LAJMI I FUNDIT:

Ikja si shpëtim ose kthimi me shpresë

Sipas të dhënave të Organizatës Ndërkombëtare për Migrim, jashtë vendit jetojnë prej 500 deri në 900 mijë kosovarë. Ndërkohë që po kaq vlerësohet të jetë numri i kosovarëve që do të dëshironin të lëshonin Kosovën po që se një mundësi e tillë do të ju ofrohej. Si është e mundur që njerëzit janë në gjendje të paguajnë shuma të mëdha parash (deri në 30 mijë euro) për të ikur nga Kosova? Ku mbeti “Zvicra e premtuar”?

Të paktë janë ata kosovarë që s’e kanë provuar “gurbetin”. Populli shqiptar i Kosovës mund të thuhet se është “popull i diasporës”. Duke u përballur me pushtues të huaj dhe me vështirësi të mëdha ekonomike, emigrimi jashtë vendit për një kohë të gjatë ka qenë një ikje nga realiteti i vështirë dhe shpresë për jetë më të dinjitetshme në Perëndim. Me përfundimin e këtij pushtimi të gjithë menduan se drama e emigrimit për kosovarët përfundoi. Tashmë Zvicrën do ta kemi në Ballkan e pikërisht në Kosovë, mendonim. Por ndodhi e kundërta. Trendi i emigrimit vazhdoi. Dhe tash në vitin 2012 kemi një gatishmëri të madhe për të ikur nga Kosova. Shumë njerëz mund edhe të pyesin se si është e mundur që gatishmëria e kosovarëve, sidomos atyre që janë të rinj, për të ikur jashtë vendit të jetë kaq e madhe? Si është e mundur që njerëzit janë në gjendje të paguajnë shuma të mëdha parash (deri në 30 mijë euro) për të ikur nga Kosova? Ku mbeti “Zvicra e premtuar”?

A duhet dikush të mbajë përgjegjësi për dështimin e politikave ekonomike e sociale (nëse ka të tilla) në Kosovë, që kanë bërë që shpresat e kosovarëve t’i kthejnë në zhgënjim dhe që drama e emigrimit të vazhdojë. Sipas të dhënave të Organizatës Ndërkombëtare për Migrim, jashtë vendit jetojnë prej 500 deri në 900 mijë kosovarë. Ndërkohë që po kaq vlerësohet të jetë numri i kosovarëve që do të dëshironin të lëshonin Kosovën po që se një mundësi e tillë do të ju ofrohej. Shumë të rinj në formë proteste dhe të zhgënjyer me situatën politike dhe nga pasiguria ekonomike të vetmen zgjidhje e shohin Perëndimin. Por edhe kjo “rrugëzgjidhje” duket e pamundshme duke pasur parasysh që BE-ja i ka mbyllur dyert e saja në mënyrë të hekurt për kosovaret. Për të rinj e të vjetër.


Ndërkohë që institucionet e Kosovës janë krejtësisht të papërgjegjshme për këto shifra dhe për ”ambiciet” e të rinjve për të ikur nga Kosova. Numri i të rinjve në Kosovë që duan të lëshojnë vendin është pothuajse më i madh sot, se sa që ka qenë viteve të 90-ta. Shpeshherë këto përpjekje për të ikur nga Kosova, kanë përfunduar me tragjedi. E gjithë kjo situatë do të dukej qesharake nëse realiteti kosovar shikohet nga zyrat luksoze në ndërtesat e larta të Qeverise së Kosovës.

Në mënyrën se si qeveriset Kosova duket sikur ajo mendon vetëm për “proceset nëpër të cilat po kalon vendi” dhe asnjëherë për “produkte” që do të duhej të prodhoheshin nga ato procese. Përderisa qeveritaret flasin natë e ditë për procese, qytetarët kërkojnë produkte konkrete. Nganjëherë të krijohet përshtypja se në Kosovë asnjëra nuk ekziston. As proceset e mirëfillta e as produktet. Kështu ka ngjarë me “procesin e privatizimit” që në fillim thuhej se do të ndikonte pozitivisht në zhvillimin ekonomik dhe në punësimin e njerëzve. Ndërkohë që rezultatet e atij procesi vetëm pozitive nuk kanë qenë. Mandej për procesin e liberalizimit të vizave. Që prej vitit 2007, qeveritarët kosovarë janë duke folur për “procesin” e liberalizimit te vizave. Që prej atij viti e deri më sot (që i bie 5 vjet), “procesi” i liberalizimit të vizave nuk e ka asnjë “produkt” konkret të prekshëm për qytetarët e Kosovës. Përveç tashmë që dihet se dialogu do të fillojë, por nuk dihet se kur i gjithë ky proces do të përmbyllet.

Madje paradoksalisht, kufijtë e BE-së për qytetarët e Kosovës janë shtrënguar. Në vitin 2007 arsyetimet e Qeverisë së atëhershme i mbështetnin në faktin se Kosova nuk kishte Ministri të Jashtme, ndonëse ky ishte proces lidhej me Ministrinë e Brendshme. Sot nuk mund të ankohen për shkak mungesës të ministrive. Sot kemi Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Integrimeve Europiane, Zv. Kryeministër për Marrëdhënie me Jashtë, por prapë mungon liberalizimi i vizave. Kjo situatë paradoksale nuk do t’i pengojë qeveritarët kosovarë të vazhdojnë të flasin me energji pozitive për “procesin” e liberalizimit të vizave dhe atë të integrimit evropian, për procesin e privatizimit, e shumë procese tjera të “suksesshme”.

Si të kthehemi në Kosovë?

Javën e kaluar në konferencën “Tërheqja e investimeve nga diaspora”, organizuar nga Ministria e Diasporës, Oda Ekonomike dhe Organizata Ndërkombëtare për Migrim, katër Ministra të Qeverisë së Kosovës bënin thirrje për investime të diasporës në Kosovë. Ministrat përveç që thanë se diaspora kosovare ka një ndikim të madh në ekonominë e Kosovës, kur dihet fakti se remintancat kapin shifrën e 511 milionë euro në vit, ata bënin thirrje edhe për investime të ndryshme në Kosovë: energji, bujqësi, shërbime etj, etj. Me fjalë të tjera ata po bënin thirrje që kosovarët ta linin Perëndimin dhe të ktheheshin në vendin e lindjes, për të investuar. Por sa është e mundur kjo gjë? Si e shohin njerëzit e zakonshëm ketë gjë?

Në fakt, kthimi në atdhe është ëndërr e shumë mërgimtarëve që jetojnë në vende të BE-së dhe në vende e kontinente tjera. Dhe pyetja më e logjikshme në ketë moment do të ishte: “Pse nuk e bëjnë ketë gjë atëherë”? Arsyeja është e ngjashme me atë pse shumë të rinj në Kosovë duan të lënë atë: në mungesë të perspektives ekonomike, në mungesë të kushteve të favorshme për investime, në mungesë të furnizimit të rregullt me energji, pastaj për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit, në mungesë të stabilitetit politik etj., shumë kosovarë që jetojnë jashtë e ndrydhin çdo ditë ëndrrën e tyre që të kthehen në Kosovë. Ka disa kosovarë që nga idealizmi (zakonisht i fryrë nga prindërit) tashmë e kane bërë ketë gjë, pra janë kthyer në Kosovë. Pas disa përpjekjeve për të bërë diçka në vendin e tyre kanë përfunduar në grupin e atyre kosovarëve që detyrë kryesore ia kanë parashtruar vetës të gjejnë një mënyrë me pak të dhimbshme që ta lëshojnë Kosovën.

Duke qenë se shumë vite kanë jetuar në vende ku funksionon ligji, ku ka demokraci, ku shteti është në shërbim të qytetarit është e vështirë për ta, të gjejnë vetën në Kosovë. Madje ndjehen krejtësisht të pafuqishëm duke qenë së kanë vështirësi për të kuptuar “rregullat e lojës” në Kosovë, ku duhesh të tregosh muskujt, të shtyhesh me një zyrtar komunal me ditë të tëra për një letër të zakonshme, ta shohësh diskriminim që të behet përballë, që ta thirresh dajën, tezen apo hallën në mënyrë që të kërkosh ndihmë për një vend të zakonshëm pune apo për të rregulluar ndonjë dokument të thjesht. Këto gjera kosovarët që jetojnë jashtë Kosovës i shohin, gjatë qëndrimeve për pushime në Kosovë dhe vështirësitë e tyre shihen që prej aeroportit e deri tek shtëpitë e tyre.

Përveç këtyre problemeve diaspora kosovare ndihet e “tradhtuar” dhe e manipuluar nga institucionet e Kosovës. Në mënyrë që të kemi kthim nga diaspora qoftë për të filluar biznes apo për atë që quhet “kthim i trurit” ku kosovarët që mbarojnë shkollime të larta akademike jashtë vendit, do të mund të ktheheshin për të forcuar institucionet e Kosovës, do të duhej që shumë gjëra të ndryshonin. Disa gjëra janë të mundshme të bëhen. Fillimisht do të duhej të ndërrohej qasja e shtetit ndaj tyre, duke ju ofruar lehtësira burokratike, mandej trajtimi i tyre do të duhej të ishte më dinjitoz, e deri tek ndërrimi i sjelljeve të zyrtarëve lokalë nëpër komunat e Kosovës. Fatkeqësisht tani për tani modeli politik dhe ekonomik në Kosovë nuk lë shumë shpresë as për kosovarët që duan të kthehen në Kosovë, e as për ata që duan ta vazhdojnë jetën brenda saj.

(Autori jeton në Suedi, ku ka punuar si Zyrtar për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Këshillin Rajonal, në rajonin Småland në Växjö)

Në trend

Më shumë

"Kështu duket demokracia" - mijëra qytetarë në mbarë SHBA-në protestojnë kundër politikave të Trumpit

Amerika

"Ku ke qenë në luftën e Kosovës, çfarë ke bërë në 99' për vendin budalla", G Bani i drejtohet me fjalë të ashpra Gjestit pas përjashtimit të Jozit

Magazina
Kosovari vrau kushëririn në Zvicër pas konfliktit për një mur në Kosovë - gjykata jep detaje

Kosovari vrau kushëririn në Zvicër pas konfliktit për një mur në Kosovë - gjykata jep detaje

Lajme
Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Magazina
Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Magazina

"Tiroli i Jugut si model për Asociacionin" Mandl: Jo një Republika Sërpska, duhet të jetë zgjidhje praktike, pa kërcënim

Lajme
Kalo në kategori