LAJMI I FUNDIT:

Të rritesh jetim madje as pa njerkë!

Përkrahja e Radovanit për të drejtat e Hasanit:

Për shqiptarët thuhet se është popull autokton dhe ndër më të moçmit në këtë pjesë të Evropës. Historia na mëson se jemi pasardhës të pellazgëve dhe ilirëve e që në fakt nënkuptohet se jemi bërthama e popujve të tjerë dhe e qytetërimit. Ishim gjithandej por tash jetojmë të tkurrur në një enklavë të vogël të quajtur Shqipëri dhe në një enklavë edhe më të vogël e quajtur Kosovë dhe e cila për thërrmohet edhe më shumë.

Shqiptarët, tashmë të shndërruar në numra jetojnë edhe në Mal të Zi, Luginë të Preshevës dhe Maqedoni të Gruevski. Ka edhe në Turqi, disa shtete të Afrikës (kryesisht arabe), SHBA, Kanada, Australi, Evropë dhe Amerikën e Jugut.


Kjo dëshmon se si popull kemi qenë numerikisht i madh dhe vital ngase, duke kaluar nëpër katrahura të mëdha nuk i jemi nënshtruar asimilimit por kemi mbijetuar. Rreziku nga asimilimi kulturor, ekonomik, politik dhe etnik ka qenë faktori kryesor mobilizues që e ka ruajtur qenien tonë deri më sot.

Mund të thuhet se përfundimisht i kemi shpëtuar rrezikut të asgjësimit, edhe si popull, edhe si kulturë! Prania e shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Serbi dhe Greqi, në një territor kompakt qartë tregon se dikur ishte një territor i shqiptarëve, si shumicë i shndërruar tash në një mozaik heterogjen sa i përket përbërjes etnike dhe kulturave! Ku shqiptarët kanë mbetur apo trajtohen si pakicë kombëtare.

Shembull tipik e kemi Republikën jofunksionale të Kosovës ku shqiptarët janë shumicë absolute numerike ndërkaq në vendimmarrje janë pakicë absolute politike! Shqiptarët apo arvanitasit luftuan për lirinë e Greqisë ndërsa tash duan t’i bëjnë lëkurë për daire dhe tupanë! Botërisht madje! Garibaldi dhe shumë shqiptarë të tjerë luftuan për bashkimin e Italisë tash papët e Vatikanit nuk na njohin shkaku i Serbisë!

Me votat e shqiptarëve Mali i Zi e kaloi pragun e imponuar nga ndërkombëtarët për shpalljen e pavarësisë së Malit të Zi përmes referendumit, tash shqiptarët e këtij shteti mbyten në lumin Rio Grande që e ndanë Meksikon me Amerikën në përpjekje për të siguruar një jetë pa diskriminime. Mali i Zi në mënyrë të sofistikuar po e shpopullzon Malin e Zi nga shqiptarët sepse vota e tyre nuk u duhet më!

Shqiptarët e Luginës së Preshevës për lojalitetin që e treguan ndaj Serbisë, gjithsesi në trysninë e bashkësisë ndërkombëtare, Shqipërisë dhe Kosovës u shpërblyen me shpërngulje masive nga trojet e tyre dhe mundësinë të bëhen banorë të Anamoravës dhe Fushë Kosovës!

Shqiptarët e Maqedonisë janë humbësit më të mëdhenj në këto hapësira. Nga një forcë e respektueshme politike, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit e cila nuk po respektohet as si e tillë u shndërruan në një masë amorfe që po kontribuon në defaktorizimin e mëtutjeshëm të faktorit shqiptar në Maqedoni, në vend që të shndërrohet në popull shtetformues!

Në rrethana normale Shqipëria do të duhej ta luante rolin e Piemontit të shqiptarëve në planin global ndërsa Kosova në planin rajonal. A po e luajnë këtë rol Shqipëria dhe Kosova?! Mendoj se jo. Madje Shqipëria nuk po e luan këtë rol as për t’i bashkuar shqiptarët e Shqipërisë. Sali Berisha dhe Edvin Rama mund të takohen në Vjenë por jo në Tiranë! Nuk mund të merren vesh në gjuhën amtare por kanë nevojë për ndërmjetës ndërkombëtar! Të çmendur fare!

Edvin Rama dhe Erion Braçe me pasionin më të madh do ta rrënonin Tunelin e Kalimashit shkaku se e ka ndërtuar Sali Berisha për ta ndërtuar një Tunel të Kalimashit tjetër, tash nga Edvin Rama! Asgjë nuk do t’u pengonte ta ndërtonin edhe një autostradë tjetër Durrës-Morinë paralel me këtë ekzistuesen me kusht që këtë ta bëjnë Rama me të tijët! Vetëm të mos jetë kjo e Berishës!

Nuk mund të gjeni shtet në rruzullin tokësor ku afërsisht 50% e deputetëve të Kuvendit të angazhohen me aq vendosmëri kundër shtetit të tyre siç veprohet sot në Shqipëri! Ilir Meta i ka punët llugë në shtetin e tij ndërsa flet broçkulla për Strategjinë për Veriun e Kosovës.

Shqipëria i hoq në mënyrë të njëanshme vizat për shtetasit e Serbisë në kohën kur Serbia zbaton regjimin e ashpër të vizave për shtetasit e Shqipërisë ndërsa as që i lejon të hyjnë në territorin e saj kosovarët dhe pjesëtarët e pakicës shqiptare që jetojnë në Republikën e Kosovës! Me përjashtim të Dacit. Madje, Ilir Meta i vizitoi edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës, pas takimit me zyrtarët serbë në Beograd.

Të gjithë këta u premtojnë përkrahje të fuqishme shqiptarëve të Luginës në kohën kur ndikimi i tyre në vendin nga vijnë është kurrfare hiç! Kështu veprojnë edhe me shqiptarët e Malit të Zi ndërsa më pak me shqiptarët e Maqedonisë, një numër i të cilëve nuk ua varin shumë!

Mirëpo, saktë dihet cila parti nga vendet ku jeton pakica shqiptare merr këshilla nga Prishtina dhe Tirana dhe me cilët personalitete mbanë kontakte vartësie! Lirisht mund të them se kjo varshmëri ka ndikuar në relativizimin e interesit shqiptar dhe ka favorizuar një politikë nënshtruese e maskuar me fleksibilitet, qasje në integrimet në BE dhe ato euroatlantike!

Tash po shihet qartë se ku jemi në këto procese dhe se sa jemi shpërblyer nga “ miqtë” ndërkombëtarë për këtë politikë përulëse dhe antikombëtare! Shqiptarët e Luginës, Malit të Zi dhe Maqedonisë kanë menduar se në Shqipëri dhe Kosovë do ta gjejnë nënën, që do të ishte krejt normale, mirëpo e vërteta është se aty nuk e kanë gjetur as njerkën, lere më nënën!

Ministra për lobim apo “ministra” për diskreditim:

Republika e Kosovës përveç se ka katër sovranitete (UNMIK, EULEX, Serbia dhe Institucionet e Kosovës) i ka edhe dy ministra për Punë të Jashtme; Skender Pacollin dhe Behgjet Hysenin. “Miqtë” ndërkombëtar po thonë se kjo shumëllojshmëri e sundimit si edhe e përfaqësimit në politikën e jashtme mund të merret si cilësi dhe një asnjë mënyrë si hendikep!

Në çdo vend normal Ministria e Punëve të Jashtme të atij shteti informohet për njohjen apo mosnjohjen e atij shteti! Te ne është pikërisht e kundërta! Kryetari i një subjekti politik që i humbi të gjitha zgjedhjet në nivelin komunal merr nota verbale nga Mbreti i Svazilandit, ndryshe terak i certifikuar për njohjen e Kosovës dhe përmes konferencës për shtyp e informon Ministrinë për Punë të Jashtme për këtë njohje!

Kësi marifeti nuk mund ta gjeni askund në botë! Madje e akuzon këtë ministri se nuk qenka aktive dhe se po tregon shpërfillje të thellë për angazhimin patriotik të presidentit të AKR-së, Behgjet Pacolli.

Deri vonë kam qenë ithtar i së drejtës se çdo qytetar ka të drejtë të ndihmojë në lobim për njohje ani pse jam i sigurt se njohja apo mosnjohja e një shteti nuk është ekskluzivisht rezultat i punës së mirë apo mospunës së ministrit në fjalë por se është në pyetje thjesht interesi politik, ekonomik etj., i shtetit që të njeh apo nuk të njeh! Kush i ka dy kokrra mend në kokë i di këto punë andaj nuk i kuptoj sulmet e pareshtura ndaj Skender Hysenit dhe elozhetë për Behgjet Pacollin aq më parë që edhe shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës po e pengojnë funksionalizimin e saj!

Është shumë e sigurt se Behgjet Pacolli në lobim nuk po shkon si kryetar i AKR-së por si shef i Skender Hysenit duke e shpërfillur institucionin e Ministrisë për Punë të Jashtme! Duket se është duke e pritur edhe një riformatizim dhe të legalizohet në postin që e dëshiron!

Është neveritës fakti se me sa lëvyrje disa anëtarë të AKR-së që mbajnë poste udhëheqëse e arsyetojnë këtë diversion institucional të presidentit të tyre! Është shumë e qartë se ky angazhim për lobim i z.Pacolli bëhet për promovim të tij politik dhe ka karakter të fushatës paraelektorale ndërsa prapavija është interesi ekonomik!

Mund ta kem edhe gabim, nuk e përjashtoj këtë mundësi por përvoja dhe intuita më thonë se edhe mund të jetë analizë e qëlluar! Pastaj, kush po thotë se po mungojnë aktivitete diplomatike të politikanëve tanë?! Aspak nuk është e vërtetë. Ja psh., sot e sheh Jakupin në Prishtinë, nesër hop në Tiranë! Pastaj Fatmiri, Skenda! Madje edhe Ylber Hysës i ”priu” fati që në Tiranë të bisedoi për Strategjinë për Veriun me Ilir Metën, Bamir Topin, Salën dhe Jozin!

Po më duket shumë serioze kjo punë! Dikush shkon atje për t’u shpallur “ Qytetar Nderi” i disa qyteteve dhe katundeve, tjetri për të bërë ndonjë biznes, nën ombrellën e angazhimit politik! Po lëvizin gjërat, po lëvizin!

Kolonialist, diletantist apo realist:

Krimi kundër drejtësisë po vazhdon në trajtën e gjykimit të montuar politik ndaj Albin Kurtit. jo ndaj policëve kriminel rumunë të UNMIK-ut që vranë Arben Xheladinin dhe Mon Balajn. Ky gjykim po më kthen në kohërat e gjykimeve kolonialiste në Indi deri sa ishte koloni e Anglisë dhe në Afrikën e Jugut në kohën e aparteidit. Trupi gjykues është nga ndërkombëtarët, me një gjykatës vendor që nuk pyetet asgjë!

Ndërkombëtarët kanë të drejtë t’i fyejnë avokatët vendorë deri në neveri madje edhe të kërkojnë dënime për ta! Ndërkombëtarët kanë të drejtë ta fyejnë Policinë e Kosovës për paaftësi dhe nga kush?! Nga një tinejxhere që e luan rolin e zëdhënëses së EULEX-it e cila po e mëson zanatin e neokolonistes duke eksperimentuar me qytetarët e Kosovës!

Duke i fyer edhe avokatët por edhe gjyqtarët e Kosovës siç bën Maria Civinini apo Maria Qivinini?! Quaje si të duash, janë rregulla ortografike si lexohet mbiemri i saj! Më bëri shumë përshtypje reagimi i “ trojkës” sunduese në Kosovë, Piter Fajtit, pensionistit nga Franca, përgjegjës për “luftimin” e korrupsionit në Kosovë, Iv de Kermabon dhe atij të BE-së që aq fuqishëm e dënuan sulmin ndaj avokatit Avni Gjakova. Po mos të kisha informata do të mendoja se Avni Gjakova është gjuajtur me raketa interkontinentale me mbushje bërthamore e jo me ca vezë të prishura!

Tash po e shihni se me çfarë çështje serioze merren ndërkombëtarët në Kosovë! Me vezët e Avni Gjakovës!

Diçka për gjyqësorin:

Se çfarë gjyqësori kemi në Kosovë, e dimë të gjithë. Për ndikimin politik mbi këtë gjyqësor janë të informuar edhe zogjtë e malit që mbajnë mend nja 15 minuta dhe peshqit në hurdhat e Burimit që e kanë mbamendjen 5 minuta! Ambasadori Dell u angazhua kundër ndikimeve politike në gjyqësorin e Kosovës, pra për pavarësinë e këtij gjyqësori duke na rikujtuar se ky problem ka qenë i theksuar edhe në SHBA-të kur demokracia ishte duke i bërë hapat e parë!

Nuk ka asnjë dyshim se të gjithë jemi për pavarësinë e gjyqësorit në Kosovë, se jemi kundër çdo ndikimi politik! Mediet vendore ishin shumë të përpikta kur e regjistruan vizitën e zëvendëskryeministrit të Kosovës kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës. Dhe këtë e interpretuan si presion të mundshëm të politikës ndaj Gjykatës Supreme dhe kryetarit të saj. Thuaja në të njëjtën kohë, ambasadori Dell e vizitoi Gjykatën Kushtetuese të Kosovës dhe u takua me kryetarin e kësaj gjykate, Enver Hasanin.

Asgjë të keqe në këtë vizitë! Mirëpo, gjatë kësaj vizite ambasadori Dell, duke e lavdëruar punën e kësaj gjykate i dha mbështetje të plotë vendimit të Gjykatës Kushtetuese për stemën e qytetit të Prizrenit që u kritikua nga pjesa dërrmuese e qytetarëve të Kosovës! A nuk ishte ky presion politik i ambasadorit Dell të cilin mediet, ose nuk patën guxim ta kualifikojnë si të tillë ose nuk e vlerësuan si të tillë!

Pastaj, edhe zogjtë e malit dhe peshqit nga hurdhat e Burimit e dinë se në përzgjedhjen e gjyqtarëve të Kosovës rolin kryesor e kanë ndërkombëtarët! A nuk është edhe kjo ndërhyrje politike në pavarësinë e gjyqësorit të Kosovës?! Po të merrej si kriter profesionalizmi, etika dhe paanshmëria Gjykata Kushtetuese por edhe gjykatat tjera do të kishin tjetër përbërje!

Gorgonxola dhe kufijtë e Kosovës:

Gorgonxola është një djathë zviceran me shumë vrima të cilit i vije era e mykut por është mjaft i kërkuar dhe i kushtueshëm. Kufijtë e Kosovës janë gjithashtu me shumë vrima, u vije era e mykut nga kontrabanda dhe krimi i organizuar dhe nuk janë fare të kushtueshëm sepse mund t’i cenojë dhe t’i lëvizë kush të dojë! KFOR-i, këto ditë i dorëzoi përgjegjësitë për ruajtjen e kufirit Kosovë–Shqipëri Policisë së Kosovës.

Gjithashtu, KFOR-i në vitin 1999 i pati dorëzuar përgjegjësinë formacioneve kriminale të Policisë së Serbisë të quajtur Rojet e Urës për “ruajtjen “ e kufirit Kosovë – Serbi. Madje, për ta lehtësuar punën, kufiri ende është kufi administrativ me gjasë të shndërrohet në shtetëror pikërisht në Urën e lumit Ibër!

Mora çiften, dola për gjah…..
Kjo është kënga që më së shumti i pëlqen kohëve të fundit ish të përndjekurit politik dhe deputetit të Kuvendit të Kosovës, Nait Hasanit!

(Autori i shkrimit është drejtor ekzekutiv i KMDLN-së. Pikëpamjet në këtë shkrim janë personale)

Në trend

Më shumë

"Ku ke qenë në luftën e Kosovës, çfarë ke bërë në 99' për vendin budalla", G Bani i drejtohet me fjalë të ashpra Gjestit pas përjashtimit të Jozit

Magazina
Kosovari vrau kushëririn në Zvicër pas konfliktit për një mur në Kosovë - gjykata jep detaje

Kosovari vrau kushëririn në Zvicër pas konfliktit për një mur në Kosovë - gjykata jep detaje

Lajme
Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Magazina
Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Lajme
Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Magazina

"Tiroli i Jugut si model për Asociacionin" Mandl: Jo një Republika Sërpska, duhet të jetë zgjidhje praktike, pa kërcënim

Lajme
Kalo në kategori