LAJMI I FUNDIT:

Kosovës po i vjen era shtet

Pas publikimit të vendimit të gjykatës lidhur me kthimin e lokaleve TV Mitrovicës, shumica e njerëzve shprehën habinë se si ka mundësi që në Kosovë gjykata t’i jap të drejtë viktimës përballë shkelësit të ligjit. Si ka mundësi që dikush ta fitojë gjyqin përballë pushtetit të egër që zhvatë dhe shkatërron çdo gjë që i del përpara? Bindja e njerëzve në Kosovë është se gjykatat nuk bëjnë gjë tjetër, por vetëm i legalizojnë padrejtësitë që bëhen në shoqëri dhe se në gjyq nuk matet se kush ka të drejtë po kush është më i fortë.

Këto ditë, veshët po më ushtojnë nga fjalët “i fortë je, e fitove gjyqin”. U lodha duke thënë se nuk jam i fortë po jam i drejtë dhe se shyqyr Zotit që ka fituar drejtësia. Por, kjo nuk i mbush mendjen kujt. Janë kuriozë të dinë se si kam fituar. Kot u them se kanë qenë faktet që kam disponuar dhe aftësia profesionale e gjykatësit për ta drejtuar procesin ato që kanë rezultuar një epilog të tillë. Njerëzit prapë ma kthejnë “I zoti je ti, i zoti”!.


Në fakt, nëse këtu dikush meriton lëvdata për zotësi profesionale e kurajë qytetare është gjyqtari i lëndës në fjalë. Në një shtet normal ai edhe s’do të kish merituar vëmendje. Pse? Sepse ka zbatuar ligjin, ka kryer punën e vet për të cilën është i thirrur. Por, fatkeqësisht në Kosovë është normale të veprohet kundër ligjit dhe është heroizëm ta zbatosh ligjin.

Kur inspektorët komunalë dhe policia e Kosovës dhunuan lokalet e RTV Mitrovicës, problemi më i madh ishte se nuk gjeja dot avokat që pranonte ta përfaqësonte OJQ “Mitrovicën”, përkatësisht Radio Mitrovicën dhe TV Mitrovicën.

Shumë nga avokatët që njihja më ndihmuan për të shkruar padinë, parashtresat, argumentimin në gjykatë, madje për gjithë këto ndihmesa asnjëri nga avokatët nuk më mori asnjë cent, por secili nga ta gjente arsyen për të mos na përfaqësuar edhe zyrtarisht. Thjesht, kishin frikë nga pushteti.
Dy kolegë më të vjetër të gjykatësit në fjalë: Skënder Shala dhe Ragip Kadriu, kanë refuzuar ta marrin lëndën në dorë. Pse? Sepse e dinin se drejtësia ishte në anën e RTV Mitrovicës dhe nuk kishin guxim të merrnin vendim që do ta hidhëronte kryetarin e Komunës së Mitrovicës. Gjyqtari i tretë, ai që e pranoi lëndën, djalë i ri i trajnuar nga strukturat ndërkombëtare në Kosovë, e mori ketë rast me thjeshtësi dhe i vuri kapak.

Vendimi i tij në favor të RTV Mitrovicës bëri bujë në tërë Kosovën. A thua pse? Sepse opinioni i gjerë nuk kish shumë hamendje se në anën e kujt qëndronte e drejta. Por, opinioni ishte i pashpresë se në Kosovën e shkretë ka bir nëne që e ndanë drejtësinë ashtu si duhet. Por, ja që ka.

Vendimi i këtij gjykatësi nën monitorimin e gjykatësit të EULEX-it dhe juristëve të OSBE-së ngjalli shpresa në gjithë Kosovën se shteti i Kosovës edhe mund të funksionojë.

Republika e Kosovës mund të funksionojë, vetëm se i duhen më shumë gjykatës e prokurorë që kanë dije e guxim, më shumë zyrtarë me dije e guxim, më shumë politikanë me dije e guxim dhe mbi të gjitha më shumë qytetarë që kanë ndjenjën e patriotizmit dhe frikën ndaj Zotit.

Ky vendim i ka gëzuar edhe shumë njerëz që për një arsye apo tjetër, nuk më duan mua, apo nuk u pëlqen RTV Mitrovica. I ka gëzuar sepse ua ka dhënë shpresën se Kosovës po i vjen era shtet. Por, për të qenë shtet tamam ashtu si na njohin gati gjysma shteteve të botës ka akoma punë.

Së pari duhet të identifikohen njerëzit me vlera; qofshin këta zyrtarë, politikanë, gjykatës, prokurorë, profesorë, mjekë, inxhinierë apo kodo tjetër.

Unë ndjehem tepër keq kur njerëzit m’i atribuojnë meritat e të tjerëve. Nëse është dhënë një vendim i drejtë gjykate, merita për këtë i takon gjykatësit dhe jo palës që e fiton kontestin.

Merita ime në kontestin RTV Mitrovica – Komuna e Mitrovicës, është se unë, për dallim nga shumë qytetarë të Kosovës, besoj në projektin Republika e Kosovës.

Unë e shoh banditizmin dhe barbarizmin në çdo cep të Kosovës dhe primitivizmin në çdo pore të jetës së saj, por unë besoj se pozitivja do të triumfojë.

Unë besoj se Republika e Kosovës do të mbijetojë.

Besoj se brezat e rinj të gjykatësve, prokurorëve, profesorëve, inxhinierëve, politikanëve, mjekëve etj. do të jenë më të mirë se brezat e vjetër. Unë besoj se kosovarët e nesërm do të jenë më të qytetëruar se kosovarët e sotëm. Pa këtë besim nuk bëhet shteti as nuk formësohet kombi.

Në trend

Më shumë
Besnik Berisha: Enver Sekiraqa nuk është arratisur

Besnik Berisha: Enver Sekiraqa nuk është arratisur

Lajme
Aeroplani “i rrëzuar” i presidentit të Iranit, thuhet se tanimë ka pasur një kontakt me pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit

Aeroplani “i rrëzuar” i presidentit të Iranit, thuhet se tanimë ka pasur një kontakt me pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit

Botë
Fajde nga zyrtari policor - rrëfimi i viktimës se si e humbi pronën

Fajde nga zyrtari policor - rrëfimi i viktimës se si e humbi pronën

Drejtësi
Dy gra u martuan te Bashkia e Tiranës, Malaj: Kundër veprimeve që e tejkalojnë ligjin

Dy gra u martuan te Bashkia e Tiranës, Malaj: Kundër veprimeve që e tejkalojnë ligjin

Lajme
Tyson Fury i bëri një premtim befasues Oleksandr Usykut me të përfunduar dueli

Tyson Fury i bëri një premtim befasues Oleksandr Usykut me të përfunduar dueli

Boks
Vëllain e Kylian Mbappes e pyesin tifozët

Vëllain e Kylian Mbappes e pyesin tifozët "a do transferohesh te Real Madridi?" - francezi i talentuar i lë të shtangur

La Liga
Kalo në kategori