LAJMI I FUNDIT:

Rreziku i nacionalizmit ekstrem dhe të verbër në Maqedoni

Një ndër gjerat që spikati më së shumti me acarimin e fundit të marrëdhënieve ndëretnike mes shqiptarëve dhe maqedonasve, është mosnjohja e realitetit të shqiptarëve të atjeshëm prej banorëve të republikës së Shqipërisë. Fatkeqësisht, shqiptarët e shtetit amë e kthejnë kokën nga realiteti i bashkëkombësve që jetojnë në lindje vetëm kur atje është duke ndodhur ndonjë tërmet, ndërkohë që tregohen indiferent ndaj realitetit të përditshëm që vlon dita-ditës atje dhe që në të vërtetë ka shkaktuar më shumë dëm.

Si pasojë e tensionit të vazhdueshëm etnik të shkaktuar prej Gruevskit, pozicioni i shqiptarëve është përkeqësuar në disa nivele. Ata kanë vijuar të zhvendosen brenda shtetit, duke u përqendruar në zonat ku ata përbëjnë shumicën dërrmuese e ndihen më të sigurt, si Tetovë e Gostivar, e duke braktisur zona ku ka më shumë trysni ndëretnike si Kumanova, Shkupi, Kërçova e Struga. Po ashtu, ka vijuar emigracioni dhe zbrazja e territoreve prej shqiptarëve që shkojnë në perëndim dhe së fundmi populizmi i VMRO-DPMNE i ushqyer me mbajtjen ndezur të klimës konfliktuale ka bërë që prej zgjedhjeve të fundit kjo parti të sigurojë shumicën e votave dhe të mos ketë më nevojë faktike për një koalicion me partitë shqiptare, sepse mund ta bëj vetë shumicën e vendeve në parlament.

Mirëpo, acarimi i situatës mes shqiptarëve dhe maqedonasve nuk është instrumentalizuar vetëm nga partia e Gruevskit, por edhe nga partitë shqiptare në Maqedoni të cilat shpesh përdorin çështjen e diskriminimit të shqiptarëve si një ndër mënyrat kryesore për të mobilizuar votat, në pamundësi për të dëshmuar efikasitet, vizion e integritet gjatë qeverisjes, apo për të paraqitur ide, programe e platforma bindëse për të ardhmen e shqiptarëve aty. Fatkeqësisht, këtë situatë janë përpjekur ta instrumentalizojnë edhe akterë shqiptarë të tjerë të rinj të cilët kanë lëshuar deklarata ekstreme nacionaliste pa u kujdesur fare për të njohur situatën në terren dhe impaktin që ato mund të shkaktojnë.


Pikësëpari, njëherë duhet thënë se ringjallja e konfliktit të armatosur nuk i leverdis shqiptarëve të cilët sidomos në zonat ku janë të paktë nuk do mund të mbrohen dot, por do të shpërngulen drejt pjesës veriperëndimore. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për raport forcash që është dukshëm në disfavor të shqiptarëve, por edhe për një konjukturë ndërkombëtare të pafavorshme ndaj këtij skenari gjë që i shkurton edhe më tej gjasat që një konflikt i mundshëm i ri të çoj në përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve. Po ashtu, është absurde të kërkohet ndarja e Maqedonisë në kushtet aktuale ku një pjesë e mirë e popullsisë shqiptare është larguar dhe kur në disa rajone tradicionale shqiptare ka pasur një ndryshim të ndjeshëm demografik. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për shqiptarët e tkurrur e të harruar të Velesit, Krushevës, Manastirit, Pilepit por edhe për ata të Kumanovës, Strugës dhe Shkupit.

Nuk mund të jepen të njëjtat zgjidhje apo taktika për kohëra të ndryshme, nëse lufta ka qenë zgjidhja në një periudhë të caktuar, ndryshimi i rrethanave historike bën që në momente të tjera të kërkohen mjete të reja që janë më efikase dhe përputhen më mirë me mundësitë dhe nevojat e kohës. Ta mendosh luftën si zgjidhjen e vetme në çdo rrethanë është njësoj sikurse të japësh aspirinë për çdo lloj sëmundje. Shqiptarët e kanë provuar disa herë të ndërmarrin veprime maksimaliste pa marrë në konsideratë mirë situatën në terren.

Kosova ndërmori referendumin për pavarësinë në shtator të vitit 1991 dhe po ashtu shqiptarët e Maqedonisë votuan njëzëri për referendumin e ndarjes dhe pavarësisë së Iliridës në janar të vitit 1992. Mirëpo, në të dy rastet referendumet nuk u materializuan, por ngelën thjesht si deklarata të pambështetura nga konjuktura në terren dhe treguan se këto veprime ishin larg përshtatjes me realitetin. Për këtë arsye, duhet të vihet mësim historik nga këto dy pësime duke u përpjekur që gjithnjë e më shumë të punohet në mënyrë konkrete dhe realiste në terren dhe deklaratat të jepen me këmbë në tokë në mënyrë që mos të ekzistojë një hendek kaq i thellë mes deklaratave dhe realitetit.

Në Shqipëri në mënyrë të veçantë shumëkush ka ngelur peng i një harte të Shqipërisë Etnike që qarkullon prej fillimit të shekullit të kaluar dhe me të vërtetë mendon se në ato troje të përshkruara aty banojnë shqiptarë me shumicë. Një ndarje e mundshme e Maqedonisë do të çimentojë këtë tkurrje të deritanishme të shqiptarëve dhe do të sjellë në një përvojë traumatike të shkëmbimit të popullsisë, ku trojet shqiptare të Maqedonisë qendrore dhe jugore do të pastroheshin njëherë e mirë etnikisht duke shkulur çdo gjurmë shqiptare prej aty.

Është e rëndësishme që shqiptarët të mos bien pre e taktikave elektorale të partisë maqedonase në fuqi, që e përdor kërcënimin e konfliktit si një teknikë për të siguruar më shumë vota nga shumica maqedonase. Po ashtu, diskriminimi etnik është përdorur si një taktikë edhe nga partitë shqiptare të Maqedonisë për të larguar vëmendjen nga dështimi i tyre në qeverisje vendore e qendrore dhe nga niveli i skajshëm i klientelizmit dhe abuzimit me pushtetin që i ka karakterizuar në të kaluarën. Po ashtu, shqiptarët nuk duhet të bien pre e këtij “ultra- nacionalizmit ksenofob” që po manifestohet së fundmi edhe në Shqipëri i cili nuk mbështetet tek projektet për të çuar përpara kombin shqiptar, por tek stigmatizimi e stereotipizimi i të huajve dhe tek ringjallja e mllefeve dhe marrazeve historike.

Sot më shumë se kurrë duhet punuar për të konsoliduar pozicionet aktuale në terren të shqiptarëve të Maqedonisë, për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe politik; për të rritur kapacitetet e administratës dhe kuadrove të tjerë publik shqiptar; për të përmirësuar infrastrukturën dhe shërbimet publike të shqiptarëve; për të nxitur arsimimin, shkencën, artin e sportin mes tyre; për të thelluar bashkëpunimin multilateral të shqiptarëve kudo që janë si dhe për të ndalur migracionin e brendshëm dhe largimin jashtë vendit të bashkombasve. Mundësisht të krijohen kushte aq të përshtatshme sa jo vetëm që emigracioni të ndalet, por që të nis kthimi i emigrantëve në trojet e tyre duke e përmirësuar raportin demografik shqiptar në terren. Fundja kthimi i emigrantëve është i mundshëm sikurse ka ndodhur dikur me emigrantët e shumtë spanjollë e irlandez pasi vendet e tyre të origjinës u zhvilluan.

Në trend

Më shumë
Drenusha Latifi pranon në takim Atillën, vendosin të 'pajtohen' për hatër të fëmijëve

Drenusha Latifi pranon në takim Atillën, vendosin të 'pajtohen' për hatër të fëmijëve

Magazina
Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës

Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës

Magazina
Ana lë shtëpinë e Big Brother VIP Kosova 3

Ana lë shtëpinë e Big Brother VIP Kosova 3

Magazina
Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së

Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së "po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”

Evropa
Angela Merkel shpreh 'shqetësim të madh' për rolin e Elon Musk në qeverinë amerikane

Angela Merkel shpreh 'shqetësim të madh' për rolin e Elon Musk në qeverinë amerikane

Botë
Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Lajme
Kalo në kategori