LAJMI I FUNDIT:

Negociatat për veriun dhe naiviteti i pranimit te shkëmbimit të territoreve

Në këtë periudhë vendin e entuziazmit të vendimit të GJND-së e ka zënë sikleti i rezolutës serbë dhe përfolja e negociatave të reja që më sa duket kanë për të vënë në tryezë fatin e veriut të Kosovës. Fakti që negociatat janë duke u kërkuar prej Serbisë tregon qartë që ato s’janë në interes të Kosovës. Me këtë nismë qeveria serbe po përpiqet të siguruar maksimumin nga Kosova në minimumin e kohës meqenëse përpjekjet e saja me diplomacinë dhe me strukturat paralele nuk kanë pasur sukses. Faktikisht mes serbëve po rritet vazhdimisht integrimi në shtetin e ri kosovar. Për shembull është rritur numri i të kthyerve, janë shtuar ndjeshëm mediet lokale serbe, janë shumëfishuar formacionet politike serbe që marrin pjesë në zgjedhjet e Kosovës, mbi 20 mijë serbë kanë marrë dokumentet kosovare të identifikimit, është shtuar numri i serbëve në administratën publike etj. Gjithashtu pjesëmarrja e serbëve të veriut në zgjedhjet e strukturave paralele në maj ishte vetëm 28% kurse pjesëmarrja e serbëve të Parteshit në qershor qe mbi 65%.

Pavarësisht se këto fakte tregojnë që përpjekja për reintegrimin e serbëve nuk është aspak një luftë e humbur, nëpër qarqet shqiptare po forcohet një mendim disfatist për të ardhmen e veriut. Gjithnjë e më shumë persona kyç të vendimmarrjes dhe opinionbërjes po thonë nën zë se veriu i Kosovës mund të sakrifikohet për hir të njohjes nga Serbia dhe përfitimit të anëtarësisë në OKB. Kjo naivitet është fatkeqësisht i pranishëm edhe tek politikanët e Tiranës të cilët flasin lirshëm për shkëmbime territoresh sikur të flisnin për gurë shahu. Edhe mes ndërkombëtarëve, sidomos pas mungesës së efikasitetit të qeverisjes dhe nivelit të lartë të korrupsionit, është duke u krijuar një zhgënjim dhe lodhje lidhur me ecurinë e Kosovë që po i shtyn të mendojnë se veriu po shndërrohet në një gangrenë që duhet të amputohet shpejt për të shpëtuar pjesën tjetër të trupit të Kosovës. Kjo lloj sosje durimi me Kosovën demonstrohet edhe nga mungesa e përpjekjeve të UNMIK-ut, KFOR-it dhe EULEX-it për të ndihmuar në vendosjen e një situate normale në veri, në reintegrimin e veriut me pjesën tjetër të Kosovës dhe në heqjen e strukturave paralele të komanduara nga Beogradi.

Mbështetja që po manifestohet mes shqiptarëve për shkëmbimin e veriut të Kosovës me luginën e Preshevës është një iluzion naiv i rrezikshëm për fatin e shqiptarëve. Ulja e qeverisë kosovare në tryezë për të diskutuar për shkëmbim territori thjesht do konfirmojë tek ndërkombëtarët qe veriu nuk është i shtrenjtë për kosovarët. Ky hap do të rrezikojë integritetin e shtetit të Kosovës pa garantuar aneksimin e luginës së Preshevës.


Madje ka shumë gjasa që skenari të jetë kundërproduktiv për bashkëkombësit e Preshevës. Shkëputja e veriut të Kosovës me siguri do të nxisë shumë nga serbët e jugut të lëvizin drejt veriut dhe ky largim mund të çojë në reprezalje ndaj shqiptarëve të luginës së Preshevës duke shkaktuar shpërnguljen e tyre. Sot mund të thuhet se mbajtja e veriut dhe e një përqindje domethënëse serbësh brenda territorit të Kosovës është e vetmja garanci për mbijetesën e pakicës shqiptare në Serbi. Heqja dorë nga veriu dhe pranimi i shkëputjes nuk ka për të qenë një ilaç çudibërës që t’iu heqë qeveritarëve të Prishtinës kokëdhimbjen e shkaktuar prej serbëve. Me marrjen e veriut të Kosovës, Beogradi nuk ka për t’u ndalur sepse në jug do ngelen monumentet kryesore fetare dhe shumë serbë të tjerë. Përveç dëmit politik dhe simbolik, e ardhmja ekonomike e Kosovës do vihej në pikëpyetje nga shkëputja e veriut. Liqeni i Gazivodës që ndodhet në Zubin Potok është burimi nevralgjik sepse siguron ujë të pijshëm për një pjesë të mirë të popullsisë si dhe vazhdimësinë e prodhimit të energjisë elektrike dhe të funksionimit të industrisë minerare . Me shkëputjen e veriut do gjymtohej pasuria nëntokësore pasi minierat e plumb-zinkut në Bellobërdo, Ciçavicë dhe Cërnac si dhe një pjesë e Trepçës gjendjen në pjesën veriore. Për mos të folur pastaj për humbjen e pasurive në pyje, kullota dhe tokë bujqësore.

Prandaj i gjithë faktori shqiptar në Ballkan e diasporë duhet të mobilizohet e ta bëjë të qartë që pakoja e Ahtisaarit ka qenë shumë më tepër sesa duhej lëshuar nga Prishtina ndaj një populli që s’ka treguar fijen e pendesës për krimet e shkaktuara. I duhet thënë ndal njëherë e mirë tratativave që mbartin kosto vetëm për shqiptarët. Nëse ndërkombëtarët bëjnë presion për negociata që synojnë aneksimin e veriut të Kosovës nga Serbia atëherë lind e drejta legjitime që shqiptarët të kërkojnë automatikisht të njëjtin standard homogjeniteti etnik që po iu jepet serbëve, dhe të pretendojnë bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare të Ballkanit në një shtet të vetëm shqiptar.

Në trend

Më shumë
Drenusha Latifi pranon në takim Atillën, vendosin të 'pajtohen' për hatër të fëmijëve

Drenusha Latifi pranon në takim Atillën, vendosin të 'pajtohen' për hatër të fëmijëve

Magazina

"Nuk mund të bërtasësh Serbi, Serbi në një stadium përballë një populli të masakruar" - gazetari rumun shumë kritikues ndaj tifozëve

Përfaqësuesja e Kosovës
Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës

Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës

Magazina
Suspendohen dy gjyqtarët e UEFA-s pas gabimit të rëndë në Ligën e Kombeve

Suspendohen dy gjyqtarët e UEFA-s pas gabimit të rëndë në Ligën e Kombeve

Ndërkombëtare
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së

Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së "po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”

Evropa
Kalo në kategori