LAJMI I FUNDIT:

Ekzaltimi i pavend

Pati një ekzaltim të shtuar në lidhje me atë që u quajt “triumf” i ministrit të Jashtëm të Kosovës në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kjo lloj gjendjeje emocionale që përfshiu një masë të qytetarëve, të cilët gjithsesi janë të etur të dëgjojnë dikë që ia numëron në sy krimet e luftës Serbisë, ishte edhe më i theksuar te klasa politike. Kryeministri i vendit, ministra, apo deputetë u mburrën në parlament se ministri Hyseni paska bërë një prezantim të shkëlqyer.

Nuk mund të mohohet se disa momente të prezantimit të tij meritojnë fjalë të mira. Por duhet theksuar, momente. Mes tyre ishte edhe një letër e sekretarit të Ministrisë Serbe për Kosovën, Oliver Ivanovic, e cila në mënyrë eksplicite sqaronte se penjtë e serbëve të Kosovës tërhiqen në Beograd. E po kështu thirrja diplomatike që kryeqyteti serb t’i lërë serbët e Kosovës të integrohen në institucione.

Më pëlqeu disi edhe retorika për të folur për të ardhmen e marrëdhënieve që gjithsesi i kanë rrënjët në të shkuarën, mirëpo pjesa tjetër, për të gjitha ata që njohin gjuhën diplomatike, e në radhë të parë ata ambasadorë që përfaqësonin vendet e tyre në OKB, kurora e fitores nuk i takonte ministrit të Kosovës. Fytyra e vrenjtur e presidentit serb apo edhe largimi i tij i parakohshëm nga seanca jo domosdoshmërisht mund të interpretohen si dështim i tij. E as shprehja e gjysmëkeqardhjes për atë çfarë ka ndodhur në Kosovë gjatë vitit 1999. Që kjo është strategji e tij dhe politikës që përfaqëson u pa edhe me vendosjen e kurorave me lule tek viktimat e Srebrenicës.


Por ministri Hyseni, i vetëdijshëm për audiencën që po e ndiqte “gojëhapur” në vendin e tij, nuk i shpëtoi dot tundimit për të bërë një “quasi” fushatë elektorale. I entuziazmuar nga ky lloj marketingu, i cili ishte më se i dukshëm edhe vizualisht, ministri Hyseni harroi apo ngatërroi disa fakte shumë esenciale, ndërsa shkëmbente replika me presidentin serb. Ai harroi apo nuk kishte informacionin e duhur, për ngjarjen që prej vitesh Serbia e trumpeton në Këshillin e Sigurimit si dhunë të shqiptarëve ndaj serbëve, pra marsin e vitit 2004. Në këtë ngjarje nuk janë vrarë 18 serbë siç përsëriti aty ministri i jashtëm i Kosovës por 18 persona, nga të cilët 12 ishin shqiptarë. Ky është një fakt i rëndësishëm, të cilin gjuha diplomatike profesionale do të bënte të vetin.

Sërish në lidhje me këto ngjarje presidenti serb, duke përmendur arrestime e dënime që shteti i tij ka bërë për krimet e luftës në Kosovë, me djallëzinë për të vënë në një peshore dy realitete që ngjajnë me njëri- tjetrin aq sa ngjan nata me ditën, tha se nuk është arrestuar dhe dënuar njeri. Përgjigja që mori ishte heshtja. Ministri i jashtëm i Kosovës me siguri nuk e ka pasur informacion se për ngjarjet e marsit janë arrestuar dhe pjesa më e madhe dënuar, mbi 150 shqiptarë. Shënime të sakta për këtë ka UNMIK-u, i cili do të duhej përmendur se ka qenë edhe përgjegjësi për të bërë drejtësi në lidhje me këtë rast.

Është e rëndësishme vigjilenca për ngjarje të tilla sepse edhe pse të gjithë jemi dëshmitarë në lidhje me çfarë ka ndodhur ato dy ditë, ka një tendencë mitizimi nga ana e politikës serbe, një mitizim i ngjashëm me atë se pas luftës janë dëbuar e larguar 250 mijë serbë nga Kosova, për të mos iu kthyer miteve të historisë së shekullit të XX në lidhje me shpërngulje e dhunë të shqiptarëve ndaj serbëve të Kosovës.

Historia e Kosovës veçanërisht kjo e viteve të fundit mund të jetë gjithmonë si asi nën mëngë për çdo diplomat, mirëpo përdorimi i saj do mjeshtëri. Këmbëngulja për një përdorim në masë të madhe krijon kundërefekt. Për faktin e thjeshtë se ata diplomatë kanë dëgjuar, vijnë apo përfaqësojnë vende me histori të pashembullta të brutalitetit njerëzor. Fatkeqësisht bota është një vend ku vuajtja njerëzore është larg fundit. Një vuajtje e ngjashme mori fund në Kosovë, e cila ishte shumë më me fat sepse ishte pjesë e Evropës.

Në këtë kuptim, sensibiliteti kurrsesi nuk mund të rritet si në një koncert muzike rock, veçanërisht kur kemi të bëjmë me diplomatë. E po kështu t’ia kujtosh Serbisë se historia flet më shumë pro Kosovës se pro asaj, nuk do ndonjë aftësi të veçantë pasi janë fakte që i dinë të gjithë; vrasja e rreth 15 mijë shqiptarëve, shpërngulja, diskriminimi, shumëvjeçar etj. Jo se nuk duhen prezantuar ato, por thjesht nuk duhen bërë qëllim në vetvete. Historia i vjen në ndihmë një diplomati kur grepin e ka hedhur shumë larg saj.

Po ku e kishte hedhur grepin zoti Hyseni? Ose më saktë a kishte hedhur ai ndonjë grep (përveç marketingut për të fituar fjalët mikluese që ia doli të merrte në Kosovë)?

Një analizë e hollësishme e fjalimit të tij të çon në përfundimin se ai ishte tërësisht në një pozicion mbrojtës. Kjo nuk është hera e parë që republika e re dhe e papërvojë e sheh veten e saj në bankën e akuzës. Zoti Hyseni si duket nuk ishte dhe aq i vetëdijshëm se mbledhja e Këshillin e Sigurimit u thirr me urgjencë jo për shkak të incidentit që ndodhi në veri të Mitrovicës, pasi incidente edhe më të rënda kanë ndodhur në këtë pjesë dhe kjo nuk ka qenë arsye për tu mbledhur në ndërtesën e qelqtë në New York; për më tepër jo me qëllimin për të shkëmbyer replika historiko – patriotike, por me një qëllim krejt tjetër. E ky qëllim ishte ai i diskutimit dhe konfirmimit të qëndrimeve të anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, në lidhje me çështjen e Kosovës vetëm pak ditë përpara se Gjykata të Ndërkombëtare e Drejtësisë të shpallë vendimin.

Jo më kot ambasadori amerikan e theksoi aty se nuk kishte parë ndonjë arsye për të thirrur mbledhje të jashtëzakonshme për shkak të një incidenti si ai i shpërthimit të një bombe.

Rezultati të cilin Serbia kërkonte ta kthente në favor të saj ishte pikërisht ky rikonfirmim se çështja e Kosovës nuk konsiderohet e zgjidhur përfundimisht, rikonfirmimin se bisedime të mëtutjeshme janë të nevojshme. Mbështetësja më e madhe e saj, Rusia ishte më se e qartë në reagim; e konsideroi provokim hapjen e zyrës për regjistrim civil në veri, e quajti tejkalim të kompetencave punën e EULEX-it për të vendosur sundimin e ligjit dhe bëri të ditur se misioni që njohin ata në këtë pjesë, është UNMIK-u.

Nga një fakt i thjeshtë, mjaftoi për të kuptuar qëndrimet në lidhje me pavarësinë e Kosovës, vetëm nga mënyra sesi shtetet përmendën emrin e misionit EULEX. U bë edhe një herë e qartë se Kosova do të vazhdojë të jetë “molla e sherrit” me fuqive të mëdha edhe pas vendimit të GJND-së, por kuptohet molla “minore e sherrit” krahasuar me çështje të tjera ndërkombëtare që ndajnë interesat e tyre. Shtete të mëdha si Kina, Brazili apo Meksika gjithashtu nuk kishin bërë as lëvizjen më të vogël për sa i përket qëndrimit të tyre në lidhje me statusin e Kosovës.

Prandaj dhe paraqitja e ministrit të Jashtëm të Kosovës do të duhej të ishte drejtuar e mprehur në këtë drejtim. Mbledhja e KS-së në vend që të shndërrohej në një arenë përplasjesh historike që nuk çojnë askund, do të duhej të shfrytëzohej si një forum për të prezantuar seriozitetin e shtetit të Kosovës (nëse i ka mbetur ndonjë fije) për të tejkaluar problemet nëpër të cilat ka ngecur e ardhmja e tij, e në radhë të parë veriu.

Dosja e ministrit të jashtëm do të duhej të ishte e mbushur plot e përplot me fakte që kanë të bëjnë me obstruksionet që po bën Serbia me qëllimin final, ndarjen e veriut. Pa folur drejtpërdrejt për këtë të fundit, zoti Hyseni do të duhej të demaskonte përpjekjet e Serbisë për të hapur sërish kufijtë në Ballkan, dhe në këtë rast është e kuptueshme, në favor të saj. Ndryshe si duhet kuptuar deklarata e presidentit serb pikërisht në këtë seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së se “nuk është zgjidhje kompromisi kur njëra palë fiton gjithçka, kurse tjetra asgjë.” Privilegjet e dhëna nga plani Ahtisaari ata as që i llogarisin. Një ambicie më e qartë se kjo nuk ka si të bëhet.

Pikërisht për këtë, ministri Hyseni dhe qeveria që përfaqëson duhet të fillojnë të heqin dorë nga pallavrat si ato që dëgjuam në OKB se kush përfaqëson djajtë e kush engjëjt.
Të heqin gjithashtu dorë nga kjo lloj vetëkënaqësie që na u shpërfaq javën e shkuar pasi mund të jetë mjaft e rrezikshme. Në vend të saj të angazhohen seriozisht për dialogun e ri që po përgatitet mes Kosovës dhe Serbisë , pasi me të vërtetë mund të përfundojë me lëvizje kufijsh, po jo në favor të Kosovës kësaj here.