LAJMI I FUNDIT:

A e meriton Interi titullin në Serie A?

A e meriton Interi titullin në Serie A?

Ky sezon do të mbahet gjatë në mend nga tifozët e futbollit anembanë botës, pasi që Serie A, ishte një nga kampionatet më dramatike deri në momentin e fundit, që njëkohësisht përbën klimaksin e sezonit.

Është pikërisht drama dhe atmosfera inkandeshente në fund të sezonit ajo që vë në dyshim meritën e fituesit të titullit, si fitues i titullit të caktuar. Këtu kemi të bëjmë me Interin, që për pak sa nuk e humbi Scudetton. Megjithatë, si çdo pyetje edhe kjo pyetja e shtruar nga ne ka një përgjigje të caktuar. Nuk thonë kot: “Çdo pse e ka një sepse”.

Në vazhdim të editorialit do të keni rast të mësoni arsyet prapa suksesit të Interit, ndërsa në fund do të zbulohet dhe sekreti prapa suksesit të Nerazzurëve.

A e meriton Interi titullin?


Definitivisht po. Nëse shikohet mirë ecuria e Interit, nga fillimi deri në fund të kampionatit, do të vërejmë një stabilitet të caktuar, që u përcoll nga një angazhim i tepërt në mes të sezonit, e që si pasojë pati rrëshqitjen nga tabela e Serie A. Interi ka pasur sulmin më të mirë, mesfushën më të mirë, mbrojtjen më të mirë dhe gjithçka tjetër më të mirë këtë sezon në Serie A, përkundër serisë fantastike të Romës prej 24 fitoreve resht.

Mbrojtja

Në fakt, nuk ka se çfarë të vihet në pikëpyetje. Lucio dhe Samuel formuan dyshen më të mirë defensive në Kampionatin italian dhe më gjerë, duke qenë të hekurt në secilën fazë të sezonit. Julio Cesar gjithashtu ishte njeriu që garantoi ‘mrekulli’ në shumë raste. Maicon nga ana tjetër është padyshim ndër mbrojtësit më të mirë të krahut të djathtë, kurse Javier Zanetti mposhti moshën e tij për të shfaqur një sezon fantastik.

Mesfusha

Atë që hodhi Real Madridi, shfrytëzoi për mrekulli Interi. Ëesley Sneijder është njeriu kryesor prapa suksesit të zikaltërve, i cili me plot sukses arriti të lidhë mesfushën me sulmin, duke qenë i paluhatshëm në asnjë moment të sezonit, përkundër lëndimeve. Këtu kontribuon dhe Thiago Motta që tregoi pjekuri, duke shënuar gola vendimtarë në shumë ndeshje. Esteban Cambiasso, një njeri tjetër ‘i përzënë’ nga Reali në vitin 2004, vazhdoi me formën e tij solide në pjesën defensive të mesfushës së Interit. Ndërkohë, një paraqitje jo aq të mirë ka pasur serbi Dejan Stankovic.

Sulmi

Diego Milito tregoi se është sulmues i madh, me 22 golat e shënuar, duke qenë më se vendimtar dhe njëri ndër më meritorët për Scudetto. Pikërisht Milito shënoi golin e Scudettos ndaj Sienas, falë asistimit të Javier Zanettit. Samuel Eto’o nuk ishte njëri nga më të mirët këtë sezon, apo thënë më mirë nuk e përsëriti formën që e pati te Barcelona, pasi që qëndroi shumë larg portës. Sidoqoftë, ai ka shënuar gola shumë të rëndësishëm dhe mbetet njëri ndër pesë sulmuesit më të mirë të globit. SuperMario ishte njeriu i polemikave jashtë fushës së lojës. Megjithatë, Balotelli doli në skenë kur i nevojitej më së shumti skuadrës, duke shënuar gola me rëndësi. Goran Pandev që erdhi në mes të sezonit vetëm sa shtoi opsionet e Mourinhos, duke u bërë një nga instrumentet ‘më helmuese’ të portugezit. /Telegrafi/