LAJMI I FUNDIT:

Mirë se erdhët në aeroportin “Adem Jashari”, Prishtinë

– Mirë se erdhët në aeroportin “Nënë Tereza”, Tiranë –

Duke dalë nga autobusi që transportonte udhëtarët nga aeroplani i ateruar, Lilian de Gol, nipi i ish-udhëheqësit të rezistencës franceze Charle De Gol, vërejti me shkronja të mëdha emrin Tereze dhe menjëherë pyeti shoqëruesin e tij që kishte ardhur t’i ndihmojë në përkthim dhe guidë në tokat shqiptare, Ilirin, se mos vallë ky aeroport mbante emrin e të madhes “Nënë Tereza”? Iliri i shpjegon se pikërisht Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, është i emëruar me emrin e humanistes të madhe, nobelistës për paqe, Nënë Tereza.

Padyshim, ky emër nuk ishte i panjohur për De Golin dhe përshtypja e parë që shkeli në tokën shqiptare ishte ana paqësore, humaniste, altruiste, një simbol i vërtetë i sakrificës për njerezimin që përfaqësonte Nëna Tereze dhe ai përfytyroi shqiptarët si njerëz të paqes dhe të altruizmit njerezor.


Pas disa ditë qëndrimi në Tiranë, pasi kishte kryer një pjesë të interesimit të tij dhe lidhjeve me Shqipërinë dhe shqiptarët, rrugëtimi i tij i mëtejshëm e çon në nevojën për vazhdim në Prishtinë, pasi një pjesë e lidhjeve dhe kontakteve të tij tashmë janë të stacionuar në Kosovë me detyra diplomatike. Iliri i sugjeron që të udhëtojnë me aeroplan, meqë për rreth 30 minuta do të jenë në Prishtinë. Ishin për nguti dhe opcioni i aeroplanit ishte më i pranueshëm për DeGolin.

Gjatë fluturimit, me gjithë kohën e shkurtër, Liliani kërkoi nga shoqëruesi t’i shpjegojë më tepër për vendin ku shkonin, pasi ai kishte dëgjuar për luftën që pati Kosova dhe sidomos për pjesën ku edhe vendi i tij kishte marrë pjesë aktive gjatë bombardimeve të NATO-s, por edhe ishte informuar se vendi i tij, Franca, kishte qenë ndër vendet e para që kishte njohur Pavarësinë e Kosovës, këtij shteti më të ri në botë.

Iliri filloi t’i shpjegojë në të shpejtë se si ajo që quhet sot Kosovë dhe pjesa me e madhe e territoreve shqiptare, kishte mbetë jashtë kufijve të asaj që tashmë ne e quajmë Shqipëri londineze dhe se kjo pjesë e popullit të ndarë padrejtësisht kishte hequr të zitë e ullirit për të arritë deri në këtë pikë, duke përjetuar spastrime, dëbime, torturime, burgosje, zhdukje, vrasje, masakra gjatë tërë shekullit.

Së fundi, Iliri i shpjegon se si pamjet që televizionet botërore kishin transmetuar gjatë luftës nga 1998-1999, ato kishin ndodhur edhe më parë në përfudnim të shekullit dhe në fillimin e tij dhe gjatë gjithë tij, por që bota nuk kishte pasë mundësi asnjëherë t’i kuptojë ato në gjuhën e vërtetë, pasi propaganda serbe me ndihmën ruse, kishte qenë gjithmonë më e forta, duke përfshirë edhe luftën e fundit, por që më në fund dështoi.

Iliri e njofton edhe me një fakt interesant se, tash kur të zbresin në Prishtinë, do të vërejë se ky aeroport quhet “Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës – Adem Jashari”. Liliani bën pamjen e kureshtarit të mëtejmë, pasi ishte emër që e kishte dëgjuar, e sidomos pas një raportimi të ish-Administratorit Kushner. Ai kishte lexuar se si Kushneri kishte shkruar në librin e kujtimeve në një vend të quajtur Prekaz se “Nëse do të kishte Çmim Nobel për Liri atë do ta merrte Adem Jashari dhe familja Jashari”.

Që nga ajo ditë kishte mbetur shumë kurioz të dijë më tepër për këtë histori, për historinë e një njeriu që do të meritonte çmimin Nobel për Liri. Për më tepër, kërshëria e e tij u rrit edhe më tepër kur kuptoi se përfaqësuesit e Kosovës, kishin emëruar aeroportin e vetëm ndërkombëtar me emrin e Kryeheroit të tyre, Adem Jashari. Drejtohet kah Iliri për t’u pajisë me më shumë informata. Iliri i shpjegon tutje, se për të kuptuar më tepër nga çdo t’i thotë, ata duhet të shkojnë së bashku në Prekaz, ku vetë vendi do të flasë.

Liliani filloi të dëgjojë shkurtazi historinë e një njeriu që kishte pasur guximin të sfidojë një perandori të kuqe, i rrethuar së fundi me tërë familjen e tij, në një luftë të pabarabartë, ku luftonin deri në vdekje tri gjenerata për tre ditë, bashkë me këngën për liri! “Një Komandant i vërtetë!”, mendoi më vete Liliani.

Sapo ateroi aeroplani dhe kaluan procedurat e rregullta kufitare, Liliani i kërkoi Ilirit që të shkojnë menjëherë në Prekaz, meqë kishte nevojë të mbushte një boshllëk të tij, që i kërkonte që sa kohë. Iliri arrin të merret vesh me një taksist të gjetur aty dhe vazhdojnë tutje për Prekaz. Kur afrohen rrugës së Prekazit, Iliri i tregon se tashmë është duke u punuar në kompleksin memorial për të rënët e familjes Jashari dhe se kjo familje është themeli i Shtetit të Kosovës. Por, së pari e udhëzon të shkojnë të vizitojnë fushëbetejën e famshme.

Duke afruar, ai vëren një pamje groteske, dy shtëpi të mbuluara nga jashtë me kulm metali, një formë prezervimi e asaj që nuk do të duhet kurrë të harrohet. Sheh tashmë i futur në oborr, shenjat e gjalla të një lufte të pakompromis, të pabarabartë dhe një shfrenim të makinerisë armike deri në përdorimin e mjeteve të fundit në dispozicion.

Kulla që simbolizonte rënien e një trimi dhe tërë familjes së tij, u shndërrua në klithmën më të madhe të shqiponjës që kishte përjetuar historia e këtij populli, duke mos pasë fuqi më që të ndalte rritjen e asaj që kishte krijuar Komandanti – Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës…

Liliani vazhdon tek memoriali, tek varri i Komandantit, për t’i dhënë nderin dhe përkuljen para një trimërie të paparë, meqenëse vetë vinte nga një familje luftëtarësh. I bien ndërmend fjalët e Kushnerit dhe në një moment shton disa të veta: “Shqiptarët qenkan të paqes dhe janë në gjendje të flijohen për tërë njerëzimin pasi dhanë një Nënë Terezë, por kur është në pyetje liria e tyre, qenia e tyre ata tërë atë energji dhe dashuri e shndërrojnë në flijimin e të gjithëve për të ardhmen e popullit të tyre! Nuk është e rastit që kanë emëruar të dy aeroportet me këta dy emra, sikur duan të thonë: Kush do Paqe, do të gjejë paqe, por kush do Luftë, do të gjejë luftën e luftërave!…”

Është kjo njëra nga thirrjet dhe dëshirat e shumta dhe të drejta që sa më shpejt të bëhet emërtimi i aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinë me emrin e kryeheroit tonë – Adem Jashari.

Me përulje para Lavdisë,

p.s. Emri i Lilian de Golit dhe ilirit janë fiktiv