LAJMI I FUNDIT:

Rrahman Ratkoceri dhe Shtrati i Prokrusti!

Efikasiteti i pabesueshëm:
Këshilli Gjyqësor i Kosovës , pas denoncimit të EULEX-it, me një shpejtësi apo efikasitet të pabesueshëm ndërmori veprim të menjëhershëm duke e suspenduar nga puna gjyqtarin e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, z. Rrahman Ratkocerit ndryshe pjesë e trupit gjykues në procesin gjyqësor i njohur si procesi kundër “ Grupit te Llapit”. Thashë, jo pa qëllim pjesë e trupit gjykues e jo anëtar i trupit gjykues pasi që me vet faktin e të qenit anëtar i trupit gjykues nënkuptohet pjesëmarrje aktive në vendimmarrje e jo ta luash rolin e cungut!

Duket qartë se z. Ratkoceri nuk ka qenë pjesë aktive në këtë proces gjyqësor por është konsideruar si minoritet, pakicë! Po ç’bëri Rrahman Ratkoceri që “ shpata e drejtësisë” të veprojë aq shpejt dhe aq pamëshirshëm në karrigen dhe karrierën e tij?! Sipas EULEX-it dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës (i obliguar t’i zbatojë kërkesat e EULEX-it, UNMIK-ut dhe ndërkombëtarëve me ndikim si edhe atyre pa ndikim por që janë ndërkombëtarë), gjyqtari, i cili në rrethana normale do të duhej të merrej me lëndë të natyrës civile siç janë; divorcet, çështjet pronësore dhe kontestet e trashëgimisë e jo me çështje jashtëzakonisht serioze, të komplikuara dhe me pasoja (të rrezikshme) për shëndetin, sigurinë e tij dhe të familjes së tij, e paska shkelur etikën profesionale duke u deklaruar botërisht kundër vendimit të trupit gjykues të cilin e konsideron si të pabazë dhe jo të drejtë.

Gjithashtu, gjatë këtij prononcimi ai ka deklaruar se vota e tij ishte në favor të lirimit të të akuzuarve, tashmë të dënuarve mirëpo qenka mbivotuar nga ndërkombëtarët dhe se vota e tij nuk qenka përfillur! Si shkelës të etikës profesionale e cilësuan edhe disa njohës të ligjit, gazetarë dhe analistë! Gabimi i këtyre që gjykuan në këtë mënyrë ishte se ata gjykonin sikur të bëhej fjalë për një shtet me demokraci dhe gjyqësor te konsoliduar ku gjyqësori është i pavarur në marrjen e vendimeve, jashtë ndikimeve politike dhe jashtë ndikimeve të krimit të organizuar! Fatkeqësisht, Republika e Kosovës nuk është e tillë andaj as gjyqësori nuk bën përjashtime madje është shenjë identifikimi i gjendjes së përgjithshme! Në veçanti mund të thuhet për proceset kundër të akuzuarve për krime lufte, krime politike, krime me motive etnike, korrupcion të profilit të lartë etj.


Të flitet në këto rrethana për shkelje të etikës profesionale, e kam fjalën për suspendimin e civilistit Ratkoceri është njësoj sikur ta barazosh përgjegjësinë e Ratko Mladiqit dhe një hajni të pulave për krime lufte në Srebrenicë! Gjyqtari Rrahman Ratkoceri vërtet ka shkelur etikën profesionale shkaku se ka reaguar me shumë vonesë dhe vetëm pasi e kanë detyruar të deklarohet! Po të ishte përfillës i etikës në përgjithësi dhe asaj profesionale në veçanti, Rrahman Ratkoceri do ta bënte publik denoncimin e tij menjëhere pasi ishte marrë vendimi dhe të cilin e konsideronte si të padrejtë. Etika e tij profesionale e obligon ta bëjë këtë! Madje, edhe të japë dorëheqje nga posti i gjyqtarit si shenjë pakënaqësie dhe mospajtimi me gjyqtarët ndërkombëtarë që e injoruan votën e tij! Atëherë denoncimi i tij do të bëhej i besueshëm dhe nuk do të vinte në situatë që, vetëm pasi t’ia “ngrehin veshin” t’i bie ndërmend se duhet ta bëjë publik të “ vërtetën” e tij!

Andaj, Rrahman Ratkoceri po e paguan çmimin i cili nuk i takon vetëm atij ta paguaj! Shumë gjyqtarë, prokurorë dhe hetues të krimeve serioze duhet ta ndajnë fatin e gjyqtarit të suspenduar! Rahman Ratkoceri është suspenduar që të mbrohet pjesa e inkriminuar e gjyqësisë, prokurorisë dhe hetuesisë! Jo për shkak të shkeljes së etikës profesionale.

Etikën profesionale e ka shkelur në çastin kur ka pranuar të jetë minoritet i një trupi gjykues në një mjedis ku 95% të qytetarëve janë shqiptarë! Kur ka lejuar dhe pranuar që ndërkombëtarët ta pastrojnë dhe luftojnë krimin sipas parimeve të tyre në Kosovë ndërkaq që ka qenë detyrim i tij moral dhe kushtetues! Kur ka pranuar të jetë një leckë e vogël në pëlhurën e madhe dhe të zezë të quajtur drejtësia kosovare e menaxhuar nga ndërkombëtarët! E cila vetëm për ta ruajtur qetësinë dhe mbajtur nën kontroll situatën e sigurisë, nuk e lufton krimin, e dhunon ligjin dhe shtetin e së drejtës! Andaj ka shkuar pa shkaktuar as ndjenjën më të vogël të keqardhjes, pa u përkrahur nga askush dhe duke u sulmuar nga të gjithë!

Në fund të fundit, nuk ka mundur të përfundojë ndryshe sepse nuk do të ishte në rregull të përfundonte ndryshe! Tash e kanë shtrirë dhe e detyrojnë të flejë në shtratin e Prokrustit. Por, shtrati i Prokrustit nuk është vend ku mund të bësh gjumin rehat madje as për një çast! Ai shërben për gjera tjera. Ai nuk është shtrat për relaksim por për dënim, gjymtim!

Kombëtarët dhe kriminelët:

Në çdo vend normal këto dy fjalë i lidhë vetëm gramatika përkatësisht rregullat e drejtshkrimit meqë fillojnë me të njëjtën shkronjë, atë K. Kosova, si vend i paradokseve nuk i përfillë as rregullat drejtshkrimore ngase edhe gramatika mësohet sipas rregullave të të fortit! I forti morfologjinë e koncepton si forcë ndërsa sintaksën si dhunë! Ndoshta edhe kanë të drejtë kur dihet se këto janë pjesët kryesore të gramatikës. Duket se gjyqtari Rrahman Ratkoceri nuk e ka mësuar sa duhet dhe si duhet gramatikën andaj ka rënë në provim, e ka humbur vitin ( karrierën) pa mundësi të hyjë në riprovim!

Është fakt i pamohueshëm se pas përfundimit të luftës dhuna më e madhe dhe krimet më të mëdha janë kryer në emër të mbrojtjes së fryteve të luftës dhe kombëtares! Ata që nuk janë pajtuar me këta “ kombëtarë” të cilët unë i quaj kriminelë dhe profiterë të luftës në kohë të paqes, si armë kryesore e kanë përdorur kërcënimin, etiketimin dhe kanosjen si mjete paqësore për të të bindur, shkopin e bejzbollit në një ambient romantik (gjysmerrësirë) me muzikë shurdhuese, si mjet mikst (i kombinuar varianti paqësor dhe i dhunës) për të të bindur dhe privimi nga jeta si mjet i skajshëm i dhunës, jo tashmë për të të bindur ty por si porosi për të tjerët!

Me këto raste është dashur të merret drejtësia ndërkombëtare dhe vet Rrahman Ratkoceri! Duket se kjo i ka ngjarë edhe vet Rrahman Ratkocerit andaj është” bindur”se duhet ta flasë të “ vërtetën” ndonëse me vonesë! Me këtë performancë të vonuar mediale më së shumti i ka bërë dëm drejtësisë dhe “ Grupit të Llapit” në përgjithësi e Latif Gashit në veçanti!

Thuhet se peshku i madh e gëlltitë peshkun e vogël! Kjo e vërtetë nuk mund të mohohet me asgjë. Peshku i vogël, Rrahman Ratkoceri është sakrifikuar në emër të mbrojtjes së peshkaqenëve të krimit! Peshkaqenët e krimit janë në mesin tonë dhe janë latifondistë (zotues të sipërfaqeve të mëdha të tokave), investitorë në investime kapitale, pronarë në hije të pikave të karburanteve, ndërtues dhe pronarë të Kosovës dhe jetëve tona! Janë inxhinierë të ardhmërisë sonë! Nëse e duam ardhmërinë tonë atëherë duhet t’i ndalim ata, kriminelët e të gjitha llojeve! Qoftë edhe nëse na quajnë antikombëtarë dhe tradhtarë! Ata që e gërryejnë ardhmërinë e shtetit të tyre duke e plaçkitur pamëshirshëm atë, nuk kanë të bëjnë fare me njerëzoren e lere më me kombëtaren.

Andaj nuk më brengosin fare kërcënimet e tyre dhe mallkimi i tyre se jam transformuar në një antikombëtar. Thjesht, dua të jem njeri dhe të jetoj në një mjedis normal. Këto janë kërkesa krejtësisht modeste dhe normale për një vend normal por, siç thash më lart, Kosova është vend i paradokseve andaj edhe kjo kërkesë është paradoks I llojit të vet!

(Autori i shkrimit është drejtor ekzekutiv i KMDLNJ-së. Pikëpamjet në këtë shkrim janë personale)

Në trend

Më shumë

"Ku ke qenë në luftën e Kosovës, çfarë ke bërë në 99' për vendin budalla", G Bani i drejtohet me fjalë të ashpra Gjestit pas përjashtimit të Jozit

Magazina
Kosovari vrau kushëririn në Zvicër pas konfliktit për një mur në Kosovë - gjykata jep detaje

Kosovari vrau kushëririn në Zvicër pas konfliktit për një mur në Kosovë - gjykata jep detaje

Lajme
Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Magazina
Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Lajme
Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Magazina

"Tiroli i Jugut si model për Asociacionin" Mandl: Jo një Republika Sërpska, duhet të jetë zgjidhje praktike, pa kërcënim

Lajme
Kalo në kategori