LAJMI I FUNDIT:

Si do të mbrohet Shqipëria në UEFA

Si do të mbrohet Shqipëria në UEFA

Me anë të një komunikatë publike, Federata Shqiptare e Futbollit informoi mediat dhe opinionin publik për materialet e paraqitura në Komisionin e Disiplinës së UEFA-s për ndeshjen Serbi-Shqipëri.

Në deklaratë thuhet se “futbollistët e Shqipërisë kanë qenë viktimë e dhunës fizike dhe verbale të shoqëruar me thirrje raciste”. Për këto të fundit FSHF njofton se të hënën ka dërguar një kërkesë të veçantë tek UEFA për përfshirjen e tyre në procedurën e hapur për zgjerimin e akuzave kundër Serbisë si vend organizator.

“Të gjitha këto shkelje janë të provuara nëpërmjet pamjeve filmike dhe raporteve mjekësore të cilat janë depozituar pranë UEFA-s. Futbollistët e Shqipërisë nuk kanë refuzuar të luajnë, por vazhdimi i lojës ka qenë i pamundur si pasojë e drejtpërdrejtë e dëmtimeve fizike dhe psikologjike prej sulmeve të pakontrollueshme të tifozëve serbë, të punonjësve të sigurisë dhe, në disa raste të izoluara, edhe të vetë futbollistëve serbë”, thuhet në komunikatën e FSHF-së.

FSHF rendit shkeljet e gjetura edhe në raportin e Delegatit të Sigurisë së UEFA-s:


1. Mungesa e sigurisë së nevojshme të fushës së lojës
2. Sjellja shumë e keqe e tifozëve
3. Menaxhimi i dobët i stadiumit
4. Gjendja e tij e keqe deri në konstatimin e faktit të rëndë që policia “nuk mund të mbrojë lojtarët dhe arbitrat”.

“Si pasojë e sa më sipër, rezulton qartësisht që nuk janë siguruar kushtet e barabarta për vazhdimin e ndeshjes së futbollit”, thuhet në deklaratë.

Komisioni i Disiplinës do të mblidhet të enjten më 23 tetor. FSHF deklaron se ka kërkuar rrëzimin e akuzave të ngritura kundër Shqipërisë dhe marrjen e fitores 3-0 në tavolinë.

Siç raporton Top Channel, pala shqiptare do të kërkojë edhe rrëzimin e akuzës tjetër, atë të banerit të shfaqur në stadium, mbështetur në katër fakte:

1. Në stadium nuk ka pasur tifozë të Shqipërisë përveç futbollistëve dhe delegacionit.
2. Si futbollistët ashtu edhe delegacioni janë kontrolluar nga policia pas ndeshjes dhe nuk është gjetur asnjë objekt për pilotimin e helikopterit.
3. Baneri ka ardhur nga zona jugore prapa portës, zonë e cila ka qenë me tifozë Serbë të cilët nuk kanë qenë të kontrolluar nga policia meqenëse kanë mundur të fusin në stadium flamuj politikë, sende të forta si dhe një fuçi.
4. Për të gjitha këto arsye është e pamundur të përcaktohet autori i incidentit dhe fakti që ky i fundit është shtetas shqiptar (territori i hartës në baner është më i gjerë se territori i Republikës së Shqipërisë).

Si përfundim, FSHF informon që vendimi i marrë nga UEFA mund të jetë objekt i apelimit pranë Gjykatës të Arbitrazhit të Sportit. /Telegrafi/