LAJMI I FUNDIT:

Nismat alternative dhe roli i opozitës

Brenda një kohe të shkurtër, presidentja e Kosovës ka themeluar dy institucione të reja: Këshillin Kombëtar Kundër Korrupsionit dhe Këshillin Kombëtar për Integrime me Evropën. I pari u themelua me ndihmën e Uashingtonit, kurse i dyti me sugjerimin e Brukselit. Përderisa Këshilli i parë nuk u prit mirë nga Qeveria, e cila dëshiron që çdo aktivitet kundër korrupsionit ta mbajë nën kontroll të rreptë, Këshilli i dytë nuk u prit mirë nga një pjesë e opozitës, e cila dëshiron që qeveria ta paguajë vetë faturën për dështimet e veta.

Opozita konsideron se kjo qeveri ka marrë një udhë pa krye dhe pavarësisht se cilat do të jenë pasojat për vendin, nuk do të duhej të ndihmohej shpëtimi i saj. Ajo druan se në rast të sukseseve të përbashkëta, kryeministri Hashim Thaçi do t’ia atribuonte ato vetvetes, sikurse që dështimet do t’ia atribuonte punës së përbashkët.

Kryeministri është talent i njohur për taktikat e tilla! Por, duke vepruar nën frustrim, kjo opozitë shfaqet sikur ajo plaka që del e kridhet kur shtëpia i digjet! Madje nuk ngurron që ta hedh edhe vetë ndonjë dru në zjarr që flaka të bëhet më e dukshme.


Është fakt i ditur se qeveria e Thaçit ose përfaqëson votën e manipuluar të popullit (PDK), ose nuk përfaqëson fare votën reale (AKR dhe pakica serbe). Por, përkundër manipulimeve në përmasa industriale të votës, PDK është njëshi i Kosovës dhe i tillë do të jetë edhe për një kohë. Prandaj, partitë opozitare duhet të shikohen në pasqyrë për ta parë madhësinë e tyre dhe të çlirohen nga kompleksi i inferioritetit.

Meqë nuk jemi në kohë zgjedhjesh, ato e kanë për detyrë që të punojnë për vendin dhe t’u përgjigjen thirrjeve të kohës. Thirrjet e kohës nuk nënkuptojnë thirrjet djallëzore të Hashim Thaçit, por ato thirrje që i bën bashkësia ndërkombëtare dhe vetë interesi i vendit.

Hashim Thaçi preferon “favorizimin” e LDK-së në procese të ndryshme, siç do të jetë dialogu për veriun, me qëllim që ta shkarkoj një pjesë të përgjegjësisë për dështimin gati të sigurt në këtë proces. Meqë Vetëvendosje po luan rolin e adoleshentit kryeneç, atij i shkon për dore që me bekimin e qarqeve ndërkombëtare ta anashkalojë dhe ta anatemojë sa të jetë e mundur këtë forcë politike që çdo rritje deri tani e ka bërë më së shumti në dëm të PDK-së. AAK-në e ka qetësuar me premtimin për një shans tjetër në të ardhmen!

Mirëpo, kur flasim për dështimet e qeverisë nuk duhet harruar se Qeveria është si një makinë që mbi vete bart pothuaj tërë peshën e shtetit. Pothuajse nuk ka se si të dështojë Qeveria e të mos dështojë shteti. Partitë politike tani për tani nuk mund ta rrëzojnë këtë Qeveri. Prandaj, duhet të punojnë për shtetin dhe të presin të ndodhin zgjedhjet, ku fituesi do të përcaktohet varësisht nga taktikat dhe strategjitë e lojtarëve në terren.

Opozita e bashkuar e ka fitoren e sigurt, nëse vërtet di ta gjejë formulën e bashkimit parazgjedhor. Prandaj, partitë e vogla opozitare (AAK dhe Vetëvendosje) nuk duhet të humbin kohë për ta demonstruar fuqinë që nuk e kanë. Ato duhet ta pranojnë realitetin dhe në bazë të tij edhe ta gjejnë formulën e bashkimit nëse duan të qeverisin me vendin në të ardhmen. Në të kundërtën, ndonjëra nga këto mund të fitojë një deputet a dy më shumë në parlament, por jo edhe pushtetin ekzekutiv.

Aktualisht për Kosovën nuk ka prioritet më kryesor sesa procesi i integrimit me Evropën. Kosova si shtet është vështirë të mendohet pa integrim në BE. Kjo është parë me Bosnjën e Hercegovinën e do të shihet shpejt edhe me Maqedoninë nëse ajo nuk e gjen formulën e kompromisit për emrin.

Hyrja në Evropë do të jetë rrugë e gjatë e kompromiseve. Fusnota është vetëm një paralajmërim i një kompromisi shumë më të dhimbshëm që pritet të bëhet për veriun. Prandaj, themelimi i Këshillit Kombëtar për integrim me Evropën duhet parë si një dritë orientuese për anijen me kapiten të dobët.

Evropa di më së miri për mungesën e trurit intelektual të qeverisë ekzistuese dhe të kreut të saj. Por, mbi të gjitha ajo dëshiron që kompromiset që bëhen sot të mos rrezikohen në të ardhmen. Sepse, pa kompromise është e pamundur hyrja në BE. Në këtë aspekt nevojitet konsensusi i gjerë, i menduar dhe i peshuar paraprakisht.

Zyrtarët evropianë janë të befasuar me lehtësinë e dorëzimit të palës kosovare para presioneve ndërkombëtare. Kosova nuk dështon pse nuk ka argumente, por pse ka avokatë të dobët të prezantimit të tyre. Dhe kur mungojnë argumentet aty ku duhet, nuk ke rrugë tjetër, pos të tërhiqesh. Madje presioni është një strehë e mirë! E ardhmja do të tregojë më së miri se cili ishte kapaciteti këshilltarëve të vetë kryeministrit, apo të zëvendëskryeministres Edita Tahiri përgjatë një procesi aq delikat, si ai i dialogut me Serbinë. Pavarësisht se a do të qajmë apo do të qeshim me këtë kapacitet, fatkeqësia është e të gjithë neve. Dhe, ne duhet të veprojmë sa më shpejt që të jetë e mundur që të shpëtojmë anijen dhe veten tonë në të.

Dhe, edhe kur t’i kalojë të gjitha barrierat tjera, Kosova nuk ka shans të hyjë në BE me këtë mentalitet dhe nivel të korrupsionit që ka tani. Prandaj, është një rast jetësor i opozitës që t’i përkrah iniciativat alternative për luftën kundër korrupsionit që nënkupton jo vetëm iniciativën e presidentes Jahjaga, por edhe iniciativat tjera të shoqërisë civile. Ndërkaq, është obligim i opozitës që të jetë pjesë aktive e Këshillit Kombëtar për Integrim me BE-në.

Partitë politike duhet të jenë aty ku është interesi i vendit dhe ngritjen e tyre duhet ta shohin përmes kësaj rruge.

Në trend

Më shumë
Edhe Daut Haradinaj reagon për Gjestin: Ai është një bir shqiptari

Edhe Daut Haradinaj reagon për Gjestin: Ai është një bir shqiptari

Magazina
Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Lajme

"Po e shkel Kosovën me këmbë", Gerta, Laerti e G Bani në debat të ashpër me Gjestin pas përjashtimit të Jozit

Magazina

"Ku ke qenë në luftën e Kosovës, çfarë ke bërë në 99' për vendin budalla", G Bani i drejtohet me fjalë të ashpra Gjestit pas përjashtimit të Jozit

Magazina

"Tiroli i Jugut si model për Asociacionin" Mandl: Jo një Republika Sërpska, duhet të jetë zgjidhje praktike, pa kërcënim

Lajme
Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Magazina
Kalo në kategori