LAJMI I FUNDIT:

Nekrofilia politike dhe komercializimi i Dëshmorëve

“Para nesh rrinë krenar martirët që kohën e tyre e bënë epokë. Sa më i fortë kujtimi, aq më e madhe përgjegjësia për aktualitetin. Heronjtë bënë të tyren, po ne ku jemi? …Kujtimi zbehë realitetin, e djeshmja qëndron më lartë se e sotmja, vdekja për jetën më madhështore se vetë jeta, kushtrimi i djeshëm më shumë kushtrim i sotshëm”.

(Bahri Fazliu – Gzimi, Për Epokën mbas Epokës, qeshor 1994)

Është interesante (ama jo edhe për t’u habitur) mënyra qysh është duke e konstruktuar modelin identitar partia amorfe e Kurtit e cila me të shpallë gjakimin ambicioz si kandidate premtuese për pushtet, nisi ta purifikojë vetëvetën duke shkuar drejt të qenurit “politikisht korrekt”. Braktisja e përnjëhershme e identitetit ballafaques (nga droja ireale e ndonjë etiketimi të mundshëm) kushtëzoi nevojën e krijimit të ikonave të reja identitare e mitike në mënyrë që të ruhej imazhi tërheqës për masat. Në mënyrën më të përçudtë që madje tejkalon çdo kufi të njerzillëkut, funksionarët e partisë së Kurtit kanë nisë që 10 shkurtin e përgjakshëm të 2007’ës (ose Tiananmenin në versionin shqiptar) ta modelojnë si avatar të identitetit të tyre partiak, gjegjësisht ambicieve efemere politike. Gjatë fushatës parazgjedhore partia e Kurtit në mëtimet e saj për vota, përmes militantëve të saj jo rrallëherë i referohej emrave të Dëshmorëve të 10 shkurtit (Arben Xheladinit dhe Mon Balajt) duke krijuar mbresën e gënjeshtërt sikur ata të ishin dëshmorë privat të partisë. Sigurisht se as Moni as Arbeni në çastet e rënies nuk e kanë bërë hesap që do të vijë një ditë kur Kurti me shokët e tij, nga aktivistë do të bëhen si me magji politikanë të intrigave e manipulimeve të mëdha. Rënia e tyre heroike kuptimësohej edhe më prej përpjekjeve sizifiane të të rinjëve të ish lëvizjes ‘Vetëvendosje’ që sfidonin mjaft seriozisht autoritarizmin e autoriteteve të huaja në Kosovë që edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të sillen me fodullëkun më të madh ndaj nesh.


S’ka emër e s’ka koncept tjetër që të jetë dhunuar aq pamëshirshëm në Kosovë sesa ai i Dëshmorëve. Në të vërtetë, politikanë biznismenë ose politikanë përfaqësues të karteleve mafioze për ta fashitë mungesën e ligjshmërisë së tyre politike si egërsira nekrofile janë munduar ta përvetësojnë kapitalin moral dhe reputacionin e pavdekshëm të Dëshmorëve. Ata kanë marrë një guxim sa barbar aq edhe të krisur që të flasin në emër të Dëshmorëve dhe të rënëve për liri duke sajuar lidhje me ta në të kaluarën, duke sajuar miqësira e vullnete të përbashkëta me ta, aq sa në opinion krijohej përshtypja sikur politikanët biznismenë janë misionarët e gjallë të kauzës së Dëshmorëve, sikur politikanët ordinerë qenkan të blatuar për të vazhduar me pozita pushteti amanetin e atyre që janë nën dhe.

Në anën tjetër, parti e politikanë që me vetë ekzistencën e tyre shpërfillin veprën dhe idealet e Dëshmorëve, gjejnë mjetet dhe mënyrat që Dëshmorët t’i ndajnë në sfera interesi e krahine. Kësisoj njëra parti i ngrit ditiramb një dëshmori që pretendon se është i saj. Partia tjetër i përgjigjet me të njejtën monedhë; i ngre apoteozë dëshmorit të saj duke bërë orvatje që rënien e filan dëshmorit ta konvertojë në frymën e tanishme të interesave të saj ditore politike. Krimi më i përbindshëm që ka bërë politika e biznesit dhe karteleve mafioze në Kosovë është komercializimi (dmth tregtia) i dëshmorëve dhe ndarja e tyre nëpër taborre partiake a krahinore që i përgjigjet pak a shumë vijave të “zonave operative” të dikurshme.

Prandaj tani më shumë sesa kurrë më parë merr një kuptim të veçantë amaneti testamental i Dëshmorit të Kombit – Bahri Fazliu-Gzimi: “Nëse doni t’i njihni Dëshmorët – vazhdoni rrugën e tyre”. Por politikanët tanë (e këtu s’bën përjashtim as Kurti me shokët e tij) mendojnë se nderimi ndaj Dëshmorëve bëhet një herë në vit kur organizohet ndonjë akademi përkujtimore (ku lideri i partisë në emër të të rënit shpall plot patos ambiciet efemere të partisë) ose duke u përkulë e duke lënë një tufë lulesh para varrit të Dëshmorit – gjest i cili më pas përmes kamerave shitet si sinjal se lideri është bartës aktual i vizioneve të të rënit! Ka plot që ankohen e zemërohen për nëpërkëmbjen e familjeve të të rënëve, familje të cilat në të vërtetë janë duke u përpëlitë në luftë për ekzistencë. Por është njëqind herë më zemërplasës sesa gjendja e tyre e vobektë, fakti që familjari i tyre dëshmor (babai, vëllau, burri, kushëriri ose miku) keqpërdorët si imazh nga parti e politikanë që kanë ambicie veç për do lek më shumë.

Purifikimi

Plot njerëz e kanë duartrokitë nxehtësisht shkatërrimin e lëvizjes ‘Vetëvendosje’ dhe shndërrimin e saj në parti pedante politike, duke shprehë kështu edhe njëfarë lehtësimi prej bezdive që u shkaktonte ‘demosi’ i rrugëve. Ç’është e drejta duhet thënë se qenësimi i lëvizjes ‘Vetëvendosje’ jashtë caqeve parlamentare ka qenë mënyra më burimore e krijimit të një hapësire të re të politikës së pastër si kundërvënie ndaj moçalit zyrtar, në të cilin fluskonte injoranca e politikanëve me motive të ulta. Qenësia e një lëvizje në një pozitë të tillë (larg kufizimeve e ndikimeve realpolitike) mbase nuk premtonte të gjitha ndryshimet përnjëherë, por të paktën lejonte shfaqjen e një zëri politik plotësisht burimor të shumicës së qytetarëve të shpërfillur. Qenësia e një lëvizje të tillë jashtë caqeve konvencionale të politikës krijonte jo vetëm idenë e sfidimit të politikave të diktuara nga lart, por mbi të gjitha hidhte farat e kulturës qytetare për protestë e manifestime si forma të ligjshme të shprehjes së pakënaqësisë qytetare. Mirëpo pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit si pasojë e prapësisë së Kurtit i është dhënë mbase goditja më vdekatare e mundshme konceptit të ish lëvizjes ‘Vetëvendosje’, sepse si e tillë është delegjitimuar dhe çnderuar në procesin e improvizuar të zgjedhjeve të dhjetorit.

Plot plane e projekte të huaja që vinin në sprovë e pikëpyetje pavarësinë e Kosovës nuk e kanë pasë legjitimitetin e mjaftueshëm për aq kohë sa kishte njerëz që demonstronin rrugëve e lëvizje që thirreshin në emër të popullit. Tash e tutje një parullë e tillë është zhvlerësuar publikisht sepse asnjë projekt i ardhshëm politik që cënon profilin e pavarur të Kosovës nuk do të mund të kontestohet në emër të popullit përderisa shifrat e të votuarit janë në shpërpjestim të thellë me numrin që pretendohet se përfaqësohet. Shumë njerëz i kam dëgjuar të shprehin njëfarë galdimi patetik sesi me të hyrë në politikë Kurti me shokët e tij do të krijojnë një mendësi të re politike, por pak të tjerë janë të vetëdijshëm për shkallën e lartë të huajësimit konceptual të Kurtit me shokë.

Gjatë kohës së metamorfizimit në parti politike, Kurti i pat vënë vetës detyrë që të dyzojë qëllimisht dy kategori njerëzish brenda lëvizjes që po përjetonte agoninë e saj. Rrjedhimisht, Kurti duke përdorë kreativitetin e tij prej mashtruesi sajoi një grupacion ekstremist ose një dele të zezë brenda partisë së tij për ta paraqitë (para padronëve të tij të huaj) si fraksioni demoniak i partisë së tij që ishte fajtori kryesor për të kaluarën e dikurshme ‘anarkike’ që i kishte bezdisur për aq kohë ata. Përmes këtij fraksioni Kurti nisi ta modelojë imazhin e vetëvetës si një i moderuar që më në fund është shqitë prej frymës së dikurshme demoniake. Prandaj s’është aspak e habitshme pse Kurti tërheqi rreth vetës simpati prej miqve të huaj e vendorë.

A Fistful of Dollars

Është disi qesharak fakti sesa të sikletosur ndihen sot deputetët e Kurtit për të kaluarën e tyre të dikurshme sa ishin nën ‘robërinë’ e atij fraksioni demonik; prandaj bëjnë përpjekje të madha sesi të hiqen sa më të çideologjizuar e sa më puritanë pavarësisht se dikur aktivistët e lëvizjes ‘Vetëvendosje’ krenoheshin pa kurrfarë droje për profilin e tyre nacionalist me ngjyrime të lehta të së majtës. Me pak fjalë kjo është gjendja e pas metamorfozës e cila e ka stërkeqë jo vetëm politikisht por edhe moralisht Kurtin me shokë të cilët s’kanë zgjedhë kurrfarë mjeti për t’iu avitë lartësive eterike të pushtetit. Atje ata do të kenë luksin e dyfishtë aq të ëndërruar: pagat mbimesatare që do t’i marrin si deputetë dhe faltorën nga ku do të shpërthejnë me pasione oratorike. E gjej me vend të citoj diçka proverbiale prej filmave ‘western’ për arsyen e thjeshtë se realitetet e vrazhda të atjeshme ngjajnë si dy pika shiu me skenat politike këtu: “When a man’s got money in his pocket, he begins to appreciate peace” (Kur njeriu ka para në xhep, ai nis ta çmojë paqen). E marr me mend se për një kohë fare të shkurtër Kurti me shokët e tij deputetë do të nisin ta vlerësojnë lartë paqen aq sa do të luten për zgjatjen e saj gjër në paskajësi.

Kështu që nuk i mungojnë hiç notat komike as reklamës së shpifur që ia bëri W. Walkeri partisë së Kurtit në fushatën parazgjedhore se gjoja ata qenkëshin: “…the most democratic force in Kosovo…” duke shpërfillë me fodullëk faktin se për pesë vite me rradhë Kurti me shokët e tij të besueshëm kanë gjallnue në mënyrën më klandestine të mundshme: për pesë vite me rradhë jo vetëm që nuk e kanë bërë të qartë mënyrën e të financuarit, por as atë të llogaridhënies. Epo ja që jo-demokracitë e kanë të shprehur aspektin ceremonial – shenjë kjo e qartë e mungesës së demokracisë së brendshme. Transparencë financiare? Sigurisht se Kurti me shokë s’kanë mbetë gjallë prej 2 eurove të mia që i arkëtoja muaj për muaj në ‘thesarin’ e partisë. Përkundrazi, kjo monedha ime së bashku me monedhat e tjera (prej dy eurosh) të aktivistëve të tjerë xhepcekët e kanë mjegulluar transparencën financiare sepse është vështirë e besueshme që një parti të marrë guximin e ëndrrave për pushtet me gjithsejt 20 euro të arkëtuara prej bijve të saj të çeliktë!

Llogaridhënie? Jo për besë përderisa aktivistët qenë të prangosur me dhjetëra e dhjetëra detyrime e haraçe (sikur të ishin futur në një inkubator e jo në një lëvizje) pa gëzuar as edhe një të drejtë të vetme, madje as atë të integritetit e dinjitetit personal i cili shpeshherë është cënuar rëndshëm prej Kurtit dhe apostujve të tij që sot në mënyrën më të paskrupulltë kanë veshë petkun e deputetit. Llogaridhënie? Jo për besë përderisa idetë për aksione injektoheshin nga jashtë e legjitimoheshin nga brenda për t’u paraqitë si ide që buisnin prej mendjes kreative të drejtuesve. Është tejet provokativ fakti sesi lëvizja-parti bënte sikur udhëhiqej në mënyrë kolegiale prej Byros me dhjetë veta, kurse në ndërkohë Kurti me tre-katër vetë mbyllej në banesën e tij për sëndërgjimet e së ardhmes. Është edhe një stivë gjërash të tjera që vinë e m’i rrëfejnë njerëzit e pakënaqur e të deluzionuar të Kurtit të cilët janë katandisë për gjynah: ndihen aq të tradhëtuar prej Kurtit i cili tanimë as që i honeps për shkak se e pandeh vetën tejet të fuqishëm sa për të mos çarë kokën me kërkesat e adjutantëve të së djeshmës…

To be continued

Në trend

Më shumë

"A po don një copë bukë, bubi i vogël?" – Banorët ironizojnë dhe sulmojnë Gjestin

Magazina
Mbyllet afati kalimtar i janarit në top 5 ligat: Shumë transferimet u zyrtarizuan në fund

Mbyllet afati kalimtar i janarit në top 5 ligat: Shumë transferimet u zyrtarizuan në fund

Gyokeres tashmë ka vendosur se cilit klub dëshiron t’i bashkohet në verë

Gyokeres tashmë ka vendosur se cilit klub dëshiron t’i bashkohet në verë

Ndërkombëtare
Incidenti në Big Brother, reagojnë familjarët e Gertës: Ju kërkojmë ndjesë familjarëve të Gjestit nëse janë ndjerë keq

Incidenti në Big Brother, reagojnë familjarët e Gertës: Ju kërkojmë ndjesë familjarëve të Gjestit nëse janë ndjerë keq

Magazina
“Ngjarjet në ndeshjen ndaj Espanyol  kanë tejkaluar çdo kufi të gabimit njerëzor” - Real Madridi reagon ashpër ndaj gjykimit

“Ngjarjet në ndeshjen ndaj Espanyol kanë tejkaluar çdo kufi të gabimit njerëzor” - Real Madridi reagon ashpër ndaj gjykimit

La Liga
Grenell kritikon Kurtin, a po përfshihet SHBA në zgjedhjet e Kosovës?

Grenell kritikon Kurtin, a po përfshihet SHBA në zgjedhjet e Kosovës?

Politikë
Kalo në kategori