LAJMI I FUNDIT:

Tryeza e “Paqes”

Na ftuan. Na ftuan sepse na duan, apo na ftuan sepse duan që t’i duam?! Sido që të jetë, unë mora pjesë në këtë tryezë, ashtu si disa studentë tjerë të UP-së.

Po afrohej ora dhjetë e paradites, kur ne studentë po ngjisnim shkallët e një pallati. Studentët dukej se ishin tepër kureshtar për atë që e rrethonte. Muret, dekoret, ndriçimi, të gjitha në një stil të veçantë që ofronte hoteli “Swiss Diamond”. Po çfarë ishte ky “miting” që po organizohej brenda mureve të një hoteli?

Studentët po zinin vendet e tyre e po ashtu edhe panelistët e ftuar, ani pse nuk u erdhën të gjithë. Megjithatë, kjo nuk qonte edhe aq peshë pasi po nderoheshin nga dy deputetë të PDK-së, kështu që mungesa e ministrit Ramë Buja nuk i shqetësoi edhe aq.


Sido që të jetë, u desh pak kohë që të rehatohemi në ato karrige, gjersa para syve na u krijoheshin iluzione optike nga dekoret e murit të sallës së hotelit.

Organizata studentore “Paqja Studentore” po organizonte një tryezë për arsimin e lartë në Kosovë. Gjëja e parë që po më vinte në mend ishte pyetja se a nuk kishte mundësi që të organizohej një tubim i tillë në sallat e fakulteteve, bibliotekave, në ato salla të cilat janë publike në shërbim të qytetarëve dhe studentëve, apo që kjo tryezë e paska vendin vetëm në hotelin “Swiss Diamond”?

Duke qenë kureshtarë për këtë organizim, u afrova tek recepsionisti poshtë. Kërkova që të më shpjegoj pak se si qëndron çmimi i rezervimit të asaj salle që tashmë po pritej të mbahej kjo tryezë. Me ca përllogaritje dhe konsultime me menaxherët e këtij hoteli, ai më dha shifrën për çmimin e saktë. “800 euro” tha. “E po, paqi gjithmonë”, u thashë.

Studentët, kjo kategori e shoqërisë që mbahet me një gjendje tejet të ulët ekonomike, ishte ftuar në atë salltanet nga këta organizatorë, studentë kravatash, duke qëndruar të krekosur me këtë organizim të tillë! Sinqerisht, unë këtë do ta quaja përdhunim “paqësor” ndaj studentëve.

Në kohën kur padrejtësisht studentët detyrohen të paguajnë semestrin, në kohën kur shërbimet bankare vijnë e shtrenjtohen, në kohën kur biletat e udhëtimit janë shtrenjtuar, në kohën kur pamundësohet studimi për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike, në kohën kur vidhet studenti, në kohën kur parat e tij keqpërdoren nga Universiteti, në këtë kohë ju paguani një sallë takimi 800 euro… Dhe si, ju kërkoni që ne të jemi paqësor?!

E po, për “studentin paqësor” kishin përgatitur nga disa fjalë disa prej këtyre panelistëve. Sido që të jetë, koha po afrohej. Berat Buzhala, deputet i partisë në pushtet, po përgatitej ta merrte fjalën i pari. Kjo gjithsesi nuk i takonte me arsyen se ai ishte më i vjetri aty, sepse kjo do t’i takonte Shkelzen Maliqit. Dhe, po ashtu këtë privilegj nuk është se ia jepte as pozita e deputetit, sepse nëse e shikojmë në atë mënyrë i pranishëm ishte edhe Ramë Vataj të cilit nuk i takoi fjala e të parit. Mirë, nuk e dimë si, por Buzhala e mori bajraktarin.

Që Buzhala është njeri fjalaman, këtë tashmë e dinim shumë nga ne që kishim pasur rastin ta shihnim nëpërmjet televizionit. E prisnim që ai nuk do të thotë asgjë të re a të veçantë. E veçanta e vetme ishte se dy deputetë të PDK-së po arrinim t’i shihnim “live”.

Filloi Berati. Përgëzime, urime, falënderime të gjitha këto duke i adresuar tek organizatorët, fjali të cilat përcilleshin vazhdimisht me duartrokitje të disave prej tyre.

Berat Buzhala i ftoi dhe inkurajoi studentët që të vazhdojnë me të tilla aktivitete, në këso lloj tryezash dhe se sipas tij nuk i ka hije një studenti që të dal të protestoj para dyerve të fakultetit, para dyerve të rektoratit, e madje të protestoj për çështjen e veriut të Mitrovicës çështje që një studenti nuk ka se çfarë ti duhet. Citoj: “Juve prindërit ju financojnë që ju të studioni në Universitet, dhe vetëm të studioni. Juve politika nuk ju duhet”. Sërish duartrokitje!

Tendenca e Buzhalës është tendencë e pushtetit. Ata nuk e duan një student politik që shqetësohet, që preokupohet dhe angazhohet për gjendjen e tij dhe të shoqërisë. Ata duan apati qytetare. Ata e kanë frikën e studentit, dhe në këtë formë e duan studentin të fjetur, në mënyrë që ky pushtet të ndihet rehat. Z. Buzhala, ne shqetësohemi për gjendjen në Mitrovicë, për politikbërjen tuaj në negociatat me Serbinë, për shitjen dhe likuidimin e pasurive tona publike, ne shqetësohemi për gjendjen tonë, në kohën kur ti shqetësohesh vetëm për vete dhe atë vetëm kur kalimthi mendon për shqetësimin tonë.

Gjuhën e Beratit po e vazhdonte edhe deputeti tjetër nga radhët e PDK-së që na bënte thirrje zëshëm që studentët të mos merren me çështje politike, e po ashtu Prorektori i UP-së, Nuri Bexheti, që e tha edhe këtë: “Më mirë të mblidhemi kështu e të kritikojmë sesa të protestojmë dhe të biem ndesh me ligjin”.

Më falni zotrote, të protestosh a do të thotë të biesh ndesh me ligjin?

E po, ne do të protestojmë e demonstrojmë, do të bëjmë marshe e bllokime, pranë fakulteteve, pranë Rektoratit e pran Qeverisë dhe ne nuk do ta shkelim ligjin. Ligjin do ta shkelni sërish ju, siç e keni shkelur edhe më parë. Do të urdhëroni që të na arrestojnë duke e shkelur pikërisht Ligjin mbi Arsimin e Lartë – neni 13 pika 4 (neni i cili e ndalon rreptësishtë ndërhyrjen policore brenda objekteve të Universitetit). Kjo gjë ka ndodhë disa herë vitin e kaluar, dhe ju do të vazhdoni ta shkelni ligjin sërish, çdo ligj, çdo nen dhe çdo pikë. Por gjithsesi një ditë shkelësit e ligjit do të dënohen.

Gjuha e “Paqes Studentore”, e Berat Buzhalës, e Ramë Vatajt dhe Nuri Bexhetit ishte e njëjtë. Thirrje për “paqe”.

Ne jemi për paqe, por thirrjet e dhunuesve për të qenë paqësorë ne iu përgjigjemi me organizim studentor, me organizim qytetar e punëtor, deri në përmbysje të këtij sistemi.