LAJMI I FUNDIT:

Edgar Davids, dy dekada futboll në “3D”

Edgar Davids, dy dekada futboll në “3D”

Ai ka qenë padyshim një ndër mesfushorët më të mirë në botë që ka prodhuar ndonjë herë futbolli holandez. Edgar Steven Davids, lojtari i lindur më 13 mars të vitit 1973 në Paramaribo, Suriname, edhe pse gjithë kohës në fushën e blertë mbante syzet e tij të veçanta, këto të fundit nuk e kanë penguar aspak të shkëlqente gjatë karrierës së tij.

Në rolin e një “Pitbulli” (siç njihej Davids me pseudonimin e tij), ai ka qenë një mesfushor me tipare mbrojtëse, por gjithmonë ka spikatur dhe për daljet e tij në ndihmë të sulmit, por dhe për golat që ka realizuar gjatë karrierës së tij si futbollist profesionist (32 të tillë në 423 ndeshje).

Gjithçka nisi në vitet 1985/1991 kur Davids luante për Ajax U-18. Pasi tërhoqi vëmendjen e drejtuesve të klubit të madh holandez, ai vazhdoi karrierën e tij si profesionist tek Ajaxi i Amsterdamit, ku gjatë viteve 1991/1996 spikati në lojën dhe rolin e tij dhe u cilësua si një lojtar mjaft i veçantë dhe mjaft cilësor, shkruan Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kaq mjaftoi që skuadra e Milanit ta afronte drejt Italisë, ku pas një sezoni(1996/1997) ai të transferohej te Juventusi, ku në tetë sezone të luajtura (1997/2004) numri i famshëm 26, u rikthye në një ndër më të preferuarit e të gjitha kohërave nga ana e tifozerisë bardhezi.


Davids u bë i njohur dhe i dashur në fushën e futbollit, jo vetëm për tiparet krijuese, luftarake dhe energjinë që tregonte gjatë lojës, por dhe për modelin e tij të flokëve, dhe sigurisht të syzeve mbrojtëse që ai mbante për shkak të glaukomës.

Gjatë karrierës së tij, Edgar Davids u cilësua për aftësitë e tij teknike dhe aftësitë që tregonte kur ishte edhe në zotërim të topit, si dhe në aftësinë e tij kaluese nga kundërshtari dhe vizionin e treguar gjatë lojës.

Davids ishte i njohur për ritmin e tij, forcën, pushtetin, qëndrueshmërinë, zbulimin taktik, shkathtësinë, si dhe aftësinë e tij për të lexuar lojën, veti këto që të gjitha së bashku, e lejonin atë që të luante në mesfushë thuajse në çdo pozicion (si një mesfushor i majtë, shkatërrues, qendror, ‘trekuartist’ apo edhe mbrojtës).

Ai ka dhënë një kontribut mjaft të madh në futboll dhe këtë e tregojnë dhe shifrat e titujve që ai ka fituar gjatë karrierës së tij. Në Holandë, me Ajaxin e Amsterdamit, në Eredivisie, Super Ligën e kampionatit jolandez, ai numëron tre tituj kampionalë dy KNVB Cup”, katër trofe “Johan Cruijff Schaal”, lojtari më i mirë në holandë në kampionat, kupë dhe kombëtare (1993, 1994, 1995, 2007), një trofe të Ligës së Kampionëve (1994/1995), një Kupë UEFA (tash Europa League, 1991/1992), një Superkupë UEFA (1995) dhe një Kupë Interkontinentale (tash Kupa e Botës për Klube, 1995).

Te skuadra e Juventusit, Davids e ka fituar tri herë titullin kampion në Serie A, dy Superkupa Italie, një Kupë Intertoto dhe një Kupë Italie.

Ndërkohë që me kombëtaren e Tulipanëve, Davids ka arritur të fitojë vendin e katërt në Kampionatin Botëror të vitit 1998.

Pas suksesit të arritur me Juventusin, Davids ka vazhduar të luaje edhe për një sezon te Barcelona, te Interi, dy sezone te Tottenham Hotspur, për t’u rikthyer në Holandë te Ajaxi për një sezon, më pas ka vazhduar të luajë te Crystal Palace, për ta mbyllur karrierën e në Angli, te skuadra e Barnet në vitin 2014. /BW/Telegrafi/