LAJMI I FUNDIT:

Politika është vepër artistike e hajnisë

I vetmi burim i votave për Presidentin amerikan, Barack Obama, mbeten votat që vijnë nga punonjësit – shërbyesit qeveritar. Këtë realitet amerikan, tash e katër vjet, e theksoi kundërshtari i tij politik, kanditati për president, Mitt Romney, në një debat televiziv.

Kjo politikë e qeverisë aktuale në SHBA është reflektuar edhe në Kosovë: i vetmi burim i votave për Partinë Demokratike të Kosovës në pushtet (PDK) mbeten votat e shërbyesve civilë, të të gjithë atyre shërbyesve të cilët në masë të madhe i ka punësuar vet për këtë qëllim.

Në anën tjetër, siç ekziston kjo anë gjithmonë, mbi 50 për qind e popullsisë në Kosovë mbeten të papunë, të papunësuar në Qeveri. Megjithëkëtë, Qeveria e PDK-së llogaritë në votat edhe të atyre anëtarëve të familjes të cilët i ka punësuar. Në këtë mënyrë, nëse bëhen llogaritje, PDK-ja, në këto rrethana, kurdo ose sa herë që mbahen zgjedhjet mund t’i mbledhë deri në 50 mijë vota.


Qeveria e Kosovës, mënyrën e punësimit e ka bërë dhe e ka llogartur në bazë të votave. Kjo ka qenë politika e punësimit e Qeverisë së PDK-së. Ka punësuar pak nga prishtinasit, pak nga gjilanasit, pak nga llapjanët, pak nga mitrovicasit, pak nga pejanët e gjakovarët, në mënyrë që në secilin rajon të Kosovës të ketë, deri-diku, vota të siguruara, pa marr parasysh pakënaqësitë politike që mund t’i ketë në ndërkohë ose edhe korrupsionin dhe krimin e organizuar qeveritar që vazhdon pa ndërprerë.

Nëse merret parasysh mënyra se si qeverisë PDK-ja me shtetin, atëherë del që kjo parti në pushtet asnjëherë, ama asnjëherë, nuk e ka pasur ndërmend qeverisjen e mire, të përgjithshme dhe të gjithanshme. Korrupsioni me punësime, me tenderë, me projekte të ndryshme për të thithur paratë e tatimpaguesve të Kosovës – siç është për shembull projekti i Regjistrimit të Popullsisë, projekt nga i cili nuk dihet se ku kanë mbetur mbi 10 milionë euro; duke pasur parasysh shpenzimet nga udhëtimet ndërkombëtare, nga telefonia, përdorimi i veturave e kështu me radhë, atëherë del që PDK-ja as që e ka pasur ndërmend qeverisjen e mirë.

Sa për ilustrim, Remzije Shahini-Hoxhaj, gruaja e ministrit të Jashtëm Enver Hoxhaj, me “fitoren” e PDK-së në zgjedhjet e vitin 2007, nga vetura me vlerë diku 500 euro, kalon në veturë me vlerë diku 10 mijë euro.

Megjithëkëtë, kjo Qeveri gjithmonë ka llogaritur, sepse e ka pasur përkrahjen e disa qarqeve ndërkombëtare. Nuk është e udhës të flitet ose shkruhet diçka kundër tyre, por është e pabesueshme se si kjo Qeveri, Qeveria e PDK-së, po përkrahet në vazhdimësi duke pasur parasysh varfërinë që po ia shkakton këtij populli, duke ia gërryer buxhetin e Republikës së Kosovës. Në njëfarë mënyre të çuditshme, disa qarqe ndërkombëtare në Kosovë po e përkrahin Qeverinë e Hajnave.

Këto qarqe ndërkombëtare gjithmonë e kanë interesin e vet, interesin e politikave të tyre shtetërore. BE-ja dhe SHBA-ja janë të interesuara që Serbinë ta kenë në gjirin e vet e jo të Rusisë, përderisa e përdorin Qeverinë në Kosovë për të arritur këtë qëllim. Në anën tjetër, siç ekziston gjithmonë ana tjetër, Qeveria e Hajnave e siguron vazhdimësinë e pushtetit në Kosovë, përderisa plotëson dëshirën BE-SHBA. Kështu, Serbia në BE, PDK në pushtet, ndërsa BE-SHBA të kënaqura me arritjen e interesit të tyre politik-strategjik afatgjatë.

Dhe, mënyra më e mirë e arritjes po del gërryerja nga hajnia, varfërimi dhe papunësia e qytetarëve të Kosovës. Nga e tërë kjo, nëse mund të konstatohet diçka, po del që politika në Kosovë të jetë vepër artistike e hajnisë.