LAJMI I FUNDIT:

(Mos)zhvillimet politike dhe “pasurimi” i historisë së LSHP-së

Prizreni në aspektin politik është shndërruar në fenomen më vete. Në aspektin historik, ndërkaq, muajin e kaluar është “pasuruar” edhe me një vendim të Gjykatës Kushtetues, e cila kërkoi ndryshimin e logos së këtij qyteti. Kryetarit të Prizrenit, Ramadan Mujës, pas dy vitesh, sërish ju rishfaq e njëjta “sëmundje politike ” e formimit të qeverisë.

Mosmarrëveshjet rreth ndarjeve të posteve të drejtorive, ashtu sikur në fillim të mandatit të parë, që në start para opinionit dhe votuesve zbehën “Qeverinë Muja 2”. Kryetari i PDK-së në Prizren, Zafir Berisha, javën e kaluar u bë kundërshtari më i “rrezikshëm”, i qeverisë së Mujës. Madje, ai u shpreh se do të bëjë çmos që kjo qeveri të mos ketë jetë më shumë se tridhjetë ditë. Premtoi se do të “lobojë”, tek këshilltarët kundërshtarë të PDK-së, që të shpërbëjë qeverinë e Mujës.

Ndikimi i parë i tij, rezultoi me mospranimin e postit të drejtorisë së Gjeodezisë dhe Kadastër nga vëllai i tij, Shani Berisha. ”Kjo përbërje nuk përfaqëson dhe mundin fitues të PDK-së”. Nga gjithë ky “pështjellim” s’do mend se më të dëmtuarit do të dalin qytetarët, të cilët në rundin e tretë të zgjedhjeve u përcaktuan që edhe një mandat t’ia besojnë kryetarit Muja.


Përçarja e fundit e kryetarit të PDK-së, Zafir Berisha me kryetarin e Prizrenit, Ramadan Muja, në fakt nuk përbën ndonjë lajm ekskluziv. Një gjë e tillë është pritur nga të gjithë atë që kanë përcjellë zhvillimet politike të kësaj partie. Berisha dhe Muja hynë të përçarë edhe në zgjedhjet e fundit lokale. Si rezultat përçarjes, ata i detyruan votuesit që të shkojnë në tri palë zgjedhje.

Nuk ishin vendimet e KQZ-së dhe të KZAP-it ato që dëmtuan zgjedhjet lokale në këtë qytet, por edhe në qytete e tjera ku rezultatet ishin të kontestuar. Përgjegjësinë më të madhe për stërgjatën e zgjedhjeve lokale mbase duhet ta marrin partitë politike se sa organet e drejtësisë. Përkundër disa parregullsive, KQZ, KZAP dhe organet e tjera të drejtësisë së Kosovës, nuk anuluan asnjë rezultat të zgjedhjeve në ato qytet ku fitorja e kandidatëve të partive politike ishte bindëse.

Thënë shkurt rezultatet u anuluan vetëm në ato qytet, (në mesin e të cilëve ishte edhe Prizreni) ku partitë politike hyrën të pareformuar dhe të përçarë në garën zgjedhore. Maratona e zgjedhjeve të fundit dhe zhvillimet e fundit politike, tregojnë qartë se të gjitha partitë politike në Prizren, duhet të bëjnë çmos që deri në zgjedhjet parlamentare të përshpejtojnë procesin e reformimit të tyre. Qëllimi i reformimit të këtyre partive politike, nuk duhet të jetë vetëm përgatitja për t’i fituar zgjedhjet parlamentare, por synim kryesor i tyre duhet të jetë inkuadrimi i kuadrove të rinj, që dinë të ndërtojnë vizione për të qeverisur vendin.

Reformim dhe demokratizim, do të thotë inkuadrim cilësor i vlerave të reja, të cilat paraqesin një dimension kryesor dhe të gjerë në kuptimin e koncepti funksional dhe përmbajtjesor-strukturor. Reformimi i tyre nuk është i thjeshtë dhe as mekanik. Përkundrazi, mendoj se është i ndërlikuar për shumë arsye. Nuk është vetëm vertikal, por edhe horizontal.

Fatkeqësisht deri më tash anëtarët e partive politike në këtë qytet reformimin nuk e kanë parë as në aspektin formal as në atë konceptual. Reformimi, duhet të fillojë nga hartimi i strategjisë së saj. Nuk duhet të lejohet më që mungesa e reformimit të partive të reflektojë negativisht në qeverisjen lokale, ashtu qysh ka ndodhur që nëntë vite në Prizren. Niveli intelektual i përfaqësuesve të partive politike nuk i plotëson kushtet as minimale të kërkesave të qytetarëve të Prizrenit. Ata nuk kanë aspak vizion se si t’ia përmirësojnë jetën qytetarëve.

“Agresiviteti” i opozitës

Zgjedhjet e fundit lokale në Prizren, fatkeqësisht nuk arritën të nxjerrin një opozitë të fortë. ”Koalicioni për Prizrenin”, i cili premtoi se do të jetë opozitë e fortë e qeverisë së Mujës, u ça që në seancën e parë inauguruese të Kuvendit. Kandidati i PDK-së për kryesues të Kuvendit, Njazi Kryeziu, rrëmbeu një votë të këtij koalicioni opozitar, duke marrë vota më shumë se kundërkandidati Lulëzim Kabashi.

Këshilltari i AAK-së Fatmir Kastrati, publikisht pranoi se “Koalicioni për Prizrenin”, ka marrë fund menjëherë pas humbjes së zgjedhjeve. Madje, ai premtoi se personalisht në Kuvend, do të votojë çdo vendim që është në të mirë të qytetarëve, duke paralajmëruar se si zë opozitar nuk do ta ndjekë rrugën e këshilltarëve të tjerë të opozitës që të jetë pengesë e zhvillimeve të Prizrenit. Me këtë vendim realisht duket që Kastrati është këshilltari i vetëm në këtë qytet, i cili deri më tash e ka kuptuar rolin e opozitës. S’paku në aspektin teorik.

Të jesh në anën e opozitës s’do të thotë se gjërat duhet të shikosh çdo herë zi. Fatkeqësisht, deri më tash, këshilltarët nga radhët e LDK-së, në dy vitet e kaluara nuk kanë arritur që të përdorin fuqinë opozitare. Mungesa e njohurive për ta shfrytëzuar rolin e vet të opozitës, në dy vitet e kaluara s’ka dilemë se më së miri i ka shkuar për shtati kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja. Gjatë kësaj periudhe kohore LDK-ja nuk ka arrit të krijonte një shqetësim bindës kundër qeverisë lokale.

Mungesa e shfrytëzimit të rolit të opozitës LDK-së i kushtoi me humbje në tri rundet e zgjedhjeve. Përkundër “agresivitetit” të fundit të LDK-së, as në katër vitet e qeverisjes së Mujës nuk pritet se do të ketë ndonjë opozitë të fortë në këtë qytet. Akuzat e fundit të këtij subjekti politik, sidomos kundër Drejtorisë së Arsimit, më shumë vijnë në formë presioni për t’i ruajtur privilegjet e fituar gjatë kohës sa kanë qenë në pushtet, se sa për të treguar ndonjë rol të ri të opozitës.

Pas përfundimit të zgjedhjeve të drejtorëve të rinj, në mesin e të cilëve sigurisht se do të ketë edhe nga radhët e LDK-së, edhe opozita në këtë qytet do të jetë pjesë e pushtetit. Çdo deklarim para mediave kundër Mujës, do të jetë farsë dhe pa ndonjë efekt që do të mund t’i prishë punë kryetarit Muja.

“Shkombëtarizimi” i Lidhjes së Prizrenit

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, muajin e kaluar mori vendim për “shkombëtarizimin” e Lidhjes së Prizrenit. Ky vendim i preku në palcë shumë qytetarë të këtij qyteti, por edhe më gjerë. Vendimi u morë pas ankesës në Gjykatën Kushtetuese të Qemajl Kurtishi, zëvendëskryesues për Komunitete i Kuvendit të Prizrenit. Partitë politike në këtë qytet dhe intelektualë të shumtë të Kosovës u komentua në mënyra të ndryshme.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit (LSHP), zyrtarisht filloi me tubimin e 300 përfaqësuesve të të gjitha krahinave shqiptare në kuvendin shqiptarë të mbajtur në Prizren, më 10 qershor 1878. Në këtë takim kishte edhe boshnjakë nga Bosnja dhe Sanxhaku. Qëllimi i takimit siç dihet ishte formimi i një shteti autonom shqiptar që do të mbulonte vilajetet otoman të Prizrenit, Shkodrës, Manastirit e Janinës dhe asnjë komunitet pakicë nuk ka të drejtë ta ndjejnë vetën të fyer me vendimet e Lidhjes, përkundrazi bashkë me shqiptarët edhe minoritet duhet të ndjehen krenar me vendimet e LSHP-së.

Qemajl Kurtishi nuk ka pasur asnjë element që të ndjehet i diskriminuar me logon e qytetit në të cilën është i vendosur Lidhja e Prizrenit dhe viti i mbajtjes së saj. Logoja e Prizrenit nuk përmban asnjë element diskriminues ndaj pakicave, prandaj edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ka qenë i ngutshëm. Kurteshi nëse në Kuvendin Komunal të Prizrenit, politikisht përfaqëson komunitetin e tij, kjo s’do të thotë se të gjithë mbështetësit politikë e kanë të njëjtin mendim edhe për logon e Prizrenit. Përkundrazi, pas vendimit të Gjykatës së Kushtetutës, edhe komunitetet pakicë në Prizren, bashkë me komunitetin shumicë janë të zhgënjyer me iniciativën e Kurteshit.

Sipas tyre, kjo iniciativë përfaqëson vetëm mendimin e tij individual, por jo edhe të pakicave të tjerë. I zënë ngushtë nga reagimet e komunitetit të tij, Kurteshi tërthorazi mundohet të tërhiqet nga iniciativa e tij, kundër logos së qytetit, që përmban objektin e LSHP-së. ”Nuk jam kundër Lidhjes së Prizrenit. Unë kam kërkuar vetëm respektimin shumëgjuhësor…”.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës me këtë vendim nuk ka mbrojtur asnjë të drejtë të komuniteteve pakicë. Përkundrazi, ka irrituar të gjithë komunitete e këtij qyteti dhe vetëm sa ka “pasuruar” edhe me një element historinë Lidhjes së Prizrenit…!

Në trend

Më shumë
Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Lajme
Kosovari vrau kushëririn në Zvicër pas konfliktit për një mur në Kosovë - gjykata jep detaje

Kosovari vrau kushëririn në Zvicër pas konfliktit për një mur në Kosovë - gjykata jep detaje

Lajme

"Ku ke qenë në luftën e Kosovës, çfarë ke bërë në 99' për vendin budalla", G Bani i drejtohet me fjalë të ashpra Gjestit pas përjashtimit të Jozit

Magazina
Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Magazina
Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Magazina

"Tiroli i Jugut si model për Asociacionin" Mandl: Jo një Republika Sërpska, duhet të jetë zgjidhje praktike, pa kërcënim

Lajme
Kalo në kategori