LAJMI I FUNDIT:

Logjika e vendimmarrjes

– Interesi politik, parimet udhëheqëse, pastaj ‘rifreskimi” –

Çështja e funksionalitetit të qeverisë kudo shihet pashkëputur nga përmbushja e detyrimeve shtetërore karshi qytetarit. Prandaj, mosfunksionimi i plotë i qeverisë, cilësdo qeveri vendi a qeverish lokale, i cenon në mënyrë të drejtpërdrejtë, të tërthortë po se po, vetë liritë dhe te drejtat e këtij qytetari.

Debatet e fundit për ndryshimet në Qeverinë e Republikës së Kosovës, sado të përqendruara në atë që është quajtur “rifreskim” i kabinetit qeveritar, në esencë kanë prekur gatishmërinë e partive politike që qeverisin vendin për ta “ridefinuar” funksionalitetin e qeverisjes së përbashkët, varësisht nga pikëpamjet e tyre politike. Një pajtueshmëri për parimet udhëheqëse është gjithnjë e domosdoshme. Pas debateve zgjedhore, si dhe pas rritjes së thirrjeve mes anëtarëve e simpatizantëve të të dy partive, është e dukshme që rishikimi i rrugës së përbashkët politike në qeveri, bëhet i nevojshëm.


Të dy partitë, në forumet e tyre udhëheqëse, duhet të përcaktohen për interesin e tyre politik dhe të japin gjykimin e argumentuar nëse mbetja në bashkëqeverisje është interes i tyre. Nëse kjo ridëshmohet, duhet përcaktuar pastaj edhe parimet e bashkudhëheqjes dhe të dy partnerët duhet t’i përfillin parimet e pashmangshme politike të bashkëqeverisjes.

Në rastin e përkundërt, kur njëri ose të dy partnerët e deritashëm vlerësojnë se interesi i votuesit të tyre ose interesi i përgjithshëm i qytetarëve të vendit cenohet me qeverisje gjysmë të paralizuar, ato duhet të bëjnë të qartë synimet e tyre. Beteja për të mbrojtur interesin e votuesit duhet të peshohet në raport me potencialin për zhvillim të përgjithshëm.

Kjo ndoshta e hapë mundësinë e debatit për zgjedhjet e ardhshme në nivelin nacional. Dhe këtu përfshihen më shumë pjesëmarrës. E, dihet mirëfilli se hapja e mundësisë së debatit mes forcave politike dhe, eventualisht, arritja e një konsensusi të gjerë për shpalljen e një date të mëhershme se vjeshta 2011 si datë të zgjedhjeve nacionale, nuk është aspak fyese në raport me këto parime dhe nuk e lëndon frymën demokratike.

Por, le të kthehemi edhe një herë te mundësia e “rifreskimit” të parimeve politike para se të bëhet rifreskimi i kabinetit qeveritar. Mbase, është koha të mendojmë rishtas nëse parimet udhëheqëse janë përfillur gjatë qeverisjes së deritanishme, ose nëse ato duhet të përcaktohen rishtas. Sepse, është pak e pritshme që duke i pasuar disa veprime jo krejtësisht të matura në raport me formulën qeverisëse, në njërën anë, dhe hapjen e përnjëhershme të mundësisë së pakënaqësive të thella – po në raport me formulën e qeverisjes – në anën tjetër, si dhe duke krijuar hone të tilla në raportet mes partnerëve, është pak e pritshme, pra, që një rifreskim kabineti do të ishte i mjaftueshëm për qeverisjen e ardhshme.

Ai (rifreskimi) mund t’ia rrisë jetëgjatësinë, por ne synojmë funksionalitet në qeverisje dhe qeveri funksionale. Prandaj, një formulë e mbështetur në parime dhe angazhim për kultivim të frymës parimore është çelësi për çfarëdo bashkëpunimi të mëtejmë.

Rishpërndarja e resorëve sipas një formule të pjesëmarrjes, të përpjesëtueshme me fuqinë e partive pjesëmarrëse në qeveri, mund të ishte guri peshues në diskutimet për rishpërndarjen parimore të përgjegjësive brenda koalicionit. A janë partitë të gatshme ta hapin këtë dilemë?

Sidoqoftë, është krejtësisht e dukshme që “rifreskimi” nënkupton edhe ofrim të kapaciteteve (më) të fuqishme menaxhuese në disa fusha. Por, cili do të ishte produkti i tyre nëse formula e bashkëqeverisjes nuk është e mbështetur në parime të përcaktuara qartë? Ose, çfarë kuptimi mund të ketë ndryshimi i njerëzve menaxhues pa përcaktim të formulës menaxhuese? Duhen korniza vepruese dhe jo veprime të vagullta…

Në trend

Më shumë
Hakohen televizionet qeveritare në SHBA, në ekrane shfaqet video me Al ku shihet Trump duke ia puthur këmbët Musk

Hakohen televizionet qeveritare në SHBA, në ekrane shfaqet video me Al ku shihet Trump duke ia puthur këmbët Musk

Botë
Kryeministri britanik sulmon Putinin: Tiranët kuptojnë vetëm me forcë - ndërsa njofton rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes

Kryeministri britanik sulmon Putinin: Tiranët kuptojnë vetëm me forcë - ndërsa njofton rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes

Botë
Lushtaku paralajmëroi fundin politik të Limajt, reagojnë nga Nisma: Për këtë vendosim ne

Lushtaku paralajmëroi fundin politik të Limajt, reagojnë nga Nisma: Për këtë vendosim ne

Lajme
NATO vë aeroplanët ushtarakë në Poloni në gjendje gatishmërie pas sulmeve të reja ruse në Ukrainë

NATO vë aeroplanët ushtarakë në Poloni në gjendje gatishmërie pas sulmeve të reja ruse në Ukrainë

Botë
Në platformën e-Kosova lansohet shërbimi i ri, qytetarët e rajonit të Prishtinës mund të paguajnë faturat për mbeturina

Në platformën e-Kosova lansohet shërbimi i ri, qytetarët e rajonit të Prishtinës mund të paguajnë faturat për mbeturina

Lajme
Çfarë mineralesh ka Ukraina të cilat Trumpi po i do kaq shumë?

Çfarë mineralesh ka Ukraina të cilat Trumpi po i do kaq shumë?

Botë
Kalo në kategori