LAJMI I FUNDIT:

Huqja që dhemb

“Hej djalosh, pse po bëni kryengritje ju gazetarët?”. Nuk do të prisja që profesori Fatmir Fehmiu të më drejtohej ndryshe në foajenë e Kinemasë ABC. E ndieja veten të privilegjuar nga fakti që më kishte vërejtur. Biseda e filluar me qortimin vazhdoi rreth tri orë. Profesori, i cili gjatë jetës së tij ka hartuar nene e kode të tëra, bile edhe kushtetutë (atë të Kaçanikut), e dinte shumë mirë se çka po i mundon gazetarët tash, në Kosovën e lirë, të vitit 2012. Profesorit ia kisha marrë inat kur e pata lexuar shpjegimin e Bekim Fehmiut (vëllait të tij) për cigaren që ky s`ia jepte Bekimit tek baseni i Lumëbardhit të Prizrenit. E kisha asociuar me vëllanë tim më të madh, Aliun, i cili gjithmonë, sa herë që jemi larë në Lumëbardh, shkonte më larg se unë. Nuk llomotita shumë në takim, veç asaj se Lumëbardhi tash ka edhe mbiemër. Quhet Lumëbardhi i Bekuar, ngase në të prehet Bekimi.

Profa më tregoi meselenë për mësuesin që i jep një këshillë të rëndë nxënësit të tij, djalit të Vasalit. “Mëso, si yt atë gomar mos u bë!”. Djali ia kishte transmetuar të atit qortimin e mësuesit. Vasali i plotëfuqishëm kishte dhënë urdhër që mësuesi të varet. Dëshira e fundit e të dënuarit kishte qenë takimi me Vasalin, për ta pyetur se pse po e dënon kaq ashpër. “Ke guxuar të më quash gomar. I ke thënë djalit tim: mëso, si yt atë gomar mos u bë!”, ishte shpjeguar Vasali. “Lartmadhëri, e keni keqkuptuar, unë i kam thënë djalit tuaj: Mëso si yt atë, gomar mos u bë!”. Presja e vendosur gabim, gati ia kishte marrë jetën mësuesit, më tha profesori. Fliste për rëndësinë e fjalëve dhe presjeve në nenet që mund të çojnë në burg gazetarët dhe çdo qytetar të këtij vendi.

***


Ky tekst qëllimisht nuk përmban adresë. Nuk është letër klasike. Nuk është shkruar me penë. Jo pse zakoni i të shkruarit letër drejtuar dikujt, në këtë rast deputetëve është i rëndë, por sepse është tejkaluar. Dhe derisa është i tillë, nuk përshtatet me trendët e komunikimit me publikun. Cili redaktor do të kishte mëshirë që ta publikonte, ta fuste si notë, twitonte apo postonte letrën të shkruar me penë e të dërguar me zarf? Mënyra e komunikimit po zhvillohet shpejt. Aq shpejt sa edhe fjalës “botim” i janë shtuar disa të tjera. Notirim (në FCB v.j), postim dhe twitim.

Gjithçka tejkalohet shpejt. Dinamika e bën të tejkalueshme edhe përpjekjen time për ta nisur ndryshe këtë tekst.

Individit të vendit ku gjithçka është në tranzicion, i falet mospërshtatja në një moment me atë që definohet si trend, ndonëse nuk kalon pa pasoja. Në rastin më të lehtë të shohin si të tejkaluar. Ndjenjë kjo që mund të përjetohet nëse kamerierit të njërës nga kafeteritë e Prishtinës i kërkon një pjeshkë apo fanta! Zgurdullimi i syve të tij është reaksion i natyrshëm. Pjeshka dhe fanta kanë qenë në trend pas fundit të luftës, por jo në vitin 2012. Huqja e trendit nuk do të kalojë me një zgurdullim sysh nëse përsëritet. Në të tretën ditë do të ndihesh mysafir i padëshiruar. Dhe kamerierët janë bërë aq mjeshtër, sa nuk do të përzënë me dhunë. Poshtërimin do ta përjetosh nga injorimi i tyre.

***

Ajo që ka bërë Qeveria e Kosovës, e pastaj Kuvendi, duke e miratuar Kodin e ri Penal, në rastin me më pak pasoja ishte huqje. Edhe pse, ata që deshën e u interesuan, e dinin se nenet 37 e 38 janë të tejkaluar. Huqja u denoncua me një zgurdullim sysh nga gazetarët, që në rastin tonë u duk sheshit teksa iu frymë filikaqave.

Huqja e tyre ishte huqje që shkakton më shumë dëme sesa pjeshka apo fanta në lukthin e vitit 2012. Huqje që dhemb më shumë sesa shija e keqe e cilitdo myshteri, të cilësdo kafeteri të Prishtinës. Sepse ishte huqje e bërë nga institucioni, e jo nga individi. Institucionet janë ato që i kanë më të pafalshme huqjet. Njerëzit që janë në institucione pretendohet se nuk janë vetëm të vetes, familjarëve dhe miqve të tyre, por të të gjithë qytetarëve. Pretendohet që ata të mos jenë vetja e tyre, derisa punojnë në institucion dhe pretendohet se ata, për shembull, duhet ta refuzojnë një pije të gazuar edhe kur ua ka ënda shumë, nga frika se gogësima mund t`i trazojë qytetarët. Ata jo vetëm që duhet ta dinë se çka nuk është në trend, por pretendohet se duhet të dinë edhe se çka nuk do të jetë, ta zëmë, pas një dekade. Janë njerëz që duhet të tejkalojnë dinamikën, tranzicionin dhe të mendojnë para kohe. Andaj huqjet e tyre janë të dhimbshme.

Nuk e rëndojnë vetëm lukthin të tillat huqje, por mund ta shterin fytin e të të bëjnë memec. Mund të të heshtin… të të shuajnë.

Dhe, për shkak se nenet 37 e 38 kanë këtë efekt të rëndë, fishkëllima si zgurdullim sysh nuk ishte e mjaftueshme. Andaj u desh edhe bojkoti. U desh që shkruesit, raportuesit, botuesit e twituesit e lajmit të bëhen vetë lajmi. T`i mbajnë afër vetes filikaqat dhe të përgatisim platformat e bojkotit që mund të zgjasë. Bojkotit që nuk të pëlqen, por që e shesh si shpëtim. Është si antibiotiku që e merr për fytin e skuqur e të bllokuar nga flamacioni.

Nene të ngjashme si ai 37 e 38 mund të gjenden në shumë kode. Ishin edhe në të vjetrin. Dhe nuk duhet shkuar larg për t`i gjetur. Një më të keq e ke në Maqedoni, e një të ngjashëm në Serbi. Në të dyja këto vende, sipas reagimeve ndërkombëtare, liria e shtypit është më e mirë se në Kosovë. Por, nene si 37-shi e 38-shi nuk mund të gjesh në Kroaci, të vetmin vend të rajonit që ka plotësuar kushtet për anëtarësim në BE.

Kroacia nuk është vendi ideal i Lirisë së Shtypit. Çdo ditë atje ndodhin hallakatje të gazetarëve. Hallakatje që yshten nga njerëzit e institucioneve që e kanë huqur trendin dhe po mendojnë se ish-kryeministrin e dërguan në burg gazetarët, e jo drejtësia.

Në Kosovë ende askënd gazetarët s’e kanë dërguar në burg dhe nuk është se duhet të mburremi me këtë. Përkundrazi. Por, para se të vijë dita kur raportimi i një gazetari, ashtu sikur në Kroaci, Slloveni apo diku tjetër të ketë aq ndikim sa të bëjë drejtësinë që të zbulojë shkelësit dhe t`i dërgojë në burg, duhet kujdesur që vetë gazetarët nuk do të jenë banorë të Dubravës. Askush nuk i jep gazetarit imunitet, bile as aq të brishtë sa ai i deputetëve tanë dhe, fatmirësisht, është kështu. Askush nuk kërkon që gazetarët të jenë specie e veçantë e imune ndaj ligjit. Por nuk jemi kafshë, ashtu siç kanë qejf të na shohin, e të lejojmë nene që ua mundësojnë të na çojnë në burg sa herë iu teket. Nuk jemi ashtu siç u dukemi atyre që në Kosovën e varfër kanë bërë miliona nga guri e druri, nga uji e asfalti. Të tillët, çdokënd që s`i ka bërë milionat, e shohin si kafshë.

Nuk jemi larg nivelit të gazetarisë që e ka luftuar korrupsionin në Kroaci, Slloveni apo diku tjetër, ndonëse në rajon fatkeqësisht nuk ka ende shembuj të tjerë.

Përfaqësuesit e qytetarëve të Kosovës duhet t`i heqin nenet 37 e 38 nga Kodi Penal, që ta lënë këtë gazetari që quhet investigative të zhvillohet edhe më shumë. Gazetar mund të jetë secili. Heqja e neneve tejkalon interesin e atij që është sot apo tjetrit që do të vijë nesër. Është interes i shoqërisë së zhytur në korrupsion, e që duhet t`i dërgojë në burg të korruptuarit. Të korruptuarit që mund të jenë kudo. Mund të jenë edhe në mesin e atyre që punojnë në media. Mund të jenë në parlament, në qeveri, në parti politike dhe gjithkund tjetër. Krejt çka duhet të bëjmë është që t`i tregojmë ata. E derisa ka nene që e dërgojnë në burg atë që duhet të tregojë se kush janë të korruptuarit në secilën qoshe të Kosovës së vogël, nuk do të ketë Bashkim Evropian.

Ne nuk duhet vetëm ta arrijmë Kroacinë, por duhet ta tejkalojmë. Atyre u janë dashur 22 vjet nga pavarësimi deri në anëtarësim. Një presje e gabuar ndaj Vasalit, mund të ta heq kokën. Një fjali e gabuar në nenet e miratuara nga pushtetarët mund ta kthejë mbrapsht dinamikën, që ende nuk po dihet se çfarë drejtimi ka marrë.

Shpresoj të mos vijë dita e injorimit.

P.S. Ky tekst nuk do të ishte shkruar pa besimin se do të lexohet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. Dhe jo vetëm nga ta. “Ylym për qylym” është një thënie e Dukagjinit që shpjegon shumëçka. Shumë herë e përmendi profesor Fatmir Fehmiu gjatë muhabetit treorësh…

(Autori është Kryetar i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës)

Në trend

Më shumë
Drenusha Latifi pranon në takim Atillën, vendosin të 'pajtohen' për hatër të fëmijëve

Drenusha Latifi pranon në takim Atillën, vendosin të 'pajtohen' për hatër të fëmijëve

Magazina

"Nuk mund të bërtasësh Serbi, Serbi në një stadium përballë një populli të masakruar" - gazetari rumun shumë kritikues ndaj tifozëve

Përfaqësuesja e Kosovës
Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës

Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës

Magazina
Suspendohen dy gjyqtarët e UEFA-s pas gabimit të rëndë në Ligën e Kombeve

Suspendohen dy gjyqtarët e UEFA-s pas gabimit të rëndë në Ligën e Kombeve

Ndërkombëtare
Ana lë shtëpinë e Big Brother VIP Kosova 3

Ana lë shtëpinë e Big Brother VIP Kosova 3

Magazina
Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së

Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së "po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”

Evropa
Kalo në kategori