LAJMI I FUNDIT:

Policia e Kosovës- sukseset, dështimet dhe sfidat

Sipas nenit 10 të Ligjit për Policinë (Ligji Nr. 04/L-076) detyrë e Policisë së Kosovës është të mbrojë jetën, pronën dhe të ofrojë siguri për të gjithë personat; të mbrojë të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë personave; të parandalojë rrezikun ndaj qytetarëve dhe ta mbajë rendin dhe sigurinë publike; të parandalojë dhe t’i zbulojë veprat penale dhe kryesit e tyre; të hetojë veprat penale dhe kryesit e tyre; të mbikëqyrë dhe kontrollojë sigurinë në komunikacion; të menaxhojë dhe kontrollojë kufirin shtetëror; të ofrojë ndihmë gjatë fatkeqësive natyrore dhe në raste të tjera emergjente; dhe të kryejë detyra të tjera të parapara me ligjin në fuqi.

Në përmbushjen e këtyre përgjegjësive dhe në aktivitetet e gjithmbarshme të saj, Policia e Kosovës ka shënuar rezultate evidente, por puna e saj është përcjellë edhe me një sërë dështimesh. Së këndejmi, në kuadër të këtij artikulli do të bëhet përpjekje që të prezantohen disa prej sukseseve dhe dështimeve të policisë në lëmin e luftimit të krimit në shoqëri, si dhe do të pasqyrohen disa prej sfidave me të cilat aktualisht përballet ky organ i shtetit.

I. Sukseset


Një sërë aktivitetesh të ndërmarra në lidhje me policinë dhe nga policia shënojnë një pasqyrë që reflekton arritje të pamohueshme të sukseseve në trendët zhvillimorë dhe në përmbushjen e përgjegjësive të përcaktuara të këtij institucioni me rëndësi të posaçme shtetërore. Në këtë aspekt, në vazhdim të këtij artikulli do të elaborohen vetëm disa nga këto të arritura. Të arritura të tilla, në radhë të parë, konsiderohen:

1. Ngritja e policisë

Ngritja e Policisë së Kosovës përfaqëson njërin prej angazhimeve të para me peshë të veçantë të periudhës së pasluftës, që kanë ndërmarrë akterët përgjegjës të kohës me qëllim të fillimit të epokës së sundimit të ligjit në vend. Në këtë proces-ngritje, sidomos në vitet e para të pasluftës, roli i faktorit ndërkombëtar vlerësohet të ketë qenë determinues. Procesi i bërjes së Policisë së Kosovës, pavarësisht mangësive që e kanë përcjellë (rekrutimi brenda afateve tejet të shkurtra, përfshirja e personave me moshë bukur të thyer në polici, gradimet pa kritere etj.) gjithsesi parqet një tablo suksesi. Kjo, përveç tjerash edhe për faktin se tanimë vlerësohej se po krijohej një forcë policore që do të gëzonte respektin e popullsisë së gjerë, një forcë që do t’i dërgonte në histori çdo gjë që lidhej me mënyrën e veprimit të policisë që kishin ngritur autoritetet serbe dhe që kishte funksionuar deri në fillimet apo përfundimet e luftës.

Tashmë Kosova ka një polici që, në masë të madhe, gëzon reputacion në vend. Ajo, sipas të gjitha sondazheve, hynë në mesin e institucioneve me besimin më të madh në popull. Sidoqoftë, mbetet shumë punë për tu bërë në të ardhmen që ky reputacion të ruhet, gjë e cila duhet të jetë synim për përgjegjësit institucional në vazhdimësi.

2. Themelimi i Qendrës së trajnimeve në Vushtrri

Një storie e suksesit lidhur me veprimtarinë e policisë, në mungesë të Akademisë Policore, pa dyshim është ajo që ndërlidhet pikërisht me themelimin e Qendrës së trajnimeve në Vushtrri. Siç është e njohur në themelimin e kësaj qendre, roli i autoriteteve ndërkombëtare që ndihmuan shumë për rimëkëmbjen e vendit është jo vetëm i pamohueshëm, por edhe determinues. Në këtë qendër ekzistojnë kushte ideale për zhvillim të trajnimeve të stafit policor, por jo vetëm të tij. Si rezultat i kësaj, ajo tashmë është bërë model i zhvillimit të trajnimeve të tilla në rajon dhe më gjerë.

Në fakt, bazuar në përparësitë që kanë ambientet e kësaj qendre për qëllime trajnimi të zyrtarëve policorë dhe zyrtarëve tjerë që punojnë në institucione të ndryshme të sundimit të ligjit, të njëjtat po shfrytëzohen edhe nga vendet tjera të rajonit të Ballkanit. Tradita tashmë e krijuar në këtë aspekt duhet bërë çmos që të kultivohet edhe për vitet që vijnë, gjë që besoj të jetë njëri nga prioritetet e përgjegjësve të kësaj Qendre.

3. Laboratori i forenzikës

Laboratori i forenzikës është një tjetër sukses i rëndësishëm në sferën e aktiviteteve që ndërlidhen me Policinë e Kosovës. Ky laborator, i cili në fakt është një donacion me vlerë shumë të çmueshme i Qeverisë së SHBA-ve, shtetit që është miku më i madh i shqiptarëve në të gjitha kohërat, vlerësohet të jetë laboratori me pajisjet më moderne që mund të kenë institucionet e tilla jo vetëm në Rajonin e Ballkanit, por edhe më gjerë. Laboratori i forenzikës ofron kushte optimale për zhvillimin e, të thuash, të gjitha ekspertizave kriminalistike. Ai ka në përbërjen e tij edhe një staf të specializuar që është përgatitur jashtëzakonisht mirë për kryerjen e detyrave të besuara, ku kontributi i SHBA-ve edhe në këtë segment ka qenë shumë i madh. Si rezultat i kësaj, në këtë laborator tashmë kryhen ekspertiza përkatëse jo vetëm për nevojat e sistemit të drejtësisë të Kosovës, por edhe të vendeve të tjera. Natyrisht, duhet bërë çmos që puna në këtë institucion, sidomos e personelit përgjegjës, të avancohet edhe më shumë në mënyrë që drejtësia në lidhje me shumë çështje penale të ndërlikuara të marrë drejtimin e duhur.

4. Përkushtimi në përmbushje të detyrave

Gjatë këtyre viteve të pas themelimit, marrë në tërësi, tek pjesëtaret e Policisë së Kosovës është shprehur një përkushtim solid në përmbushje të përgjegjësive të dhëna me legjislacionin në fuqi. Ky përkushtim, me gjithë prezencën e disa elementeve regresivë, të thuash ka ardhur në shprehje në të gjithë resorët ekzistues të cilët aktualisht funksionojnë në këtë organ me rëndësi vitale shtetërore. Kjo rrethanë vlerësohet të ketë rolin determinues që ka diktuar që në opinionin publik ky institucion të gëzojë nivelin më të lartë të besueshmërisë krahasuar më punën e organeve tjera shtetërore. Si do qoftë, duket se kohëve të fundit, për shkaqe nga më të ndryshmet, ky nivel besueshmërie ka shënuar edhe lëkundje drejt tatëpjetës. Vlerësohet e nevojshme që karshi kësaj situate, strukturat e brendshëm policore do të ishte e nevojshme që t’i bëjnë analizat e duhura që do të rezultonin me nxjerrje të konkluzave, e më pas edhe të vendimeve që do të garantonin punë efikase dhe të përgjegjshme, të atij niveli që do të garantonte ruajtjen në shkallë të lartë të nivelit të besueshmërisë së policisë në popull.

5. Trajnimet dhe specializimet

Stafi i Policisë së Kosovë, më shumë se stafi i çdo institucioni tjetër, i është nënshtruar trajnimeve nga më të ndryshme, sidomos të atyre tek të cilat në përmbajtje dominon avancimi i luftës kundër krimit. Ana e mirë e këtij procesi ka të bëj me faktin se shumë trajnime, sidomos të stafit të lartë, janë zhvilluar jashtë vendit, në vende të ndryshme të Evropës dhe SHBA. Në këtë aspekt, policia e Kosovës ka arritur që të marrë përvoja shumë solide nga policitë e vendeve me traditë të shkëlqyer në luftimin e krimit. Kjo rrethanë vlerësohet të ketë shprehur ndikimin e vet të pa dyshimtë në zbardhjen e disa krimeve shumë problematike, dhe të fillimit të sqarimit të disa dosjeve që janë mbajtur pezull për vite të tëra.

6. Kushtet teknike dhe pagat

Në aspektin e disponimit të kushteve teknike që lehtësojnë veprimtarinë policore mbizotëron mendimi se në Policinë e Kosovës ka rezultate premtuese, porse ato, për shkaqe buxhetore, janë larg parametrave që diktojnë nevojat e kohës. Këtu, sidomos e kem fjalën për mungesë të armatimit modern dhe të sotisfikuar, mungesën e fluturakeve të tipit të helikopterëve etj. Rrjedhimisht, në segmentin e shtimit të moralit për punë si duket ka ndikuar edhe ngritja e nivelit të pagës së policëve. Ky nivel page, natyrisht nuk është ai që e kanë policët e vendeve të zhvilluara, por është komod karshi mundësive buxhetore që ka aktualisht vendi.

II. Problenet

Përveç sukseseve evidente në punën e policisë së Kosovës ndeshen edhe jo pak probleme. Problemet më evidente të cilat i referohen punës së këtij institucioni kanë të bëjnë me.

1. Shtrirjen e reformave

Nuk ka asnjë dyshim Policia e Kosovës, sikur edhe shumë institucione tjera, është përfshirë nga një kurs i rëndësishëm i reformave. Reformat, kryesisht janë shtrirë në segmentin e organizimit të brendshëm, por jo vetëm në te. Pavarësisht kësaj, vlerësoj se ky proces reformash ka ecje të ngadalshme, të pakoordinuar si duhet dhe duket paksa i politizuar. Kjo sidomos ka të bëj me çështjen e emërimeve të zyrtarëve të lartë policor. Si rrjedhojë, vlerësohet i nevojshëm një proces reformues i thellë, transparent, i përgjegjshëm, i koordinuar dhe gjithëpërfshirës. Ky proces reformash do duhej të rezultoj me sajimin e një strukture funksional e gjithëpërfshirëse policore, moderne e të përshtatur vendeve të përparuara si dhe me vendosje në hierarki të policisë të personave mbi bazën e kriterit të profesionalizmit, meritokracisë dhe përkushtimit për punën e besuar.

2. Depolitizimin

Është fakt i pamohueshëm se segmenti i politizimit në masën e policisë së Kosovës nuk është Ai që nganjëherë mendohet. Pavarësisht kësaj, tashmë ekziston mendimi në opinionin publik se edhe në këtë aspekt gjërat kanë filluar të ndryshojnë. Si rrjedhojë, vlerësohet se brezi i policëve të fundit që janë në proces të fillimit të karrierës policore, në masën më të madhe, janë përzgjedhur mbi bazën e preferencave të partisë që drejton pushtetin. Në fakt, supozohet se politizimi kryesisht i ka shtrirë efektet e veta në përzgjedhjen e strukturave komanduese policore. Në opinionin publik të Kosovës tashmë është formësuar botëkuptimi se për të fituar gradë dhe pozitë në Policinë e Kosovës, sidomos të pozitave me peshë, duhet të jesh i rreshtuar në PDK ose të jesh afër këtij subjekti politik. Për aq sa këto opinione do të ishin realiste, për aq e shoh mbrapa në perspektivë ecjen përpara të këtij institucioni vital. Me fjalë tjera, unë do të preferoja vendosjen e një dere të blinduar pa mundësi hapje për çdo kënd që do të kishte në mendjen e tij ta politizoj ose ta mbaj të politizuar Policinë e Kosovës.

3. Mungesën e Policisë Gjyqësore

Legjislacioni në fuqi ka vendosur rregullat dhe ka autorizuar përgjegjësitë e përgjegjësve institucional që të themelojnë Policinë Gjyqësore. Pavarësht kësaj çështja e themelimit të kësaj strukture policore ka mbetur vetëm në letër. Mungesa e funksionalizimit të këtij segmenti policor vlerësohet të jetë një faktor ndikues me peshë bukur të theksuar në problemet që po lindin në lidhje me luftimin e krimit, sidomos korrupsionit, krimit të organizuar dhe formave tjera të krimit modern me të cilat po përballet vendi. Rrjedhimisht, është çështje debutuese pse aktorët përgjegjës institucional nuk marrin hapat e duhur për ta themeluar këtë strukturë të policisë, kur në vendet ku funksionon policia e tillë çështja e luftimit të krimit duket të jetë më e avancuar. Së këndejmi, shtrohet një pyetje fare e thjeshtë, a dëshirojë përgjegjësit institucional luftimin e krimit, sidomos disa forma të tij? Përgjigja, sigurisht rezulton të jetë mohuese, sepse me gjasë ka jo pak zyrtarë të lartë shtetëror që mbijetojnë me këto forma krimesh.

4. Mungesën e Akademisë Policore

Kosova edhe pas dymbëdhjetë viteve të mbarimit të luftës nuk ka arritur që të krijoj një institucion ku do të shkolloheshin policët e vendit. Si rrjedhojë, procesi i plotësimit të stafit policor vazhdon të zhvillohet mbi bazën e pothuaj të njëjtave linja mbi të cilat fillimisht u ngrit Policia e Kosovës- mbi bazën e disa trajnimeve javore, apo dhe mujore. Kur kemi parasysh faktin se rrjeti i krimit modern ka përfshirë edhe Kosovën, zyrtarët shtetëror do duhej t’i largojnë disa privilegje nga vetja e tyre dhe të sigurojnë mundësi ligjore e buxhetore që sa më shpejt që të jetë e mundur të themelojë Akademinë Policore të Kosovës, misioni i së cilës do duhej të ishte përgatitja e policëve të rinj, përmes një shkollimi dy apo më shumë vjeçar. Ky brez policësh do të ofronte garancitë shumëfish më të mëdha se që ekzistojnë tani për një përballje më me efikasitet kundër dukurive kriminale.

5. Zbulimin e krimeve

Pavarësisht punës së madhe që po bëhet nga policia për zbulimin e krimeve të ndryshme, lidhur me këtë çështje janë shfaqur edhe jo pak probleme. Natyrisht, problemi më i theksuar është ai që ka të bëjë me "vjedhjen e shekullit" ne dhomën e dëshmive. Kjo padyshim, vazhdon të jetë tema më tabu për opinionin e gjerë kosovar dhe jo vetëm të tij. Problemet tjera kanë të bëjnë me nivelin kurrfarë të menaxhimit të krimit në veri të vendit, ato që rezultuan me pasojat e ditura botërisht në aksionin e zhvilluar për vëne nën kontroll të pikave doganore 1 dhe 31 në veri, ato që kanë të bëjnë me ruajtjen e pikës statike policore në pjesën veriore të Mitrovicës të vendosur pas vrasjes së fundit të një personi me përkatësi shqiptare, mënyra e menaxhimit të protestave të Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me zbatimin e Mocionit të Kuvendit të Kosovës për Reciprocitet ekonomik e politik me Serbinë etj. Konsideroj se Policia e Kosovës duhet të jetë shembull tjetër fare në krahasim me atë që ka treguar në veprim në rastet e tilla. Kjo edhe duhet të jetë motoja e punës së përgjegjësve institucional që komandojnë me policinë.

6. Moshën e policëve

Policia e Kosovës, sipas disa të dhënave, përfaqëson policinë me moshën më të thyer jo vetëm në Rajonin e Ballkanit por edhe më gjerë. Rrjedhimisht, është për tu habitur e dhëna që pasqyron këtë fakt. Kjo për arsye se Kosova vlerësohet të jetë vendi me moshën më të re të popullsisë në rajon dhe më gjerë. Në kushtet kur kjo do t’i kushtojë buxhetit të Kosovës, nga se mbi 1000 policë do duhej pensionuar brenda 1-2 vite, dhe në kushtet kur Kosova ka një gjeneratë të re të shkathtë dhe me perspektivë, shtrohet pyetja fare e thjeshtë, ku ishin përgjegjësit institucional që me kohë nuk i bënë këto llogari. Policët e vjetër, përveç ngarkesës që do t’i bëjnë buxhetit shtetëror, ata konsiderohet se, të shumtën e rasteve, nuk janë treguar efikas as në përmbushjen e përgjegjësive të tyre. Ky problem kërkon zgjidhje, por zgjidhje që do të ishte në funksion të së mirës dhe perspektivës.

III. Sfidat

Policia e Kosovës në punën e saj vazhdon të përballet edhe me një sërë sfidash. Këto sfida janë ngushtësisht të lidhura me ekzistencën e problemeve te evidencuara më lart përkitazi me funksionimin e saj. Së këndejmi, si sfida me të cilat përballet Policia e Kosovës konsiderohen:

1. Reformimi

Për qytetarët e Kosovës është çështje notore reformimi i Policisë së vendit. Ky reformim, siç u theksua më lart, duhet të përcillet nga ekspertizat përkatëse profesionale, ai duhet të jetë struktural dhe me përfshirje të gjerë, i avancuar dhe i përshtatur modeleve të vendeve të përparuara, i atillë që siguron konkurrencë të denjë të vlerave dhe i motivuar nga interesat kombëtare.

2. Depolitizimi

Policia e Kosovës duhet të lirohet definitivisht nga ndikimet politike në punën e saj. Ministria e Punëve të Brendshme duhet të jetë në ballë të këtij procesi. Një polici e politizuar do të thotë qasje selektive në luftimin e krimit. Kjo është një çështje sfiduese, me gjasë, jo lehtë e tejkalueshme, ngase në mendësinë e qeverisjes aktuale preferencat politike janë në nivelin kulmor, në stdin që nuk i bën nder asnjë vendi. Pavarësisht kësaj, është e ardhmja ajo që do të dëshmoj shkallën e sfidimit të kësaj sfide tani dhe në vazhdimësi.

3. Luftimi i krimit

Policia e Kosovës gjendet edhe përballë sfidës së zbulimti të disa krimeve të vrasjes që janë krzer në periudhën e pas luftës, që vlerësohen të karakterit politik, por edhe të disa krimeve të mëvonshme me peshë të rëndë për vendin dhe qytetarët, sidomos të atyre që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Edhe kjo konsiderohet një sfidë që aktualisht duket e patejkalueshme dhe kjo për faktin e prezencës së disa elementeve regresive që u theksuan më lart e që ndërlidhen me punën e policisë. Si do qoftë e ardhmja është ajo që do të dëshmojë se sa do të mund të tejkalojë këtë sfidë Policia e Kosovës në vitet që pasojnë.

4. Rinimni i policisë

Kosova ndodhet para nevojës që të rinojë policinë e saj, në kuptimin që tu përshtatet standardeve ndërkombëtare në këtë segment, dhe që tu përgjigjet me më efikasitet përgjegjësive të besuara me legjislacionin në fuqi. Ka modalitete të ndryshme që mund të zbatohen në arritjen e këtij pikësynimi, të cilat edhe mund të kombinohen ndër vete. Të tilla mund të jenë vendosja e kritereve moshë në lidhje me rekrutimin e policeve të rinj si dhe atyre që do duhej pensionuar etj. Në kushtet kur shumë policë kanë marrë pozitat e tyre mbi bazën e preferencave politike është e vështirë të parashikohet mënyra e ballafaqimit të Qeverisë aktuale me këtë sfidë.

5. Gradimi profesional

Mënyra e qasjes së Qeverisë aktuale lidhur me mënyrën e arritjes së pozitave menaxhuese në Policinë e Kosovës na jep për të dëshiruar faktin e zhvillimit të një procesi të gradimit të mbështetur në kriterin profesional. Ky lloj gradimi, me gjasë, do të imponohet nga miqtë e Kosovës, por shkalla dhe mënyra e zbatimit të tij është çështje megjithatë në vete. Pavarësisht kësaj, më duhet të theksoj se aty ku nuk ka gradim profesional, gjithmonë ka degradim profesional. Së këndejmi, Qeveria e Kosovës në lidhje me çështjen e gradimeve në polici ndodhet përballë të dy këtyre situatave sfiduese. Ajo do të vendos për njërën apo formulën tjetër të veprimit. Këtu i referohem të ardhmes, sepse gradimin aktual e karakterizon fakti i lënies mënjanë të profesionaliymit.

Në trend

Më shumë
Trump emëron Richard Grenellin si drejtor të përkohshëm të Qendrës Kennedy për Artet Performuese në Uashington

Trump emëron Richard Grenellin si drejtor të përkohshëm të Qendrës Kennedy për Artet Performuese në Uashington

Amerika
Të dhënat e fundit nga KQZ që u përditësuan të hënën - LVV vazhdon të jetë e para

Të dhënat e fundit nga KQZ që u përditësuan të hënën - LVV vazhdon të jetë e para

Lajme
Cakolli jep tre skenarë, thotë se LVV shkon në 51 deputetë nëse merr 75% të votave të diasporës

Cakolli jep tre skenarë, thotë se LVV shkon në 51 deputetë nëse merr 75% të votave të diasporës

Politikë
Një grup i udhëhequr nga Elon Musk bën ofertë prej 97.4 miliardë dollarësh për

Një grup i udhëhequr nga Elon Musk bën ofertë prej 97.4 miliardë dollarësh për "të gjitha asetet" e OpenAI - vjen përgjigja e Sam Altman

Teknologji
Rama reagon për arrestimin e Veliaj: Drejtësia e re e ka të gjithë besimin, lënia e Tiranës pa kryetar është ngjarje e rëndë

Rama reagon për arrestimin e Veliaj: Drejtësia e re e ka të gjithë besimin, lënia e Tiranës pa kryetar është ngjarje e rëndë

Lajme
Politikani serb, Çedomir Jovanoviq pretendon se është rrahur – nuk ndalë lotët derisa tregon dorën në allçi

Politikani serb, Çedomir Jovanoviq pretendon se është rrahur – nuk ndalë lotët derisa tregon dorën në allçi

Serbia
Kalo në kategori