LAJMI I FUNDIT:

Thesi i të këqijave

Një politikan i kotë që vegjeton në kryesinë e BDI-së, si asnjëherë më parë i eksaltuar me rastin e Raportit pozitiv të BE për Maqedoninë, do të deklarojë: “E shihni! Sa herë që BDI-ja gjendet në pushtet Maqedonisë i ndodhin gjëra të mira”! Maqedonisë po, por shqiptarëve?!

Një numër bukur i madh i intelektualëve, analistëve e gazetarëve shqiptarë në Maqedoni, tashmë kanë filluar të druajnë se po i bien paksa tepër më qafë BDI-së! Vija gjenealogjike e kësaj Partie është tepër shumë e segmentarizuar dhe, në çdo prerje të visë gjendet nga një pus fatal për shqiptarët e këtushëm! Komuniteti jo i vogël i shqiptarëve që po merrem me analiza e me komente kanë filluar të ngrisin një tezë shumë interesante!

Meqë, pas çdo kritike të shëndoshë e të arsyeshme drejtuar BDI-së, kjo Parti, si për inat i suprizon shqiptarët me ndonjë dështim të radhës që po rëndon mbi kurrizin e dinjitetit kombëtar! Mjaft më, po thonë! Të përpiqemi që të gjejmë ndonjë anë pozitive të kësaj Partie dhe të shkruajmë paksa më ëmbël e ta ëmbëltojmë zemrën e Ali Ahmetit, këtij të BDI-së e jo të Ali Ahmetit, aktorit që luan rolin e të hutuarit në “Kafenea jonë”.


Do të ishte tepër e kotë përpjekja për t’u futur në thesin e të ashtuquajturës BDI e të gjejmë ndonjë vlerë të mirë! Nuk ka! Absolutisht asnjë vlerë! Në këtë thes mund të gjenden vetëm mynxyra, dështime, përkulje servile, vasalitet, shkelje të dinjitetit e deri te talljet nga më të vrazhdat me qenien kombëtare shqiptare.

Çdo e arritur kombëtare do të degradohet pa dhembje, çdo sukses i subjekteve të tjera politike shqiptare do të mohohet e fshihet, çdo e arritur kombëtar e ndërkombëtar që shkon në të mirë të çështjes shqiptare, do të fragmentarizohet (rasti me Marrëveshjen e Ohrit) e do të deformohet me qëllim të arritjes së ndonjë të mire meskine partiake! Analizat reale për të kaluarën e kësaj Partie janë tepër dëshpëruese dhe shumë imituese. Le t’i bëhet shkarazi një retrospektivë vetëm këtyre muajve përderisa vegjeton në qeverinë aktuale.

Manifestimet dhe përvjetorët nuk janë institucione nacionale
Vërtet, cila është ajo e mirë kombëtare e arritur përgjatë këtyre muajve vasaliteti të BDI-së në Qeverinë aktuale të Nikolla Gruevskit, të vetmit funksionar racist në Ballkan! Nuk ka të mira! Gjendet një kaptinë historike tepër e zymtë, e errët, e trishtë, që mban firmën e BDI-së. E vetmja e emirë që shpërthen nga kjo kaptinë është kërkesa e zëshme ndërgjegjësuese e trungut kombëtar “Ali, dil nga kjo qeveri se na e nxive fytyrën”!

Ndërsa çdo ditë botohet nga një analizë, koment apo artikull gazetaresk që flet për politikat dështuese e dëshpëruese të Ali Ahmetit, ky lider i BDI-së gjen mundësi të japë ndonjë intervistë të shpifur e të flasë me pompozitet për “sukseset” e kësaj Partie! Në të gjitha prezantimet e tij ai flet për shënimin e “100 Vjetorit të Kongresit të Alfabetit Shqip”, të cilin aktivitet ai e ngrit në sukses madhështor kombëtar ndërkohë që i shkatërroi të gjitha institucionet nacionale shqiptare të themeluara në qeverisjen e PDSH-së! Flet për dispersimin e dy-tri fakulteteve të USHT-së në Shkup e Kumanovë, ndërsa hesht mbi veprimet raciste të Gruevskit e të njerëzve të tij që po kryhen mbi arsimin e mesëm e fillor të shqiptarëve të Maqedonisë! Ai flet për pranimin e Pavarësisë së Kosovës duke u mburrur se ky sukses është ekskluzivisht i BDI-së, ndërkohë që PDSH kthimin në kuvend e pat kushtëzuar pikërisht me këtë pranim e që më në fund u arrit falë trysnisë njëditore e të pakompromis të amerikanëve!

Nëpërkëmbja e shqiptarëve e drejtë ligjore e maqedonasve?!
Ali Ahmeti fle rehat në shtratin e degradimeve fatale të dinjitetit kombëtar të shqiptarëve të Maqedonisë! Ai i ka arritur të gjitha “sukseset” e parapara në programin e tij partiak, ndonëse aty premtohet “parajsa” për shqiptarët e këtushëm, sjellja e mbi 1 miliard dollarëve në Maqedoni, investimet kapitale nëpër vendbanimet shqiptare, punësimi i mbi 100 mijë shqiptarëve e dokrra të tjera!

Rrahjet dhe vrasjet e shqiptarëve, bastisjet e tyre, burgosjet politike, përkrahja dhe stimulimi institucional i strukturave krimogjene sa për ta njollosur trungun kombëtar shqiptar, mohimi i shqiptarëve për zhvillim dhe avancim të gjithmbarshëm, punësimi i nëpunësve shqiptarë për të ndenjur në shtëpi me qëllim të ruajtjes së higjienës së zyrave maqedonase, të gjitha këto diskriminime raciste, për Ali Ahmetin, liderin e BDI-së, na qenkan e drejtë e organizmave shtetërore të shtetit të përbashkët për maqedonasit, shqiptarët, serbët, romët, turqit, boshnjakët, vllahët si dhe të fisit mbretëror pakistanez pasardhës të Aleksandrit të Madh!

Pa dyshim, institucionet shtetërore të Maqedonisë çdo ditë të lume vënë në dijeni se Maqedonia është shtet i të gjithë këtyre komuniteteve përveçse i shqiptarëve! Të gjitha të mirat që “i kemi” janë arritje të vetë shqiptarëve, me mund e sakrificë, dhe jo rezultat i ndonjë brenge, përkushtimi apo zemërgjerësie e strukturave shtetërore maqedonase.

Ftesë ahmetiane për ikje nga dinjiteti

Në një intervistë televizive e këtyre ditëve e z. Ahmetit, u nënvizua se e vetmja brengë momentale e tij na qenka mosrealizimi akoma i premtimit që ua paska dhënë shqiptarëve për inkuadrimin e Maqedonisë në strukturat euro-atlantike! Të gjitha kontekstet shqiptare i paska mbyllur dhe na paska ngelur vetëm edhe ky problem!

Paramendoni shqiptarët e Maqedonisë të inkuadruar nesër në NATO e në BE, duke protestuar kundër politikave antishqiptare e raciste të përfshira në “Enciklopedinë maqedonase”, duke protestuar e ngritur lart zërin për gjuhën shqipe, për avancimin e kulturës shqiptare, për urbanizimin e vendbanimeve shqiptare në mes të Shkupit, për të drejtat dhe liritë njerëzore e kombëtare, për të drejtat ligjore për familjarët, jetimët dhe invalidët e luftës së kurdisur më vitin 2001; paramendoni duke u ankuar zëshëm e me protesta shqiptarët kundër ligjit diskriminues e racist që i detyron fëmijët shqiptarë që nga klasa e parë për ta mësuar maqedonishten, këtë alamet “gjuhe të hyjnishme”!
Paramendoni protesta të shqiptarëve për kthimin e Institutit “Pjetër Bogdani” në konceptin e vet fillestar me të gjitha parametrat që një ditë të ngritet në Akademi Shqiptare në Maqedoni! Po kur do të protestojnë për subvencionimin e jetës kulturore, arsimore, shëndetësore, sociale të shqiptarëve të Maqedonisë? Nuk ka, jo! Nuk ka protesta kombëtare në familjen e madhe euro-atlantike! Ka heshtje, përulje dhe pranim e miratim të politikave globale që dalin të njëjta nga strukturat politiko-ushtarake për të gjithë qytetarët evropianë!

“Ç’t’i them tim birë, o Ali zeza…”

Këto ditë, deri sa po pinim kafe me një nga ish-komandantët me relevancë gjatë kohës së konfliktit të 2001-shit, në celular e thirri i biri i cili po mësonte në klasë të parë! Pastaj një heshtje e trishtë e pllakosi ish-komandantin! Psherëtiu thellë dhe foli si nëpër dhëmbë: “Heu Ali zeza, na e nxive fytyrën…” Pastaj mu kthye me plotë habi: “Mësuesja maqedonase u paska thënë fëmijëve që të gjithë ata që nuk duan të mësojnë maqedonishten do të dëbohen nga shkolla. Djali më pyeti: Babi, pse luftove ti? Që unë të mësoj maqedonisht? Çka t’i them tim biri, o Ali zeza”…

Në trend

Më shumë

"Ku ke qenë në luftën e Kosovës, çfarë ke bërë në 99' për vendin budalla", G Bani i drejtohet me fjalë të ashpra Gjestit pas përjashtimit të Jozit

Magazina
Kosovari vrau kushëririn në Zvicër pas konfliktit për një mur në Kosovë - gjykata jep detaje

Kosovari vrau kushëririn në Zvicër pas konfliktit për një mur në Kosovë - gjykata jep detaje

Lajme
Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Magazina
Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Lajme
Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Magazina

"Tiroli i Jugut si model për Asociacionin" Mandl: Jo një Republika Sërpska, duhet të jetë zgjidhje praktike, pa kërcënim

Lajme
Kalo në kategori