LAJMI I FUNDIT:

E ndershme e pamartuar apo në krevat me të gjithë!

– Shoqëria civile në Kosovë –

Shoqëria civile si një përcaktues i dinamikës dhe përmbajtjes së proceseve demokratike është e vonshme në Kosovë krahasuar me vendet me një demokraci të qëndrueshme dhe të përparuar . Nëse kthehemi mbrapa atëherë e kujtojmë edhe kohën e saktë kur janë bërë hapat e parë të formimit të OJQ-ve. Ishte fundviti i vitit 1989 ose më saktë , 14 dhjetor 1989 kur një grup intelektualësh shqiptarë të ndihmuar nga një ekip kroat që kishin përvojë më të madhe e formuan Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut. Bërthama e KMDLNj dhe një numër i madh i anëtarësisë më vonë luajti rol të rëndësishëm në proceset politike , qoftë në kontekstin pozitiv, qoftë negativ. Kryetari i parë i KMDLNj-së u zgjodh akad. Idriz Ajeti.

Me ardhjen e Adem Demaçit, fitues i Çmimit Saharov dhe çmimeve tjera ndërkombëtare për të drejtat e njeriut në krye të KMDLNj-së, ky këshill u shtri në të gjitha qytetet dhe fshatrat e Kosovës duke angazhuar afërsisht 4000 anëtarë që punuan në baza krejtësisht vullnetare . Shtrirja e gjerë territoriale e mundësoi krijimin e një rrjeti jashtëzakonisht efikas për mbledhjen e informatave dhe shpërndarjen e tyre. Faktikisht, KMDLNj ishte burimi më i besueshëm për gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe të gjitha raportet ndërkombëtare si dhe rezolutat e qendrave vendosëse mbështeteshin në informatat e KMDLNj-së.
Nga anëtarët e KMDLNj-së pastaj u formua Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve dhe disa OJQ- ë tjera . SHBH “ Nëna Terezë “ ishte tërë kohën shumë aktive duke i ndihmuar familjet skamore. Edhe mediat luajtën një rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin e shoqërisë civile. Kjo ishte skema e shoqërisë civile në perudhen e paraluftës . Mos të harroj ta them se ne që jemi marrë me të drejtat e njeriut në atë kohë këtë punë e kemi bërë nga zori për shkak të dhunës sistematike të shtetit serb e jo se kemi pasur njohuri të mëdha për të drejtat e njeriut .


Edhe gjatë luftës KMDLNJ e ka vazhduar aktivitetin. Një numër i madh i anëtarëve të KMDLNj i është bashkangjitur UÇK-së duke e flijuar edhe jetën e tyre apo duke u martirizuar në mbrojtje të të drejtave të njeriut si parakusht për realizimin e të gjitha të drejtave tjera. Njëri ndër themeluesit e KMDLNj –së dhe anëtari i Kryesisë, avokati i patejkaluar deri më sot, Bajram Kelmendi, për shkak të angazhimeve në Këshill u masakrua, së bashku me dy djemt e tij nga forcat serbe. Nën tortrurë vdiqën, Rexhep Bislimi e Xhevdet Leci ndërsa në luftë u vra Remzi Ademaj. Xhavit Haziri dhe Hafir Shala u morën nga sigurimi serb dhe deri më sot asgjë nuk dihet për fatin e tyre. Edhe shumë aktivistë tjerë të KMDLNj-së u keqtrajtuan, arrestuan, u ekzekutuan, ranë në fushën e nderit apo konsiderohen si të pagjetur.

Shoqëria civile në periudhën e pasluftës:

Menjëhere pas përfundimit të luftës në Kosovë vërshuan qindra OJQ- ndërkombëtare dhe u formuan mijra OJQ –ë vendore. Ishte koha e emergjencës që nënkuptonte investimin e qindra miliona eurove. OJQ-të ndërkombëtare, një numër i madh i tyre kishin një përvojë të madhe në zhvatjen e fondeve dhe keqpërdorimin e skajshëm të tyre meqë vinin nga vendet që kishin dalë nga lufta dhe e kishin përfunduar fazën e emergjencës.

OJQ-të ndërkombëtare kishin një qasje shumë diskriminuese dhe i trajtonin si punëtorë krahu, zezakë apo lëndë të parë OJQ-të vendore! Afërsisht 95% e fondeve për shoqërinë civile dhe aktivitete humanitare kanë shkuar në adresë të OJQ-ve ndërkombëtare. Me sigurimin e statusit të beneficuar u themeluan qindra OJQ-ë fantome që shpërlanin dhe keqpërdornin miloina euro. Importonin karburante, material ndërtimor, pajisje medicinale, barna dhe artikuj tjerë fitimprurës, duke u liruar nga taksat doganore, në emër të aktiviteteve humanitare!

U krijua hapësirë për veprimin e organizatave që propagandonin fundamentalizmin islamik dhe terrorizmin, gjithashtu në emër të aktiviteteve humanitare dhe të drejtave të njeriut. Nuk kishte asnjë mekanizëm monitorues për përcjelljen e këtyre aktiviteteve dhe transakcioneve financiare. Shoqëria civile kosovare u ambientua shpejt në kushtet e krijuara dhe u vë në shërbim të këtyre OJQ-ve. Pjesa dërrmuese e OJQ-ve kosovare punonte jashtë mandatit të deklaruar dhe u shndërrua në gjuetarë të fondeve duke i shkelur të gjitha vlerat morale, profesionale, kombëtare dhe njerëzore! Andaj edhe demokracia ishte e tillë!

Të gjitha OJQ-të në Kosovë që kanë bërë përpjekje ta ruajnë kurrizin e veprimit të pavarur si psh. KMDLNJ-ë, “ ÇOHU” dhe të tjera, ndonëse në numër simbolik, menjëherë janë ndëshkuar nga donatorët, disa media dhe disa zyra ndërkombëtare. Si në politikë, edhe për sektorin joqeveritar vlejnë rregullat e lojës të përcaktuara nga të tjerët; ose bëhesh pjesë e dëgjueshme e sistemit, ose përjashtohesh nga loja! Pjesa jo e vogël e shoqërisë civile në Kosovë, skajshmërisht e dashuruar në fonde, i prostituoi shërbimet e saj duke luajtur rol denoncues ndaj pjesës tjetër të kësaj shoqërie (nuk mund të konsiderohet si luftë brenda llojit sepse dallimi është i madh) tek ndërkombëtarët apo politikanët vendorë. Andaj përfunduan në dashuri me ta dhe kështu filloi një dashuri jonormale!

Dështimet e shoqërisë civile ishin të shumta. E injoruan luftën çlirimtare duke përqeshur viktimat dhe dëshmorët si dhe luftëtarët e ish UÇK-së. Nuk patën guxim t’i denonconin krimet ndaj minoriteteve pas përfundimit të luftës, siç ishin vrasja e serbëve në fshatin Grackë të Lypjanit, bombardimi i autobusit me të zhvendosur serbë në Merdare, vrasjen e 11 shqiptarëve dhe zhvendosjen e 13.000 të tjerëve me dhunë nga Mitrovica në shkurt 2000, mbytjen e 5 të burgosurve dhe lëndimin e disa dhjetëra të burgosurve në Burgun e Dubravës në shtator të vitit 2003.

Udhëkryqi i dështimit të shoqërisë civile ishin ngjarjet e marsit 2004; kur pa përfunduar hetimet këto ngjarje u vlerësuan si terroriste duke kërkuar përgjegjësi vetëm për vrasjen e 8 serbëve por jo edhe hetime dhe përgjegjësi për vrasjen e 11 shqiptarëve dhe mbytjen në lumin Ibër të Çabrës të 3 fëmijëve shqiptarë. Për vrasjen e Arben Xheladinit dhe Mon Balës, shkaktimit të lëndimeve të rënda dhe të lehta ndaj afërsisht 100 protestuesve paqësorë të organizuara nga Lëvizja Vetëvendosje të 10 shkurtit 2007 janë përgjegjës disa medie dhe OJQ-ë që e arsyetuan krimin dhe u rreshtuan në anën e policisë.

Një pjesë e shoqërisë civile e përkrahte arrestimin dhe dënimin e Albin Kurtit gjë që do të duhej të ishte e huaj për një shoqëri civile normale. Debatet e kurdisura për bisedimet e Vjenës, decentralizimin, miratimin e ligjeve nga Pakoja e Ahtisarit, simboleve shtetërore, Kushtetutës, demarkacionit të kufirit etj. janë bërë me porosi dhe për këtë janë angazhuar segmente të caktuara mendermethënë të shoqërisë civile.

Shoqëria civile sot dhe perspektiva e saj:

Shoqëria civile në Kosovë është ana tjetër e fytyrës apo alter ego e politikës multietniko- kombëtare dhe asaj ndërkombëtare në njërën anë dhe reflektim i gjendjes ekonomiko- socialo- psikologjike në anën tjetër. Erozioni i vlerave morale është më e theksuar te një pjesë e shoqërisë civile se sa te politikanët. Mjafton që vetëm ta shfletoni dhe t’i lexoni titujt dhe nëntitujt e gazetave dhe ta kuptoni se cilin subjekt politik e përfaqësojnë këto medie të “ pavarura”.

Të njëjtën gjë e kemi edhe te mediet elektronike nëse e analizojmë hapësirën, kohën dhe pikun që u ndahet subjekteve të caktuara dhe individëve të fuqishëm, makrove politik! Ndërkaq, mediat duhet të jenë pjesa më e fuqishme e shoqërisë civile meqë , duke informuar objektivisht krijojnë opinione dhe fundamentalisht ndikojnë në forcimin e demokracisë! A e bëjnë këtë në Kosovë?! Përgjigja është jo sepse me vardisjen që i bëjnë politikës dhe shitjen e lëkurës për pak para, opinionit i ofrojnë një dezinformatë të lakuriquar. Andaj e kemi demokracinë siç e kemi!

Emrat thuaja më të spikatur të shoqërisë civile përkohësisht janë aziluar te institucionet kosovare duke ofruar “ këshilla” për politikanët tanë. Për këto shërbime ata paguhen bukur shumë nga ndërkombëtarët dhe nga vendorët. Qingji i mirë i thithë dy nëna, qingji i keq edhe më shumë! Në fakt shumica e tyre aty janë, jo për t’i këshilluar politikanët por për t’i kontrolluar ata! Pastaj shpërndahen në poste të rëndësishme, ku ka shumë para!

Fragmentarizimi dhe veprimi anemik i shoqërisë civile në Kosovë krijon komoditet që politikanët të jenë jotransparent, të papërgjegjshëm dhe grabitës të pangopur të buxhetit të Kosovës! Në një vend me demokraci të zhvilluar kjo do të ndëshkohej menjëhere nga qytetarët ndërkaq në Kosovë, përveç që çohet pak pluhur 2-3 ditë, kalon pa pasoja për keqbërësit. Si e kemi politikën ashtu e kemi edhe demokracinë! Çfarë shoqërie civile kemi, demokracinë e kemi shumë të mirë! Në fund të fundit, a keni dëgjuar ndonjëherë se fuçka në vend të këlyshëve pjellë elefantë apo se nga vezët e pulave dalin shqiponjat?!

Krejt në fund, në bazë të përmbajtjes së tekstit e keni lehtë ta gjeni përgjigjen në pyetjen e parashtruar si titull i këtij shkrimi : “E ndershme e pamartuar apo në krevat me të gjithë”

(Autori i shkrimit është drejtor ekzekutiv i KMDLNj-së – shkrim i shkruar enkas për gazetën Kosova Sot)

Në trend

Më shumë

"Ku ke qenë në luftën e Kosovës, çfarë ke bërë në 99' për vendin budalla", G Bani i drejtohet me fjalë të ashpra Gjestit pas përjashtimit të Jozit

Magazina
Kosovari vrau kushëririn në Zvicër pas konfliktit për një mur në Kosovë - gjykata jep detaje

Kosovari vrau kushëririn në Zvicër pas konfliktit për një mur në Kosovë - gjykata jep detaje

Lajme
Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Magazina
Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Lajme
Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Magazina

"Tiroli i Jugut si model për Asociacionin" Mandl: Jo një Republika Sërpska, duhet të jetë zgjidhje praktike, pa kërcënim

Lajme
Kalo në kategori