënës nacionalist. Rrjedhimisht, trashëgimia apo legata e tyre politike u shërben si mburojë dhe legjitimitet për përfaqësim në dialog. Në Kosovë, partia më e madhe në pushtet konsiderohet si pasuese e drejtpërdrejtë e rezistencës së armatosur dhe, si e tillë, mendohet se posedon bagazhin politiko-historik për dialogim. Pjesëmarrja në dialog e përfaqësuesit të partisë opozitare që gjithashtu rrjedh nga lufta veç çka e përforcon argumentin për legjitimitetin e tyre.

Negociatat prodhojnë transformime sa të çuditshme aq edhe tragjikomike nganjëherë. Armiq të përbetuar kanë evoluuar në partnerë koalicionesh, duke gjetur në vetvete respekt të thellë për kauzën e tjetrit, sado qoftë kundërshtuese ajo. Duhet thënë shkoqur se për të negociuar apo dialoguar, palët kundërshtare nuk mund të mos i hyjnë një procesi partneriteti me njëri tjetrin. Për të bërë paqen, kundërshtarët e përbetuar kanë nevojë për njëri-tjetrin, ose nuk kanë rrugëdalje përveçse ta transformojnë atë rivalitet në ingranazh për ruajtje të asaj paqeje. Përndryshe, paqja mbetet “e ngrirë”, “negative” dhe vazhdon të çalojë me patericat e përkrahjes së komunitetit ndërkombëtar. Në Kosovë, kjo do të përkthehej me praninë e mëtutjeshme të KFOR-it e organizatave të tjera.

Të rikujtojmë se dialogu Kosovë-Serbi është, para së gjithash, dialog për t’i vënë fund, siç thuhet, një armiqësie njëqindvjeçare në mes dy popujve fqinj në Evropë. Ndërmjetësimi për këtë dialog posedon peshë të rëndë ndërkombëtare në formën e Përfaqësueses për Politikë të Jashtme të BE-së, si dhe Uashingtonit. Për ta si ndërmjetësues, është gjithashtu me rëndësi të thellë që ky dialog të përfundojë me sukses. Ky sukses bëhet edhe më theksues kur kemi parasysh morinë e storjeve të zymta mbi ekonomitë mërzitshëm të brishta anekënd BE-së. Pa dyshim, si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, karota është vetë BE-ja, apo siç thuhet, integrimet evro-atlantike.

Të rikujtojmë, po ashtu, se paqe nuk do të thotë zhvillim ekonomik, ose demokratizim i menjëhershëm, ose kthim i të zhvendosurve në vendbanimet e veta në veri të Kosovës, ose në fund të fundit liri e menjëhershme e lëvizjes. Paqja është nocion që definon përfundimin e armiqësisë dhe i paraprin këtyre zhvillimeve që u cekën. Një paqe afatgjatë, e arritur në mes qendrave të Prishtinës dhe Beogradit, mund të shtrojë rrugën për të gjitha këto. Gjithashtu, dakordimi i paqes nuk është veçse fillimi i një etape të re marrëdhëniesh. Zbatimi i asaj marrëveshjeje në praktikë është sfidë në vete, përplot befasi dhe pengesa.

Por, ama politika bën të pamundurën. Pesë vjet më herët do të kishte qenë mbase e pamundur të paramendohet se kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë do të dialogonin së bashku. Ata tashmë janë partnerë dhe hisedarë të këtij dialogu, dhe do të përpiqen deri në fund që dialogu të ketë sukses. Mos gaboni se edhe vetë përpjekja për dialogim për paqe është kualifikim meritues për negociatorët.

Ngris hipotezën se në vitet në vijim kryeministrat Thaçi dhe Daçiq, në emër të qeverive të tyre, do të nominohen si kandidatë të përbashkët për çmimin Nobel për Paqe për përpjekjet e tyre për të krijuar paqe në mes të dy vendeve fqinje në Ballkan. Fitimi i këtij çmimi do të ishte simbolikë adekuate, që mendoj se do të përkrahej nga BE-ja, mbi tejkalimin e armiqësive shekullore në mes të dy popujve, që do të shtronte rrugën për normalizim raportesh në mes shtetesh.

Historia ka parë raste të tilla më herët. Më 1994, liderët historikë të Palestinës dhe Izraelit, Jaser Arafat dhe Shimon Perez me Jitcak Rabin respektivisht, ishin fitues të përbashkët të çmimit Nobel për Paqe për “përpjekjet e tyre për të krijuar paqe në Lindjen e Mesme”. Shpresojmë se paqja te ne të jetë më e qëndrueshme se kjo e tyrja. Si duket, fati ynë që jemi të pozicionuar në Evropë është garantuesi më i mirë i një paqeje të qëndrueshme.

Në trend

Më shumë
Modric ‘sulmoi’ Vinicius Jr në sy të të gjithëve: Braziliani i tërbuar u vërsul në dhomat e zhveshjes, Ancelotti sqaron situatën

Modric ‘sulmoi’ Vinicius Jr në sy të të gjithëve: Braziliani i tërbuar u vërsul në dhomat e zhveshjes, Ancelotti sqaron situatën

Ndërkombëtare
Jordania e gatshme për luftë me Izraelin nëse Netanyahu i dëbon me forcë palestinezët

Jordania e gatshme për luftë me Izraelin nëse Netanyahu i dëbon me forcë palestinezët

Azia

"Ia dolëm", Parashqevi Simaku lirohet nga spitali i New York-ut - biznesmeni Elton Ilirjani publikon pamje të artistes

Magazina

"Ku ke qenë në luftën e Kosovës, çfarë ke bërë në 99' për vendin budalla", G Bani i drejtohet me fjalë të ashpra Gjestit pas përjashtimit të Jozit

Magazina
Pas propozimit të Trumpit, Izraeli urdhëron ushtrinë të hartojë planin që palestinezët të largohen nga Gaza

Pas propozimit të Trumpit, Izraeli urdhëron ushtrinë të hartojë planin që palestinezët të largohen nga Gaza

Azia
Kosova U21 mëson kundërshtarët për Euro 2027 që zhvillohet në Shqipëri dhe Serbi

Kosova U21 mëson kundërshtarët për Euro 2027 që zhvillohet në Shqipëri dhe Serbi

Përfaqësuesja e Kosovës
Kalo në kategori