LAJMI I FUNDIT:

Përpjekja patetike për të denigruar At Gjergj Fishtën

Me rastin 140-vjetorit të lindjes së At Gjergj Fishtës dhe në 103-vjetorin e Kongresit Manastirit të Alfabetit të gjuhës shqipe, në Shqipëri siç duket, ka filluar një fushatë anti-fishtjane e kryesuar nga Arben Puto, i cili për kollajllëk citon italianin Roberto della Rocca, e i cili sipas At Vitor Demaj, përgjegjës i Bibliotekës Françeskane në Shkodër, ishte një anti-françeskan i përbetuar dhe antiklerik i njëanshëm.

“Besnikëria ndaj së vërtetës historike”, thotë Francis Sparkman, “ka të bëj me më shumë se vetëm hulumtime mbi faktet, sado durim dhe hollësi të nevojiten ato (hulumtime). Fakte të tilla mund të jenë të sakta e të hollësishme, por megjithëkëtë narrativi në tërësi mund të jetë i pakuptimtë dhe jo i vërtetë”. Shkrimtari ose historiani, sipas Sparkman, “duhet të përpiqet ta vendos veten në atmosferën e jetës dhe të frymës së kohës për të cilën shkruan. Ai duhet të studiojë ngjarjet dhe pasojat e tyre afatgjata e afatshkurta, si edhe të studiojë karakterin dhe sjelljet e pjesëmarrësve në ato ngjarje. Vetë (shkrimtari) duhet të vendosë veten si pjesëmarrës ose si spektator i ngjarjeve që përshkruan”, për të qenë i besueshëm.

Kjo fatkeqësisht nuk mund të pritet as nga historiografia as nga media shqiptare, sot për sot. Historia e shtrembëruar dhe e mohuar e Shqipërisë së 50-vjetëve të fundit vazhdon të shkruhet nga të njëjtit shtrembërues të historisë, të cilët me zellin e tyre komunist, me radikalizmin e mendimeve dhe pasionet politike i shkaktuan Shqipërisë dhe kombit shqiptar pasoja katastrofale, si rrjedhim i eksperimenteve të tyre shoqërore, duke e bërë periudhën e sundimit të tyre prej pothuaj 50-vjetësh, periudhën më me dhunë, më të pamëshirshme dhe të sakrificave të mëdha njerëzore të historisë së kombit.


Fatkeqësisht, intelektualë e historianë shqiptarë kanë sakrifikuar dinjitetin e tyre njerëzor dhe intelektual për hir të një pikëpamjeje politike e ideologjike të huaj, duke u bërë pjesëtarë të vullnetshëm të “luftës së klasave”, dhe të “luftës anti-imperialiste e anti-kapitaliste” të regjimit hoxhist. Revolucioni komunist idealizohej si fillimi i një epoke të re, i një sistemi shkencor të pagabueshëm dhe të pakorrigjueshëm. Gjatë dekadave, në radhët e intelektualëve, kjo shkaktoi vizione të shtrembëruara të fakteve mbi historinë dhe shoqërinë shqiptare – faktorë këta që më në fund bënë që ata të mbyllnin sytë përpara krimeve të tmerrshme monstruoze që po ndodhnin në shoqërinë, në të cilën jetonin. Ata i mbyllën sytë ndaj një sistem terrori, padrejtësisë, pabarazisë dhe i abuzimeve të pafund të të drejtave të njeriut.

Por kush çanë kokën për krimet e komunizmit?! Preokupimi i intelektualëve dhe historianëve shqiptarë sot është “fashizmi” i At Gjergj Fishtës. Megjithëse At Fishta ndërroi jetë më 1940, ai sikur ka monopolizuar vëmendjen e disa historianëve dhe të gazetarëve shqiptarë, sikur Fishta na qenka përgjegjës për krimet e fashizmit, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Greqi e në Ballkan. Çfarë mashtrimi intelektual! Turp! Pse nuk flasin e nuk shkruajnë intelektualët dhe historianët shqiptarë, përfshirë edhe Zotin Puto, për krimet e komunizmit kundër njerëzimit, pasi ishin dëshmitarë okularë? Ky është një standard i dyfishtë dhe i paturpshëm. Edhe një pjesë dërmuese e medias shqiptare tregon gjithashtu paturpësinë e saj të vazhdueshme në këtë fushë, duke u dhënë hapësirë dhe legjitimitet personave më të errët të atij regjimi, si Nexhmije Hoxha dhe Ramiz Alia, para se të vdiste. Bile-bile, Gazeta Shqiptare, në faqen e saj të Internetit kishte intervistën me Nexhmije Hoxhën, me rastin e 70-vjetorit të krijimit të partisë komuniste shqiptare dhe afër saj artikullin: Fishta: A ishte fashist?

Unë kam luftuar për dekada, kam luftuar për të drejtën dhe lirinë e shtypit kudo në botë, dhe nuk më pengon aspak intervista me Nexhmijen, Alinë apo me dreqin e mallkuar, por është detyra e gazetarit ose në këtë rast e gazetares të bënte pyetjet me qëllim nxjerrjen e ndonjë informacioni të ri, e jo t’i jepej asaj një platformë që të shprehte e lirë propagandën e saj – një liri që ajo dhe regjimi i saj ua mohuan shqiptarëve për dekada. Një pyetje me vend do të kishte qenë: Nexhmije (pasi duket se gazetarja kishte njohuri të afërt me te) siç keni parë, historiani ynë i famshëm Arben Puto ka shkruar rishtas duke ricikluar akuzat e vjetra se Gjergj Fishta paska qenë më fashist se ç’mendonim. Pasi është edhe 140-vjetori i lindjes së tij dhe 103 vjetori i Kongresit të Manastirit, në të cilin ai mori pjesë dhe ishte kryetar i komisionit, a mund të na thoni Shkëlqesia juaj se ku ia hodhët eshtrat atij fashisti?

Shumë veta brenda dhe jashtë vendit bëjnë pyetjen se pse po zgjatë tranzicioni postkomunist në Shqipëri. Shumica i vënë faj klasës politike, ndoshta me të drejtë. Por përgjegjësi madhore kanë edhe elementë të tjerë të shoqërisë, si klasa intelektuale dhe media. Fatkeqësisht duket se në Shqipëri ende ka nostalgjikë të mos them admirues të komunizmit, të cilët gjithnjë mendojnë se shtypja, eliminimi fizik, shpirtëror dhe kulturor, si edhe akuzat bazë e pa bazë kundër përfaqësuesve të asaj klase që konsiderohej si klasë armiqësore, me gjithë meritat e saj, si At Gjergj Fishta, edhe sot pas 20 vjet tranzicion është krejtësisht e pranueshme. Përkrahësit e tiranisë dhe të diktaturës komuniste, kurrë nuk kanë treguar shumë respekt për faktet, por faktet dhe e vërteta do të dalin në shesh. Faktet do të flasin vet, pa qenë nevoja të interpretohen, në një mënyrë të njëanshme, e të motivuar nga ideologjia e vjetër e historianëve dhe intelektualëve të ish-sistemit monist. Kjo do të ndodhë edhe me Fishtën dhe me të gjithë ata kundër të cilëve regjimi komunist dhe përfaqësuesit e tij nuk u ngopën për 50 vjet duke derdhur vrer kundër tyre.

At Gjergj Fishta nuk ishte pjellë e këtij sistemi. Ai mbetet mbrojtësi më i fortë i të drejtave të kombit shqiptar. Ai është babai i Alfabetit të gjuhës shqipe, poeti i kombit. Trashëgimia e At Gjergj Fishtës është e gjallë për brezat e ardhshëm të kombit, të cilët do ia vlerësojnë veprën e tij, jo nga pikëpamja marksiste-leniniste, por duke u bazuar në vlerat dhe kontributin historik të këtij njeriu të madh të kombit shqiptar.

Dje në qytetin e Manastirit, megjithëse nuk kishte ndonjë manifestim zyrtar as nga Shqipëria, as nga Kosova dhe as nga Maqedonia, për të shënuar 103-vjetorin e Alfabetit të gjuhës shqipe, projekt ky mbarëkombëtar i personaliteteve më të shquara të kombit asokohe, duke përfshirë edhe Kryetarin e Komisionit, At Gjergj Fishtën. Sipas agjencisë së lajmeve INA, një grup studentësh nga të gjitha trevat shqiptare në Ballkan mori një nismë për të marshuar drejtë Manastirit, duke deklaruar se “Së paku këtë ditë t’i nderojmë dhe t’i gëzojmë ata shqiptarë që çdo ditë jetojnë në Manastir me shpresën se një ditë ky popull do të zgjohet dhe do t’i përmirësojë gabimet që ka bërë dhe po bën për çdo ditë”.

E këtyre të rinjve, nga të gjitha trojet shqiptare – është e ardhmja e Shqipërisë dhe e kombit shqiptar, dhe jo e ekstremistëve trashëgimtarë të komunizmit. At Gjergj Fishta është krenar për këta të rinj të kombit me rastin e 103 vjetorit të Kongresit të Manastirit dhe në 140-vjetorin e lindjes së tij.

Shqypnia e Lirë

Po, por nesër, me ndimë të Zotit,
Do t’a bajm prap Shqypni t’lir
Prej Prevezet e m’Leqe t’Hotit,
Prej Tivarit e m’Monastir;
Edhe Flamuri i Shqypnis,
Si flakë mnijet t’Perendis,
Do t’valvitet në Kaçanik.
M’Kaçanik, po, do t’valvitet
Kuq e Zi, Flamri i Shqyptarëve,
Përse toka, shqyp ku flitet,
Ajo vetë asht që prej të Parvet
Trashigimin na e kemi pasë:
Mbrendë i juej ma s’do të shklasë,
Jo, po: na sod ktu sundojm;
Ktu s’hecë fjala e tjetër kuej;
Gjall lirinë na nuk e lshojm,
S’njohim mbret as krajl të huej,
Zoti n’qiell e na mbi tokë
Me gjithkendë vëllazën e shokë,
Por secili në cak të vet.
Prandej i hueji në andërr m’e pa
Se vjen kurr e shklet nder ne,
Drue se keq kishte me i ra.

Gjergj Fishta, Mrizi i Zanavet e Vallja e Parrizit

Në trend

Më shumë
Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Lajme
Kosovari vrau kushëririn në Zvicër pas konfliktit për një mur në Kosovë - gjykata jep detaje

Kosovari vrau kushëririn në Zvicër pas konfliktit për një mur në Kosovë - gjykata jep detaje

Lajme

"Ku ke qenë në luftën e Kosovës, çfarë ke bërë në 99' për vendin budalla", G Bani i drejtohet me fjalë të ashpra Gjestit pas përjashtimit të Jozit

Magazina
Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Magazina
Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Magazina

"Tiroli i Jugut si model për Asociacionin" Mandl: Jo një Republika Sërpska, duhet të jetë zgjidhje praktike, pa kërcënim

Lajme
Kalo në kategori