LAJMI I FUNDIT:

Kostoja dhe përfitimet e koalicioneve

Që nga fillimi i historisë së koalicioneve qeverisës në botën demokratike e gjerë në ditët tona ende nuk kemi mësuar të paktën nga ky udhëtim interesant përpjekjet e duhura për të gjetur një mendim të përbashkët të krijimit të koalicioneve qeverisëse stabile, kredibile dhe në afërsi ideologjike, duke ditur se shumica e protagonistëve gjatë proceseve politiko-historike kanë pasur pikëpamje të ndryshme ideologjike-partiake dhe normalisht se koalicioni apo martesa nuk ka pasur një jetëgjatësi dhe një stabilitet të fuqishëm institucional.

Duke ditur se asnjë nga partitë politike në Kosovë nuk ka dal parti fituese absolute, dhe gjithashtu duke ditur se sistemi proporcional i cili po ashtu tregon se në një pluralizëm partiak është e vështirë të qeverisë vetëm një parti. Sepse, asaj i mungon fuqia e votës dhe mungesa e legjitimitetit të plotë politik, kështu si rezultat i kësaj vjen deri te krijimi i koalicioneve (të mëdha – shkak i unitetit kombëtar; dhe të ngushta – shkak i kostos dhe lojërave normale të palëve) të cilat bëhen për të forcuar legjitimitetin e përgjysmuar politik në njërën anë dhe për të përmbushur kuotën e madhe të votës apo vullnetit të popullit, por edhe atij politik në anën tjetër ashtu që vendimet dhe ligjet të jenë më lehtë të kalueshme. Prandaj për t’i dhënë qeverisë një shkallë të lartë të legjitimitetit politik duhet të krijohet një ambient i ri i zhvillimeve të përgjithshme në sistemin politik të vendit duke vendos kështu një rend të ri të protagonistëve për të qeverisur së bashku në mënyrë të efektshme, stabile dhe për të pasur një jetë të gjatë martesore.

Historikisht janë treguar si koalicione relativisht të qëndrueshme dhe jetëgjatë nëse kabineti qeverisës i koalicioneve është i bazuar mbi shumicën në parlament dhe nëse ky kabinet i qeverisë së koalicioneve është i ngushtë dhe me një opozitë konstruktive dhe të fuqishme, sepse në rast të tillë do të kishim një qeveri të fuqishme, gjithashtu përball një opozite të fuqishme, e cila e nxit dhe është e aftë të shpie përpara proceset e vendit në të gjitha drejtimet.


Ndërsa në kuadër të kësaj duhet nënvizuar se edhe koalicionet jo të qëndrueshme, sidomos ato me përzierje të partive të vogla apo të pakicave dhe blerja e deputetëve për të mbajtur gjallë kabinetin qeverisë të koalicionit janë treguar historikisht si të dëmshme dhe praktikisht jostabile për proceset e rëndësishme të vendit, sepse në rast se do të kishim një kabinet të qeverisë së koalicioneve që do të kishte mungesë të shkallës së legjitimitetit të lartë politik dhe poashtu do të kishte mungesë të shumicës parlamentare, atëherë gjithnjë do të ekzistonte rreziku që në rast të një vote mosbesimi të qeverisë ajo do të mund të binte shumë shpejt apo në ndonjë projekt të rëndësishëm për të ardhmen e vendit dhe proceseve politike e institucionale, do të mund të kishte lëvizje që do të shkundnin më pastaj themelet e këtyre koalicioneve, gjithnjë për shkak të mospajtimeve apo mosmarrëveshjeve.

Nga kjo duke ditur se partitë me bindje të ndryshme ideologjike, nëse futen në koalicion ato të vetmen pikë që mund të pajtohen është pika e bashkëpunimit, por jo edhe e politikës së përbashkët qeveritare për shkak të orientimeve të ndryshme ideologjike dhe programore. Prandaj gjithnjë këto koalicione kanë tendenca gjatë rrugëtimit të tyre të jetës martesore të kenë probleme që shkojnë herë në rrafshin e ngrirjes së brendshme të një pjese, e herë të mbylljes së veprimit të proceseve, gjë që shkakton një mosmarrëveshje dhe ngecje në realizimin e projekteve qeveritare dhe synimeve tjera gjatë rrugëtimit të shtetit.

Në lidhje me këtë duhet nënvizuar se shkaku i përfshirjes së partive me orientime ideologjike të ndryshme jo gjithherë mund të ketë ujdi për rrugëtimin e tyre të përbashkët në zbatimin e plotë të politikës qeverisëse brenda koalicionit të përbashkët. Kjo ndodhë edhe për atë se koalicioneve të tilla iu mungon mendimi i popullit dhe elektoratit, dhe se ato nuk kanë asnjë avantazh për të bërë një qeverisje të mirë për shkak të orientimeve ideologjike tepër të mëdha. Por nëse kemi një qeveri të koalicionit me orientime të përafërta ideologjike, por jo në gjithçka të përbashkëta, atëherë këtu kemi të bëjmë me një avantazh që në një mënyrë apo tjetër pasqyron mendimin popullor të elektoratit dhe kjo e rritë jo vetëm fuqinë e koalicionit, por edhe e mbanë atë stabil dhe e bënë të realizoj gati në tërësi projektet dhe politikën e përbashkët qeverisëse të palëve kontraktuese që dëshirojnë ta udhëheqin së bashku vendin në rrugën e tij.

Ndërkaq kostoja dhe përfitimet e palëve në ndërtimin e koalicioneve lindin si rezultat i variacioneve me qëllim që në mënyrë sistematike duke mos lëshuar asnjë mundësi ata përcaktojnë e ripërcaktojnë qëndrimet e tyre ashtu që politika dhe orientimet e ardhshme të qeverisjes të jenë më lehtë të realizueshme në bazë të marrëveshjes së përbashkët qeverisëse të koalicionit të partive dakorduese.

E gjithë kjo na çon tek ajo që gjatë përpjekjeve të partive për të bërë koalicion duhet analizuar thellë aktorët e lojës në ndërtimin e koalicioneve, pastaj motivet themelore të bashkëbiseduesve për ndërtimin e koalicionit të përbashkët, profilet dhe orientimet ideologjike, identitetin politik e ideologjik të partive që dëshirojnë të ndërtojnë koalicion të përbashkët, qëndrueshmëria në rast formimi të koalicionit të partive dhe politika e përbashkët apo jo qeverisëse etj.

Shtetit të mbikëqyrur të Kosovës nuk i nevojiten koalicione të lehta, të pafuqishme as të llojit të koalicioneve që kurrë nuk i mbrojnë mandatet deri në fund, prandaj ndonjëherë koalicionet që janë të mundshme matematikisht janë ideologjikisht të parealizueshme, gjë që shteti mund të ketë probleme me egot e palëve që kanë rënë dakord matematikisht për të ndërtuar koalicionin. Ky lloj i koalicioneve do të ishte tepër shqetësues, sepse do të mund që në të ardhmen këto koalicione të provokojnë kriza dhe probleme, ku një gjë e tillë do të ishte e dëmshme për proceset e shtetit në rrugën e forcimit të tij dhe të integrimit në strukturat euroatlantike, sepse duhet ditur se tani Kosova nuk ka kohë për të humbur në rrugën drejt së ardhmes së saj.

Nga e gjithë kjo duhet thënë se shtetit të mbikëqyrur të Kosovës nuk i nevojitet një koalicion i egove apo siç nënvizonte nëpunësi anglez i këshillit konfidencial në vitin 1821, Charles Greville se “në kabinet janë të pranishëm pesë apo gjashtë burra që mbahen si të parë, me pretendime të barabarta, ose afërsisht të barabarta, asnjëri prej tyre nuk ka të ngjarë të pranojnë superioritetin apo shtyjë për mendimet e ndonjë tjetri dhe çdo njëri nga këta pesë apo gjashtë veta e konsideron veten kompetent dhe më shumë të rëndësishëm se kryeministri i tyre”.

Ky konkluzion i këtij nëpunësi vjen nga përvoja e gjatë pasi që ai kishte kryer këtë detyrë për gati dyzet vjet, por gjithashtu në kuadër të kësaj duhet theksuar se ai kishte shërbyer si një njeri që kishte marrëdhënie të përhershëm me krerët e të gjitha partive në pushtet që vinin e shkonin njëra pas tjetrës. Me një fjalë Kosova si shtet nuk ka nevojë për triumfe të shkurtra të ndërtimit të koalicioneve vetëm sa për të shtrënguar duart dhe për të pirë nga një gotë whisky, po ashtu Kosova nuk ka nevojë për një koalicion me një start të stuhishëm të punës, e me një përfundim të hidhur. Këtë tanimë e dimë të gjithë nga përvoja se Kosova dhe populli i saj nuk i donë koalicionet jetëshkurtra, të cilat e ndalin orën e punës, zhvillimit, forcimit të shtetit juridik e demokratik dhe proceseve te integrimit në strukturat euroatlantike. Prandaj vetëm duke ndërtuar një koalicion stabil qeverisës, me vizion të qartë europian, të aftë dhe duke qëndruar fuqishëm të gjithë në unitet kombëtar mund ta shpëtojnë Kosovën nga shigjetat e liga të demonëve si nga jashtë ashtu edhe nga brenda dhe ta zhvillojnë sigurt vendin në rrugën e tij historike. Shikuar realisht tani në nivelin kombëtar shtetit të mbikëqyrur të Kosovës i nevojitet një politikë e mençur shtetërore dhe institucionale me vizion të qartë për të bëra hapat e sigurt të ecjes dhe zhvillimit të vendit, pastaj të proceseve të integrimit në familjen evropiane.

Nisur nga kjo shtetit të mbikëqyrur të Kosovës tani i nevojitet një koalicion që ka aftësi dhe vizion për të sfiduar të gjitha problemet dhe gurët e hedhur si pengesa nga armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm, si dhe të punoj fuqishëm në forcimin e pozicionit të brendshëm e të jashtëm gjeopolitik dhe gjeostrategjik. Apo siç deklaronte politikani anglez në mars të vitit 1917, David Lloyd George se “…kombi (vendi-shënimi im) tani është në një gjendje të shkrirë: ai është i epshëm tani dhe do të vazhdojë të jetë kështu për një kohë të shkurtër pas luftës, por jo për një kohë tepër të gjatë”. Ndërsa shikuar në nivelin shtetëror të gjithë akterët politikë të vendit duhet të punojnë për të eliminuar defektet dhe dukuritë negative si : korrupsionin, krimin e organizuar, rrezikun nga terrorizmi etj. etj. Ndërsa në anën tjetër duke vënë një themel të mirë për të ardhmen pastaj duke mbajtur sytë e tyre të hapur dhe duart e tyre të lira do të mund të punojnë me një energji edhe më të mëdha në bërjen e Kosovës shtet juridik ku sundon ligji dhe ku janë të respektuara të gjitha të drejtat themelore njerëzore, të zhvilloj ekonominë shtetërore, të plotësoj standardet e nevojshme për të hyrë në procesin e integrimeve në Unionin Evropian dhe të aktivizoj diplomacinë energjike që në një të ardhme të afërt Kosova të jetë pjesë e OKB-së si shtet brenda kësaj organizate të rëndësishme ndërkombëtare.