LAJMI I FUNDIT:

Politika i përzien gishtërinjtë, vritet drejtësia!

Ajo çka po ngjet me Albin Kurtin s’ është gjë tjetër pos një politikë, trysni, përmes kërbaçit, t’i mbyllet goja, të ngulfatet mendimi i tij i lirë, si lider i Lëvizjes Vetëvendosje! Bëhet trysnia: Mbylle gojën, ose të pret ndëshkimi! Zëri kritik i këtij lideri, ndryshe nga pushtetarët, politikanët, bëri që ndaj tij të aktivizohen, përdoren ‘mekanizmat e shtetit’, për ta "disiplinuar".

Ai ngriti zërin kundër pakos së Martti Ahtisaarit, kundër decentralizimit. Teza e tij është se Serbia "e merr kalanë nga brenda…". Kjo u pengon atyre që bëjnë "politikën e lartë". Andaj, mu për këtë i kërcënohen me kërbaç, i bëjnë shantazh se do ta pësojë.

Sërish dolën në skenë Kurtistët dhe Antikurtistët. Të parët, Kurtistët, idolin e tyre e cilësojnë si vox populi, ndërsa tabori tjetër, të paktët, bëjnë vërejtje:"Ky Albini po naj prishë politikën…".


Albini s’ ka kryer kurrfarë vepre penale. Për politikanët s’ vlenë parimi i trashëguar nga e drejta romake: nullum crimen, nullum poenae, sine lege – nuk ka vepër as dënim, nëse nuk është i parashikuar me ligj. Politikanët e gjejnë vegëzën, e sajojnë veprën, imagjinojnë ‘ veprimin inkriminues ‘. Prokurorët bëjnë cilësimin e veprës, nxjerrin "pacientët" në gjyq.

Zyrtarët e EULEX-it s’janë budallenj, e dinë kush e shkaktoi rrëmujën më 10 shkurt 2007, kush janë vrasësit e dy protestuesëve Arben Xheladini dhe Mon Balaj. Megjithëkëtë, e nxjerrin në gjyq viktimën, të akuzuarin Albin Kurtin. Në rastin konkret, Kurti e ka vendin në gjyq, jo si i akuzuar, po si dëshmitar. Politika i përzien gishtërinjtë, vritet drejtësia.

Në Athinë policia vret protestuesin 15 vjeçar, ngritet në këmbë Greqia. Te ne ndodhë e kundërta, bëhet politika…

Prokurorëve dhe gjykatësve u ka nxjerrë telashe ky "recidivist", të cilin si zëdhënës të UÇK-së në zyren e Adem Demaçit në Prishtinë e pati rrëmbyer regjimi i Sllobodan Millosheviqit duke e mbajtur në burgjet e Serbisë. Pas luftës, ai merr atributin e të akuzuarit të OKB-së, tash të EULEX-it.

Kundër liderit të Vetëvendosjes! ishin "njerëzit e UNMIK-ut". Këtë e bëjnë sot ata të EULEX-it. Lënda që ishte në "strofull" gati dy vjet, nxirret, paralajmërohet se gjyqi ndaj tij do të rinisë më 15 shkurt.

"EULEX-i nuk ka kohë dhe vullnet politik (guxim jo se jo) të merret me kriminelët e Serbisë në Kosovë, dhe as me politikanët e korruptuar. Ai nuk ka ardhur këtu as për ta hetuar pasurinë milionëshe të udhëheqësve politikë në vendin tonë. Jo. EULEX-i ka ardhur në Kosovë të arrestoj ushtarë të thjeshtë të UÇK-së dhe shqiptarë që kërkojnë vetëvendosje", thuhet mes tjerash në komunikatën e Vetëvendosjes!

Dy ditë pas seancës së KS të OKB-së, ku u fol edhe për planin Feith – Thaçi për "integrimin e veriut në Mitrovicë", paralajmërohet procesi ndaj Albinit, përballja e tij me gjyqin dy ditë para se të nis manifestimi, shënimi i dyvjetorit të pavarësisë sonë. Ndoshta, kjo mund të mos jetë koincidencë ?!

Shpesh ndodhë, politika t’ia "shkel këmbën" drejtësisë. Ajo është katalizatori i së keqës. Prokurorët e gjykatësit formalisht e kryejnë punën, i qojnë në vend mesazhet e politikës. Në këtë kontekst, shkëpus një mendim të publicistit gjerman Hans Habe, i cili në librin e tij "Zotërinj porotë" thotë: gjykatësi i shërben shtetit, por kjo s’do të thotë se në vendet demokratike përfaqëson popullin.

Lënda e Albinit daton që nga 10 shkurti 2007, atë ditë kur policia e UNMIK-ut, njësiti i rumunëve, hapi zjarr mbi protestuesit, ekzekutoi Arben Xheladinin e Mon Balajn, u shkaktoi plagë trupore 80 të tjerëve. Vrasësit s’ i gjeti gjë, s’u mungoi as qimja e flokëve, ata sot shetisin të lirë në vendin e tyre. Nuk e gjeti gjë as kryepolicin e UNMIK-ut, Stephen Curtisin dhe të tjerët. Pse?!

"Njerëzit e UNMIK-ut" u morën me viktimën, Albinin duke e mbajtur herë brenda grilave, herë jashtë tyre, në arrest shtëpiak. Një "trajtim" i këtillë zgjati gati një vit.
Gjatë seancës së parë, më 19 shtator 2007, gjykatësi Maurizio Salustro e fyu personalitetin e Kurtit, i tha "mbylle". Kjo arrogancë u shpreh në seancat e tjera. Salustro, i veshur me xhinse, me kapelën "Nike", sillej si në rrugë, kafene. Skenat e pamira të tij i ka vërejtur edhe prokurori i çështjes Eli Copel.

Pikërisht më 7 shkurt 2008, në Gjyqin e Qarkut në Prishtinë, ndodhi "autogoli" i Salustros. Albinit iu ndërpre paraburgimi. Arsyeja ishte e thjeshtë. Avokatët iu përmbajtën apelit të Albinit të "mos duken" në gjykatore. Trupi gjykues u zu pisk, "ngrehu flamurin e bardhë".

Me vendim të posaçëm, atë ditë, më 7 shkurt, Albinit i ndërpritet paraburgimi. Policët e rrëmbejnë, i vënë prangat dhe me shpejtësi e largojnë nga gjykatorja, e çojnë në burgun e Prizrenit për t’u "shkarkuar". Po këtë ditë, në orët e mbrëmjes, rrugës për në shtëpi ai pëson në fatkeqësi trafiku.

Gjykatësi s’i "pa" prangat! Kësaj, zotëri Salustro, i thonë privim i kundërligjshëm nga liria, vepër kjo penale e sanksionuar sipas nenit 162 të Kodit penal të Kosovës. Po të ndodhte ky veprim në vendin e tij, Itali, do t’i jepej "kartoni i kuq".

Albini akuzohet për tri vepra penale: pjesëmarrje në turmë, pjesëmarrje në grup në pengimin e personave zyrtarë si dhe thirrje për rezistencë, të sanksionuara sipas Kodit penal të Kosovës.

Në gjyqin e parë, ai përgënjeshtroi aktakuzën, pohoi se është e inskenuar, ka prapavijë politike. Ndërkaq dëshmitarët policë, me uniformë e pa uniformë, i "futi në gërshërë", nxori në pah deklaratat e tyre kundërthënëse. Mbrohej në gjuhën amtare, për hir të auditoriumit në gjykatore, e here herë fliste edhe në anglishte. Madje, e nxori nga takti gjykatësin Salustro. Ky i nervozuar i thoshte: Mbylle gojën… Atij edhe në gjyq i mohohej fjala e lirë!

Me asnjë fakt, provë juridike nuk u vërtetua që Albini të ketë bërë rezistencë, të ketë penguar personat në kryerjen e detyrës zyrtare.

Si reporter i gjyqit e kam ndjekur këtë proces për gazetën ku punoja. Procesin e kanë ndjekur edhe misionarët për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, amerikanja Julie Chadboume, danezja Jytte Lindgard etj. Historia e procesit të Albinit gjendet në raportet e organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Amnesty International (AI), me seli në Londër, Human Rights Watch (Nju Jork)…

Ky proces i ngjet lojës së futbollit, një kampionati. UNMIK-u "doli nga loja", "nuk u kualifikua për kampionat", atë tash e zëvendëson EULEX-i. Në lojë janë: Albin Kurti, EULEX-i, dy qeveritë, njëra e Prishtinës, tjetra e Beogradit. Dy skuadra "të forta", ajo e Londrës (Amnesty International) dhe e Nju Jorkut (Human rights Watch) … Kush do të jetë asi?

Në trend

Më shumë
Iu referua Gjestit si

Iu referua Gjestit si "djaloshi kosovar", Egla Ceno reagon në rrjetet sociale: Të jesh kosovar është krenari, kush mendon ndryshe është qelbësirë

Magazina
Përplasen komisionerët e LVV-së dhe LDK-së, ndërpritet numërimi i votave për kandidatë në sallën ‘1 Tetori’

Përplasen komisionerët e LVV-së dhe LDK-së, ndërpritet numërimi i votave për kandidatë në sallën ‘1 Tetori’

Lajme
Tërmet i fuqishëm në Kroaci, njerëzit po braktisin shtëpitë e tyre

Tërmet i fuqishëm në Kroaci, njerëzit po braktisin shtëpitë e tyre

Kroacia
LVV konteston rezultatet e zgjedhjeve në disa qendra votimi, kërkon korrigjime nga KQZ

LVV konteston rezultatet e zgjedhjeve në disa qendra votimi, kërkon korrigjime nga KQZ

Politikë
KQZ përditëson rezultatet pas numërimit të 99.53% të votave, LVV me ngritje të lehtë

KQZ përditëson rezultatet pas numërimit të 99.53% të votave, LVV me ngritje të lehtë

Lajme
“Limaj mund t’i kthejë shpinën Haradinajt dhe të bashkohet me Kurtin

“Limaj mund t’i kthejë shpinën Haradinajt dhe të bashkohet me Kurtin", Lladrovci thotë se i qëndron kësaj deklarate – parashikon edhe sa deputet mund t’i ketë Nisma

Lajme
Kalo në kategori