LAJMI I FUNDIT:

Edhe një herë, projektligji për qytetin e Prishtinës

Obligimi i profesionistit të vërtetë është që të japë vërejtje, sugjerime dhe komente konstruktive, pa tendenca politike të kohës, me qëllim që të avancohen problemet hapësinore dhe urbane, pa anuar dhe pa apostrofuar individët që janë në pushtet momentalisht si “fajtorë” kujdestar. E pa tolerueshme është të theksohen apo të kategorizohen përgjegjësitë dhe obligimet, në këtë apo atë kryetar të komunës së Prishtinës. Është kjo praktik standarde në tërë botën progresive, e huaj për kushtet tona në Kosovë ku çdo kritikë konstruktive interpretohet ndryshe, duke u bazuar në shumë elemente të ulëta, si përkatësia partiake, regjionale, fetare etj., e duke “harruar”anën profesionale të problemeve. Duhej të ishte ky proces i vazhdimësisë, në fushën e urbanizimit komunal i cili po neglizhohet nga disa zyrtarë të lartë komunal me deklarata të pa matura.

Shumë lëshime janë bërë në vitet e pas luftës, kohë e çmueshme është humbur deri me sot, me tendenca vazhdimësie, e pikërisht mos respektimi i KOHES ishte shkaktari kryesor i katrahurës urbane në kryeqytet. Kundërshtarët apo përkrahësit e propozim-ligjit, si zëdhënësi i KK Prishtinë në stilin, "Njerëzit i kanë keqinterpretuar gjërat, pasi nuk e njohin ligjin që do të miratohet”, duhet bazuar në fakte. Së pari duhet përpiluar një ligj të aplikueshëm, të kapshëm për të gjithë duke përdorur gjuhën juridike të kuptueshme e jo të kopjohen (përkthehen) ligjet nga dikush tjetër, që nuk do të keqinterpretohen nga dikush që nuk i “njeh ligjet”, pasi zëdhënësi si “promotor i këtij ligji”, prezantohet në opinionin publik.

Duhet kuptuar në thelb zhvillimin POLICENTRIK të një vendbanimi (Prishtinës) për të ardhur deri të konkludimi se, “Ajo çfarë thotë arkitekti është kundër konceptit policentrik”, çka nuk përket me të vërtetën. Asgjë nga kjo nuk është e qëndrueshme, zhvillimi i tërë komunës së Prishtinës është i domosdoshëm pasi shkarkimi i qytetit është imperativ i kohës gati për të gjitha qendrat e mëdha botërore të cilat janë duke vuajtur nga ngufatja urbane. E në çfarë situate degraduese urbane është Prishtina as që duhet diskutuar, të gjithë ne jemi duke e vërejtur, duke e përjetuar atë në jetën e përditshme.


A thua me cilin ligj kanë qenë të definuar kufijtë e Prishtinës deri në vitin 2008, kur është aprovuar Ligji për Kufijtë Administrativ të Komunave, nga pako e Ahtisarit pas pavarësisë së Kosovës, apo askujt nuk i ka interesuar kjo çështje atëherë dhe sot. Qëllimi dhe tendenca ime është që të përpilohen dokumentet hapësinore (PZhK dhe PZhU), të cilat komuna e Prishtinës nuk i ka punuar, është duke i anashkaluar që gati shtatë (7) vite, si duket nuk është duke e kuptuar domosdonë e përpilimit të tyre.

Nuk është vetëm çështje e plotësimit të kërkesave ligjore përpilimi i tyre. Këto dokumente hapësinore me siguri do të mundësonin kontrollin dhe inicimin e veprimeve hapësinore dhe urbane në tërë territorin e komunës. Me përpilimin e tyre përfundimisht do të definoheshin kufij e komunës të caktuar edhe me Ligjin për Kufijtë Administrativ të Komunave.

Sa më ishte dukur progresive interesi për aplikimin e teknologjisë bashkëkohore GIS për kontrollin e zhvillimeve hapësinore në tërë territorin e komunës në kuadër të projektit “Prishtina 2008”në janar 2009. Kishte zëra se kjo do të jetë vetëm një propagandë mediale e asgjë tjetër, si duket kjo po donë me dalë e vërtetë pasi ndër të tjerat, ende nuk ndodhi identifikimi i ndërtimeve në tërësi deri sot, që shumë lehtë i mundëson kjo makineri kërkuese (GIS-i).

Si duket dikujt i konvenon që kufijtë komunal me qenë kontestuese, dhe shumë veprime si duket abuzive me pronat, në mes të Kuvendeve Komunale të Prishtinës, Fushë Kosovës e Lipjanit. Ka shumë raste, e si shembuj konkret tërthorazi do të përmendi kontestet territoriale në “zonën industriale” dhe atë të aeroportit.

As që dike e brengos domosdoshmëria e përpilimit të dokumenteve hapësinore dhe urbane nga ana e zyrtarëve dhe këshilltarëve të lart të komunës, pasi ashtu në vazhdimësi kryeqyteti është duke “funksionuar” nga shtatori i vitit 2003, pa dhënë askush përgjegjësi profesionale dhe morale. Deklaratat e kryetarit të komunës se duhet përpiluar këto dokumente kanë mbetur vetëm në nivelin deklarativ. Është e vërtetë se këto dokumente nuk janë atraktive për momentin por me ato trasohet rruga për një zhvillim të qëndrueshëm të qytetit dhe në tërësi komunës. Sot rezultatet nga aspekti hapësinor dhe urban janë dëshpëruese çka po e tregon realiteti i ditëve të sodit në Prishtinë.

Lidhur me hartat e distrikteve administrative të qytetit të Prishtinës, pranohet se ato nuk janë prezantuar si pjesë e propozim ligjit por vetëm “janë vënë kriteret për ndarjen e tyre”. E kriteret me domosdonë e ekzistimit të këtyre hartave, për shkaqe të pa-kjarrtësive në propozim ligj, janë të domosdoshme, janë dy çështje të ndryshme. Ashtu kërkohet në neni 5 alineja 2 ku qartë theksohet se “Kufijtë e distrikteve administrative urbane dhe urbane – rurale të Qytetit të Prishtinës janë të paraqitura në hartën e bashkangjitur këtij ligji.”

Çështja kyçe dhe thelbësore nga aspekti hapësinor dhe urban,në këtë propozim ligj është "Krijimi i zonës metropolitane të Prishtinës” (Neni 9 alineja 1-5). Do të duhej të njihen mirë principet bashkëkohore të planifikimit hapësinor dhe urban, që të mbrohen disa qëndrime jo produktive, ato janë në kundërshtim me principet,normat standardet ndërkombëtare si dhe me Ligjin e planifikimit hapësinor të Kosovës. Shpjegimet se ”këto komunat kanë nevojë për Prishtinën” vetëm zbulon pretendimet “paternaliste” ndaj komunave fqinjë.

Askush nga profesionistët nuk e preferon Prishtinën si oazë të izoluar e të vetmuar pasi sot në shekullin 21 të gjitha zhvillimet hapësinore dhe urbane si çështja e ujit të pijshëm,infrastrukturave përcjellëse teknike dhe sociale janë zgjidhur dhe duhet të zgjidhën në koordinim me të tjerët së bashku,si pjesë e një tërësie hapësinor që quhet Republika e Kosovës.

Si të interpretohet alineja pesë (5) e nenit 9 ku qartë shkruhet se “Zona Metropolitane e Prishtinës merr resurse të mjaftueshme nga buxhetet e komunave të cilat e përbëjnë atë.” Nëse nuk është menduar ndryshe (centralizim) atëherë duhet korrigjuar tekstin e cekur në interesin e të gjithëve. Tendencat për centralizim të kapaciteteve administrative dhe ekonomike vetëm janë duke u zbatuar në mënyrë të pa kontrolluar në vitet e pas luftës,e pasojat urbane janë duke u vërejtur sot edhe në të ardhmen duke harruar ekzistimin e shumë mundësive zhvillimore si janë parqet industriale etj.

Për të gjitha këto çështje duhet në qetësi të mendohet dhe të veprohet së pari nga ana e zyrtarëve të lart komunal si “promotor të këtij ligji” e pastaj edhe nga ana e komisioneve profesionale parlamentare si dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës të cilët me vërejtje,sugjerime dhe komente konstruktive do të kontribuojnë,në aprovimin e ligjit për Prishtinën.

(Autori është arkitekt i pavarur)