LAJMI I FUNDIT:

Arsimi i lartë në Kosovë dhe sfidat e reformimit

Në shekullin e 21-të, Arsimi i Lartë për pjesën më të madhe të studiuesve dhe politikë-bërësve është konsideruar si një nga shtytësit kyç të konsolidimit demokratik dhe prosperitetit ekonomik. Aftësimi profesional dhe dituria e fituar përmes arsimit të lartë janë faktorë të rëndësishëm në gjenerimin e vendeve të punës dhe krijimin e mirëqenies se një shteti dhe shoqërie.

Në këtë kuptim, universitetet luajnë një rol qendror në krijimin e stabilitetit politik dhe social si dhe në konsolidimin e një shoqërie demokratike.

Aq me tepër, kur sot krahas nivelit te mirëqenies së një vendi ose të GDP-së shkalla e burimeve njerëzore, cilësitë e universiteteve, kapacitetet konkurruese, aftësitë e kuadrove etj., te përpiluara ne te ashtuquajturën Indeksi Global i Arsimit (Global Education Index -GEI), konsiderohen edhe si treguesit kyç te zhvillimit te një vendi.


Veçanërisht në shoqëritë e pasluftës, Arsimi i lartë është një ndër komponentët thelbësore të transformimeve sociale dhe politike, të cilat gjithashtu ndikojnë drejtpërdrejt në institucione të qëndrueshme shtetërore dhe në krijim e parakushteve për zhvillim ekonomik. Siç është treguar nga përvojat e shume vendeve tjera, arsimi superior ndihmon në shkallë të konsiderueshme në sigurimin e kuadrove cilësor dhe konkurruese në tregun e punës. Prandaj sistemi i arsimit të lartë, situata politike dhe zhvillimin ekonomik janë të ndërlidhura dhe të ndërvarura.

Në esencë, institucionet e Arsimit të Lartë kanë tre funksione kryesore dhe reciprokisht të ndërlidhura: pra ne rend te pare funksionin e pasurimit të njohurive dhe aftësive, funksionin e krijim te kuadrove për tregun e punës dhe se fundi funksionet sociale dhe politike.

Në kontekstin e globalizimit dhe rrjedhimisht ndryshimit të rolit të universiteteve, aspektet kërkimore-shkencore dhe kërkesat për dituri dhe aftësi profesionale përmes arsimimit, po i shtyjnë shoqëritë gjithnjë e me shume drejt një shoqërie te bazuar ne dije dhe aftësim profesional.

Duke pasur parasysh këto fakte dhe rrethanat demografike, Arsimin e Lartë duhet perceptuar në Kosovë si një mundësi dhe si një faktor kyç në rritjen e burimeve njerëzor, i cili në njërën anë mundëson zhvillimin ekonomik dhe në anën tjetër mund të fuqizoj demokratizimin e shoqërisë kosovare.

Sistemi i Arsimit të Lartë në Kosovë në përgjithësi po përballet me disa probleme qenësore, së pari problemet e trashëguara nga e kaluara të dhjetë viteve të regjimit të Millosheviqit, kur Universiteti i Prishtinës në gjuhën shqipe funksiononte në mënyrë informale, jashtë objekteve dhe si një sistem i ashtuquajtur paralel arsimor.

Kjo dekadë e izolimit dhe diskriminimit, ka dëmtuar sistemin e Arsimit të lartë në Kosovë në disa aspekte, veçanërisht ne aspektin e financimit, ne zhvillimin akademik dhe shkencor dhe në mënyra të tjera strukturore, si p.sh. në veprimtarinë kërkimore, angazhimin e stafit të ri akademik, botime mësimore, publikime profesionale, revista shkencore etj. Si pasojë e kësaj, shumë hulumtues të rinj dhe ligjërues të aftë, asistent dhe profesorë te duhur e adekuat kane munguar për një periudhe mjaft të gjate. Gjithashtu politizimi i Universitetit mbetet ende një çështje që duhet vërtetë evituar sa më parë.

Një problem tjetër serioz është shtimi i madh dhe gati i pakontrolluar, që nga vitet 2002 dhe 2003, i të ashtuquajturve Bartës Privat të Arsimit të Lartë. Tani ekzistojnë rreth 30 Institucione të arsimit të lartë privat në Kosovë. Profilizimi i tyre konform kërkesave te tregut te punës dhe ngritja evidente e cilësisë duhet të jenë prioritet i tyre, por edhe të autoriteteve përgjegjëse të kësaj fushe.

Problemi thelbësor me nivelin e cilësisë së arsimit të lartë është në fakt një problem i gjithë sistemit arsimor në Kosovë. Kjo nënkupton qe pa një reformim gjithëpërfshirës te sistemit arsimor, Arsimi i larte nuk mund te reformohet ne asnjë mënyrë.

Reformat e suksesshme ne sistemin e larte arsimor e sidomos në Universitetin e Prishtinës, si i vetmi Universitet publik, janë relevante ne aspektin politik, social dhe mbi të gjitha janë me rëndësi te jashtëzakonshme ekonomike për Kosovën. Prandaj është koha e fundit qe reformat ne arsim te mos mbesin ne letër por te jetësohen sa me shpejtë që është e mundur.

(Pjesë e një hulumtimi shumë më të gjatë)