LAJMI I FUNDIT:

Klima politike e “kutimanisë”

Shqipëria ka kohë që ka humbur qetësinë institucionale, zgjedhjet e fundit edhe pse të lavdëruara nga shtypi vendor dhe ai ndërkombëtar janë bërë mollë sherri në mes të demokratëve dhe socialistëve.

Hapja e kutive është moto e socialistëve, të cilët edhe pse humbën pushtetin janë hedhur në klithje kundër qeverisjes Berisha e cila u formua nga koalicioni PD e LSI dhe ka plotësuar kushtin për të udhëhequr vendin për katër vite.

Socialistët kanë vendosur medeomos të shkaktojnë "cunamin politik" për të joshur apetitet grabitqare të shembjes së rendit kushtetues dhe të instalimit të anarkisë jashtë-institucionale në Shqipëri.


Me përfundimin e zgjedhjeve ka përfunduar edhe loja politike ndërpartiake, vet pjesëmarrja e socialistëve në seancën e parlamentit për verifikimin e mandateve, por edhe akti i procesit zgjedhor që u mbyll me marrëveshjen e koalicionit qeverisës PD+LSI dhe konstituimin e qeverisë shqiptare ka mbyllur procesin politik, i cili ka marrë formën institucionale, në bazë të së cilës është ndërtuar skema qeveritare dhe funksionimi i shtetit ligjor.

Çështja e debatit për zgjedhjet nuk duhet të jetë më preokupim i politikës partiake por i institucioneve të pavarura gjyqësore, ngase KQZ ka përmbyllur procesin zgjedhor ligjërisht. Pse atëherë ky atak i socialistëve në institucionet kushtetuese shqiptare po fokusohet aq shumë politikisht, padrejtësisht, në hapjen e kutive.

Janë pallavra të demoduara thëniet e liderit socialist Edvin Rama (ai as që ishte aktor i verdiktit popullor, ai parapëlqente ulësen e krybashkiakut të Tiranës, eventualisht fitoren e bashkëpartiakëve do ta shfrytëzonte për kërcim në ulësen e kryeministrit, a nuk ishte akti i tij "pushteti mbi të gjitha" politikisht i pamoralshëm dhe jodinjitoz) dhe grupit të tij se përpjekja e vetme e tyre është hapja e kutive e jo përmbysja e pushtetit që doli nga vota.

Cili është qëllimi përfundimtar i hapjes së kutive, nëse rezultatet do të tregoheshin të sakta ashtu siç i ka vërtetuar KQZ, socialistët do të kërkonin hapjen e kutive të tjera dhe kështu me radhë…, do krijohej klima politike e "kutimanisë" si një ngërç për qytetarët dhe për institucionet e shtetit se çdo kuti e mbyllur do të duhej t’i nënshtrohet procesit të investigimeve si diçka e dyshimtë dhe armiqësore, askush nuk ka menduar se kutitë do të bëhen preokupim aq i madh i politikanëve.

Nga klithjet "hapni kutitë" u kalua në grevë urie, përpara grevistëve po qëndron hendeku i kutive të mbyllura që egërsojë aq shumë protagonistët e teatrit socialist, por edhe i të zgjedhurve për t’u ulur në parlament për të përçuar fjalën e qytetarëve, e ata ç’bëjnë…? Ata po i kundërvihen ligjit dhe institucioneve demokratike të shtetit që i kanë shtruar detyrë vetes të mbrojnë rendin kushtetues.

Nuk është gjë e keqe protesta, po që se ajo do të përligjej me një qëllim të qartë kundër gjuhës agresive greke kundër shqiptarëve në Greqi, apo të ishte shenjë i hidhërimit për rastin e tentim djegies në hell të shtetasit shqiptar në Selanik për mos reagimin me kohë të qeverisë shqiptare me një notë diplomatike, apo të shprehej në kritikën kundër qeverisë për shitjen e detit shqiptar…, kanë të drejtë edhe kur kërkohet të ndriçohet deri në fund Gërdeci, apo gjetja e fakteve për implikim të qeveritarëve në aferat e korruptive.

Shumë çështje kësisoj të ngritura, që prekin interesat e qytetarëve shqiptarë, do të ishin politikisht të arsyeshme; por demokracia dhe lufta politike ka rregullat e veta, është parlamenti vendi ku mund të adresohen shqetësimet, e jo rruga, merreni me mend çfarë do të ndodhte sikur nga kazermat do të dilte ushtria në rrugë, apo vijimi i rregullt i mësimit nëpër objekte shkollore dhe në fakultete të zhvillohej nën qiellin e hapur apo nën dritat e reflektorëve.

Besoni shqiptarët e Kosovës kanë përjetuar padrejtësinë më të madhe kur u privuan nga të drejtat institucionale dhe largimi me dhunë nga objektet e administratës shtetërore, por edhe nga ato arsimore, as sot nuk po mundet të riparohet deinstuticionalizmi, të cilin e shkaktojë Serbia.

Çështja e çadrave dhe tendave në qendrën e Tiranës ka filluar të bëhet "mega-hit" i opozitës shqiptare mu para fillimit të shpalosjes për shitje të pakove turistike, sa do të dëmtohet imazhi i Shqipërisë dhe sa do të jenë humbjet, do të kalkulohen më vonë.

A duhet vazhdimisht që vëmendja e faktorit ndërkombëtarë të përqendrohet në "rekuizitat" demokratike- turistike të shqiptarëve; u mendua që veç janë harruar bunkerët e betonit si pjesë e imazhit të shtetit të vetizoluar, tash çadrat dhe tendat janë bërë "rekuizite" demokratike, ashtu njëjtë, siç pretendon kolonel Gadafi të tregon fuqinë ekonomike të naftës libiane me hapjen e tendave të mëdha dhe eksportimin turistik të deveve në qendrat botërore, kur mbahet ndonjë takim i rëndësishëm.

Është i pazakontë ky mashtrim i opinionit duke u fokusuar në kuti, athua çka ka aty? Duhet një angazhim i madh… se do të krisë hataja nëse ndonjë mi endacak ka zënë vend brenda në kuti, i trajnuar për të grimcuar votat shqiptare, ashtu siç bënte ndonjë rom.., egjiptas…, ashkali…, rrugëve të Prishtinës, qe vazhdimisht mbante kutinë me letra dhe miun e bardhë që grimconte ato, duke ia përcjellë të interesuarit ardhmërinë e tij, dashurinë e re, apo fatalitetin, çdo gjë lidhej me atë kuti edhe epshi, edhe ekstaza deri në delirium, thënia e pronarit të kutisë ishte magjike "mish beli srechu deli" (miu i bardhë sjell fat).

Në trend

Më shumë
Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Lajme
Edhe Daut Haradinaj reagon për Gjestin: Ai është një bir shqiptari

Edhe Daut Haradinaj reagon për Gjestin: Ai është një bir shqiptari

Magazina
Kosovari vrau kushëririn në Zvicër pas konfliktit për një mur në Kosovë - gjykata jep detaje

Kosovari vrau kushëririn në Zvicër pas konfliktit për një mur në Kosovë - gjykata jep detaje

Lajme

"Tiroli i Jugut si model për Asociacionin" Mandl: Jo një Republika Sërpska, duhet të jetë zgjidhje praktike, pa kërcënim

Lajme

"Ku ke qenë në luftën e Kosovës, çfarë ke bërë në 99' për vendin budalla", G Bani i drejtohet me fjalë të ashpra Gjestit pas përjashtimit të Jozit

Magazina
Katër shembuj të “mbështetjes së pafund” të Trumpit për Izraelin

Katër shembuj të “mbështetjes së pafund” të Trumpit për Izraelin

Botë
Kalo në kategori