LAJMI I FUNDIT:

Inutiliteti i filozofisë

Mendimi i thelluar njerëzor, përgjatë historisë së zhvillimit të tij, ka arritur të krijojë abstraksione sipërfaqësisht të pakuptueshme, por të cilat kanë arritur që në njëfarë mase të zbërthejnë çështjen më të rëndësishme për njeriun – jetën. Është menduar e është thënë shumë për jetën në mënyrë filozofike nga mendimtarë të shquar botërorë, por mendoj që në mënyrë të turbullt kanë arritur të sqarojnë esencën ose kuptimin e jetës.

Mendimet e përpunuara mirë të kohërave më të hershme kanë ndihmuar që në fund të shekullit të kaluar, filozofia botërore përgjithësisht të hapërojë përpara, të zhvillohet, të riorientohet. Tani mendimi njerëzor ka arritur në atë fazë sa të pranojë që jeta praktikisht është e pakuptueshme dhe që në të gjitha mënyrat e mundshme ajo nuk mund të njihet nga mendja njerëzore.

Duke e pasur si pikëmbështetje këtë mendim për jetën, do të përpiqem që t’i paraqesë disa gjëra të pakuptueshme, duke mos u përpjekur që t’i zbërthejë në të kuptueshme. E mohoj shprehjen e famshme të të krishterëve për mënyrat misterioze te Zotit. Mendoj se ato nuk ekzistojnë.


Të gjithë njerëzit, pa përjashtim, gjatë jetës së tyre kërkojnë sa më shumë momente të lumtura. Disa njerëz me aftësi më të vogël racionale, që s’mund të kuptojnë drejt jetën dhe vlerat e vërteta të saj, kërkojnë thjesht lumturinë – periudhën gjatë së cilës nuk do të ndeshen me kurrfarë gjërash të këqija. Kjo mendoj se ka kuptim. Duke jetuar njeriu, përjeton vuajtje e gëzime dhe ndoshta dhe jo për këtë arsye ai bëhet i varur nga dëshira për të përjetuar momente të lumtura. Por, kush në të vërtet mund të arrijë më shumë momente të këtilla? Mendoj se kjo është një çështje jashtëzakonisht e ndërlikuar ndaj së cilës duhet sjellë me kujdes të veçantë. Të mirat materiale nganjëherë mund të jenë kruciale për një jetë të mirë, por të shumtën e rasteve ato nuk ndikojnë!

Lumturia – një fjalë që edhe kur përmendet ngjallë përplot dëshira, madje edhe të paformuluara, madje edhe banale. Është e pakuptueshme sa shumë e dëshirojmë, por gjithashtu e pakuptueshme për mënyrën sesi shfaqet e sesi zhduket. Kjo është lumturia, që ëmbëlsisht përshkon jetët tona, në momente të kufizuara. Sa do të donim që të rrinte përgjithmonë, të ishim të lumtur përgjithnjë, por a do të bëhej e mërzitshme vallë? Unë mendoj se po.

Momentet e zakonshme që përjetojmë, ofrojnë ndjesinë se gjithçka është e rastësishme, gjithçka është reale. Por, jo, kjo është e pavërtetë. Madje, edhe kjo pavërtetësi e kësaj që thashë, edhe vetë ajo që thashë nuk është e rastësishme, por as e domosdoshme. I gjithë ky përfundim, sado jo logjik të jetë, është rezultat i meditimit tim, disa sekondash.

Vdekja është një çështje që për shumë kohë ka preokupuar mendjen njerëzore. Është aq e padëshiruar, sa s’mund të ekzistojë një fjalë adekuate për ta përshkruar ndershmërisht atë. Për disa njerëz mbetet e mistershme nëse ajo vërtet ekziston si e tillë, si vdekje, shuarje, hiqësim apo nëse ajo vetëm e përmbyllë një jetë për të nisur një jetë tjetër.

Sipas religjioneve të ndryshme, jeta e pasvdekjes mund të jetë më e ëmbël, nëse veprimet tona në këtë jetë janë të moralshme. Por, unë nuk e kuptoj se kujt i kryejnë punë veprimet e moralshme të njerëzve në këtë botë, përveç vetë njerëzve të gjallë?!

Nga mendimtarë të ndryshëm është thënë që njerëzit përgjithësisht janë të dëshpëruar me këtë botë për mundësitë e mohuara dhe kërkojnë një botë tjetër për të përsosur veten e tyre. Njeriu i shekujve XIV, XV, XVI, ishte një besimtar i devotshëm, njeri i pakënaqur me botën dhe pozitën e tij në të. Njeriu i shekujve XVII, XVIII dhe XIX ishte një besimtar i kontestuar nga vetvetja e tij; njeri që ka filluar të çlirojë vetën e tij nga doktrinat fetare. Njeriu i shekullit XX është i padefinuar shkaku i ngjarjeve historike. Njeriu i shekullit XXI do të jetë kërkues i mundësive, hulumtues i së vërtetave, shkencëtar, vetëvrasës dhe përgjithësisht shumë i angazhuar. Për këtë shkak s’do të kërkojë parajsën, por një pushim të përjetshëm… asgjësimin.