LAJMI I FUNDIT:

Nana si koncept mitologjik apo pretekst për nënshtrim politik!

Vidovdani, Gazimestani dhe Euleshistani:

Skena politike e Serbisë u pasurua edhe me një subjekt të ri politik në Kosovë, “Lëvizja Serbe për Kosovë dhe Metohi”. Promovimin medial e patën në Qendrën Mediale në Çagllavicë ndërsa Skupshtinën konstituive, pas së cilës shpresojnë të bëhen aktiv dhe funksional do ta kenë në fund të muajit prill. Ç’është e vërteta, një numër i tyre kanë qenë aktiv kundër Kosovës dhe qytetarëve të saj më tepër se dy dekada, që nga koha e Millosheviqit. Koordinatrori i kësaj OJQ-je politike në Kosovë, Mirosllav Sholleviq ka qenë trabant i Millosheviqit në kohërat e gjuetisë ndaj shqiptarëve dhe qytetarëve tjerë të Kosovës që e kanë kundërshtuar kasapin e Ballkanit!

Sholleviqi ka qenë nxitës i urrejtjes ndaj shqiptarëve dhe në ato kohëra dramatike, si pasojë e angazhimit të tij nga pozita nacionaliste dhe shoviniste me dhjetëra shqiptarë janë vrarë e që ka qenë vetëm një preludi për gjenocidin e planifikuar të regjimit serb, eksponent i së cilës ka qenë pikërisht Mirosllav Sholeviq i cili, tani po paraqitet si humanist! Ai as pamjen e as përmbajtjen nuk e ka humaniste sepse është udhëhequr nga ideologjia çetnike dhe nga intolerance etnike dhe fetare. Asnjëherë dhe për asnjë çast nuk e ka ndërprerë aktivitetin e tij antishqiptar dhe antinjerëzor!


Policia e Euleshit e Kermabos por edhe Policia e Kosovës është dashur ta arrestojnë Sholleviqin dhe ta akuzojnë për nxitje të urrejtjes ndëretnike që ka përfunduar me shumë viktima civile, deportime, shkatërrime dhe gjenocid! Ishte maskuar me mjekër, sikur idoli i tij dr. Dabiq alijas Radovan Karaxhiq me të cilin mund të garojë se cili është “humanist” më i madh! Ka qenë dhe mbetet kriminel!

Moma Trajkoviq mbahet mend se ishte serbi i parë që pa përcjellje e vizitoi selinë e KMDLNj-së në Prishtinë dhe ofroi bashkëpunim për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pavarësisht përkatësisë etnike. Tash, Moma me mjekër dhe pamje të re po del me një subjekt politiko-“joqeveritar” duke deklaruar se asnjëherë nuk do ta njeh pavarësinë e Kosovës. Dhe nga ky pozicion dëshiron të “bashkëpunojë” me institucionet e Kosovës dhe t’i “ndihmojë” në procesin e kthimit të serbëve të zhvendosur!

E takova Momën ditë më parë në një hypermarket ku edhe i ndërruam disa fjalë për një bashkëpunim të mundshëm të cilin asnjëherë nuk e kam kundërshtuar. Ai tha se si politikan i mirëfilltë e pranon realitetin e krijuar ndërkaq që tani angazhohet për rikthimin e Serbisë në Kosovë! Këtu e tutje mund të bashkëpunojë me Kermabon e Euleshit, policia e të cilit, në vend se t’i arrestojë kriminelët si Mirosllav Sholeviq e disa të tjerë për krime financiare, që tani janë në krye të kësaj krijese serbomadhe në Kosovë, i dënon me dënime kapitale vëllezërit Ramadani, Arben Kiçinën dhe ushtarët e tjerë të UÇK-së, pa siguruar fare prova!

Futja kësaj “ drejtësie” ndërkombëtare! Tash le të merret edhe me Albin Kurtin ndërsa policët rumunë të UNMIK-ut që ekzekutuan protestuesit paqësorë, Arben Xheladin dhe Mon Balaj le të anëtarësohen në OJQ-në politike të Sholleviqit sepse aty e kanë vendin, si krah ushtarak i kësaj “OJQ”-je!

Me gojën plot korrupsion e lufton korrupsionin:

Një politikan i njohur për “trimëri” dhe “vendosmëri” dhe i cili, fatmirësisht është në perëndim të karrierës së tij e akuzoi qeverinë aktuale se është përgjegjëse që Kosova është vendi më i korruptuar në Evropë. Gjithashtu e akuzoi qeverinë e Kosovës për mungesë të kapaciteteve për ndërtimin dhe zhvillimin e shtetit! Akuza shumë serioze nga një politikan që edhe gojën e ka me dhëmbë të korruptuar nga Buxheti i Dhunuar i Kosovës! Nuk e kuptoj një gjë; pse një subjekt politik, AAK që pretendon pushtetin sillet në mënyrë aq të papërgjegjshme, sikur ORA-a dikur!

Në vend që të jetë opozitë konstruktive është shndërruar në një makineri destruktive dhe çdo gjë e ngjyrosë vetëm me ngjyrë të zezë! Nuk ofron asnjë alternativë, program apo rrugëdalje përveç prononcimeve të disa ish ministrave me dosje të krimit të organizuar dhe atij financiar për të cilin edhe e akuzon qeverinë aktuale. Dhe këshilltarit ndërkombëtar, të korruptuar, të pamoralshëm dhe përgjegjës për vrasjen e protestuesve në protestat e Lëvizjes “Vetëvendosje!”.

Nuk është kjo ofertë aspak serioze me të cilën mund të binden votuesit në zgjedhjet e ardhshme të votojnë për këtë subjekt. Madje, lehtë mund t’u kthehet si boomerang! Dhe, nëse vazhdojnë në këtë mënyrë padyshim se do t’u kthehet!

Edhe kërkesa e përditshme për dorëheqjen e qeverisë, pas një gjumi të parehatshëm apo fjalosjeje me të dashurën është joserioze dhe qesharake! Në vendet normale cilësia dhe serioziteti i një subjekti politik matet me kapacitetet konstruktive, bashkëpunuese në shtetndërtim dhe stabilizim të gjendjes ekonomiko-sociale e jo me një fjalor destruktiv dhe fyes! Mirëpo, mentaliteti ballkanik sugjeron ndryshe: sa më tepër të kesh potencial destabilizues, aq më i qëndrueshëm dhe më i besueshëm do të llogaritësh!

Pajtimi ndëretnik midis shqiptarëve:

Rada Trajkoviq deklaroi se pajtimi midis shqiptarëve dhe serbëve është i mundshëm por
se këtë e pamundësojnë politikanët, shqiptarë dhe serbë që po e mbajnë peng këtë proces! Gabimi në hapa i zonjës Trajkoviq është se ajo këtë proces e konsideron si çështje teknike; u bë çka u bë dhe tash të pajtohemi! Procesi i pajtimit ndëretnik është jashtëzakonisht i komplikuar dhe duhet të krijohen disa parakushte që ai të konkretizohet edhe si ide! Topi është në fushën e Serbisë dhe ajo duhet të lëvizë! Politikanët kosovarë nuk kanë as mandat moral ta pranojnë këtë proces para se të krijohen këto parakushte.

Edhe ndërkombëtarët i kanë futur në kënd të ringut politikanët tanë duke i detyruar të falin dhe pajtohen me ata që, nëse do ta kishin rastin, përsëri do t’i bënin krimet ndaj shqiptarëve! Është e moralshme dhe njerëzore që ai që ka bërë krime pavarësisht përkatësisë nacionale të kërkojë falje dhe t’i kryej të gjitha detyrimet ndaj viktimës pastaj të bisedohet për pajtim! Është edhe një organizim klandestim i quajtur KOMRA në Kosovë i cili po i falë të gjitha ngase nuk kanë pësuar asgjë. Jam i sigurt se janë në gjendje që edhe Kosovën t’ia falin Serbisë!

Hallin e kam gjetiu! Si të pajtohen shqiptarët? Kohë më parë, Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së u takua me Ramush Haradinajn, kryetar i AAK-së. Asgjë e keqe, do të thoja. Mirëpo deklaratat që dolën pas takimit e zbehën shumë këtë takim ngase, doli se ata nuk janë takuar që të angazhohen për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Maqedoni , e cila është katastrofale dhe për të cilën ka kontribuar edhe Menduh Thaçi apo edhe për shqiptarët në Kosovë e cila nuk është ashtu si e dëshirojmë por paskan diskutuar për korrupsionin e qeverisë së Hashim Thaçit dhe raportet e Menduh Thaçit me Hashim Thaçin!

Duket se Menduh Thaçi as që komunikon me Hashimin dhe me këtë e kënaq edhe Ramushin! Tmerr i vërtetë! Menduhi thotë se arsyeja e moskomunikimit me kryeministrin e Kosovës është politik e jo personal ndërkaq që unë jam i sigurt se në pyetje nuk është politika. Grazhdi është vëlla në pyetje, asgjë tjetër! Pse është aty Hashimi e jo Ramushi! Hashimin e shajnë pse është te grazhdi dhe Hashimin e duanë gjithashtu pse është te grazhdi!

Do të ishte shumë njerëzore që Ramushi ta pyeste Menduhin nëse ai ka kaluar nga Reçica së Madhe ku është selia e BDI-së para se të vije në Prishtinë dhe nëse ka biseduar me Ali Ahmetin, kryetarin e BDI-së?! Selia e BDI-së është vetëm disa kolimetra larg selisë së PDSH-së ndërkaq selia e AAK-së është thuaja 100 kilometra larg selisë së PDSH-së! Pastaj, edhe Ali Ahmeti flet shqip! Menduh Thaçi dhe Ramush Haradinaj duhet ta gjejnë një tjetër motiv për t’u takuar e jo që takimi i tyre të bëhet për ta vërtetuar thënien se:” armiku i armikut tim është miku im”!

Diçka për titullin:

Fjala Nanë apo Nënë është e shenjt për të gjithë ngase ajo është burimi i jetës dhe vet jeta. Te shqiptarët ka një domethënie të veçantë. Nana është ballafaquar me varfërinë, vuajtjet, dhembjet, burgun, dhunën, zhdukjen e bijve dhe bijave të saj, vrasjet, përgjegjësinë ndërsa me gëzimin jo aq shpesh! Nana i ka mbuluar të gjitha dhe çdoherë është sakrifikuar, pa i llogaritur pasojat për veten e saj! Ajo është djegur dhe bërë hi për të dhuruar jetë të reja! Monumenti më përmbajtjesor, më kuptimplotë dhe më i vlefshëm është Monumenti i Nanës!

Pas përfundimit të luftës, sidomos në pesë vitet e fundit, politikanët e vendit më së shpeshti e kanë përdorur fjalën Nanë! Dhe më kanë bërë shumë përshtypje! Sa rrija me ata thonin: ”ka ardhë Nana, po shkoj te Nana dhe na ka thirrë Nana”! Po disi e bënin me frikë, jo nga respekti! Më vonë e kuptova se ajo Nanë ishte e kundërta e Nanës së vërtetë! Ajo Nanë e politikanëve tanë ishte Tina Kajdanov. Nana Tinë ua solli flamurin, himnin, kushtetutën, pa të drejtë të ndryshonin as një pikë të vetme! Ajo e kishte çelësin e Presidencës, Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës. I donte shumë politikanët, madje për të mos i lodhur shumë ua gatuante edhe rendin e ditës. Me një fjalë, çdo gjë e bënte për ta!

Nëse dikush vetëm pak e kundërshtonte, hakmarrja ishte shumë e shpejt! Dikend e largonte nga puna, dikend e arrestonte ndërsa të tjerët i fuste në lista të zeza! Të jem i sinqertë, listat e zeza të presidentit Bush mund të llogariten si viza Schengen krahasuar me listat super të zeza që i përpilonte Tina Kajdanov në Kosovë! Dhe duket se janë ende në fuqi! Madje e keni parë një reklamë të Z-Mobile e cila e mbledhë ajkën e Valës duke e eksploatuar tmerrësisht Valën! Është ekipi prej 10 lojtarëve ndërkaq që numri 8 është Nana e cila përshkruhet si korpulente dhe agresive! Përshkrim shumë origjinal të cilin nuk mund ta luaj as topi!

Nana njëkohësisht qëndron prapa Z-Mobile, si pronare apo bashkëpronare, nuk ka shumë rëndësi!. Kjo është lidhja që e mbanë me Kosovën dhe politikanët tanë! Për fillim! Më vonë mund të ketë edhe biznese tjera! PSE JO?!

Tre “margaritarët e javës:

1. Yves de Kermabon, boss i EULESH-it pasi ka kaluar një pushim vjetor prej 2 vitesh në Kosovë po kërkon që ky pushim t’i vazhdohet edhe për dy vjet! E ka votën time sepse është lodhur shumë duke e luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin!! Le t’i zgjatet pushimi, jo për dy vjet por deri në fund të jetës……në Francë ku edhe e gëzon të drejtën e pensionit!

2. Ministri i Punëve të Jashtme i Britanisë së Madhe, z. Dejvid Milibant, në një takim me zotni Skender Hysenin, gjithashtu minister i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës i premtoi përkrahje të plotë duke përfshirë këtu edhe bisedimet e ardhshme me Serbinë! Tamam përkrahje!

3. Gjykata Kushtetuese e Kosovës e udhëhequr nga Baba e shfuqizoi vendimit e Kuvendit Komunal të Prizrenit për logon e kësaj komune. Kërkoi që logoja që e ka në sfond Lidhjen e Prizrenit të zëvendësohet me një logo tjetër sepse nuk e pasqyron realitetin etnik të Prizrenit që do të thotë se është në kundërshtim me Kushtetutën e Ahtisarit!!!

Për t’i përmbushur kërkesat e atyre që tani po ua dërgojnë faturat për shlyerjen e borxheve ndoshta do të ishte mirë që në vend të Lidhjes së Prizrenit në këtë logo të vendoset Kanoniku i Car Dushanit apo profili i Mirosllav Sholleviqit! Ky realitet po kërkohet sot në Kosovë! Turp! Turp! Turp!

(Autori i shkrimit është drejtor ekzekutiv i KMDLNJ-së. Pikëpamjet në këtë shkrim janë personale)

Në trend

Më shumë

"Ku ke qenë në luftën e Kosovës, çfarë ke bërë në 99' për vendin budalla", G Bani i drejtohet me fjalë të ashpra Gjestit pas përjashtimit të Jozit

Magazina
Kosovari vrau kushëririn në Zvicër pas konfliktit për një mur në Kosovë - gjykata jep detaje

Kosovari vrau kushëririn në Zvicër pas konfliktit për një mur në Kosovë - gjykata jep detaje

Lajme
Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Magazina
Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Lajme
Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Magazina

"Tiroli i Jugut si model për Asociacionin" Mandl: Jo një Republika Sërpska, duhet të jetë zgjidhje praktike, pa kërcënim

Lajme
Kalo në kategori