LAJMI I FUNDIT:

Universiteti është i studentëve, e jo i rektorit!

Thonë se protestat paqësore shprehin demokraci dhe ndodhin në vendet më demokratike të botës. Këtë madje e thonë nganjëherë edhe politikanët tanë, edhe pse fare nuk iu pëlqejnë ato. Do të ishte mirë sikurse të ishte kështu edhe në realitet. Por, për ta kuptuar që në realitetin tonë puna qëndron ndryshe, ndihmojnë reagimet e politikanëve apo “viktimave” pas çdo aksioni protestues. Shumë shpesh tek ne, pas protestave të ndryshme janë dënuar në forma të ndryshme autorët e protestave apo aksioneve simbolike. Kjo vetëm për një qëllim të qartë: që në vendin tonë të instalohet kultura e frikës për të reaguar ndaj padrejtësive. E, duke e ditur që në vendin tonë padrejtësitë janë të shumta, dhe çdo ditë në rritje, është e kuptueshme, madje e nevojshme që të ndodhin reagime në forma të ndryshme si demonstrata, protesta dhe aksione simbolike. Secila kategori e njerëzve në Kosovë ka arsye për të protestuar, duke filluar nga studentët e deri tek pensionistët.

Kushtet e mjerueshme në Universitetin e Prishtinës si mungesa e literaturës për studim, mungesa e profesorëve në ligjërata, përsëritja disa herë e tendencave për rritjen e pagesës për semestër, shkurtimi i bursave, mungesa e kushteve elementare në konvikte, mungesa e laboratorëve dhe kabineteve, e shumë e shumë arsye tjera, bënë që studentët të bashkohen dhe të fillojnë të organizohen për t’i luftuar këto padrejtësi.

Politikanët tanë e kanë shndërruar Universitetin e Prishtinës në një “qendër rehabilitimi”. Numri i studentëve në universitet e tejkalon numrin që universiteti ka kapacitet t’i mbajë, dhe kjo është një ndër arsyet pse mësimi nuk ka cilësi të lartë, sepse kapacitetet e universitetit nuk e përballojnë dot këtë numër të madh të studentëve. Por, politikanëve tanë nuk iu intereson cilësia e mësimit. Ata duan që studentët të angazhohen në studime, në mënyrë që të zvogëlohet numri i të pakënaqurve në një afat të shkurtër, sepse nëse këtyre të rinjve do t´iu mohohej edhe e drejta për studime, këta të fundit, pa pasur mundësi as shkollimi e as punësimi, shumë më shpejt do të revoltoheshin kundër pushtetit.


Në 41 vjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës, në ceremoninë që kishte organizuar rektorati i Thaçit (e quaj kështu ngase rektorati ndërrohet sa herë që ndërrohet pushteti) disa studentë, aktivistë të qendrës STUDIM KRITIKË VEPRIM që është qendër e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Universitetin e Prishtinës, gjatë një aksioni simbolik, ngjyrosën me ngjyrë të kuqe rektorin e UP-së. Arsyeja ishte shumë e shkurtër dhe e qartë – “pasi ai nuk po skuqet vet për gjendjen që e ka sjellë universitetin, do ta skuqim ne – studentët”. Të nesërmen, rektori Mujë Rugova, në një deklaratë për një medium e ka dënuar këtë akt të studentëve dhe i ka fyer rëndë studentët duke thënë që ata janë “gjak i prishtë dhe kopilë“, madje nuk është ndalur me kaq, por ka shkuar aq larg sa ua ka fyer edhe gjyshërit duke thënë që ata kanë „elemente sllave“.

Pak ditë pas, nga rektorati doli fjala se studentët pjesëmarrës në aksion do të përjashtohen përjetësisht nga Universiteti i Prishtinës për shkak se sipas tyre aksioni ndaj rektorit ka qenë sulm dhe jo shprehje e demokracisë. Nuk e di se çfarë nënkuptojnë këta zotërinjtë me demokraci ku në fakt pikërisht aksione të këtij lloji shprehin demokracinë e vërtetë të një vendi. Shembuj të aksioneve të tilla protestuese ka përplot anembanë botës, madje më së shumti në vendet demokratike, por reagime të tilla sikur ky i rektorit nuk më kanë rënë në vesh deri me tani.

Gjuha që përdori rektori dhe vendimi që këta studentë të përjashtohen nga UP-ja, tregon që rektori është në panik të madhe pasi që po e sheh se studentëve iu është mbushur kupa përplot me padrejtësi dhe tani po iu kundërvihen atyre. Ai, dhe ata që e vunë atë në pozitën e rektorit janë në hall të madh se si ta ndalin zërin kundërshtues të studentëve. Këtë e dëshmon fakti që në vend se pas atij aksioni protestues rektori të orvatej t’i përmbushte kërkesat e studentëve, ai përkundrazi po angazhohet me çdo kusht që ata studentë që e ngjyrosën t’i dënoj duke ua pamundësuar shkollimin në Universitetin e Prishtinës. Këtë e bëjnë, sepse mendojnë që me dënime të tilla e ndalin hovin e studentëve i cili veç ka nisur për t’i kundërshtuar ata, por ata harrojnë që studentët e këtij universiteti janë dënuar edhe gjatë regjimit serb, madje jo vetëm me përjashtime nga universiteti, por edhe me rrahje e me burgosje, dhe kurrë nuk janë ndalur së kërkuari të drejtat e tyre.

Këtij rektori shumë mirë i kujtohen demonstratat studentore masive të viteve ´97, ´98 e ´99 kundër regjimit serb. Në ato demonstrata është parë shumë qartë fuqia e studentëve për ndryshime. Nëse rektori nuk ka dëshirë që një fuqi e tillë të ngrihet tani kundër tij, ashtu si atëherë ndaj regjimit serb, ai duhet që të ndryshoj qëndrimet e tij kundrejt studentëve dhe menjëherë duhet që të filloj me plotësimin e kërkesave të tyre, e në qoftë se nuk është i aftë t’i plotësoj ato, atëherë le të jap dorëheqje, por assesi mos të mundohet t’i shtyp studentët se një gjë e tillë nuk do të lejohet kurrë. Universiteti nuk është i rektorit. Universiteti ka qenë, është, dhe do të mbetet i studentëve.

(Autori është student në Universitetin e Prishtinës)

Në trend

Më shumë
Aksident në Kroaci, autobusi nga Kosova del nga rruga - policia jep detajet e para

Aksident në Kroaci, autobusi nga Kosova del nga rruga - policia jep detajet e para

Kroacia

"Ia dolëm", Parashqevi Simaku lirohet nga spitali i New York-ut - biznesmeni Elton Ilirjani publikon pamje të artistes

Magazina

"Ku ke qenë në luftën e Kosovës, çfarë ke bërë në 99' për vendin budalla", G Bani i drejtohet me fjalë të ashpra Gjestit pas përjashtimit të Jozit

Magazina

"Kështu duket demokracia" - mijëra qytetarë në mbarë SHBA-në protestojnë kundër politikave të Trumpit

Amerika
Vdekja e 13-vjeçares shqiptare që tronditi Italinë, autopsia zbardh të vërtetën

Vdekja e 13-vjeçares shqiptare që tronditi Italinë, autopsia zbardh të vërtetën

Lajme
Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Magazina
Kalo në kategori