LAJMI I FUNDIT:

Euro 2008 – Grupi D

Euro 2008 – Grupi D

Spanja

Spanja ka ekipin më të fortë në dekada dhe do të kërkojë të përsërisë suksesin e gjeneratës 1964, të cilët fituan titullin e parë dhe deri më tani të vetmin të Evropës. Si ekipi me më së tepërmi ndeshje të zhvilluara në histori të kampionateve evropiane, Spanja do të ndiejë se ka ardhur momenti i saj.

Si janë paraqitur në kualifikime për Euro 2008?

Një fillim i dobët mbeti pas tyre, kur Spanja mposhti Suedinë 3-0 në shtëpi në ndeshjen e parafundit kualifikuese për të siguruar pjesëmarrjen në garë. Spanja e përfundoi vitin 2006 si ekip në krizë, pas humbjes së papritur 3-2 nga Irlanda Veriore në Belfast e përcjellë nga humbja 2-0 në Suedi, pas së cilës mbetën me vetëm tri pikë nga tri ndeshjet e para në Grupin F. Rezultatet u përmirësuan më 2007 kur barazimi 1-1 me Islandën ishte i vetmi dëshpërim në serinë prej tetë fitoreve nga nëntë ndeshje. Ekipi i Luis Aragones shfaqi cilësitë e veta duke mposhtur Danimarkën 3-1 dhe fituar 3-0 ndaj Suedisë. Fitorja 1-0 ndaj Irlandës veriore në ndeshjen e fundit kualifikuese u siguroi atyre pozitën e parë në grup, por Aragones kishte thënë se "Spanja është kualifikuar për shumë vite me radhë në gara të rëndësishme, andaj ky nuk është sukses, por vetëm një detyrë e realizuar".


Spanja është kualifikuar për Kampionatin botëror 2006 pas play-off-it, duke përfunduar pas Serbisë dhe Malit të Zi në rrethin kualifikues, edhe pse kishte rekord prej asnjë humbjeje në dhjetë ndeshje – pesë fitore dhe pesë barazime. Edhe Serbia nuk kishte asnjë humbje, por ata fituan gjashtë nga dhjetë ndeshjet e tyre. Gjatë garës në Gjermani, Spanja shkëlqeu në fazën e grupeve me fitoret ndaj Ukrainës (4-0), Tunizisë (3-1) dhe Arabisë Saudite (1-0). Por suksesi i tyre nuk zgjati shumë, pasi u mposhtën 3-1 në rrethin e dytë nga Franca. Të dy, Fernando Torres dhe David Villa shënuan nga tri gola në katër ndeshje, sa zhvilloi Spanja në Botërorin 2006.

Si janë paraqitur në Euro 2004?
Spanja siguroi pjesëmarrjen për 2004 në play-off, pasi përfundoi në pozitën e dytë pas Greqisë në rrethin kualifikues. Ata tejkaluan Norvegjinë për të siguruan pjesëmarrjen në garën e zhvilluar në Portugali, por qëndrimi i tyre ishte minimal prej tri ndeshjeve pasi dështuan të kalojnë fazën e grupeve. Edhe pse humbi vetëm një nga tetë ndeshjet, Spanja lëshoi pikë të vlefshme kundër Ukrainës (2-2) dhe Irlandës Veriore (0-0), e po ashtu u mposht 1-0 në shtëpi nga Greqia. Mirëpo, Spanja u tregua shumë e fortë për Norvegjinë në play-off, duke fituar 2-1 në shtëpi dhe 3-0 në udhëtim. Megjithatë, në fillim të garës, Spanja u mposht 1-0 nga Rusia e më pas barazoi 1-1 me Greqinë për të humbur takimin e fundit të fazës së grupeve me Portugalinë duke u eliminuar nga gara.

Cila është paraqitja e tyre më e mirë në kampionate evropiane?

Suksesi më i madh i Spanjës në kampionate evropiane erdhi më 21 qershor 1964, kur ata fituan garën në Madrid duke mposhtur në finale Bashkimin Sovjetik 2-1. Spanjollët në rrethin kualifikues kishin mposhtur Rumaninë, Irlandën Veriore dhe Republikën e Irlandës para se të fitonin përballë Hungarisë (2-1) në gjysmëfinale.

Faktet kryesore

Deri në fund të kualifikimeve për Euro 2008, Spanja ka qenë e përfshirë në më së tepërmi ndeshje nga një shtet i vetëm gjatë garës, me gjithsej 122 takime prej fitores së tyre 4-2 si mysafir kundër Polonisë në Euro 1960. Danimarka ishte e dyta më 120, ndërsa Holanda dhe Franca të bashkuara në pozitën e tretë me 117 ndeshje.

Rekordet

Deri më fund të kualifikimeve për Euro 2008, Spanja është paraqitur në të gjitha 13 garat kualifikuese për kampionate evropiane dhe ka zhvilluar 122 ndeshje. Prej tyre kanë fituar 72, barazuar 24 dhe humbur 26 me 260 gola të shënuara dhe 108 të pranuara.

Skuadra Portierë
1 Iker Casillas
13 Andrés Palop
23 Pepe Reina

Mbrojtës
2 Raúl Albiol
3 Fernando Navarro
4 Carlos Marchena
5 Carles Puyol
11 Joan Capdevila
15 Sergio Ramos
18 Álvaro Arbeloa
20 Juanito

Mesfushorë
6 Andrés Iniesta
8 Xavi Hernández
10 Cesc Fàbregas
12 Santi Cazorla
14 Xabi Alonso
19 Marcos Senna
22 Rubén de la Red

Sulmues
7 David Villa
9 Fernando Torres
16 Sergio García
17 Daniel Güiza
21 David Silva

Suedia

Suedia do të marrë pjesë për herë të pestë rresht në Kampionatin Evropian. E arritura më e madhe e këtij ekipi ishte kualifikimi në gjysmëfinale të Evropianit 1992. Të prirë nga sulmuesi i tyre, Zlatan Ibrahimoviq, suedezët synojnë të arrijnë lart në Euro 2008.

Si janë paraqitur në kualifikime për Euro 2008?
Suedia e ka siguruar kualifikimin në ndeshjen e fundit, pasi e ka mposhtur Letoninë më 27 nëntor të vitit të kaluar dhe duke përfituar nga humbja e Irlandës së Veriut nga Spanja. Suedezët kanë përfunduar në vendin e dytë të Grupit F, përkrah Spanjës, që ishte e para. Skuadra e Lars Lagerback kishte një fillim brilant të kualifikimeve duke i fituar katër ndeshjet e para, ndër to fitoren 2:0 ndaj Spanjës. Kjo është hera e pestë rresht që Suedia merr pjesë në një turne të madh. "E kemi bërë atë që duhej, vetëm kjo çon peshë", ka komentuar sulmuesi i Interit, Zlatan Ibrahimovi?.

Si janë paraqitur në Kampionatin botëror 2006?

Suedia e ka përfunduar grupin e vet të kualifikimeve prapa Kroacisë, mirëpo 24 pikët e tubuara në 10 ndeshje i kanë mundësuar asaj të shkojë në fazën finale të Botërorit 2006 si ekipi i dytë më i mirë. Suedia ka arritur suksese të mëdha në fazën e kualifikimeve, pa përmendur këtu dy humbjet nga Kroacia me rezultat identik 1:0. Ata i kishin fituar 8 ndeshjet e tjera, duke realizuar 30 gola dhe duke pësuar vetëm 2. Suedia e kishte kaluar fazën e grupeve në Botërorin 2006 falë barazimit ndaj Trinidad e Tobagos, fitores ndaj Paraguait dhe barazimit me Anglinë. Aventura botërore kishte përfunduar në të tetën e finales, kur suedezët u mposhtën 2:0 nda Gjermania.

Si janë paraqitur në Euro 2004?
Suedia ka arritur deri në çerekfinale të Euro 2004, ndërsa ishte eliminuar pas ekzekutimit të penalltive nga Holanda, pas barazimit me rezultat të bardhë. Suedia e kishte siguruar kualifikimin në evropian një ndeshje para kohe. Nga 8 ndeshje të zhvilluara, skandinavët kishin arritur 5 fitore, 2 barazime dhe 1 humbje, duke realizuar 19 gola dhe duke pësuar vetëm 2.

Cila është paraqitja e tyre më e mirë në kampionate evropiane?

Suedia ishte organizatore e Kampionatit Evropian në vitin 1992 (hera e fundit që merrnin pjesë vetëm 8 ekipe) dhe e kishte arritur gjysmëfinalen. Suedezët ishin eliminuar edhe kësaj radhe nga Gjermania, e cila kishte fituar 3:2.

Rekordet

E kualifikuar në Euro 2008, Suedia merr pjesë për herë të pestë rresht në një turne të rëndësishëm ndërkombëtar.

Faktet kyçe

Në fund të kualifikimeve për Euro 2008, Suedia në përgjithësi i ka zhvilluar 92 ndeshje në kampionate evropiane, prej tyre i ka fituar 43, ka barazuar në 24, kurse ka humbur 25 herë. Suedezët kanë realizuar gjithsej 137 gola, kurse kanë pësuar 91. Suedia nuk kishte marrë pjesë në Evropianin e vitit 1960. Skandinavët kanë fituar 5 herë nga 5:0, por fitorja më e thellë ishte ajo e 7 qershorit 2003, kur ky ekip kishte fituar 6:0 kundër San Marinos. Në atë ndeshe, Mattias Jonson kishte shënuar tregolësh.

Skuadra

Portierë
1 Andreas Isaksson
12 Rami Shaaban
13 Johan Wiland

Mbrojtës
3 Olof Mellberg
4 Petter Hansson
5 Fredrik Stoor
14 Daniel Majstorovic
15 Andreas Granqvist
23 Mikael Dorsin

Mesfushorë
2 Mikael Nilsson
6 Tobias Linderoth
7 Niclas Alexandersson
8 Anders Svensson
9 Fredrik Ljungberg
16 Kim Källström
18 Sebastian Larsson
19 Daniel Andersson
21 Christian Wilhelmsson

Sulmues 10 Zlatan Ibrahimović
11 Johan Elmander
17 Henrik Larsson
20 Marcus Allbäck
22 Markus Rosenberg

Rusia

Rusia do të kërkojë suksesin më të madh në kampionatet evropiane, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Rusët e drejtuar nga strategu holandez Guus Hiddink, nga ajo që kanë treguar në ndeshjet kualifikuese, mund të bëhen befasia e Euro 2008.

Si janë paraqitur në kualifikime për Euro 2008?
Rusia e drejtuar nga elektori Guus Hiddink siguroi një vend në Euro 2008, pas një fushate dramatike duke e siguruar vendin e dytë në Grupin E. Rusët i filluan kualifikimet për Euro me dy barazime ndaj Kroacisë dhe Izraelit, ndërsa më pas fituan gjashtë ndeshjet e radhës. Rusia më pas zhvilloi dy ndeshje radhazi kundër Anglisë, fillimisht në vjeshtën e 2007 kur humbën 3- 0 në Wembley, por më pas fituan në Moskë me dy golat e zëvendësuesit Roman Pavlyuchenko, edhe pse anglezët udhëhoqën të parët me golin e Wayne Rooney. Kjo fitore i la rusët në pozitën e dytë në Grup, duke pasur nevojë për gjashtë pikë në dy ndeshjet e fundit përballë Izraelit dhe Andorrës, për të siguruar kualifikimin. Hiddink pati thënë se ishte "thjesht e pamundur" të humbin nga Izraeli, pasi kundërshtarët e tyre më herët humbën gjasat për kualifikim. Por Rusia humbi 2-1 nga izraelitët duke ia kaluar përparësinë Anglisë për një biletë në Euro 2008. Megjithatë, drama vazhdoi në xhiron e fundit, kur Anglia u mposht befasisht 3-2 në shtëpi nga Kroacia, duke ia mundësuar Rusisë kualifikimin në Euro 2008 me fitoren minimale 1-0 ndaj Andorrës.

Si janë paraqitur në Kampionatin botëror 2006?

Rusia e përfundoi në pozitën e tretë fushatën për kualifikimet për Kampionatin botëror, pas liderit Portugalisë dhe Sllovakisë që u rendit e dyta. Rusët arritën gjashtë fitore, pesë barazime dhe një humbje në 12 ndeshjet e zhvilluara. Ata përfunduan shtatë pikë pas Portugalisë, ndërsa për shkak të golaverazhit më të dobët e humbën pozitën e dytë, pasi kishin pikë të njëjta me Sllovakinë, që kishte grumbulluar gjithsej 23 pikë.

Si janë paraqitur në Euro 2004?

Rusia e përfundoi në pozitën e dytë fushatën për kualifikimet për Euro 2004, para se të eliminonte Uellsin në ndeshjet e barazhit me rezultat të përgjithshëm 1-0. Duke qenë se i humbën dy ndeshjet kundër Spanjës (1-0) dhe Portugalisë (2- 0) në fillim të fazës së grupeve, rusët tashmë ishin eliminuar nga Euro 2004. Megjithatë, ata fituan me rezultat 2-1ndeshjen e tyre të fundit kundër Greqisë, e cila më pas u shpall edhe kampione e Evropës.

Cila ishte paraqitje e tyre më e mirë në kampionatet evropiane?

Paraqitja më e mirë e Rusisë ishte në Euro 2004, megjithëse shkëlqyen në kualifikimet për Euro 1996. Nga dhjetë ndeshje, Rusia tuboi 26 pikë për ta fituar grupin, pjesë e së cilit ishin Finlanda, Greqia, Skocia, Ishujt Faro dhe San Marino.

Rekordet

Deri në fund të kualifikimeve për EURO 2008, Rusia është paraqitur në katër kampionate evropiane, duke i zhvilluar gjithsej 48 ndeshje. Ata kanë fituar 27 takime, barazuan dhjetë herë, ndërsa në 11 ndeshje u mposhtën nga kundërshtarët. Rusët në këto përballje shënuan 100 gola, kurse pësuan 48 gola. Paraqitja e parë ndërkombëtare e Rusisë që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, ishte në vitin 1992 kur mposhtën Meksikën me rezultat 2-0.

Skuadra

Portierë 1 Igor Akinfeev
12 Vladimir Gabulov
16 Vyacheslav Malafeev

Mbrojtës 2 Vasili Berezutski
4 Sergei Ignashevich
5 Aleksei Berezutski
8 Denis Kolodin
14 Roman Shirokov
22 Aleksandr Anyukov

Mesfushorë
3 Renat Yanbaev
7 Dmitri Torbinski
11 Sergei Semak
13 Oleg Ivanov
15 Diniyar Bilyaletdinov
17 Konstantin Zyrianov
18 Yuri Zhirkov
20 Igor Semshov
23 Vladimir Bystrov

Sulmues
6 Roman Adamov
9 Ivan Saenko
10 Andrei Arshavin
19 Roman Pavlyuchenko
21 Dmitri Sychev

Greqia

Kampioni në fuqi, Greqia, do të hyjë në fazën finale me synim për ta mbrojtur titullin e fituar në vitin 2004. Kjo është hera e tretë që grekët marrin pjesë në një Evropian. Ata nuk kanë pësuar gol në 358 minutat e fundit në Evropian.

Si janë paraqitur në kualifikime për Euro 2008?
Kampionët e Evropës e kanë mbyllur Grupin C në vendin e parë, duke u kualifikuar dy ndeshje para përfundimit, falë fitores ndaj Turqisë në Stamboll. Greqia ka grumbulluar gjithsej 31 pikë në kualifikime, më shumë se çdo kombëtare tjetër. Otto Rehhagel e ka festuar praninë e tij të 75-të në bankinën greke në sfidën kundër Ukrainës, duke u bërë selektori me më së shumti ndeshje të drejtuara në histori të Përfaqësueses greke. Pasi e kishin humbur ndeshjen me Turqinë, grekët i kishin fituar 7 nga 8 ndeshjet pasuese, ndërsa të vetmen ndeshje e kishin barazuar me Norvegjinë. Futbollisti Kyrgiakos ka luajtur në të 12 ndeshjet e Greqisë në fazën kualifikuese.

Si janë paraqitur në Kampionatin botëror 2006?
Pasi kishte triumfuar në Euro 2004, Greqia nuk ia kishte dalë të kualifikohej në fazën finale të Botërorit 2006, pasi e kishte përfunduar fazën e grupeve në vendin e katërt, me 6 fitore, 3 barazime e 3 humbje. Nga 6 ndeshjet e zhvilluara në shtëpi, grekët i kishin fituar 4 ndeshje, 1 e kishin barazuar dhe kishin pësuar 1 humbje.

Si janë paraqitur në Euro 2004?
Grekët kishin triumfuar në Evropianin e mbajtur në Portugali më 2004. Ata ishin kualifikuar në fazën finale për të dytën herë në histori të tyre, duke kryesuar në grupin e tyre në fazën kualifikuese me 6 fitore e 2 humbje të pësuara. Greqia e kishte përfunduar fazën e grupeve në vendin e dytë, pas Portugalisë, të cilën fillimisht e kishte mposhtur 2:1. Të mbështetur në një lojë defanzive, grekët e kanë fituar këtë garë. Pasi e kishin eliminuar Francën në çerekfinale falë një goli të Angelos Charisteas, grekët e kishin eliminuar Republikën Çeke në gjysmëfinale, pas golit të shënuar në lojën shtesë nga mbrojtësi Trianios Dellas në minutën e 105-të. Grekët patën triumfuar e rezultat 1:0 ndaj Portugalisë në finalen e zhvilluar në stadiumin Estádio da Luz, me golin e Charisteas. Greqia e kishte mbyllur këtë turne pa pësuar asnjë gol në 358 minuta të luajtur.

Cila ishte paraqitje e tyre më e mirë në kampionatet evropiane?
Ajo e vitit 2004, kur u shpallën kampion të Evropës.

Faktet kryesore
Në mars të vitit 1963 Greqia kishte refuzuar të luante kundër Shqipërisë në ndeshjen e parë kualifikuese për Kampionatin Evropian, për faktin se të dyja shtetet ishin në luftë nga viti 1912. Greqia është paraqitur në dy faza finale të Evropianit, në vitin 1980 në Itali, para se të fitonte në Portugali më 2004.

Rekordet
Deri në përfundim të kualifikimeve për Euro 2008, Greqia ka zhvilluar në përgjithësi 100 ndeshje në kampionate evropiane (përfshirë këtu edhe humbjen 3:0 në tavolinë ndaj Shqipërisë në vitin 1963). Shifrat tregojnë për një bilanc prej 48 fitoresh, 19 barazimesh dhe 33 humbjesh, prej tyre 146 gola të shënuara e 115 të pësuara. Grekët e kishin arritur fitoren më të lartë në kualifikimet e Euro 1980, kur e kishin mposhtur Finlandën me rezultat 8:1 (tremolësh kishte shënuar Thomas Mavros). Humbja më e rëndë e grekëve daton në vitin 1958. Në debutimin e tyre, ata kishin humbur në Paris nga Franca me rezultat 7:1.

Skuadra

Portierë
1 Antonis Nikopolidis
12 Kostas Chalkias
13 Alexandros Tzorvas

Mbrojtës
2 Giourkas Seitaridis
3 Christos Patsatzoglou
4 Nikos Spiropoulos
5 Traianos Dellas
11 Loukas Vintra
15 Vassilis Torosidis
16 Sotiris Kyrgiakos
18 Giannis Goumas
19 Paraskevas Antzas

Mesfushorë 6 Angelos Basinas
8 Stelios Giannakopoulos
10 Giorgos Karagounis
21 Kostas Katsouranis
22 Alexandros Tziolis

Sulmues
7 Giorgos Samaras
9 Angelos Charisteas
14 Dimitris Salpingidis
17 Fanis Gekas
20 Giannis Amanatidis
23 Nikos Liberopoulos

Ndeshjet

10 qershor Spanja – Rusia (18:00)
Suedia – Greqia (20:45)

14 qershor
Spanja – Suedia (18:00)
Rusia-Greqia (20:45)

18 qershor Spanja – Greqia (20:45)
Suedia – Rusia (20:45)

Në trend Sport

Më shumë
Ilir Daja largohet nga Ballkani, përshëndetet me lojtarët pas ndeshjes me Malishevën

Ilir Daja largohet nga Ballkani, përshëndetet me lojtarët pas ndeshjes me Malishevën

Superliga
U përball me të dy ekipet, trajneri i Valladolidit tregon dallimin mes Real Madridit dhe Barcelonës

U përball me të dy ekipet, trajneri i Valladolidit tregon dallimin mes Real Madridit dhe Barcelonës

La Liga
Rezultatet dhe renditja në Ligën e Parë: Drenica dhe Vëllaznimi në formë, Prishtina e Re fiton derbin

Rezultatet dhe renditja në Ligën e Parë: Drenica dhe Vëllaznimi në formë, Prishtina e Re fiton derbin

Liga e Parë
Ylli i Real Madridit ‘i shkatërruar’ pasi nuk arriti që të largohej nga klubi këtë verë

Ylli i Real Madridit ‘i shkatërruar’ pasi nuk arriti që të largohej nga klubi këtë verë

La Liga
Notat e lojtarëve, Man Utd 0-3 Liverpool: Salah ndeshje pothuajse perfekte

Notat e lojtarëve, Man Utd 0-3 Liverpool: Salah ndeshje pothuajse perfekte

Premier League
Liverpooli shumë i fortë për Manchester Unitedin - dominim, gola dhe fitore e madhe në ‘Old Trafford’

Liverpooli shumë i fortë për Manchester Unitedin - dominim, gola dhe fitore e madhe në ‘Old Trafford’

Premier League
Kalo në kategori