LAJMI I FUNDIT:

S’ka afera korruptive?!

Ligji, sundimi i ligjit, krimi i organizuar, lufta ndaj korruptimit, janë shprehjet të cilat i përdorin politikanët. Edhe përfaqësuesit e shoqërive civile e ngrisin zërin, kritikojnë sipas asaj: "Na mbyti korrupsioni…". Ndërkaq, ata që duhet të merren me luftimin e kësaj epidemie – policia e prokuroria – heshtin, apo nuk e kanë guximin të përballen me keqbërësit, kriminelët.

Ish- kryeprokurorit shtetëror Hilmi Zhitia, sa i përket luftës kundër korruptimit, nuk iu dëgjua zëri, nuk e ka shkrepur "asnjë plumb". Do të përballet me këtë dukuri i porsaemëruari në postin e kryeprokurorit shtetëror Ismet Kabashi, apo kolegët e tij në Prokurorinë Speciale, pritet të shihet.

Sa i përket krimit të organizuar, lojës me tenderë, prokurorët janë të "pa informuar", apo kanë informata, por heshtin e që s’duhet të heshtin. Roli i prokurorëve s’ është vetëm të ngrisin aktakuza, por të kujdesen për mbrojtjen e ligjshmërisë.
Te ne dukuria e korruptimit luftohet me deklarata, me deklaratat e politikanëve! "Zero tolerancë ndaj korrupsionit", thonë politikanët!


Jashtë lojës janë policët, prokurorët, gjykatësit, ekspertët, dëshmitarët… Secila kohë, pra edhe kjo e krizës në Kosovë, i ka përfaqësuesit e krimit, kriminelët që s’i "lanë dy gurë bashkë". Megjithëkëtë, nuk ka afera korruptive në gjyqe, nuk nxirren "peshqit e mëdhenj". Kohë më parë EULEX-i paralajmëroi fushatën ndaj "peshqve të mëdhenj". Si po duket kjo "iniciativë" mbeti vetëm në "në letër".

Në vend se të nxirren "peshqit e mëdhenj", EULEX-i merret me gjykimin ndaj liderit të Lëvizjes Vetëvendosje! Albin Kurti. Bëhet me të "spektakli" sa për t’i lënë në margjinë proceset e tjera më madhore për shtetin!

Bëhet luftë "e ashpër" ndaj kësaj dukurie. Nëse policët "blihen" për 10 euro, "deshen", merren në përgjegjësi, suspendohen nga puna. Shkruajnë për ta gazetat, bëhen "aferat"! Kështu ndodhë edhe me gjykatësit. Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, i kanë "spastruar" gjykatësit. Si të dyshuar për keqpërdorim të detyrës i kanë suspenduar gjykatësit Drita Hoxha, Bedri Krasniqin, Selman Bogiqin. Gjykatësin Elez Hoxha policia e pati arrestuar në zyrën e tij. Për keqpërdorim të detyrës akuzohet edhe kryetari i kësaj Gjykate, Anton Nokaj.

Shoqëritë civile, sidomos ajo "Çohu", në plan të parë dukurinë e korruptimit e nxjerrin në gjykata. Harrojnë , apo nuk e dinë se prokurorët e gjykatësit nuk merren me tenderë. Natyrisht, prokurorët e gjykatësit nuk janë engjëj, edhe këta merren me korruptim, por për dalim nga të tjerët, janë "miza"!

Në popull është një thënie. Gjykatësi e ka dënuar më butë atë që ka vjedhur një kerr me sanë, se sa të pandehurin që e ka " thye bankën". Gjykatësit "s’hanë sanë", apo jo!
Flitet shumë për dukurinë e korruptimit. Fjala "korruptim" është me prejardhje latine dhe në interpretim të lirë do të thotë – bashkëndarje: Unë ty, ti mua. Në popull është i njohur si ryshfet, por jo ai ‘ryshfeti klasik’ kur akëcilit zyrtar i jepet "para të imëta" për ta kryer ndonjë punë. Luhet loja e tenderëve. Më nuk flitet për bakshishet, "pare të imta", por për shuma të mëdha, shuma marramendëse. Ata që janë "te kroi" i bien pusit, përfitojnë, krijojnë pasuri jo vetëm për vete, bijtë, por edhe nipat e tyre.

Me tenderë merren ata të "politikës së lartë", prej ministrave e deri tek kryetarët e komunave. Populli ka "sy e vesh", flet, komenton për pazarin e "trashë" ndërmjet ndonjë ministri e kompanie… I përmendin ministrat, me emër e mbiemër, i përmendin pasuritë e tyre, shtëpitë disa katëshe, makinat luksoze, për vete e të bijtë …

Shtetin në Zvicër e "ruajnë plakat". Kjo është një thënie që e dëgjojmë nga mërgimtarët tanë. Në emisionin "Oxygen" të RTK-së, të 26 shkurtit, ku ishte mysafire humanistja Analise Chanelle, drejtuesi i emisionit Besim Dina i shtroi asaj pyetjen: "A është e vërtetë se shtetin e Zvicrës e ruan populli". – Natyrisht, tha zonja Chanelle. Te ne, për shtetin nuk kujdesen as plakat, as të rinjtë e të rejat, kujdesen policët, prokurorët…

Këta "njerëz të ligjit" e kryejnë detyrën e tyre, veprojnë siç u thonë shefat , nuk i "shohin" tenderët, edhe nëse dinë gjë për ta heshtin. Shefat s’ bëjnë kallëzime penale, as nuk ngrisin aktakuza, u vie urdhri nga politika, mos e prekni filan fistekun, ai është ‘ i joni’, ka qenë në Lëvizje… Dhe mbyllet kapitulli. Populli i di këto "fore", kureshtarët, në kafene, flasin për allishverishet e tyre, japin komente të ndryshme:O vëlla, ai është i fortë, "s’e ha as lima".

Sipas një sondazhi për shqiptarët thuhet se janë më optimistët në rajon. E dini pse? Me skamje, jetë të vështirë, edhe në kohë kriza, çfarë po zotëron në Kosovë, janë bërë imunë, nuk dorëzohen, s’dalin në protesta sociale, se bëjnë këtë, ngase e ruajnë krenarinë. Shqiptarët flasin me rrotlla. Për kriminelët që kanë përfituar shuma marramendëse thonë: Hallall i koftë filan fistekut, është burrë i zoti, i ka qitë punët në dyzen, ka ndreq shtëpi pesë katëshe, i ka ble makinë edhe të birit…

Zhgënjimi, dëshpërimi, shprehet me të qeshura, qeshja është një sekret i jetëgjatësisë. Njerëzit i ruajnë nervat, shëndetin mental. Te ne janë dy skajshmëri. Shumica janë të "rrëzuar për toke", mezi përthekojnë muajin me muaj, ndërsa një pakicë bën jetë mondene, i kanë thitë eksik.

Të varfrit i mbajnë të afërmit e tyre që punojnë e veprojnë në anë të ndryshme të Evropës, Amerikë… Bie fjala, kaçanikasit mjerimin e tyre e shprehin me humor. Ka të tillë që ende pinë çaj veresie, i qethin flokët veresie te berberi dhe thonë: "Shkruaja agës, në tefter, kur të çon balloni letra, të paguaj…". Shitësit të dyqanit i drejtohen: "Shkruaje në akull, ktheje kah dielli…".

Ky është realiteti ynë, i hidhur, apo jo.

Në trend

Më shumë
Iu referua Gjestit si

Iu referua Gjestit si "djaloshi kosovar", Egla Ceno reagon në rrjetet sociale: Të jesh kosovar është krenari, kush mendon ndryshe është qelbësirë

Magazina
Përplasen komisionerët e LVV-së dhe LDK-së, ndërpritet numërimi i votave për kandidatë në sallën ‘1 Tetori’

Përplasen komisionerët e LVV-së dhe LDK-së, ndërpritet numërimi i votave për kandidatë në sallën ‘1 Tetori’

Lajme
Tërmet i fuqishëm në Kroaci, njerëzit po braktisin shtëpitë e tyre

Tërmet i fuqishëm në Kroaci, njerëzit po braktisin shtëpitë e tyre

Kroacia
LVV konteston rezultatet e zgjedhjeve në disa qendra votimi, kërkon korrigjime nga KQZ

LVV konteston rezultatet e zgjedhjeve në disa qendra votimi, kërkon korrigjime nga KQZ

Politikë
KQZ përditëson rezultatet pas numërimit të 99.53% të votave, LVV me ngritje të lehtë

KQZ përditëson rezultatet pas numërimit të 99.53% të votave, LVV me ngritje të lehtë

Lajme
“Limaj mund t’i kthejë shpinën Haradinajt dhe të bashkohet me Kurtin

“Limaj mund t’i kthejë shpinën Haradinajt dhe të bashkohet me Kurtin", Lladrovci thotë se i qëndron kësaj deklarate – parashikon edhe sa deputet mund t’i ketë Nisma

Lajme
Kalo në kategori