LAJMI I FUNDIT:

Liria e lëvizjes nuk është favor, por detyrim

Vendimi i fundit i Parlamentit Evropian (PE) i dha dritën jeshile ministrave të brendshëm të vendeve që aplikojnë marrëveshjen Shengen që duke filluar nga fundi i këtij viti të mund të lejojnë lëvizjen e lirë të shtetasve shqiptarë dhe atyre boshnjakë. Ky vendim, megjithëse i vonuar në mënyrë paradoksale, përbën lajtmotivin e çdo lajmi jo vetëm në këto dy vende por edhe më gjerë.

Mediet ndërkombëtare, dhe sidomos ato të Francës, Danimarkës dhe Finlandës, janë marrë me analizën e asaj që ky liberalizim do sjellë. Megjithëse vende të tjera si Anglia apo Gjermania ishin ato që u përballën me “pasojat” e anëtarësimit të vendeve të reja si Bullgaria dhe Polonia duket se vetëm fakti i lëvizjes së lirë, pa nevojë vize nga ambasada përkatëse, ka ndezur dritat e alarmit në disa kancelari evropiane. Frika e një fluksi të madh “vizitash” nga këto dy vende rrit problematikën politike brenda kampeve qeverisëse. Parisi zyrtar, i përfshirë tashmë nga një fushatë kundër popullsisë rome, ka marrë tashmë në kurrizin e tij edhe oponencën e liberalizimit të vizave me dy vendet e Ballkanit Perëndimor. Niveli i lartë i papunësisë, ekonomisë formale dhe korrupsionit duket se janë elementët që forcojnë frikën në Saint Elyse. Paqëndrueshmëria politike dhe zhvillimi demokratik i avashtë ngrenë pikëpyetje në aftësisë e këtyre vendeve për të kontrolluar trafikun në dalje të kufijve të tyre.

Një frikë e tillë përbën në vetvete edhe një lloj dështimi të diplomacisë evropiane në drejtim të këtyre vendeve. Shqipëria, duke qenë në mënyrë konstante nën ndikimin dhe “kontrollin” e Brukselit nuk ka arritur të vërë kapakun mbi “tenxheren e konflikteve politike” e cila vazhdon të zieje në një zjarr të pashtershëm. Mesazhet që Brukseli u dërgon zyrave politike përkthehen në mënyrat që u pëlqejnë atyre duke qenë se brenda një letre një paragraf mbështet njërën dhe një paragraf tjetrën. Mesa duket diplomacia e Brukselit mendon se dishepujt politikë të Tiranës janë aq të zgjuar sa të arrijnë të lexojnë së bashku letrën e mentorëve të tyre, por gabohen.


Bosnja duket jo vetëm si një Turqi në miniaturë por në sytë e disave në BE ajo sjell një pako të plotë me dy besime fetare ku njëri padrejtësisht personifikon frikën e myslimanizmit ekstrem, ndërsa tjetri personifikon pamundësinë e bashkëpunimit duke mbajtur në supe jetë të humbura nga luftëra të pakuptimta për dominancë politike dhe territoriale. Po ashtu ajo sjell me vete edhe një sistem qeverisje me bazë rotacioni por që nuk arrin të bashkojë as futbollistët e kombëtares e jo më popullatën e ndarë në kampe krejtësisht të ndryshme. E gjendur nën “administrim” ndërkombëtar që nga marrëveshja Dejton, Bosnja është kthyer në dështimin e radhës të diplomacisë ndërkombëtare. Lënia e saj jashtë dere do mund të përkthehej në destabilitet rajonal.

Për tu rikthyer tek vendimi i fundit i PE-së, ai në vetvete është një “dream come true” për shtetasit e këtyre dy vendeve që megjithëse e duan dhe vlerësojnë lirinë më shumë se një pjesë e banorëve të BE-së ata nuk kanë pasur mundësinë të trajtohen denjësisht, së paku në të drejtën e tyre të lëvizjes. Kalvari i vuajtjeve për të siguruar një vizë për në vendet Shengen duket se ka marrë fund, ose të paktën do zhvendoset tashmë në një tjetër fushë, atë të kontrolleve kufitare në vendet e BE-së.
Liberalizimi i vizave nuk duhet konsideruar si një akt bamirësie ndaj këtyre vendeve por si një detyrim që BE kishte ndaj tyre për shkak të mosangazhimit serioz gjatë 2 dekadave të kaluara. Paaftësia e vendeve Evropiane për të gjetur një gjuhë mirëkuptimi bëri që mijëra jetë të pafajshme të bëhen viktima të një lufte që armiqësoi, ndoshta përgjithmonë, dy popuj që kishin jetuar në një harmoni të pranueshme për vite me radhë. Nuk duhet konsideruar si favor as për shqiptarët sepse janë këto vende të BE-së të cilat i trajtuan shqiptarët në mënyrë raciste duke i detyruar kështu të hynë në rrugën e veprimeve antiligjore dhe punës së zezë.

Secili nga diplomatët e BE-së duhet të shihet në pasqyrë sa herë që përmend Ballkanin dhe t’i bëjë pyetjen vetes: A ka ardhur koha ti japim fund “aparteidit” ndaj kombeve ballkanase? Është koha për zgjidhje të pranueshme në Ballkan, larg nga rindarjet artificiale të territoreve të cilat kënaqin dëshirat momentale politike por ndezin dhe mbajnë ndezur zjarrin e nacionalizmave ekstreme.

Në trend

Më shumë
Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Lajme
Edhe Daut Haradinaj reagon për Gjestin: Ai është një bir shqiptari

Edhe Daut Haradinaj reagon për Gjestin: Ai është një bir shqiptari

Magazina
Kosovari vrau kushëririn në Zvicër pas konfliktit për një mur në Kosovë - gjykata jep detaje

Kosovari vrau kushëririn në Zvicër pas konfliktit për një mur në Kosovë - gjykata jep detaje

Lajme

"Tiroli i Jugut si model për Asociacionin" Mandl: Jo një Republika Sërpska, duhet të jetë zgjidhje praktike, pa kërcënim

Lajme

"Ku ke qenë në luftën e Kosovës, çfarë ke bërë në 99' për vendin budalla", G Bani i drejtohet me fjalë të ashpra Gjestit pas përjashtimit të Jozit

Magazina
Katër shembuj të “mbështetjes së pafund” të Trumpit për Izraelin

Katër shembuj të “mbështetjes së pafund” të Trumpit për Izraelin

Botë
Kalo në kategori