LAJMI I FUNDIT:

Bllaca, “tërmeti”, ankthi…

Procesi hetimor ndaj të pandehurit Nazim Bllaca, i cili e "dridhi" Kosovën, po rrjedhë sipas ritmit të paraparë. Të enjten (3 dhjetor), në Prokurorinë Speciale, dëgjohet nënkryetari i LDD-së, deputeti Adem Salihaj, në rolin e dëshmitarit dhe viktimës. Prokurori i EULEX-it, italiani Maurizio Salustro shpalos dosjen. Në dosje gjendet edhe CD-ja e cila shkaktoi "tërmet", shokoi qytetarët.

Gënjeu, apo jo "pacienti" i Salustros, ka mbetur të verifikohet, analizohet në Gjyqin e Qarkut në Prishtinë. Të pranosh publikisht se ke kryer vrasje, nuk do të thotë se je vrasës, "pranimi" s’është provë e sigurt, kështu thuhet në paragrafët e kodeve të procedurës penale.

Dikur Maurizio Salustro ishte gjykatës i UNMIK-ut. Ky i bëri gjyq në shkurt të 2008-ës të akuzuarit të OKB-së, liderit të Vetëvendosjes! Albin Kurtit, tash paraqitet në rolin e prokurorit të EULEX-it.


Sa do të ketë forcë e shkathtësi Salustro të ndriçoj "aferën Bllaca", t’i nxjerrë me "picetë" bosët, urdhërdhënësit dhe ekzekutorët e vrasjeve politike, kjo pritet të shihet.
Kush i ka duart e përlyera me gjakun e shqiptarëve le të japin llogari. Shpata e drejtësisë nuk e kursen askë, askush s’është mbi ligjin.

Nuk dihet se kush do të ndiqet penalisht, kush do të jenë dëshmitarët e lëndës penale.
Gjykatësi i procedurës paraprake, i EULEX-it, Francesko Flori më 1 dhjetor i caktoi arrestin shtëpiak Nazim Bllacës, i dyshuar të ketë kryer një vrasje dhe i përfshirë në vrasje të tjera.

Disa ditë para se të ndodhë arresti i Bllacës, në parlamentin e Kosovës, deputetët Gani Geci e Adem Salihaj e bënë çështje rastin e tij, bënë me dije edhe për CD-në e diskutueshme.

Bllaca doli në skenë pikërisht më 29 nëntor, e zgjodhi vendin, në afërsi të selisë së Kuvendit të Kosovës, të mbaj konferencë me gazetarët. Ai u rrëfeu atyre për historinë e krimeve, vrasjeve enigmatike, pranoi se njërën nga vrasjet e ka kryer vetë. Bllaca, po ashtu, derisa fliste mbante në dorë letërnjoftimin e tij, sipas të cilit del se është i lindur më 1 prill 1972. E kreu punën e vet Bllaca pa asnjë "ferrë në këmbë". Vajti ai në shtëpinë e vëllezërve të tij, në fshatin Ribari i Madh të Lipjanit.

Të nesërmen, më 30 nëntor, ndodhi arrestimi i tij. Gjykatësi Flori i caktoi masën e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh. Mbrojtësi i Bllacës, Haxhi Millaku u dha deklaratë gazetarëve para Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, u bëri me dije se ka propozuar që ndaj klientit të tij të bëhet ekzaminimi neuropsikiatrik. Mbrojtësit, zakonisht, "kapen" në këso finesa, u përmbahen etikës së tyre që të kryhet një formalitet ligjor.

Bllaca, "njeriu i SHIK-ut", ka pohuar se di shumëçka për vrasjet e kryera pas luftës. Njëri nga dëshmitarët, për të cilin thuhet se është suspenduar nga policia, rrëfeu se si në shtëpinë e tij Bllaca t’i ketë thënë se nëse i likuidon këtë e atë person (i ka përmendur emrat) do të marrë "para me thes". "Njeriu i SHIK-ut", sipas këtij dëshmitari paska qëndruar dy vjet në Serbi! Nëse kjo rrethanë vërtetohet, atëherë shtrohet pyetja: Ç’kërkoi Bllaca në Serbi ?!

Arresti shtëpiak i këtij të pandehuri ndodhi një ditë para se të nisë procesi në Hagë, shqyrtimi i ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës. A është kjo koincidencë, apo arrestimi ishte paraparë atë ditë?!

Mbeti enigma. Çka e shtyri Bllacën të deklaroj atë çka ka deklaruar, dy ditë para se të nis procesi në Hagë. Kush fshihet prapa këtij skenari?
Në shtetet normale, aty ku ka sistem të mirëfilltë juridik, nuk ndodhë që ndokush i dyshuar për vrasje të lehet i lirë, t’i caktohet formalisht masa e arrestit shtëpiak. Akëcili person do të arrestohej, po të mbante konferencë me gazetarë, t’u thoshte gazetarëve se ka vjedhur kaq e kaq pula, e lëre më t’u thotë se ka vrarë njerëz…
Policia, ajo e EULEX-it e kurseu Bllacën, nuk e futi në birucë!
Akëcili i dyshuar shkon në fllad për një allti, armëmbajtje pa leje. Ndërkaq, Bllaca i dyshuar për vrasje – shkon në shtëpi ! Kjo është non sens juridik.

Në historinë e proceseve, ka pasur raste kur ndokush ka marrë përsipër se është vrasës, por më vonë ka dalë se ka gënjyer. Publicisti gjerman Han Habe në librin e tij "Zotërinj porotë" kur bnënë fjalë për procesin e Marguerite Steinheil, dashnores së presidentit francez Felix Faure, e akuzuar për vrasjen e të shoqit, piktorit Adolph Steinheil dhe të ëmës, zonjës Japy, njëri nga pjesëmarrësit e gjykimit hipnotizohet nga dama, bukuroshja Marguerite – "Megi", ndjen dhembshuri për të. Shkruan pusullën: “Mos e merrni në qafë Megin, unë jam vrasësi…". Më pastaj, me urdhrin e gjykatësit ngrihet në këmbë. Policia e arreston, por më vonë del se ai kishte gënjyer. Kjo ndodhi në nëntor të 1909-ës.
Para 100 vjetësh personi që ka "pranuar" vrasjen arrestohet, ndërsa kjo nuk ndodhë me Bllacën!

Sipas logjikës juridike, që të zhvillohen normalisht hetimet, pa u penguar ato, Bllaca është dashur të gjendet brenda grilave. "Pranimi" i tij se ka kryer një vrasje, nuk do të thotë se ai është kryes i veprës penale. Këtë punë më së miri e dinë prokurorët dhe gjykatësit. Por, ja ndodhi ky "luks", i cili, kujtoj, është me prapavijë të caktuar.
Juristi francez François Cavot de Pitaval ka nxjerrë përmbledhjen e parë të "proceseve interesante gjyqësore". Librat e tij i quajnë "pitaval". Nëse del në shesh "afera Bllaca", publicistët që do të merren me këtë fenomen, do t’ia kalojnë edhe juristit legjendar Pitaval.

Rasti penal i Bllacës ishte një "ëmbëlsirë e mirë" e papagajve të Boris Tadiqit, të cilët i fërkuan duart se do të përfitojnë nga kjo aferë. Gazetat serbe, pra edhe "Veçernje novosti", njoftuan se si i është caktuar arresti shtëpiak "njërit nga themeluesit" e UÇK-së, Nazim Bllaca. E bënë këtë për ta njollosur luftën e UÇK-së, ushtrinë tonë e quajnë "terroriste", "formacion jolegal" që ka vepruar në "Kosmet". Papagajtë e Beogradit i "fryjnë zjarrit", përsëritën "vjershën" e tyre, e cila, siç dihet, është bërë bozë dhe s’e "pinë" as serbët që mendojnë ndryshe.

Qëllimi i kësaj propagande ishte për t’i treguar Hagës se "shqiptarët i vrasin të vetët", se serbët, ‘mazallah’, s’kanë vrarë shqiptarë… Mirëpo, kjo propagandë e mjerë nuk shitet jo vetëm në Hagë, por asgjëkund, ngase bota e qytetëruar e di kush janë serbët e paturpshëm që kanë kryer gjenocid jo vetëm në Kosovë, po edhe në Bosnjë e Hercegovinë. Engjëjt e zinj le t’u shesin kopalla "të vetëve", jo botës së qytetëruar.

Në trend

Më shumë
Iu referua Gjestit si

Iu referua Gjestit si "djaloshi kosovar", Egla Ceno reagon në rrjetet sociale: Të jesh kosovar është krenari, kush mendon ndryshe është qelbësirë

Magazina
Përplasen komisionerët e LVV-së dhe LDK-së, ndërpritet numërimi i votave për kandidatë në sallën ‘1 Tetori’

Përplasen komisionerët e LVV-së dhe LDK-së, ndërpritet numërimi i votave për kandidatë në sallën ‘1 Tetori’

Lajme
Tërmet i fuqishëm në Kroaci, njerëzit po braktisin shtëpitë e tyre

Tërmet i fuqishëm në Kroaci, njerëzit po braktisin shtëpitë e tyre

Kroacia
LVV konteston rezultatet e zgjedhjeve në disa qendra votimi, kërkon korrigjime nga KQZ

LVV konteston rezultatet e zgjedhjeve në disa qendra votimi, kërkon korrigjime nga KQZ

Politikë
KQZ përditëson rezultatet pas numërimit të 99.53% të votave, LVV me ngritje të lehtë

KQZ përditëson rezultatet pas numërimit të 99.53% të votave, LVV me ngritje të lehtë

Lajme
“Limaj mund t’i kthejë shpinën Haradinajt dhe të bashkohet me Kurtin

“Limaj mund t’i kthejë shpinën Haradinajt dhe të bashkohet me Kurtin", Lladrovci thotë se i qëndron kësaj deklarate – parashikon edhe sa deputet mund t’i ketë Nisma

Lajme
Kalo në kategori