LAJMI I FUNDIT:

Shqiptarët e Malit të Zi dhe standardet e dyfishta të Brukselit

Themeluesit e Evropës së bashkuar, Shuman dhe Monet kanë besuar se vizioni i tyre do të mundësonte një paqe jetëgjatë në Ballkan. Edhe për vendet që dolën nga komunizmi, integrimi evropian është hamendësuar se në mënyrë graduale shërben si motivues i ndërtimit dhe konsolidimit të paqes si dhe i pajtimit ndëretnik. Duke parë tragjedinë ballkanike të viteve 90-të, Brukseli u shtoi tre kritereve anëtarësuese të Kopenhagenit sundimi i ligjit, demokracia dhe ekonomia e tregut, edhe kushtin e realizimit të standardeve sa më të larta të të drejtave të minoriteteve. Fatkeqësisht kjo formulë me sa duket nuk ka funksionuar siç duhet me disa vende ballkanike, të cilat edhe pse i afrohen anëtarësimit në BE nuk kanë hequr dorë nga nëpërkëmbja e të drejtave të minoriteteve dhe nuk janë angazhuar për një fqinjësi me të vërtetë të mirë. Përkundrazi, avancimin në procesin e integrimit në kushtet kur nuk kanë dëshmuar respekt te theksuar për minoritetet apo fqinjësinë e mirë, këto vende e kanë trajtuar si një dritë jeshile prej Brukselit që të shpërfillin akoma më tej marrëdhëniet me etnitë e tjera.

Kështu Maqedonia edhe pse vend kandidat prej vitit 2005 nuk humbet rast për të nëpërkëmbur pakicën domethënëse shqiptare. Kjo është vënë re me nisma të shumta si projekt-ligji i natalitetit, enciklopedia e mbushur me rrena e fyerje me projektin Shkupi 2014 etj. Serbia është në të njëjtën linjë edhe pse ka avancuar ndjeshëm në procesin e integrimit evropian vijojnë të diskriminojnë shqiptarët e Luginës së Preshevës e të dëshmojnë shovinizëm e agresivitet nëpërmjet sabotimit që i bëjnë sovranitetit dhe sundimit të ligjit në Kosovë strukturat paralele që Beogradi ka instaluar brenda shtetit kosovar.

Fatkeqësisht e njëjta gjë po vihet re edhe nga shteti malazez, i cili tani që ia hodhi lumit me marrjen e statusit kandidat e ka hequr maskën e “engjëllit” që ka mbajtur për hir të imazhit që ka dashur të përcjellë në Bruksel, dhe ka dalë në lëkurën e vjetër duke ndërmarrë një sërë nismash që dëmtojnë rëndë gjendjen e pakicës shqiptare malazeze.
Në referendumin për pavarësinë e Malit të Zi shqiptarët luajtën një rol kyç pasi bashkësia ndërkombëtare e bëri të qartë që do ta pranonin pavarësinë malazeze vetëm nëse ajo siguronte mbi 55% të votave. Rezultati final ishte 55.5 dhe këtu vota e shqiptarëve ishte kyç për të siguruar një shumicë bindëse për perëndimin dhe për të mundësuar deklarimin dhe njohjen ndërkombëtare të pavarësisë. Jo vetëm që shqiptarët u ballafaquan me mosmirënjohje dhe nuk u shpërblyen për kontributin e tyre, por pësuan mandej një përkeqësim institucional të gjendjes së tyre.


Konkretisht Mali i Zi ka bere vitin e kaluar një reformë zgjedhore e cila u ka hequr shqiptarëve të drejtat e fituara më parë duke eliminuar kuotën prej pesë deputetësh që kanë pasur të garantuar dhe me sistemin e ri mezi mund të sigurojnë tre deputetë duke e bërë fare të papërfillshme përfaqësinë e pakicës shqiptare në legjislativ.
Në planin e ri hapësinor që është miratuar nga qeveria e Podgoricës një pjesë e mirë e pronave të shqiptarëve të Plavës e Gucisë është shpallur park kombëtar duke ua pamundësuar atyre që të nxjerrin të ardhura prej përdorimit tradicional të tokës së tyre.
Po ashtu kriporja e Ulqinit edhe pse dikur e mbrojtur si monument natyror është parashikuar të shndërrohet në truall të stërmadh ndërtimi që jo vetëm do të shkatërrojë ambientin, por edhe do të ndryshojë raportin demografik të popullsisë të kësaj komune duke u kthyer në një lloj kolonizimi që do e zvogëlojë peshën specifike të shqiptarëve aty.

Gjithashtu censusi i fundit u organizua në mënyrë të stisur që të ulej medoemos përqindja e shqiptarëve duke iu mohuar deklarimi kombëtar e fetar diasporës shqiptare si dhe duke shkaktuar parregullsi ne proces që synonin që të dekurajonin deklarimin e shqiptarëve si të tillë. Për rrjedhojë nga mbi 7 % shqiptarët në censusin e vitit të kaluar dolën më pak se 5%.

Së fundmi u miratua edhe ligji për rendin dhe qetësinë i cili do të pengojë që shqiptarët të përdorin hapur flamurin kombëtar shqiptar pasi ky ligj ndalon përdorimin e simboleve të shteteve të tjera. Kjo është padyshim një gjë shumë absurde, sepse pothuaj të gjitha shtetet e Evropës janë shtet-kombe, pra shumica e shteteve i mbajnë simbolet kombëtare edhe si simbole shtetërore dhe për rrjedhojë edhe minoritetet që këto kombe kanë në vendet fqinje përdorin si simbole kombëtare po ato simbole që janë simbole të shtetit amë. Nëse ky ligj do të ishte në mbarë Evropën vetëm një grusht minoritetesh do të mund të mbanin hapur simbole kombëtare pasi shumica e minoriteteve evropiane i kanë simbolet kombëtare të njëjta me ato të shteteve ku përbëjnë shumicën.

Në përgjithësi shqiptarët e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë kujtohen për bashkëkombësit në Mal të Zi në periudhën e gjallërisë së pushimeve verore dhe e kanë përshtypjen për ta shumë më të mirë se realiteti. Në të vërtetë si pasojë e diskriminimit të theksuar sot ka pothuaj njësoj shqiptarë të Malit të Zi në emigracion sesa që banojnë në vendlindje dhe mbi gjysma e pinjollëve të shqiptarëve të para një shekulli sot janë asimiluar e deklarohen boshnjakë apo muslimanac. Asimilimi dhe emigrimi masiv vijon akoma sot dhe këto masat e fundit kanë shërbyer si katalizator për të përshpejtuar këto procese.
E gjithë kjo situatë dhe tolerancë e Brukselit ndaj veprimeve që përkeqësojnë gjendjen e pakicave shqiptare në vende të ndryshme të Ballkanit lë të mendohet se politika e jashtme e vendeve të BE-së ka standarde të dyfishta.

Nga njëra anë Brukseli i bën presion Prishtinës që nëpërmjet të ashtuquajturave negociata tu jap edhe më shumë të drejta se ç’kanë prej pakos së Ahtisaarit serbëve të veriut, e nga ana tjetër s’ka fijen e ndjeshmërisë për përkeqësimin e gjendjes së pakicave shqiptare në tre shtetet sllave ku ata banojnë. Ky standard i dyfishtë në kurriz të shqiptarëve mund të vij si pasojë e miqësive historike me jugosllavët, namit të keq që kemi marrë në dekadat e fundit, faktit që ne kemi prioritet miqësinë me SHBA-në ose që kemi shumicën e kombit mysliman, por gjithsesi është e pandershme dhe e papranueshme. Nëse ish-fuqitë e mëdha evropiane nuk aplikojnë atë që ata vetë predikojnë pra nuk e mbajnë fjalën që japin, atëherë edhe shqiptarët nuk kanë më detyrim që të ndjekin me përulje naive zotimet që kanë marrë ndaj komunitetit ndërkombëtar. Nëse Bashkimi Evropian e bën të qartë që shpërblen guximtarët ose më saktë ata që janë të aftë të shkaktojnë më shumë rrëmujë rajonale, siç bën Beogradi me serbët e Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjës, atëherë edhe shqiptarët duhet të koordinohen nga Tirana e të kenë një qasje më proaktive që t’i përshtatet më mirë situatës së re që po përvijohet.

Në trend

Më shumë
Incidenti në Big Brother, reagojnë familjarët e Gertës: Ju kërkojmë ndjesë familjarëve të Gjestit nëse janë ndjerë keq

Incidenti në Big Brother, reagojnë familjarët e Gertës: Ju kërkojmë ndjesë familjarëve të Gjestit nëse janë ndjerë keq

Magazina

"A po don një copë bukë, bubi i vogël?" – Banorët ironizojnë dhe sulmojnë Gjestin

Magazina
Mbyllet afati kalimtar i janarit në top 5 ligat: Shumë transferimet u zyrtarizuan në fund

Mbyllet afati kalimtar i janarit në top 5 ligat: Shumë transferimet u zyrtarizuan në fund

Gyokeres tashmë ka vendosur se cilit klub dëshiron t’i bashkohet në verë

Gyokeres tashmë ka vendosur se cilit klub dëshiron t’i bashkohet në verë

Ndërkombëtare
Shëndeti mendor në fokus – stresi, sulmet e panikut, traumat e depresioni, flet psikologia Antigona Qenaj

Shëndeti mendor në fokus – stresi, sulmet e panikut, traumat e depresioni, flet psikologia Antigona Qenaj

Shëndetësi
Nga Duran te Kvaratskhelia dhe Khusanov - top 10 transferimet e janarit

Nga Duran te Kvaratskhelia dhe Khusanov - top 10 transferimet e janarit

Ndërkombëtare
Kalo në kategori