LAJMI I FUNDIT:

Kodi i vrasjes së demokracisë

Ditën e lirisë së shtypit (3 maji) i gjen mediat e Kosovës në protesta (bojkot) kundër aktiviteteve të pushtetit për sanksionimin e fjalës së lirë. Kodi i ri Penal (me referencat e neneve 37 dhe 38), ngulfat për vdekje lirinë e medieve, trurin dhe shpirtin e kombit. Elitizmi ynë politik (votuesit e Kodit të ri në Kuvendin e Kosovës), në vend që të mobilizohen në aplikimin e politikave nacionale (kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe ruajtjes së tërësisë territoriale), është përqendruar në fshehjen e dështimeve të veta, në të gjitha segmentet, duke goditur në parim gjahun hulumtues (mediat) që e bënë qeverinë të mos ndihet aspak komod. Ky veprim është tipik antidemokratik i cili dëshmon se elitizmi ynë politik është në siklet të mbrojtjes së mafisë së krimit të organizuar ekopolitik.

Qeveritarët tanë në vend qe ta luftojë krimin e korrupsionin e shfrenuar, vihen në mbrojtje të interesave e klaneve mafioze. Prekja në esencë e lirisë së medias është vrasje e demokracisë, që kërcënon ndërgjegjen dhe interesat shtetërore e kombëtare të shtetit të Kosovës. Kodi i ri Penal, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës më 20 prill 2012, e në të cilin gjenden edhe nene 37 dhe 38, (që kriminalizojnë shpifjen dhe detyrojnë gazetarët që të zbulojnë burimet e informacionit në raste të procedimeve kriminale), pasqyron mentalitetin e retarduar të klasës sonë politike, dështimin kolektiv të qeveritarëve tanë. Është e dhimbshme kur preket në esencë liria e fjalës, por edhe më e tmerrshme është kur kjo vrasje e lirisë mëtohet të sanksionohet edhe me formalitete juridike (metodë e njohur vetëm në sistemet e diktaturave).

Klasa politike qe udhëheq aktualisht me Kosovën, gjithnjë e më shumë po dëshmon se është një klikë harbutësh të pacipë, të cilët i kanë sjellë shtetit dhe kombit tonë dëme të tmerrshme. Fusnota ishte një rrënim i madh i vlerave tona shtetërore, ndërkaq, Kodi i ri Penal është rrënim i vlerave të demokracisë në shoqërinë tonë. Shqiptarët nuk do ta pranojnë kurrë as një dozë të vetme nga principet e sistemet të diktatorëve.


Mediat në Kosovë vazhdojnë të jenë në shënjestër të pushtetit. Rastet skandaloze kundër mediave në Kuvendin e Kosovës (keqtrajtimi i gazetarëve), ka përfunduar me sanksionim skandaloz për lirinë e shtypit, ku me nenet 37 e 38 te Kodit të ri Penal, guximin gazetaresk e apostrofojnë si ‘kriminalizim’.

Gazetarët në Kosovë gati çdo ditë kërcënohen në mënyra të ndryshme. Më të zëshmit kundër lirisë së medias janë grupet e mafisë së krimit, për të arritur deri tek grupet e interesave të pushtetmbajtësve. Reporterët Pa Kufij e cilësojnë si të tmerrshëm Kodin e ri Penal të miratuar nga Kuvendi i Kosovës më 20 prill 2012, në të cilin gjenden edhe dy nene që kriminalizojnë shpifjen dhe detyrojnë gazetarët që të zbulojnë burimet e informacionit në raste të procedimeve kriminale.

“Nenet 37 dhe 38 të KRP-së, qartazi synojnë heshtjen e raportimeve hulumtuese që e bëjnë qeverinë të ndihet jo komod. Kodi i ri Penal e vë lirinë e medias në rrezik dhe përfaqëson një sulm serioz kundër demokracisë”.

Në këtë kontekst e drejta për të ushtruar gazetarinë hulumtuese dhe mbrojtja e burimeve konfidenciale duhet të mbetet parim thelbësor i vlerave tona demokratike. Përmes Kodit të ri Penal hapen mundësi shtesë për keqtrajtimin e mediumeve, gazetarëve e botuesve, në kontekst të të cilit mund të ndodhë rrënimi i gjithë asaj qe e cilëson shoqërinë tonë si model të demokracive perëndimore.

Shantazhimi i medias, kërcënimi i fjalës së lirë (burgosja ose vrasja e gazetarëve), shënon fundin e arsyeshmërisë dhe vlerave të vërteta njerëzore.

Olivier Basile, përgjegjës i “Reporters Sans Frontieres” për Evropë, përpjekjet për censurimin e fjalës së lirë në Kosovë, përmes KDRP-së (neneve 37 dhe 38), e krahason me periudhën e diktaturave.

“Ajo çka e dallon situatën e mediave në Kosovë është se gjatë luftës janë vrarë gazetarë, ndërsa tash nuk vriten, por vazhdon të vritet fjala e lirë; kërcënohen, pengohen gazetarët në ushtrimin e detyrës profesionale. Si mund të luftohet krimi i organizuar kur disa nga autoritetet qeveritare pengojnë gazetarët të ushtrojnë gazetarinë investigative. Dikur fajësohej Milosheviqi, por tash të gjithë e dinë se kë duhet fajësuar për këtë gjendje alarmante”.

Edhe Organizata për Media e Evropës Juglindore, SEEMO, ka përkrahur gazetarët e Kosovës, duke vlerësuar se është e tronditur me ndryshimet e fundit të Kodit Penal të Kosovës.

“Kërcënimet dhe presionet vijnë nga institucione të ndryshme: Qeveria, ministritë, partitë politike, organizatat ndërkombëtare, biznesi, gjykatësit dhe Akademia”.

Metodat qeveritare të censurimit, në shumë raste, janë mjaft të sofistikuara, ku kërkohet shumë guxim dhe vendosmëri për thyerjen e murit të diktatit. Raporti i fundit për Lirinë e Medieve i ‘Freedom House’, edhe këtë vit e ka vlerësuar lirinë e shtypit në Kosovë si pjesërisht të lirë, duke i dhënë notën 49 nga 51, sa e kishte në vitin e kaluar. Ndërkaq, në listën e Reporterëve Pa Kufij Kosova renditet në vendin e 87-të nga 179 sa janë në listën e RPK-së.

Realisht, gjendja e mediave në Kosovës është edhe më e rëndë nga siç e parashohin edhe organizatat ndërkombëtare, ngase tendencat qeveritare për vrasjen e fjalës së lirë janë tejet evidente dhe të rrezikshme. Andaj, shqetësimet e organizatave të ndryshme të mediave ndërkombëtare e vendase për lirinë e shtypit në Kosovë janë të arsyeshme dhe kërkojnë angazhim të vendosur të të gjithëve për mbrojtjen e lirisë e të vlerave qytetare në vendin tonë.

Guximi i gazetarisë hulumtuese në Kosovë mbetet shembulli më i mirë i kultivimit të vlerave të vërteta demokratike për një shoqëri në tranzicion, ku vlerat dhe antivlerat janë në gërshetim të përhershëm. Përplasja e këtyre dy koncepteve zanafillën e vet e kanë në sistemet qeverisëse dhe tendencat për vendosjen e “diktaturave moderne”, nga institucionalistët. Imponimi i fjalës së shkruar dëshmon përvojën më famëkeqe në periudhat moniste, të cilat për dekada me radhë gënjeshtrën e mbështillnin me moralizime, ndërkaq të vërtetat dhe vlerat i shantazhonin në forma të ndryshme deri në vrasjen e saj.

Qeveritarët tanë, përmes KDRP-së, tentojnë t’i mbyllin gojën të vërtetës e cila shpesh është e dhimbshme për realitetin qeverisës. Andaj hartimi dhe votimi nga Kuvendi i Kodit të i ri Penal, nuk mund të cilësohet si përgjegjësi individuale, por dështim kolektiv i elitizmit tonë politik. Ata qe kanë këmbëngulur në miratimin e neneve 37 dhe 38 të Kodit Penal mund të kenë biografi jo të pastër, mund të jenë të inkriminuar në krim dhe në korrupsion. Ndërkaq, Kodin e Ri Penal, mund ta përdorin si “mur” mbrojtës nga hulumtuesit e rasteve.

Jemi dëshmitarë se mediat kanë publikuar shumë raste kriminale rreth shumë personave të inkriminuar, andaj metoda më “efektive” për mbylljen e rasteve të tilla mëtohet të bëhet duke sanksionuar veprimtarinë e pushtetit të katërt në demokraci, e bashkë më këtë edhe vrasjen e fjalës së lirë.

Reagimet e Reporterëve Pa Kufij (RSF), të rrjeteve dhe asociacioneve të pavarura të mediave, OJQ-ve, etj., por edhe Kushtetuta e Kosovës, e obligojnë presidenten Atifete Jahjaga ta rikthejë Kodin Penal në Kuvend, për t’i rishikuar nenet 37 dhe 38. Është tejet esenciale qe rishikimi të bëhet nën kujdesin ekspertëve të pavarur vendas e ndërkombëtarë, në mënyrë qe rihartimi i neneve të jetë i pranueshëm i zbatueshëm nga të gjithë.

Në të kundërtën, do të ndodh vetëvrasja e demokracisë në Kosovë, në kontekst të të cilit shkelet akti i Bashkimit Evropian i vitit 2007, por edhe vendimi i këshillit të Evropës i vitit 2000. Me këto principe me të cilat Kodi Penal ka kaluar në Kuvendin e Kosovës, do të jetë jofunksional dhe i dëmshëm për perspektivë evropiane të Kosovës.

KRP, me nenet 37 dhe 38, mund të referohet si notë e dobët edhe në vlerësimet e raporteve ndërkombëtare rreth të arriturave dhe progreseve në vendin tonë. Kosovës i duhen ligje qe e hapin rrugën drejt BE-së, e jo të atilla qe penalizojnë integrimin tonë drejt strukturave euroatlantike.

Pikërisht nga papërgjegjësia e elitave tona politike kemi mbetur vendi më i izoluar në rajon. Liria dhe demokracia në Kosovë janë fituar me shumë sakrificë e gjak, andaj askush nuk ka të drejtë që ta rrënojë ose ta vrasë këtë vlerë të shenjtë.

Në trend

Më shumë
Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Lajme
Edhe Daut Haradinaj reagon për Gjestin: Ai është një bir shqiptari

Edhe Daut Haradinaj reagon për Gjestin: Ai është një bir shqiptari

Magazina
Kosovari vrau kushëririn në Zvicër pas konfliktit për një mur në Kosovë - gjykata jep detaje

Kosovari vrau kushëririn në Zvicër pas konfliktit për një mur në Kosovë - gjykata jep detaje

Lajme

"Tiroli i Jugut si model për Asociacionin" Mandl: Jo një Republika Sërpska, duhet të jetë zgjidhje praktike, pa kërcënim

Lajme

"Ku ke qenë në luftën e Kosovës, çfarë ke bërë në 99' për vendin budalla", G Bani i drejtohet me fjalë të ashpra Gjestit pas përjashtimit të Jozit

Magazina
Katër shembuj të “mbështetjes së pafund” të Trumpit për Izraelin

Katër shembuj të “mbështetjes së pafund” të Trumpit për Izraelin

Botë
Kalo në kategori