LAJMI I FUNDIT:

Doktor Craig shqetësohet për korrupsionin në Kosovë

Gjatë vitit 1999 kur Kosova po spastrohej etnikisht nga regjimi serb i Milloshevicit, nga Perëndimi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i ishin bashkangjitur shumë burra e gra. Në mesin e tyre kishte edhe jo shqiptarë. Njëri ndër ta ishte edhe kirurgu nga Adelaidi i Australisë, Doktor Craig Jurisevic.

Dr Craigu fillimisht i ishte bashkangjitur kontingjenteve të mjekëve në Kukës të cilët po bënin të pamundurën për tu dalë në ndihmë të gjithë atyre refugjatëve nga Kosova të cilët të torturuar e të plagosur arrinin të kalonin kufirin ndarës ndërmjet shqiptarëve. Dr. Craigut iu desh shumë pak për të parë se si ca pseudo-mjekë të spitalit të Kukësit dhe karteli i mafias shqiptare kishin shtrirë rrjetin edhe në spitale ku u kërkonin refugjatëve të mjerë të plagosur nga forcat ushtarake e paramilitare serbe para për ti operuar.

I betuar për ti shërbyer shëndetit dhe të plagosurve Dr. Craigu vendosë të gjejë forma se si të ndalohet kjo dukuri e shëmtuar. Pas disa kohe ai arrin që në një formë shumë interesante përmes një gazetari dhe NATO-s ta ndaloj këtë dukuri, por atij i rrezikohet jeta nga Dr. Cena dhe zagarët e mafias, dhe për të qenë më i sigurt u bashkëngjitet radhëve të UÇK-së në kampin e Elshanit e më vonë në Krumë për të përfunduar në Pashtrik në mesin e Ushtarëve të Lirisë. Rrëfimet e tija janë sa shokuese aq edhe për tu admiruar për sakrificën e tij sa sublime aq edhe humane.


Pse e shpalosa këtë historik të Kirurgut nga Australia?
I kam dy arsye të forta që më shtyn ta bëjë këtë storie për Dr. Craigun:

Fillimisht për t’iu falënderuar atij për shpëtimin e dhjetëra jetëve në luftë atëherë kur edhe vet mjekët e UÇK-së nuk kishin guxim të qëndronin në vijat e para të frontit. (Përjashto këtu disa infermierë si Shkumbini dhe Rukia të cilët janë personazhe edhe në librin e botuar tash në janar në shqip të Dr Craig Jurisevicit “Blod on my hands”). Dhe për faktin se ky doktor, ky humanist me kushtet dhe mundësitë që kishte në shpellën e Pashtrikut, në vijën e parë të frontit shpëtoi dhjetëra jetë Çlirimtarësh.

E dyta sepse sikundër brengosej për fatin e popullit tonë atëherë ai brengoset edhe sot nga Australia e largët. Pasi e lexova librin e tij të botuar në gjuhën shqipe ditë më parë isha shumë i interesuar që Dr. Craigun ta falënderoja personalisht, sepse kjo ishte ajo që kisha mundësi të bëja për këtë njeri që i ndihmoi dhe shëroi bashkëluftëtarët e Babait dhe Vëllait tim në Pashtrik sikundër kishte bërë edhe një kirurg Anglez për vëllanë dhe nipin tim të cilët patën marrë plagë në Gorozhupë më 31.05.1999. (Fatkeqësisht doktorit, i cili kishte ardhur me një Shoqatë nga Kalifornia, nuk ia kemi mësuar emrin ende edhe përkundër përpjekjeve tona, por dihet se ishte i moshës rreth 55 vjeç).

E gjeta Dr. Craigun përmes rrjetit social Facebook dhe me një koment e falënderova nga zemra për tërë atë ndihmë aq të madhe dhe bujare. Përgjigjja në komentin tim nga ai ishte e menjëhershme dhe shumë miqësore. Ajo që më bëri përshtypje në komentin e Dr. Craigut ishte se ai e dinte se si ishte puna në Kosovë dhe ishte i brengosur për korrupsionin që ka zënë vend në institucionet tona, por edhe shfaqte kënaqësinë që të rinjtë e Kosovës po jetojnë të lirë në Kosovën e lirë.

“Unë jam shumë i gëzuar të shoh popullin e ri të Kosovës që jetojnë në një vend të lirë dhe të pavarur. Kohërat janë të vështira, por një herë kur korrupsioni do të pastrohet nga institucionet tuaja, ju do të keni një shtet të ri e të mrekullueshëm”, thotë pos tjerash Dr. Craigu në komentin e tij në Facebook.

Nga krejt kjo më vije në mendje një pyetje që do duhej t’ia bënin vetes ata që janë në institucione. Sa po i nderojmë shtetasit e vendeve tjera si Dr. Craigu që i kontribuuan luftës dhe lirisë së këtij vendi pa patur kurrfarë obligimi ndaj nesh? Sa të tillë i dekoruam e i nderuam tash e 13 vjet liri?

Do të duhej të krijohej një listë për të gjithë ata që kontribuuan për këtë liri që po e gëzojmë sot dhe të laureoheshin e nderoheshin me medalje nderi. Të bëhej një ceremoni tradicionale e parvjetshme ku të nderohej kontributi i shtetasve të huaj në luftë e në liri.

Por ja që qeveritarë e opozitarë janë të zënë duke u marrë më SHIK-un e me dreqin e të birin, janë duke u marrë me tenderë, pasurime e alleshvereshe nën duar dhe vrasje pas shpine të njëri tjetrit.

Këta politikanë që po na lënë në baltë sot, i lanë në baltë edhe ushtarët e tyre dikur siç edhe tergon Dr. Craigu në librin e tij “Blod on my hands”.

Dr.Craig, faleminderit që ua shpëtove jetën të gjithë atyre djemve e vajzave që luftuan për lirinë e vendit tim. Ky falënderim nuk është i nivelit institucional siç duhej të ishte, por ky urim ka uratën e të gjithë shqiptarëve kudo që janë.