Përgjegjësia morale si pretekst për përgjegjësi penale!
Kuvend apo Prokurori Speciale:
Mbi 150.000 qytetarë të Republikës së Kosovës, kosovarë dhe pjesëtarë të pakicës shqiptare e nënshkruan një peticion me të cilin kërkohet që të ndërpritet procesi kundër Albin Kurtit, të cilin me të drejtë e kanë cilësuar si proces politik. Pastaj, peticionin me të gjitha ato nënshkrime e kanë dorëzuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës duke menduar se ky Kuvend vërtetë është shtëpi e përfaqësuesve të popullit dhe se ata që janë zgjedhur për t’i mbrojtur dhe përfaqësuar interesat e qytetarëve të Kosovës do të veprojnë në përputhje me përgjegjësitë që i kanë!
Përfaqësues të Këshillit Organizativ patën një takim me kryetarin e Kuvendit, ish të burgosurin politik dhe luftëtarin e orëve të para të UÇK-së, z. Jakup Krasniqi. Aty u premtua se kjo çështje do të diskutohet në Kuvendin e Kosovës. Në ndërkohë, kryeparlamentari Jakup Krasniqi e bëri të ditur mundësinë që në seancën e 8 prillit, Kuvendi i Kosovës të kërkojë përgjegjësi morale nga lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje!” sepse ka qenë organizator i demonstratës së 10 shkurtit 2007 kur, nga policët rumunë të UNMIK-ut u ekzekutuan nga afërsia dhe prapa shpine demonstruesit paqësorë, Mon Balaj dhe Arben Xheladini.
Mirëpo, i nderuari z. Krasniqi, policët e UNMIK-ut nuk i tejkaluan autorizimet zyrtare siç po bëni përpjekje për ta zbutur këtë krim por me gjakftohtësi e bënë këtë krim të pashembullt i cili u dënua vetëm nga KMDLNJ dhe ndonjë individ ndërkaq që u hesht nga institucionet dhe “përfaqësuesit” e popullit të cilët, përjashtuar disa raste mbajtën qëndrim qyqarë dhe të turpshëm!
Nëse Kuvendi i Kosovës do të kërkojë përgjegjësi morale për Albin Kurtin pse atëherë nuk do të kërkonte përgjegjësi morale edhe për më shumë se 35.000 protestues paqësorë, pjesëmarrës në ato protesta dhe post mortem edhe nga Mon Balaj dhe Arben Xheladini?! Nëse thoni dhe ashtu duhet të jetë se Kuvendi i Kosovës nuk ka të drejtë të ndërhyjë në punën e gjyqësorit pse atëherë paralajmëroni përgjegjësi morale për Albini ende pa u mbajt seanca?!
A nuk po Ju duket se me këtë paralajmërim për përgjegjësi morale, në fakt po e prejudikoni përgjegjësinë penale dhe në këtë mënyrë edhe vet Ju, si kryetar i Kuvendit po bëheni pjesë e procesit politik kundër Albin Kurtit ndërkaq që po flitni tërë kohën kundër proceseve politike!
Andaj nuk mund të flitet për një gjyq të drejtë kundër Albinit. Yves de Kerabon, shtetas i pensionuar i Francës, bos i EULESH-it dhe në kohë të lirë” luftëtar” i madh në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar po thotë se gjyqi ndaj Albin Kurtit nuk është politik por proces si të gjithë të tjerët. Vetëm sa nuk po thotë se Albini do të gjykohet si kriminel ordiner! Dhe, pa fije turpi po e kërkon edhe një mandat tjetër sepse aq kohë i duhet të stabilizohet dhe funksinalizohet në “luftë” kundër korrupsionit e që përkthyer në gjuhën e bukur të pakicës shqiptare në Kosovë nuk nënkupton asgjë tjetër përveçse vazhdimit edhe për dy vjet të pushimit vjetor dhe fryrjen e xhirollogarisë së këtij zotëriu!
Meqë nuk keni as mundësi e as kurajë të kërkoni ndonjë përgjegjësi më të fortë për z. Kermabon, atëhere keni të drejtë të kërkoni së paku përgjegjësi morale nga ai sepse qe dy vjet na ka mashtruar se do ta luftojë krimin e organizuar, korrupsionin dhe strukturat e Serbisë në veri të Kosovës! Pastaj, z. Krasniqi, si historian dhe tradicionalist që jeni sigurisht e dini se për dikend që ka fytyrë dhe dinjitet, dënimi moral është shumë më i rëndë se dënimi penal! Dhe, pse duhet të japë përgjegjësi morale Albin Kurti?! Sepse i paska kundërshtuar disa procese politike që fundamentalisht e dëmtojnë Kosovën dhe se këto kundërshtime i ka bërë në mënyrë paqësore?!
Duhet të kërkoni përgjegjësi edhe për Adem Demaçin sepse gjatë monitorimit të protestave e kam parë se ka qenë aty, madje në rreshtin e parë! Nëse nga dikush duhet të kërkohet përgjegjësi morale, atëhere duhet të kërkohet nga Ju dhe deputetët e Mexhlisit që e drejtoni!
Ta lëmë anash Albinin! Edhe pse kaluan tre vjet nga ekzekutimi i Arben Xheladinit dhe Mon Balajt, asnjëherë nuk keni adresuar përgjegjësinë aty ku duhet për këtë krim! Madje, nuk e keni parë të arsyeshme që botërisht, si kryetar i Parlamentit të distancoheni nga ky krim dhe të kërkoni drejtësi për viktimat e pafajshme! Këtë nuk e kanë bërë as deputetët që janë” të zgjedhur nga populli”. Keni qenë të përbashkuar vetëm në mbrojtje të interesave personale edhe kur me asgjë nuk e keni merituar! Po, për këtë një herë tjetër dhe me një shkrim tjetër. Për privilegjet që i keni dhe për mospunën që e keni shenjë identifikimi! Për bizneset, politike dhe jopolitike!
Për fund, Ju propozoj një sugjerim shumë praktik se si të zgjidhet lëmshi i quajtur “ rasti Albin Kurti”. Meqë jeni ithtar që Albin Kurti të thirret në përgjegjësi morale pse atëherë në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës ku do të marrin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare nuk e formoni një trup gjykues i cili do t’i shqiptonte Albinit, përveç dënimit moral edhe atë penal! Në këtë mënyrë do ta bëni edhe punën e EULESH-it të cilën edhe deri tani po e bëni shumë mirë, dhe do të na kurseni nga këto krajata seriale! Pastaj, edhe në Kryesinë e Kuvendit por edhe te grupet parlamentare ka individë që do ta gjykonin Albinin me më shumë vullnet, dëshirë dhe pasion se vet Yves de Kermabon!
Gjykimi dhe internimi:
Gjykimi ndaj Albinit është shndërruar në farsë. EULESH-i po” insiston” që ky gjykim të mbahet. Policia e Kosovës nuk po e “gjen” Albinin. Lëvizja “ Vetëvendosje!” është kundër këtij gjykimi. Me dorëzimin e peticionit për mosmbajtjen e këtij procesi nga Këshilli Organizativ po ndërhyhet në punën e gjyqësorit. Gjithashtu, me paralajmërimin e kryeparlamentarit Jakup Krasniqi për thirrje në përgjegjësi morale të Albin Kurtit po ndërhyhet në këtë proces tashmë bajat gjyqësor! Po kush fiton dhe kush është humbës në këtë proces gjyqësor që po shtyhet vazhdimisht?!
EULESH-i nuk humb asgjë madje ai ka interes që ky proces të shtyhet për aq kohë sa zgjatë mandati i këtij misioni kolonizues. Mandati i tij do të jetë si ai i UNMIK-ut duke iu vazhduar në çdo dy vite. Prandaj, gjykimi i Albin Kurtit për EULESH-in është faturë për mospunën e tij dhe arsyetim se ka vullnet të bëjë diçka po ja se institucionet e vendit nuk janë bashkëpunues andaj po e pengojnë këtë proces! E akuzojnë gjyqësorin, Odën e Avokatëve, Policinë e Kosovës etj. ndërkaq që nuk i bëjnë fare përshtypje policët kriminelë të UNMIK-ut rumunë, as korrupsioni, as krimi i organizuar dhe as prania e sigurimit të Serbisë në Kosovë!
Institucioneve të Kosovës aspak nuk u pëlqen që ky proces të mbahet ngase edhe ato janë kontribues për këtë gjendje. Andaj janë shumë të interesuara që të shtyhet sa më shumë, së paku deri te zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Pra, edhe ato fitojnë!
Një pjesë e opozitës gjithashtu do të fitojë nga vazhdimi i këtij procesi sepse siguron fakte shtesë për ta sulmuar pozitën dhe sidomos gjyqësorin për joefikasitet dhe procese të montuara politike ndonëse mëkatet i kanë të përbashkëta! Mund ta paramendoj sfilatën folkloriko-patriotike të disa deputetëve të opozitës në seancën e radhës, në mbrojtje të Albin Kurtit!
Me këtë gjendje fiton edhe e ashtuquajtura shoqëri civile, sidomos disa medie si pjesa më e fëlliqur e saj, që dikur e pushkatonin botërisht Albin Kurtin dhe Lëvizjen “ Vetëvendosje!” dhe që ua mbushën armët policëve rumunë të UNMIK-ut kurse sot, kinse duke i dhënë hapësirë në medie, në fakt po e dëmtojnë edhe më shumë! Ua kanë mbathë në këmbë patinat dhe po presin që Albini dhe Lëvizja “ Vetëvendosje !” të rrëshqasin deri sa ta thyejnë qafën! Ndërkaq që këta, po rrëshqasin dhe po rrëshqasin!
Pra, si përfundim, me këtë vazhdim të procesit humbësit e vërtetë janë : Albin Kurti, Lëvizja “ Vetëvendosje!” dhe viktimat e dhunës së demonstratave të 10 shkurtit 2007! Për këtë nuk e kam asnjë dilemë!
Disa “ margaritarë” të javës:
1. Gazeta “ Koha Ditore” e datës 1 prill 2010, me rastin e 1 Prillit, Ditës së Politikanëve shkruan se qenka vjedhur Deklarata e Pavarësisë! Do të ishte e mrekullueshme po të vidheshin edhe deputetët që e nënshkruan atë Deklaratë!
2. Piter Fejt, Baba i të gjithë politikanëve në Kosovë deklaroi se ai personalisht nuk do t’i pranoi rezultatet e zgjedhjeve lokale të cilat në muajin maj do t’i organizojë Serbia në Kosovë mirëpo nuk do ta pengojë mbajtjen e këtyre zgjedhjeve! Kjo i bie sikur polici është në situatë kur i takon hajnat duke plaçkitur bankën dhe u drejtohet me fjalët: “unë nuk pajtohem me atë çka po bëni por nuk ju pengoj”.
3. Bossi i EULESH-it, Yves de Kermabon, ndryshe qytetari i pensionuar nga Franca dhe i cili ka ardhur në Kosovë për një punë “ vullnetare” për të cilën nuk e besoj se paguhet më pak se 15.000 Euro në muaj është më praktik se Fejti. Ai dëshiron ta bëjë funksionale punën e Gjykatës së Qarkut në Mitrovicën e Veriut duke i kthyer në punë gjykatësit serbë të emëruar nga Serbia dhe presidenti serb, Boris Tadiq! Shpresoj se së shpejti do të kthehet nga Haga Vojisllav Shesheli dhe do të zgjidhet kryetar i kësaj gjykate. I plotëson të gjitha kushtet. Do ta ketë përkrahjen e serbëve, EULESH-it dhe Banit përmes 6 pikëshit të tij! Pastaj, është i njohur për drejtësi ndaj shqiptarëve!
4. “Miku i madh” i shqiptarëve ndryshe ministër i Punëve të Jashtme të Francës, Bernard Kushner u dashtë të shkoi në Kanada për t’u treguar kosovarëve se Kosova e ka punën pisk për anëtarësim në BE-e sepse qenka e ndarë! Nuk tregoi se kush e ndau Kosovën! Po e kruan veshin për t’i trembur mizat!
5. Po thonë se u riformatizua qeveria! Nuk kam dëgjuar asgjë!
6. E kam një mik të mirë në LDK-ë por disi ka mbetur në margjina! I propozova të bëhet anëtar i Kryesisë së PDK-së. E ndërron vetëm partinë, kryetari mbetet i njëjti!
(Autori i shkrimit është drejtor ekzekutiv i KMDLNj-së. Pikëpamjet në këtë shkrim janë personale)
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumë"Ku ke qenë në luftën e Kosovës, çfarë ke bërë në 99' për vendin budalla", G Bani i drejtohet me fjalë të ashpra Gjestit pas përjashtimit të Jozit
Kosovari vrau kushëririn në Zvicër pas konfliktit për një mur në Kosovë - gjykata jep detaje
Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar
Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në
Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së
"Tiroli i Jugut si model për Asociacionin" Mandl: Jo një Republika Sërpska, duhet të jetë zgjidhje praktike, pa kërcënim
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!
Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Më të lexuarat
Kosovari vrau kushëririn në Zvicër pas konfliktit për një mur në Kosovë - gjykata jep detaje
Edhe Daut Haradinaj reagon për Gjestin: Ai është një bir shqiptari
Loredana dhe Valbona nuk mund të këndellen nga ikja e Jozit prej BBVA, vazhdojnë të qajnë dhe vajtojnë teksa lexojnë letrën e tij
"Po e shkel Kosovën me këmbë", Gerta, Laerti e G Bani në debat të ashpër me Gjestin pas përjashtimit të Jozit
"Tiroli i Jugut si model për Asociacionin" Mandl: Jo një Republika Sërpska, duhet të jetë zgjidhje praktike, pa kërcënim
Katër shembuj të “mbështetjes së pafund” të Trumpit për Izraelin