LAJMI I FUNDIT:

Për Mitrovicën ka një zgjidhje!

Po mbushen 13 vjet që kur Mitrovica Veriore dhe komunat në veri të Republikës së Kosovës janë marrë peng prej forcave sherrkërkuese të Serbisë, ndihmuar prej miqve të tyre. Po mbushen 13 vjet që serbët veprojnë pa pushim për ta zhbërë Republikën e Kosovës (duke filluar me Mitrovicën), ndërsa ne bëjmë pa pushim lëvizjet që bën i rrezikuari për t’u mbytur kur nuk e di notin.

Për të dalë nga figuracioni i cili nuk mungon kur s’ke të tjera armë, po kalojmë te zbërthimi konkret i pyetjes: Çfarë duhet të bëjnë shqiptarët në një të këtillë gjendje, e cila po u vazhdua kështu çon pashmangshëm te humbja e Mitrovicës?!

Kur themi humbja e Mitrovicës, të gjithëve duhet të na shkojë mendja te Shkodra e viteve 1912-1013. Ç’do të kishte ndodhur nëse Shkodrën do ta kishin mbajtur sllavët? Përgjigjja është e pakundërshtueshme: Pavarësia nuk do të realizohej! Shteti ynë i sapo shpallur nuk do të mund të mbijetonte dhe ne sot nuk do ta festonim dot 100-vjetorin. Është e vërtetë që në moslënien e Shkodrës në duart e sllavëve luajtën rolin e vet edhe ndërkombëtarët. Por, është edhe më e vërtetë që në Tarabosh, në Kodrat e Bardhanjvet dhe në Bërdicë, luftuan shqiptarët e jo ndërkombëtarët.


Në vitet 1912-1913 sllavët na i kishin marrë: Podgoricën, Tivarin, Plavën, Ulqinin, gjysmën e Malësisë Madhe. Kërkonin të na merrnin edhe Shkodrën! Në vitet 2012-2013, sllavët i kanë marrë (prej kohësh): Pazarin e Ri, Kurshumlinë, Toplicën, Medvegjën, Bujanivcin, Vranjën, Preshevën. Kërkojnë tani të na marrin edhe Mitrovicën!

Çfarë u kërkon shqiptarëve, koha, gjithsesi kritike, në këtë situatë? Veprim të bashkuar! Kjo është përgjigjja. S’ka rrugë tjetër!

Gjëja e parë që shqiptarët duhet të kuptojnë, në këtë 100-vjetor, është kjo: Problemi ynë më i rëndësishëm është Mitrovica! Shqiptarët kanë shumë probleme në këtë festë të tyren jubilare, por para Mitrovicës nuk mund të vihet asgjë tjetër, sepse po u humb Mitrovica, të gjitha vitet, mbas këtyre 100 vjetëve, s’do të jenë tjetër veçse vite të dekompozimit, të shkërmoqjes, jo vetëm të Republikës së Kosovës, por edhe të Republikës së Shqipërisë. Po s’u kuptuan kështu punët, s’na mbetet gjë tjetër veçse të numërojmë humbjet, duke fajësuar përjetësisht të huajt.

Po rendis këtu një pjesë të punëve që mund dhe duhet t’i bëjnë shqiptarët në mbrojtje të Mitrovicës. Të gjithë organizmat shtetërorë, politikë, fetarë, organizmat e quajtur joqeveritarë, organizmat me programe nacionalë… duhet të organizojnë tubime në përkrahje të veriut të Kosovës.

Kryetarët e të komunave të mbledhin banorët e vet dhe t’u thonë: Jemi mbledhur këtë herë për veriun e Kosovës. Ju e dini që në komunën tonë kemi një mori hallesh, papastërtitë, rrugët, ujësjellësit, rryma elektrike, korrupsioni, taksat, bizneset, por sot kemi nevojë më se urgjente, më se të ngutshme, për të shprehur kundërshtimin tonë ndaj veprimeve të Serbisë kundër nesh.

Kështu të veprojnë të gjithë kryetarët e bashkive të krejt Shqipërisë dhe jo t’ia lënë këtë punë vetëm atij të Mitrovicës. T’u thonë banorëve të vet që problemi i veriut të Kosovës është problem kombëtar dhe se për mbrojtjen e asaj pjese të atdheut tonë kanë detyrime të gjithë shqiptarët, pavarësisht se ku gjenden: në Korçë, në Vlorë, në Gjakovë, në Gjilan, në Gostivar apo në Ulqin.

Serbëve të Serbisë (me anë të deklaratave publike), t’u thuhet: Të parët tuaj na kanë marrë Pazarin e Ri, Peshterin, Kurshumlinë, Jabllanicën, Leskovcin, Vranjën. Megjithatë, ne nuk po kërkojmë rishikimin e kufijve. Po pranojmë kufijtë ekzistues. Po e bëjmë këtë lëshim, tragjik dhe të pafalshëm, për dy arsye: e para, sepse nuk kemi fuqi, nuk jemi të zotët t’i rikthejmë ato toka që na i kanë rrëmbyer të parët tuaj, dhe e dyta, sepse për humbjen e atyre krahinave kanë faj edhe të parët tanë, që nuk kanë ditur t’i mbrojnë. T’u thuhet edhe kjo: kufijtë e Kosovës nuk i kemi vendosur ne. I kanë vendosur të parët tuaj dhe ju duhet të jeni shumë të kënaqur që s’kanë qenë të parët tanë të zotë për t’i vënë ata kufij më në veri. Tani s’ka më lojëra me tokat tona. Mos ëndërroni dhe mos e gënjeni veten që mund të na e merrni edhe Mitrovicën!

Në këta tubime, të bashkive apo të komunave, të ftohen edhe banorë, të parët e të cilëve kanë ikur prej Vranjës, Medvegjës, Toplicës, Kurshumlisë, Preshevës, apo edhe prej vetë trevave të Mitrovicës. Ka të tillë me mijëra nëpër Shqipëri, që nga Kamenica e Podujeva deri në Lushnjë e Fier. Por, mund të ketë edhe më në jug.

Të ftohen aty të tillë pasardhës “muhaxhirësh”, të ikurish, dhe t’u rrëfejnë të pranishmëve mbi mënyrat se si janë dëbuar gjyshërit e tyre prej vatrave të veta. Të bëhen edhe regjistrime e publikime, emër për emër, të atyre popullatave me prejardhje prej atyre trojeve, në mënyrë që edhe ne, edhe bota, ta shikojmë e kuptojmë në anën e kujt qëndron e drejta për veriun e Kosovës.

Serbëve të Zubin Potokut, Leposaviqit, Mitrovicës së veriut dhe të gjithë të tjerëve, t’u thuhet (sigurisht, nëpërmjet deklaratave publike, hartuar në secilin prej këtyre tubimeve): ju nuk keni asnjë arsye për të mos pranuar të jetoni me ne. Bashkëkombësit tuaj, në Berlin, Këln, Paris e Londër, pranojnë të jetojnë së bashku me vendësit e atjeshëm. Bashkëkombësit tuaj në Otavë, Çikago, Rio e Buenos Aires, pranojnë të jetojnë së bashku me vendësit e atjeshëm. Ata nuk po organizojnë atje kurrfarë zgjedhjesh, as lokale, as jolokale, që lidhen me qeverisjen prej Beogradit. Serbët e atjeshëm po jetojnë atje së bashku, shpeshherë në të njëjtët pallate, me myslimanë, me hebrenj, me zezakë, me mulatë evroamerikanë, dhe s’po ankohen aspak për praninë e tyre në ato ambiente. Ju, përse të mos doni të jetoni në të njëjtin shtet me ne shqiptarët?! Madje këtu, siç e dini, ju keni shumë më tepër të drejta sesa shumë nga bashkëkombësit tuaj në vende të tjerë të botës.

Shqiptarëve të Mitrovicës, ndërkaq, në të këtillë tubime bashkish e komunash, t’u çohet fjalë: jemi me ju! Po të jetë nevoja, më 28 Nëntor, nuk shkojmë në Vlorë, por vijmë dhe e festojmë 100-vjetorin atje në Mitrovicën e veriut, bashkë me ju.

Tubime, për të përkrahur veriun e Republikës së Kosovës, duhet të organizojnë që të gjitha partitë politike shqiptare. Sa parti politike kemi, 100 apo 150?! T’i mbledhin, secila anëtarët e vet, t’i nxjerrin nëpër sheshe ose, dhe t’i thonë publikisht të gjitha këto që i përmendëm pak më lart. Të gjitha këto dhe shumë të tjera. Të ftojnë atje profesorë, njohës të historisë dhe gjeografisë, dhe t’u flitet militantëve pikërisht për këtë problem. Të hartohen deklarata, të përkthehen ato deklarata në anglisht dhe në gjuhën serbe dhe t’u jepen mediave, në mënyrë që gjithë kombi ynë dhe gjithë bota ta marrin vesh qëndrimin.

Me këtë rast është e nevojshme ta tërheqim vëmendjen e lexuesve në një dukuri tepër shqetësuese. Në Serbi nuk ka parti politike serbe që të mos e “shpalosë” para elektoratit të vet edhe qëndrimin e vet ndaj “çështjes së Kosmetit”. Ata nuk kanë asnjë të drejtë të shprehin pretendime ndaj tokave të shqiptarëve. Ata nuk kanë asnjë të drejtë t’i paraqesin para elektoratit tokat e të tjerëve si të vetat. Ata nuk kanë asnjë të drejtë ta nxisin elektoratin e vet për pushtime. Megjithatë, e shprehin këtë qëndrim të padrejtë dhe fitojnë vota. Ndërkaq, këtu tek ne, asnjë lider partie nuk e ka në programin e vet qëndrimin ndaj veriut të Kosovës.

Ky është problem që në jetën politike të shqiptarëve kërkon analiza shkencore dhe masa përkatëse, nëse duam të ekzistojmë si komb. Megjithatë, po sjellim vetëm një konkluzion: partitë tona politike as që e kanë ndërmend të merren me atë që mund ta quajmë edukim atdhetar gjithëpërfshirës të elektoratit të vet. Atje vazhdon të mbizotërojë filozofia e vjetër feudale e kohës së Osmanëve: ta kem mirë me baba-mbretin, kush po pyet për miletin!? Kësaj praktike i duhet dhënë fund njëherë e mirë. Përndryshe, nuk ka Shqipëri! Përndryshe, Shqipëria do të ricopëtohet dhe mbetet vetëm në duart e të huajve, në e mbajtshin me paterica.

Në Republikën e Greqisë dhe në Republikën e Serbisë, nuk gjen rast që priftërinjtë, në liturgji, të mos i zënë ngoje, njërët Vorio-Epirin, tjerët Kosmetin (Pa të drejtë!) Klerikët tanë duhet në çdo shërbesë fetare, të paktën njëherë në javë, t’u flasin besimtarëve të vet edhe për fatin e veriut të Kosovës.

Në vitet 1950-1960, në kohën e Titos e të Rankoviqit, ka shërbyer në Ulqin një prift prej Shestanit, Dom Mark Kolaj. 53 të diela në kish viti, ai, në të 53 të dielat, në predikimin e meshës, nuk e linte pa thënë: t’i lutemi Zotit edhe për shqyptarët matanë kufinit! Në këtë mënyrë ai prift e kultivonte atdhedashurinë dhe unë i jam mirënjohës.

Të dy parlamentet tanë, në mënyrë të barabartë, jo më shumë i Prishtinës e më pak ky i Tiranës, duhet t’ia kushtojnë veriut të Kosovës jo 1 një, por aq sa seanca të duhen, dhe, në çdo rast, ta sqarojnë, gjithanësisht dhe imtësisht opinionin shqiptar dhe botëror cili është qëndrimi i kombit shqiptar lidhur me gjendjen tashmë 13-vjeçare në atë pjesë të Shqipërisë (gjeografike).

Edhe në parlamentet e Shkupit dhe të Podgoricës, parlamentarët tanë atje duhet të kërkojnë që të shprehet qëndrimi i shteteve të tyre ndaj këtij problemi, sepse ky nuk është vetëm një problem nacional, por është edhe problem rajonal.

Dy qeveritë tona duhet të veprojnë, në pajtim njëra me tjetrën, dhe të marrin masat që duhet, secila brenda kompetencave të veta, pa i shkelur ligjet ndërkombëtare, por edhe pa u bërë urë, mbi të cilën të mund të shkelë çdo kalë e çdo gomar. Qeveria e Beogradit ka krijuar ministri të posaçme “për Kosmetin”. Ka shkelur vullnetin e 95 për qind të banorëve të Kosovës dhe ka shkelur vullnetin e, së paku 86 shteteve të botës që e kanë njohur Kosovës si shtet të pavarur.

Çfarë shkeljeje do të përbënte në rast se qeveria e Tiranës do të krijonte një fond të posaçëm për të ndihmuar materialisht shqiptarët në nevojë në veriun e Kosovës?! Të ndërtonte edhe një varr, siç e ka merituar, për Isa Boletinin. Të ngrinte atje edhe një monument (Pse jo?) për të gjithë boletinët dëshmorë dhe për të tjerë patriotë të asaj treve!?

Diaspora duhet të veprojë, si gjithmonë, në përkrahje të kësaj kauze për mbrojtjen e tërësisë tokësore të Kosovës, të cilën e krijuam me çmimin e dhjetëra-mijë, e në thellësi të kohëve me qindra- mijë dëshmorë (sipas një të dhëne që na e sjell Xhaladin Hana, vetëm në Luftën e Dytë Botërore në trevat shqiptare që i mbetën Jugosllavisë, janë asgjësuar 91.200 shqiptarë).

Të gjitha shoqatat shqiptare (sa shoqata kemi, 100, 200, apo 400?!), kudo që ato veprojnë, të dalin e të shprehen për normalizimin e gjendjes në veri të Kosovës. Në të gjithë qytetet e Shqipërisë dhe në të gjithë qytetet e botës, ku mund të mblidhen 50 shqiptarë, të bëhen demonstrime! Të bëhen sot, e jo kur serbët t’i kenë kryer punët e veta! Të mos mbetet asnjë e premte mbas dite, e shtunë apo e diel pa 1, 2, 3, 5… manifestime në përkrahje të Mitrovicës!

Për fatin tonë të keq, në të gjitha kohët kombi ynë ka pas Esat pashë Toptanë. Ka pas edhe do të ketë. Në veprofshim kështu, së bashku që të gjithë, Mitrovica do të ketë zgjidhje. Në mos veprofshim kështu, ka shumë rrezik që të dalë dikush e t’ua dorëzojë serbëvet “Shkodrën e sotme”, ashtu siç ua dorëzoi Esat Pasha Shkodrën e atëhershme.

I lumtur mund të bëhet vetëm ai komb, i cili nxjerr mësime prej ngjarjeve të palumtura.