LAJMI I FUNDIT:

Prokuroria e Shtetit dhe problemet e saj

Prokuroria e Shtetit është institucion publik i autorizuar për zbulimin e veprave penale dhe të kryerësve të tyre. Ajo është përgjegjëse për të drejtuar hetimin e çështjeve penale si dhe për të bërë ndjekjen e autorëve të krimeve. Krahas kësaj, Prokuroria e Shtetit ka autorizime konkrete ligjore edhe në çështjet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave ligjore të viktimave, dëshmitarëve, të dyshimtëve, të akuzuarve dhe personave të dënuar; marrjen e vendimeve për inicimin, vazhdimin apo ndërprerjen e procedurës penale ndaj personave të dyshuar apo të akuzuar për kryerjen e veprave penale; ngritjen e aktakuzave dhe përfaqësimin e tyre para gjykatës; ushtrimin e mjeteve të rregullta dhe të jashtëzakonshme juridike kundër vendimeve gjyqësore; bashkëpunimin me policinë, gjykatat dhe institucionet e tjera dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të tjera të përcaktuara me ligj.

Në lidhje me përmbushjen e përgjegjësive të besuara, Prokuroria e Shtetit vazhdon të përballet me shumë probleme e vështirësi. Puna e saj, sidomos në periudhën e pasluftës, ka qenë shumë sfiduese. Kjo është periudhë gjatë së cilës prokuroritë u përballen me krime tejet serioze, komplekse dhe të ndjeshme siç janë ato nga lëmi i krimit të organizuar, korrupsionit, krimeve të luftës, krimeve që ndërlidhen me proceset zgjedhore etj. Veprimet e tyre, në këto dhe çështje tjera kriminale, vazhdojnë të jenë pjesë e debateve sa të shumta po aq edhe të nxehta profesionale, shkencore dhe të opinionit të gjerë publik. Në këto debate e perceptime vazhdon të dominojë mendimi se punën praktike të prokurorive të shtetit e karakterizon neglizhenca, qasja jo e duhur profesionale, interferenca politike, ndërlidhja me korrupsionin, jo efikasiteti i mjaftueshëm në punë, e shumë dukuri të tjera negative. Në kuadër të këtij artikulli do të bëhet përpjekje që shkurtimisht, por me gjuhën e argumenteve, të pasqyrohen vetëm disa nga shumë problemet, vështirësitë e dukuritë negative që e karakterizojnë funksionimin e Prokurorisë së Shtetit në ditët e sotme. Të tilla, përveç tjerash, konsiderohen:

1.Mungesa e një reforme të thellë e gjithëpërfshirëse


Kosova e pasluftës ndjente nevojë jashtëzakonisht të madhe të zbatimit të një procesi reformues të thellë dhe gjithëpërfshirës, të thuash, gati në çdo sfere të jetës. Megjithatë, segmenti që më së tepërmi konsiderohet të ketë ndjerë këtë nevojë, pa asnjë dyshim, është sistemi i drejtësisë penale. Në kuadër të këtij sistemi, nevojë emergjente për reformim kishte posaçërisht institucioni i Prokurorit të Shtetit. Pavarësisht këtyre nevojave konsideroj se procesi i reformimit të këtij institucioni shtetëror ishte dhe vazhdon të jetë shumë i ngadalshëm, jo profesional, i pakoordinuar sa duhet dhe gati tërësisht sipërfaqësor. Kosova e pasluftës, për shumë arsye, kishte nevojë imediate krijimin e një sistemi krejtësisht të ri prokurorial i cili do të përfshinte në gjirin e tij prokuror të rinj, të përngjeshëm, të shkathtë e të përkushtuar për tu përballur më sfidat e krimit- prokurorë të cilët do të kishin për ideal vendosjen e drejtësisë së nëpërkëmbur në vazhdimësi në këtë vend. Në fakt, ndodhi krejtësisht e kundërta. Në këto organe, gati të gjithë prokurorët e emëruar vinin nga gjeneratat e vjetra, gjegjësisht nga ai brez prokurorëve që këtë detyrë e kishin ushtruar për shumë kohë para lufte.

Për me keq, kjo qasje, me pak përmirësime po e përcjell ndërtimin dhe funksionalizmin e këtij organi edhe pas dymbëdhjetë viteve të përfundimit të luftës. Në këso rrethanash, shtrohet pyetja fare e thjeshtë: Sa mund të flitet për reforma kur në këtë organ dominon mentaliteti i vjetër i punës. Në fakt, asnjëherë nuk mund të besohet se do të mund të ketë reformim të mirëfilltë të Prokurorisë së Shtetit për aq kohë sa dyert e blinduara të saj nuk hapen për gjeneratat e reja e profesionalisht të përgatitura. Ky konsideroj të jetë instrumenti kryesor matës për atë se sa janë prezentë aktualisht reformat në këtë organ shtetëror me përgjegjësi të mëdha në lëmin e luftimit të krimit, e për të cilat jo rrallë flasin zyrtarë të lartë qeveritar. Segmenti tjetër i reformimit vlerësoj të jetë ai që adreson çështjen e ndryshimit struktural të Prokurorisë së Shtetit.

Ky segment, të thuash i lënë anash tërësisht deri vonë, me nxjerrjen e Ligji për Prokuronin e Shtetit ka gjasa reale që të filloj të konkretizohet Si rrjedhojë, me këtë Ligj parashihet që nga viti 2013 sistemi prokurorial të ketë një organizim të ri i cili i shkon për shtati dhe organizimit të ri të gjyqësorit. Ky Ligj qartëson shumë segmente që kanë të bëjnë me Prokurorin e Shtetit, sidomos çështjen e kompetencës dhe mënyrën e funksionit të prokurorisë, karrierën e prokurorëve si dhe çështjen e pavarësisë së këtij organi shtetëror.

Sidoqoftë, ligji mund edhe të jetë me qasje shumë reformuese, por ato do të jenë vetëm në letër për aq kohë sa të njëjtat nuk realizohen në praktikë. Kosova është një shembull i keq i mos zbatimit të ligjeve, gjë që është e pritshme që kjo të ndodhë edhe lidhur me shumë segmente të zbatimit të këtij ligji. Pa dyshim se reformimi i këtij organi shtetëror do të jetë i mangët, madje në masë të madhe, nëse këtij organi nuk i sigurohen kushte adekuate për punë, mbrojtje ligjore adekuate, trajnime të vazhdueshme të prokurorëve dhe ngritje të nivelit të përgjegjësisë së punonjësve të këtyre organeve në raport me autorizimet ligjore që ato kanë. Pavarësisht pengesave që ekzistojnë jam i prirur të besoj se një reformimi i plotë i këtij organi do të ndodhë gjithsesi. E kam të qartë se pengesat këtu mund të jenë të mëdha, por jo të patejkalueshme. Ato, do t’i shemb mentaliteti i ri, sidomos i brezit të ri që po krijohet tani.

2.Menaxhimi i dobët dhe jo efikas i lëndëve

Prokuroria e Shtetit, ngjashëm si dhe segmentet tjera të sistemit të drejtësisë penale, në periudhën e pasluftës vazhdojnë të përballen me fluks të madh të lëndëve. Numër jashtëzakonisht I madh lëndësh vazhdojnë të barten nga viti në vit, si dhe shumë lëndë të tjera nuk janë trajtuar në mënyrë të duhur dhe adekuate. Shkaqet e kësaj gjendje sigurisht se janë të natyrave të ndryshme, porse ato kryesore kanë të bëjnë me deficit të kuadrit, menaxhim të dobët të punës, ndërhyrje të ekzekutivit e politikës, mungesë të përgjegjësisë, përfshirje në korrupsion etj.

Shumë kallëzime penale të ushtruara janë hedhur poshtë, shumë hetime në lidhje me vepra penale të ndërlikuara janë pushuar dhe shumë aktakuza janë tërhequr me konstatimin se “mungojnë provat”. Opinioni publik, sidomos ai profesional, e ka shumë të vështirë të besoj që në këtë kontekst nuk është manifestuar ndikimi nga jashtë, se nuk ka ardhur në shprehje subjektivizmi i tepruar i disa prokurorëve, i ndërlidhur gjithsesi edhe me interesa materiale dhe mungesa e profesionalizmit të duhur në punë. Kjo për faktin se mungesa e provave relevante, për shumë nga lëndët e tilla, mund të jetë rrjedhojë e kryerjes së punës me shkallë të ultë profesionalizmi, manifestim të neglizhencës, mbyllje të syve në kulm të ditës e asgjësim të qëllimshëm të objekteve provuese.

Se sa është e shprehur shkalla e menaxhimit të dobët dhe jo efikas të lëndëve më së miri flasin rastet e trajtimit të veprave penale që ndërlidhen me zgjedhjet nacionale të vitit 2010. Kështu, përkundër faktit se Prokuroria e Shtetit i kishte shpallur si prioritet për trajtim këto vepra penale, në lidhje me to deri në shkurt të vitit 2012 prokuroritë kompetente të Kosovës kanë arritur në ngrisin 1343 aktakuza dhe propozimakuza, kurse theksohet të jenë në procedurë edhe 931 raste. Ky numër i aktakuzave të ngritura vlerësohet të jetë tejet i vogël përballë shkallës së lartë të dëmtimit të procesit zgjedhor në këto zgjedhje dhe numrit të personave të përfshirë në dëmtimin e këtij procesi.

Për më tepër, ky numër është edhe shumëfish më i vogël se numri prej rreth 5000 komisionarëve për të cilët Prokuroria e Shtetit besonte të kishte fakte për përfshirje në këtë lloj kriminaliteti. Në fakt, këtu në vazhdimësi është bërë fjalë vetëm për komisionar, e jo edhe për urdhërdhënësit e këtyre krimeve. Ata u amnistuan që të gjithë dhe kështu apriori u krijua terreni që të njëjtit të mund të veprojnë njejtësisht edhe në zgjedhjet vijuese, pa frikën se do të ndiqen penalisht. Së këndejmi, edhe këtu mund të shtrohet një pyetje fare e thjeshtë: Në çfarë rruge po hynë vendi karshi kësaj gjendje? Përgjigjen e kësaj pyetje, me gjasë e di gjithsecili përgjegjës institucional, por sa vlen kjo kur mungon vullneti i tyre që të ndërrohet kjo gjendje dhe kështu të hyhet në binarët e duhur për të cilët populli ka derdhur shumë djersë dhe ka bërë shumë sakrifica. Rrjedhimisht, e njëjta situatë ka të bëjë edhe me veprat tjera penale, sidomos të atyre që ndërlidhen me korrupsionin, por jo vetëm të tyre, ku ka të përfshirë zyrtare të lartë publik e shtetëror. Kjo gjendje shtron nevojën e përgatitjes së një plani konkret të akterëve përgjegjës, plan në të cilin fjalën e vetme do duhej ta kishte gjuha profesionale. Një plan i tillë do duhej t’i nxjerr në dritë mangësitë ekzistuese dhe t’i parashikojë masat konkrete që do të garantonin evitimin e pashmangshëm të tyre.

Në kuadër të atyre masave nuk do duhej të gëzonte alibi askush pavarësisht pozitës që mban në hierarkinë e Prokurorisë së Shtetit. Konsideroj se vetëm me një qasje të tillë mund t’i ndihmohet vendit dhe qytetarëve të Kosovës në mënyrë që ata të zhvillojnë jetë të qetë dhe pa brengën se do të mund të goditen çdo ditë nga krimi, si dhe që vendit t’i hapen perspektivat për liberalizim të vizave dhe anëtarësim në BE.

3.Ndërhyrjet në punët prokuroriale nga jashtë

Edhe pse nga prokurorët shtetëror zërat që do të vënin në dukje ndërhyrjen e Qeverisë dhe politikës përgjithësisht në punën e tyre aktualisht mungojnë, në opinionin publik megjithatë ekziston mendimi se kjo ndërhyrje madje është shumë prezente. Së këndejmi, për tu pasqyruar fakti i prezencës së kësaj ndërhyrje mjafton të përcillet puna e këtyre organeve gjatë gjithë këtyre viteve të pas luftës, elemente të së cilës i vumë në dukje më lart në kuadër të këtij artikulli.

Mendoj të jetë koha e fundit kur kjo ndërhyrje duhet të ndërpritet dhe konsideroj se këtë duhet ta bëjnë, në radhë të parë, ata që po i bëjnë ndërhyrjet. Të tillët janë sigurisht jo personat e rëndomtë, por ata që kanë fuqi në jetën institucionale e politike në vend. Pavarësisht kësaj, konsideroj se në ndaljen e trendit të ndërhyrjeve në punën e prokurorisë së shtetit fjalën e fundit megjithatë duhet ta thotë Kryeprokurori i Shtetit dhe prokurorët shtetërorë. Është theksuar disa herë nga nivele të ndryshme se dyert e çdo vendi që aspiron anëtarësimin në BE do të jenë të mbyllura për secilin shtet të Evropës ku ndërhyrjet në punën e gjyqësorit dhe prokurorive konstatohet të jenë prezente.

Pavarësisht kësaj, kjo është çështje që ndërlidhet me vetë jetën e qytetarëve të Kosovës. Ky është një segment skajshmërisht i rëndësishëm i sundimit të ligjit që pa mëdyshje ndikon edhe në vetë kualitetin e jetës së njeriut. Prandaj, ndërprerja e ndërhyrjeve nga jashtë duhet të jetë detyrim që i shërben në radhë të parë këtij qëllimi.

4.Përfshirja e prokurorëve të shtetit në afera të korrupsionit

Në opinionin publik, sidomos atë profesional, në krahasim me gjyqësorin, sistemi prokurorial ka qenë relativisht i kursyer nga kritikat lidhur me përfshirjen e përgjegjësve të tij (prokurorëve) në afera korrupsioni. Konsideroj se deri te një situatë e tillë ka ardhur për faktin se raportet e organizatave të ndryshme kryesisht janë marrë me segmentin e korrupsionit në gjyqësi dhe në ekzekutiv, kurse prezenca e kësaj dukurie në nivelin prokurorial ose është anashkaluar ose është pasqyruar (apo të paktën është menduar në këtë aspekt) në kuadër të segmentit të vetë gjyqësisë. Pavarësisht kësaj, gjërat në terren flasin se ky segment i drejtësisë, jo vetëm që nuk është imun ndaj korrupsionit, por ai është prezent, nëse jo më shumë, të paktën në nivelin që ai konsiderohet të jetë i pranishëm në gjyqësi.

Se korrupsioni ka hyrë në palcë të sistemit prokurorial flet rasti i arrestimit më 3 prill 2012 të Drejtuesit të Task-Forcës Antikorrupsion të Kosovës- Prokurorit të Prokurorisë Speciale Nazmi Mustafi dhe të dy prokurorëve të tjerë të cilët dyshohen të kenë marrë ryshfet në këmbim të mos akuzimit të disa të dyshuarve për korrupsion. Ky rast, do të mund të nxjerrë në dritë shumë prapaskena që ndërlidhen me çështjen e përfshirjes së prokurorëve shtetëror në korrupsion, por edhe ato që ngërthejnë çështjen e ivolmimit, përkatësisht interferencës së politikës në këtë segment të drejtësisë.

Në fakt, që të mund të konstatohet çështja e nivelit të përafërt të prezencës së korrupsionit në kuadër të sistemit prokurorial të Kosovës do të konsideroja veprim të duhur vlerësimin e çështjes së prejardhjes së pasurisë së secilit prokuror, bazuar në perceptimin se te shumica prej tyre do të konstatohet shpërputhje e madhe midis pasurisë që kanë pasur ata pa qenë prokuror dhe asaj që disponojnë tani pas ushtrimit të detyrës së tillë.

Përballë kësaj gjendje vlerësoj të jetë detyrë e mekanizmave të sistemit prokurorial, por edhe e vetë Qeverisë që me masa përkatëse ligjore ta luftojnë, me qëllimin që ta zhdukin tërësisht, korrupsionin që konsiderohet ta ketë përfshirë Prokurorinë e Shtetit, përfshirë shkarkimin dhe nxjerrjen para drejtësisë të çdo prokurori i cili gjatë ushtrimit të autorizimeve të tij është përfshirë në afera korrupsioni, ose veprime tjera të paligjshme, të çfarëdo lloji qofshin ato.

5.Mungesa e shkathtësive të duhura profesionale të prokurorëve

Në kuadër të sistemit prokurorial të vendit ka jo pak prokurorë të cilët i karakterizon nivel jo i kënaqshëm i posedimit të shkathtësive prokuroriale. Në këtë aspekt, avancimi i shkathtësive punuese të prokurorëve të shtetit është një detyrë për të cilën duhet të mendojnë seriozisht akterët përgjegjës institucional. Kjo detyrë merr peshë të veçantë përballë paraqitjes së rasteve të rënda dhe tejet të ndërlikuara me të cilat në kushtet aktuale po përballet sistemi i drejtësisë penale në Kosovë.

Në këtë drejtim, peshë të avancuar fiton çështja e dërgimit të një numri të konsiderueshëm të prokurorëve për specializime jashtë vendit, kryesisht në SHBA dhe vendet e fuqishme të BE-së në fushën e sundimit të ligjit, pjesëmarrjes së prokurorëve shtetërorë në konferenca të ndryshme ku trajtohet çështje e luftimit të kriminalitetit, thellimit të bashkëpunimit brenda institucional në Kosovë (polici, prokurori dhe gjykata) dhe me vendet në rajon, rishikimit të çështjes së pastërtisë së të gjithë nëpunësve të Prokurorisë së shtetit, vendosjes para të gjitha niveleve dhe llojeve të përgjegjësisë të secilit prokuror, por edhe të personelit tjetër të këtyre organeve kur ka baza të përfshirjes eventuale të tyre në çështje që ndërlidhen me krimin etj.

Në trend

Më shumë
Cakolli jep tre skenarë, thotë se LVV shkon në 51 deputetë nëse merr 75% të votave të diasporës

Cakolli jep tre skenarë, thotë se LVV shkon në 51 deputetë nëse merr 75% të votave të diasporës

Politikë
Politikani serb, Çedomir Jovanoviq pretendon se është rrahur – nuk ndalë lotët derisa tregon dorën në allçi

Politikani serb, Çedomir Jovanoviq pretendon se është rrahur – nuk ndalë lotët derisa tregon dorën në allçi

Serbia
Një grup i udhëhequr nga Elon Musk bën ofertë prej 97.4 miliardë dollarësh për

Një grup i udhëhequr nga Elon Musk bën ofertë prej 97.4 miliardë dollarësh për "të gjitha asetet" e OpenAI - vjen përgjigja e Sam Altman

Teknologji
Simptomat e një infeksioni, dallimi mes gripit e flamës, meningjiti e lia e ujit – infektologu Valbon Krasniqi i sqaron në podcastin “Shëndeti në rend të parë”

Simptomat e një infeksioni, dallimi mes gripit e flamës, meningjiti e lia e ujit – infektologu Valbon Krasniqi i sqaron në podcastin “Shëndeti në rend të parë”

Shëndetësi
Rezultatet e zgjedhjeve: LVV e para në 21 komuna, LDK nuk prin në asnjë komunë

Rezultatet e zgjedhjeve: LVV e para në 21 komuna, LDK nuk prin në asnjë komunë

Politikë
PDK e AAK refuzojnë koalicionin me LVV-në, LDK ende pa qëndrim: A po futet Kosova në pasiguri pasgjedhore?

PDK e AAK refuzojnë koalicionin me LVV-në, LDK ende pa qëndrim: A po futet Kosova në pasiguri pasgjedhore?

Politikë
Kalo në kategori